Të premten që kaloi, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit organizoi edhe sivjet ceremoninë para Memorialit, i ngritur në vitin 2007, jo larg godinës së Kongresit, kushtuar viktimave të komunizmit në botë, ku morën pjesë përfaqësues të 16 ambasadave të vendeve ish-komuniste në Evropë, si dhe një numër organizatash nga ish-vendet e robëruara komuniste. Ceremonia e 14-të e emërtuar si “Roll Call of Nations Wreath Laying Ceremony”, është një ceremoni gjatë të cilës, historikisht, për çdo vit ambasadorë dhe diplomatë të vendeve ish-komuniste vendosin kurora me lule pranë Memorialit të Viktimave të Komunizmit botëror në kryeqytetin amerikan, në kujtim të mbi 100 milionë viktimave të komunizmit ndërkombëtar, anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Me të vërtetë u ndjeva shumë mirë shpirtërisht por dhe krenar si shqiptar, kur sivjet i pashë dy kurora midis dyzina sosh, njëra nga ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe tjetra nga ambasada e Republikës së Kosovës, ashtu krah për krah njëra- tjetrës (siç mund të shikoni foton më poshtë), para një Memoriali në Kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit anë e mbanë botës. Por, fatkeqësisht, fillova shpejt ta humbas krenarinë për këtë akt njerëzor të dy ambasadave shqiptare ndaj viktimave të komunizmit botëror, përfshirë viktimat komuniste në trojet shqiptare, një akt që duhet të vlerësohet pa marrë parasysh nëse e kanë bërë me ose pa lejen e Ministrive të tyre përkatëse.
Sa bukur që dy ambasadat shqiptare renditen më përfaqësi të tjera nga vendet ish-komuniste për të kujtuar viktimat komuniste, por sa ironik, në mos hipokrit ky akt, thashë me vete, që përfaqësitë diplomatike shqiptare në Washington vendosin kurora me lule para një monumenti amerikan kushtuar viktimave të komunizmit , në një vend si Amerika, e cila nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, por që në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kanë vuajtur nga komunizmi më shumë se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë, jo vetëm që nuk gjen ndonjë monument të ngritur kushtuar dhjetra -mijëra viktimave shqiptare të komunizmit. Sa mirë do të ishte nëqoftëse të afërmit e atyre viktimave shqiptare të komunizmit, eshtrat e të cilëve as nuk dihet se ku janë hedhur a varrosur , por ku të afërmit e tyre ose të interesuarit mund të vendosnin një kurorë me lule të paktën për t’i kujtuar ata në data me rëndësi të kujtimit të tyre, si kjo në Washington javën që kaloi, por edhe në data të tjera gjatë vitit kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit, sidomos në Evropë, por edhe në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, të cilat nuk kanë vuajtur kurrë nga komunizmi. Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka asnjë date për të kujtuar viktimat e komunizmit, por nuk ka as monumente kushtuar viktimave shqiptare të komunizmit në asnjërin vend, ndërkohë që me autorizimin e autoriteteve vendase janë ndërtuar, madje edhe natën për terr, monumente dhe gjen kudo memoriale, kushtuar të huajve, turqve, grekërve e sllavëve.
Turpi i mbuloftë këto autoritete, të cilat jo vetëm nuk kujtojnë viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë, por, në të vërtetë, tallen publikisht me ta, me familjet e tyre dhe me vuajtjet e tyre! Kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe ndryshe nga e gjithë bota tjetër e qytetëruar, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë madje as një ditë kushtuar mijëra viktimave të pafaajshme të komunizmit shqiptaro-sllav, as monumente në kujtim të tyre, askund në trojet shqiptare. Klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave ka vazhduar për 30 vjet tanii, të heshtë, ta paraqesë dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit, sipas interesit dhe trillimeve të rastit, duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për t’u përballur me të kaluarën komuniste, as me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikanëve shqiptarë, pozitë e opozitë, sidomos të përfaqësuesve të kulturës së vjetër komuniste, ose gardës së vjetër komuniste, e cila ka mbizotëruar për tre dekada politikën shqiptare të këtij tranzicioni të pa fund. Edhe këta pretendojnë të bëjnë shtet?! Shteti nuk bëhet me mendësi komuniste. Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet komunist dhe as liria nuk vendoset me ligje për kufizimin e lirisë, si për shembull të lirisë së shtypit. Ashtu siç as drejtësia nuk mund të vendoset nga ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të komunizmit, disa prej të cilëve kanë gisht në dënimet e viktimave të pafajshme të komunizmit. Madje as atëherë kur ata kanë mbështetjen e turpshme dhe pa rezerva të ambasadave më të mëdha përendimore. Ironi, hipokrizi, a po diçka tjetër qoftë, unë e shikoj si shenjë shpresëdhënëse vendosjen e kurorave me lule (me leje ose pa leje të qendrave) nga dy ambasadat shqiptare pranë Memorialit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit ndërkombëtar në Washington, të premten që kaloi, në prani të një numri diplomatësh dhe përfaqësuesish të oganizatave të ndryshme ndërkomblëtare. Duke shpresuar se diçka mund të bëhet edhe në trojet shqiptare për të kujtuar mijëra viktimat e komunizmit shqiptar, me besimin se e vërteta sado që të mbulohet nga errësira, më në fund gjithmonë triumfon.
Sepse, “Për një kohë tepër të gjatë e vërteta e asaj që ka ndodhur është përfolur në heshtje, e mbuluar me terr. Por vetëm e vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur. Dhe ndërsa terri mbulon shumë gjëra, ai nuk shlyen asgjë, asgjë! Disa krime e padrejtësi janë aq djallëzore, aq të tmerrshme dhe shokuese, saqë ato nuk mund të mbulohen nën tokë, pa marrë parasysh sa mund përpiqen disa njerëz për të bërë një gjë të tillë.” (Nga fjalimi i Presidentit Joe Biden me rastin e 100-vjetorit të masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma me 1 Qershor, 2021.) Ka ardhur koha që Tirana dhe Prishtina zyrtare të veprojnë “në anën e duhur të historisë”, të bashkohen me botën e qytetëruar perëndimore dhe të përballen me krimet e komunizmit dhe me historinë e turpshme të regjimeve komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare. Është i nevojshëm një reflektim i thellë nga autoritetet më të larta dhe mëshirë njerëzore nga të gjithë të pyesni veten PSE ndodhën këto krime dhe PSE heshtni për 30-vjet tranzicion?! Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të respektit për jetën e njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar 85-vjet më parë nga një ish-diktator komunist sllavo-aziatik, pasojat e regjimit të të cilit shihen dhe preken ende anë e mbanë vendit dhe më tej.