ARKIVI:
4 Dhjetor 2024

Imzot Pjetër Bogdani – profili shpirtëror dhe kulturor 

Shkrime relevante

Serbia, më e fortë se BE…!

Vuçiq: Nuk jam i interesuar ta njoh Kosovën e as t’i...

Presidentja Vjosa Osmani në Bruksel, u prit në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të Samitit...

Kur Shejtani del prapë nga shishja…!

Prof. Pirro Prifti, Tiranë Historia e Shejtanit të mbyllur në shishe është...

Tmerret që mbetën brenda meje & Rrëfime nga lufta (1)

Blerim Metaj ___ Rrëfime nga lufta - pjesa e parë: Tmerret që mbetën brenda...

Rreth personalizimit-privatizimit të vendimeve të LPK-së

Bardhyl Mahmuti Titulli “Çështë ky zell i tepruar për t’i personalizuar-privatizuar vendimet...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtine

Imzot Pjetër Bogdani lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare, me një fjalë Njeri i Zotit dhe Popullit shqiptar. 

Nipi i tij Don Gjon Bogdani jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar  qysh në fëmijëri dhe në rini arqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683),  ungji apo axha i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit (Bullgari), pastaj në Kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649. Më vonë ka vazhduar studimet në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë (1655).  Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 – 1656.  

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20 vjeçar, pastaj në Tivar në vitin 1677, afro 10 vite , së fundi arqipeshkëv i Shkupi në vitin 1677, për 12 vite, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit. 

Për shërbimin e tij baritor imzot Pjetër Bogdani pati këto synime: 

  • Ruajtjen dhe mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e huaja; 
  • Zhvillimin fetar, shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar; 
  • Çlirimin e tij nga robëria e dyfishtë: injoranca, terri, primitivizmi, nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar, si parakusht për vetëdijesim dhe çlirim nga sundimi shekullor turko-otoman; 
  • Kjo mund të bëhet vetëm me fuqinë e fesë, ngritjen e kulturës, por edhe me luftë të armatosur, vëllazërisht dhe së bashku me aleatët dhe miqtë, sidomos Austro-Hungaria dhe gjenerali Piccolomini. Pa jetën dhe veprën e frytshme dhe të gjithanshme të arqipeshkvit Pjetër Bogdani, shekulli XVII  për ne do të ishte i errët, pasi që raportet apo relacionet janë kryesisht turko-otomane apo greko sllave, dhe si të tilla shpesh të njëanshme dhe të mangëta me informata të rëndësishme  për njohjen e kontekstit fetar, kombëtar, kulturor dhe shoqëror të asaj kohe. Për mua Imzot Pjetër Bogdani ishte dhe mbetet “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” i dytë, njeri i cili në mënyrën më të mirë të mundshme e kishte kuptuar dhe interpretuar historinë tonë, kishte krijuar një “hallkë” për t’u lidhur me të kaluarën tonë të lavdishme, por pa harruar kurrë edhe lidhjen me të tashmen dhe projektimin e së ardhmes tonë fetare dhe kombëtare. Motivet e botimit të Çetës së profetëve si dhe te veprimtarive tjera: 
  1. Atdheu dhe Populli po digjej në robëri të errësirës, i verbuar me dy mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija, si pasojë e kësaj edhe robëria. “Pjetër Bogdani shpreh shqetësimin e përhershëm: lufta me “errësirën e paditurisë” si rrezik më i madh për shpirtërat”. [i] 
  2. Motivi i dytë nuk ishte lavdia e tij, “por për dobi të shentës fe”. [ii] 
  3. Për të dhënë një kontribut të madh historik, gjuhësor, patriotik, për vlera të krishtera dhe evropiane, të vërtetat themelore të fesë së krishterë. Vetëdija e tij e lartë fetare, e krishterë, dhe kombëtare, arbërore – shqiptare, e frymëzonin atë për jetë dhe veprim të angazhuar në shumë lëmi.  Jeta dhe porosia e tij për ne sot: 
  • Imzot Pjetër Bogdani doli si pishtar i madh në një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për shuarjen e vetëdijes kombëtare, me këtë edhe të gjuhës, traditës, kulturës, fesë së krishterë, qytetërimit tonë evropian ilir dhe arbëror – shqiptar. 

Fjalës së shkruar, librit, botimi, dijes,  ia beson detyrën për ta luftuar errësirën, mëkatin, të keqen, robërinë, që të jenë “çeta” që do të luftojnë deri te arritja e lirisë së vërtetë nga e keqja, sundimi i huaj, tjetërsimi, harresa, shkrirja në popull anonim, pa identitet dhe personalitet. 

  • Përshkrimet e gjendjes së mjerë ndoshta më së miri mund t’i përmbledhin këto fjalë: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim…kishat e mbyllura, meshtarët e shpërndarë, populli në ikje… Jam i rrethuar në të gjitha anët dhe është një mrekulli që jam gjallë (1687)”. [iii] 

Atëherë Imzot Pjetër Bogdani ishte i vetmi arqipeshkëv katolik në Ballkan, shkruante ai, dhe tinëzisht kishte hyrë në Prishtinë të Enjten e Madhe, për shugurimin e vajrave të shenjtë, por nuk e di kush dhe si do t’i shpërndajë dhe përdoroi. 

Për t’iu ikur kontrollimeve dhe identifikimeve turke, ai vishej si “lypës”, “tevdil” apo si katundar, kremtonte meshën dhe ndante sakramentet në shtëpia private, ishte vazhdimisht aty ku mundej dhe ku kërkohej. Figura e tij në popull ka mbetur si legjendë, me shumë emërtime të shpellave dhe vendstrehimeve të “Bogdanit”, ku ai fshihej dhe punonte, lutej, ndante sakramentet, gjatë natës, ndërsa  gjatë ditës, pushonte dhe planifikonte hapat dhe vizitat baritore. 

Flitet në popull që natën i vizitonte të krishterët, ndërsa ditën tërhiqej në male dhe vende të pabanuara, duke u ngritur  në lisa, lidhej për të pushuar dhe për t’u mbrojtur prej bishave të egra. Disa njerëz, duke mos e njohur jetën dhe veprën e tij, ato shpella apo strehime i kanë identifikuar si serbe apo sllave. 

  • Dija dhe edukimi kishtar” ishin mjete për ta luftuar sundimin turko otoman dhe robërinë nga errësira e mosdijes, si dhe skizmën. Këtë ai i shprehte me identitetin e dyfishtë: clericus et libertas, klerik dhe liri. Mu për këtë  Imzot Pjetër Bogdani “Çetën e Profetëve”  dhe kardinalin Barbarigo e konsideronte si “një krua i gjallë ku mendja dhe shpirti do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual , ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’ do të shterret lehtë..”; “Varkë e Noes, strehim i sigurt për çdo njeri të pikëlluar, në të cilin unë vet, i trazuar nga uji i furishëm i persekutimeve otomane, gjeta hyrje të sigurt”, apo “ky libër do të jetë një kontribut në arsimimin e njerëzve nga i cili shenjat e shtypit, sikur rrezet e dritës, do t’u përhapin njohuritë e fshehtësive të fesë tonë të shenjt”, [iv]  gjithsesi  ogurmirë për Fe dhe Komb. 

Imzot Pjetër Bogdani ishte besimtar dhe atdhetar i kulluar dhe shumë i dalluar, gjithnjë i frymëzuar dhe në veprim. Ideja e tij për bashkëpunim dhe solidaritet mes popujve, sidomos në luftë kundër robërisë dhe në kërkim të lirisë dhe pavarësisë, kishte nevojë për një organizim panballkanik, si parakusht për të arritur deri te bashkëpunimi me popujt evropianë. 

Motoja e Çetës së profetëve “Salva nos Domine, perimus” – Na shpëto, o Zot, u zhdukëm, (khs. Mt 8, 23 – 27; Mk 4, 35-41; Lk 8, 22-25), mbetet klithje feje dhe shprese, dëshmi dashurie, gjithnjë në emër të Kishës dhe Popullit, drejtuar Zotit, pra, si e tillë aktuale për të gjithë ne.  

Prishtinë, 6 dhjetor 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu