Sadri Ramabaja, Prishtinë
_____
Në këto çaste, kur ndjesia dhe logjika mund të jetë në një peshojë specifike, në mendje më erdhi testamenti i Mitrushit (Kutelit) tonë të madhë.
Shteti edhe kur të lëndon keq [siç bën bandat në emër të Tij përmes montimit monstruoz ndaj meje], duhet ta duam dhe të bëjmë çmos që ai të çlirohet tërësisht.
Këtë sentencë historike e kam pasur në mendje vazhdimisht, edhe për një arsye të thjeshtë: për Republikën që gëzojmë sot, kam dhënë shumëçka nga jeta ime.
Maurice Duverger, ligjëruese në Fakultetin Juridik në njërin prej universiteteve të Parisit, në gazetën franceze Le Monde, në artikullin me titullin: “A u bë Franca vend pa drejtësi”, duke shkruar për rastin e Xhemile Bupashes, apo siç njihet në opninion Xhemilja e Algjerisë, pat nënvizur:
„Një komb mund të jetë pa ministra të ndërgjegjshëm, por nuk mund të jetë pa drejtësi. Shteti pa drejtësi është shtet në të cilin të gjithë janë fajtor.“
Këtë kualifikim, pohoi avokati im, Ramiz Krasniqin në seancën e fundit, në përmbyllje të mbrojtjes sonë, nuk ia dëshirojmë asesi Shtetit tonë.
Ndryshimi që solli revolucioni demoratik i heshtur i 14 shkurtit 2021, erdhi si suferinë edhe në këtë vjeshtë-pranverë dhe krejt natyrshëm po përjetohet si frymë e re në jetën publike e shoqërore. Ndërkaq në sistemin e drejtësisë ky ndryshim ka filluar të ndjehet si akt çlitrimi nga pjesa më e ndërgjegjshme e këtij segmenti të Republikës sonë.
Jam i bindur se ky verdikt i drejtë i Gjykatës sonë sot, është në përputhje të plotë me bindjen që kisha gjatë muajve të fundit, se funksionalizimi i Republikës dhe vënja e drejtësisë në vend, tashmë ka filluar edhe në sistemin e drejtësisë.
Republika jonë aq sa ka nevojë për qeveri e rrjedhimisht ministra të ndërgjegjshëm, po aq ka nevojë edhe për drejtësi, respektivisht gjykatës e prokurorë profesionistë e qytetarë të denjë.
Tok, të gjithë, do ta bëjmë Shtetin e së drejtës.