ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Faton Zeneli për herën e parë rrëfen për ferrin në Centralni Zatvor, CZ, të Beogradit

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

Arif Ejupi, Zvicër

Faton Ejup Zeneli nga Sibovci i Epërm i komunës së Podujevës, edhe pse i pafajshëm prej 23.03.1985 e deri më 7 dhjetor 1985,pati përjetuar ferrin në burgun e Prishtinës dhe atë të Beogradit. 

Serbë e malazezë të vendosur si kolonë në qytete e fshatra të Kosovës, të nxitur nga Beogradi, pas demonstratave të vitit 1981,të organizuara nga rinia studentore e Universitetit të Kosovës, trillojnë lloj-lloj skenarësh nga më të pistët, me qëllimin e vetëm që bota, të kujtoj që ata janë vërtetë të rrezikuar nga shqiptarët. 

Në mënyrë që të sensibilizohet opinioni brenda Jugosllavisë, dhe ai ndërkombëtar dhe gjendja e tyre në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, të paraqitet si e padurueshme dhe si nevojë urgjente të imponohet ndërhyrja policore dhe ushtarake, ata kryejnë ndaj vetvetes vepra nga më të turpshmet. 

Thyejnë pllakat përkujtimore të të vdekurve nëpër varrezat e tyre. Dëmtojnë kisha dhe manastire. 

Djegin pronat e mbjella me vreshta e kultura të tjera bujqësore. Trillojnë përdhunime të paqena të grave dhe vajzave të tyre. Planifikojnë vrasjen e fëmijëve të tyre nëpër çerdhe e shkolla fillore. 

Më vonë këto vepra idiotësie të kryera nga vetë ata ua mëveshin shqiptarëve. 

Projektues të kësaj çmendurie ishin neo-fashistët kokëkrisur :Miroslav Sholloviq, Dushan Tomasheviq, Sreten Martinoviq, Mitar Baleviq, Kosta Bullatoviq, Bogdan Kecman, Boshko Budimiroviq,etj,të cilët edhe sot ëndërrojnë kthimin në vendin e krimit. 

Po të funksionin si duhet ligjet mbi dënimin e krimit të gjithë këta shpirtndyrë duhej të kalbeshin në burgje, sepse me krrokëritjet e tyre të pandërprera në stil korbash nxitën makinerinë e kryekriminelit Millosheviq, për kryerje gjenocidi të paparë në Kosovë. 

Në këtë lojë të fëlliqur përfshihet edhe Armata jugosllave. Ajo me skenarë të ngjashëm vret mbi 100 (njëqind) të rinj shqiptarë, derisa ata po shërbenin në kuadër të saj, që në fakt për ta ishte e huaja. 

Shumë shqiptarë përpos që vriten marrin edhe dënime drakonike nga Gjykatat Ushtarake të ish-Jugosllavisë,siç ishte rasti me të rinjtë: Riza Xhakli, Abdylxhemil Alimani,,Riza Alibashiq, Pajazit Aliu, Afrim Mehmeti,Behxhet Shala-Bajgora, Hysen Shurdhani, Zenel Baçaj, Shefki Barileva,Shefqet Paçarizi, Ibrahim Mazrekaj, Enver Behluli e shumë e shumë të tjerë. 

Në vargun e këtyre marrëzive të panumërta hynë edhe kurdisja e veprës penale ndaj të riut Faton Zeneli, asokohe 19 vjeç. 

Gjatë natës së 27 dhe 28 shtatorit të vitit 1984 në varrezat serbe në Sibovc të Epërm të Podujevës, nga persona të panjohur thyhen pllakat përkujtimore të të ndjerëve Ruzhica Simiq dhe Dragosav Karaiq. 

Për habinë e të gjithëve Beogradit dhe shërbëtorëve të tij në Kosovë, u nevojiten plot gjashtë muaj e gjysmë për të filluar me procedurat për zbulimin e kryerësit të kësaj vepre makabër. 

Faton Zeneli, edhe pse kanë kaluar 38 vjet nga kjo ngjarje deri në detaje i kujton skenat e trilluara ndaj tij. Ai thotë “ Mbrëmjen e kësaj nate së bashku me nënën time Nazlijen patëm shkuar në Prishtinë, tek dajallarët e mi Fehmi e Mehdi Berisha, që jetonin në lagjen Kodra e Trimave(ish-Vranjevci). 

Ndërkaq, babai im Ejupi, që gjatë kësaj kohe punonte si teknik ndërtimi në ndërmarrjen “Kablar”të Kralevës,dega në Prishtinë, e që çdo natë ishte pranë nesh, mbetet në shtëpi me motrat. 

Meqë kishim rreth 1 hektarë tokë pjellore dhe rrogën e babit, jetonim relativisht mirë.  

Kohë pas kohe na ndihmonin edhe xhaxhallarët Jakupi dhe Ruzhdiu, që gjendeshin prej vitesh në Kanada, si dhe Sabriu që punonte përkohësisht në Shtutgart të Gjermanisë Federale. 

Kisha filluar me frekuentimin e mësimeve në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar “8 Nëntori” të Podujevës, dhe asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja se një ditë do të më gjejë belaja e kurtheve të ngritura nga sllavo-komunistët dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë.” 

Më 23 mars të vitit 1985,derisa isha në gjumë oborri ishte mbushur me policë. Njëri prej tyre që ishte në krye të ekspeditës u fut si tërbuar në dhomë, duke më urdhëruar që të vishesha brenda pesë minutave. 

Më prangosën para syve të nënës dhe motrave, të cilat në ato çaste rrokën britmat, sepse as unë e as ato nuk e dinim arsyen e arrestimit tim. 

Kur më çuan në stacionin e policisë në Podujevë, dy inspektorë shqiptarë të kriminalistikës që përhirë të fëmijëve dhe familjeve të tyre nuk po ua përmendi emrat më thanë “- o prano që i ke thyer përmendoret e dy të vdekurve serbë në varrezat e Sibovcit të Epërm, o do të vrasim.” 

Pa i menduar pasojat prerazi thashë:-Më vrisni! Si ta pranoj veprën që nuk e kam bërë. Ata gati dy orë insistuan që unë ta pranoj këtë vepër të shëmtuar. 

Ndërkohë në dhomën ku më mbanin të prangosur hyri i egërsuar edhe njëfarë Jakup Hoti,i cili më thoshte” trokitjet e çekanit me të cilin i ke thyer gurët e varreve të Dragosavit dhe Ruzhicës, janë dëgjuar deri tek Qershitë e Llapashticës” 

Pastaj, ai më tha ”Djali i mirë a e di që ti ke bërë vrasje të dytë të Ruzhica Simiqit,sepse ajo ende pa e hequr vellon e nusërisë është vetëvrarë. Në realitet unë as që e kisha idenë se kush ishin Ruzhica e Dragosavi. 

Në ato momente u ndjeva tepër i fyer, sepse nuk isha edukuar në një frymë të tillë që të bëja vepra kaq të ulëta. 

Menjëherë kuptova që ai dhe dy kolegët e tij donin që unë të flisja sipas vullnetit të tyre, dhe jo si është e vërteta. 

Nën lot e dënesje betohesha përpara tyre në gjithçka që s’ isha i inkriminuar në këtë krim. 

Mirëpo, këta tre satrap të pashpirtë nuk iu bindën lotëve e as betimeve të mia. Më zhvishen lakuriq dhe filluan të më rrahin me shufra gome e shkopinj me nyje sikur të isha bishë mali. 

Pas tri ditësh ashtu të lënduar rëndë më përcollën në Burgun e Qarkut në Prishtinë. Edhe këtu torturat ishin të tmerrshme. 

Sikur të mos ishin gardianët Kamber Hoxha dhe Rrahim Topanica, nga Podujeva, nga dhuna e shfrenuar që ushtrohej mbi mua do të çmendesha. 

Ata pa u vërejtur nga gardianët e tjerë më sillnin barëra dhe ushqime. Më vonë kam kuptuar që z.Hoxha, vetëm pse e kishte kundërshtuar dhunën çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë ishte larguar nga puna. 

Duke ndjerë borxh ndaj tij nga shokë e miq kam kuptuar që pas largimit nga puna z. Hoxha, familjen e mbante nga shit-blerja e bagëtive. 

Si z.Hoxha ashtu edhe z.Topanica, gjatë gjithë jetës u jam mirënjohës. Nga dhuna e paparë që ushtrohej në mua parandieja vdekjen .Kisha rënë shumë në peshë. 

Atë ushqim të paktë dhe të pashije nuk mund ta kapërdija, sepse kisha ndezje të grykës dhe lukthit. 

Edhe pse e kërkoja ndihmën e mjekut ajo nuk më ofrohej. Më thuhej “ Ti je vetë djalli, duhet të ngordhësh si një qen i zgjebosur” Vizitat nga familja më ishin ndaluar me arsyen se ata mund të ndikojnë në deklaratat që duhej t’i jepja para Trupit Gjykues. 

Pas qëndrimit prej pesë muajve në Burgun e Prishtinës më transferojnë në C.Z. të Beogradit. 

Meqenëse nuk e dija asnjë fjalë në gjuhën serbe isha i sigurt që edhe atje do ta përjetoja ferrin. 

Ishte njëfarë treni që quhej Akropolis dhe që qarkullonte në mbrëmje nga Fushë-Kosova në Beograd. 

Katër-pesë policë më futën në një veturë të mbyllur me rrjeta dhe nga Prishtina, më çuan në stacionin hekurudhor të Fushë-Kosovës. 

Ashtu të prangosur më hipën në tren. Drejt Beogradit më shoqëruan tre policë. Dy më mbanin nën mbikëqyrjeje, e i treti në distancë një apo dy metra fliste me njëfarë toki-voki me dikë. 

Të gjithë udhëtarët më shihnin sikur të isha egërsirë kopshti zoologjik. Meqenëse nuk isha mirë dhe nga qëndrimi i gjatë në këmbë dy-tri herë edhe u alivanosa, derisa mbërritëm në C.Z. të Beogradit. 

Aty më vendosën në një dhomë me një malazezë të dënuar për vrasjen e dhëndrit të tij . Ai kishte mbipeshë. Ishte mbi 100 kilogram. Nga ankthi që kisha dhe gërhitjet e tij nuk mund të flija fare. 

I dërmuar prej lodhjes dhe pagjumësisë dukesha sikur i dehur. Me të aguar mëngjesi kinse për ta pastruar dhomën u fut brenda një grua trashamane dhe trupgjatë. Me të kuptuar që jam shqiptar më nxori jashtë, duke më goditur disa herë me bisht fshese në kokë. 

Edhe pse kontaktet me të burgosurit tjerë ishin të ndaluara u ngjita në katin e dytë dhe gjithë ngjarjen ia rrëfeva Afrim Tërmkollit nga Dumoshi i Podujevës, i dënuar politik i demonstratave studentore të vitit 1981. 

Afrimi u prek shumë kur më pa, sepse nga torturat e pësuara duksha si skelet. Ai me lot në sy më tha:” Faton, këtu është xhehenemi i kësaj bote, por tregohu i fortë dhe i pathyeshëm”  

Meqenëse qenke djalë i vetëm në familje kurrë mos e mendo vetëvrasjen, se nuk është në traditën e shqiptarit. 

Këta përmes dhunës dhe sjelljeve çnjerëzore duan të na çojnë në vetëvrasje. Duke më ledhatuar e puthur në të dyja faqet kërkoi nga unë që të betohem përpara tij, se kurrë nuk do të më shkojë mendja në vetëvrasje. 

Gjatë 4 muajve në C.Z. e Beogradit hoqa të zinjtë e ullirit .Përveç gardianëve në mënyrë shumë të vrazhdët me mua silleshin edhe punëtorët e burgut. Ata më thoshin ”edhe ty së shpejti do ta japim Republikën e Zija Shemsiut, i mbytur me tortura në këtë burg më 5 maj të vitit 1985” 

Telashe të shumta që nuk ka pendë që i përshkruan më sillnin edhe disa kriminelë serbë, që në këtë burg mbaheshin si të sëmurë psikik. Ata kinse të sëmurë para syve të eprorëve të burgut pjatën me supë  të nxehtë ma përplasnin në trup. 

Edhe pse kisha situata tepër të rënda herë-herë edhe të papërballueshme e mendoja betimin e dhënë përpara Afrimit, dhe nuk kaloja në akt vetëvrasje. 

Afrim Tërmkolli që po e vuante dënimin në këtë burg famëkeq nëpërmjet familjarëve të tij i çon fjalë babait tim dhe i sugjeron angazhimin e një mbrojtësi-avokati në rastin tim. 

Menjëherë babai im Ejupi e angazhon avokatin e njohur kosovar Bajram Kelmendi, i cili më viziton në C:Z. të Beogradit . Ai nga biseda me mua dhe provat e mbledhura në terren bindet që unë nuk isha kryerësi i kësaj vepre. 

Kelmendi me të kthyer në Prishtinë kontakton Zëvendësprokurorin publik, Srbolub Çoçanoviq dhe gjyqtarët Rexhep Abdullahu,Habib Abdyli dhe Lubisha Niçiq. Ai nga ata kërkon që ditën e Gjykimit tim të sillen gjithsesi në sallë si palë e dëmtuar edhe familjarët e Dragosavit dhe Ruzhicës. 

Edhe pse ndaj meje ishin mbajtur katër-pesë seanca gjyqësore në mungesë provash ende s’kishte vendim të formës së prerë. 

Jashtë çdo rregulloreje dhe norme ligjore më vazhdohej qëndrimi në burg. Padrejtësisht u mbajta 5 muaj në burgun e Prishtinës dhe 4 muaj në atë të Beogradit. 

Ditën e Gjykimit tim në sallë u panë edhe familjarët e Dragosavit dhe Ruzhicës. Ata duke njohur lojën e Beogradit dhe veglave të tyre në Kosovë, ndaj meje u treguan tejet korrekt, sidomos familja Karaiq, që kishte ardhur në cilësinë e palës së dëmtuar nga Kragujevci i Serbisë. 

Ata para trupi gjykues thanë” mos e merreni në qafë këtë çun të rinj, se ne dhe familja e tij asnjëherë nuk kemi pasur mosmarrëveshje, e për zënka. as që bëhet fjalë” 

Sigurisht nga avokati im z. Bajram Kelmendi, familjarët e palës së dëmtuar ishin bindur që unë isha përzgjedhur nga shpikës dhe inskenues të këtij rasti që të jem viktima. 

Edhe pse s’kishte bazë ligjore dhe me asgjë s’ishte provuar fajësia ime Zëvendësprokurori, Çaçanoviq insistonte në vazhdimin e mbajtjes sime në burg. 

Rexhep Abdullahu, kryetar i Trupit Gjykues, duke mos gjetur as provën më të vogël për ndjekjen time të mëtejme këmbëngul që unë të lirohem nga burgu. Falë punës së tij profesionale dhe të zotit Bajram Kelmendi, më 7 dhjetor të vitit 1985, lirohem përfundimisht nga burgu si i pafajshëm. 

Forhåndsvisning av bilde

Forhåndsvisning av bilde

Forhåndsvisning av bilde

ps!

Centralni Zatvor apo i njohur shkurtimisht si CZ, është Burgu Qenror i Beogradit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu