ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Në bashkëpunim me SHBA dhe aleatët të ekzekutohet një operacion i gjerë për arrestimin dhe shkatërrimin e strukturave paralele kriminale që veprojnë në veri

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga: Gjeneral Dr. Dritan Demiraj

Prej disa vitesh kam denoncuar nëpër shkrime dhe intervista për provokimet serbe në veriun e Dardanisë, për mbështetjen e tyre me inteligjencë nga ana financiare, logjistike dhe me pajisje luftarake të grupeve mercenare serbe, të cilat përdoren dhe urdhërohen nga BIA dhe lidershipi i Serbisë.

Nga ana tjetër këto provokime janë krejtësisht në linjë me politiken e jashtme ruse të mbështetjes së grupeve “proxy” për të destabilizuar situatën në vendet e tyre të interesit në mënyrë të fshehtë, duke përdorur ato metoda që në rusisht shërbimi GRU dhe SVR i quan ‘maskirovka’, nëpërmjet kombinimit të masave aktive (aktivnyye meropriyaatiya), luftës asimetrike (asimetrichnym), konfrontimit informativ (informatsionnoye protivoborstvo), sulmeve kibernetike dhe doktrinës ruse të luftës së gjeneratës së re (RNGW).

Situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë e tensionuar jo vetëm për shkaqet sa më lart, por edhe për fajin e Qeverisë së Dardanisë dhe politikës jo të prerë që po e ndjek BE-ja dhe SHBA-ja në raport me Serbin.

Çdo ditë e më shumë që kalon, sa më shumë që tolerohet Serbia ta provokojë qeverinë dhe popullin e Dardanisë, aq më shumë diplomacia perëndimore gënjen veten se po ti jap edhe pak kohë më shumë Serbisë, do të çlirohet nga Rusia dhe do të afrohet nga perëndimi.

Aleksander Vuçiqi në çdo rast me zë, figurë, deklarata dhe vendime e ka treguar orientimin dhe vartësinë e tij nga Putini, gjë të cilën e pranoi së fundi edhe gjatë samitit Europian në Tiranë.

Toleranca e mëtejshme, mosdënimi dhe marrja e masave konkrete për këto rreziqe dhe kërcënime që bën vazhdimisht presidenti i Serbisë, bashkë me kryeministren e tij përfshirë edhe këtë të fundit se do fusin në Dardani 1000 ushtarë serb, po krijojnë një precedent të rrezikshëm nga njëra anë, duke krijuar idenë sikur NATO-ja e ka frikë Serbinë dhe nga ana tjetër sikur nuk ka interes shumë të madh në këtë rajon për shkak të luftës në Ukrainë.

Gjykoj se sa më shumë që të tolerohet kjo situatë, aq më shumë mund të krijohen kushtet që në një moment të caktuar, nëpërmjet një skenari për të cilët rusët dhe serbët ‘dallohen’, situata të agravojë në nivele të frikshme.

Këtij qëllimi i shërben edhe infiltrimi i mercenarëve serbë dhe ruso-sllavë në veri të vendit nga Grupi Wagner, por jo vetëm, nga shefat e tyre në Moskë të cilët gjenden atje në pritje të një urdhri për të ekzekutuar skenarin e përcaktuar.

Kjo situatë e tensionuar i intereson padyshim presidentit Putin që të tërheqë vëmendjen dhe të dëmtojë unifikimin e aleancës nga asistenca ushtarake në Ukrainë dhe të ulë presionin e krijuar në frontin e lindjes dhe në jug.

Dardania është çliruar me ndihmën e Amerikës në vitin 1999. Liria e saj është fituar me gjakun e luftëtarëve trima të UÇK-së dhe pavarësisht presioneve të vazhdueshme të milosheviçëve në pushtet sot në Serbi, nuk mund të falet në tavolinën e bisedimeve.

Varianti i shkëmbimit të territoreve është një kërkesë e padrejte dhe një intrigë politike e Serbisë për krijimin e “Botës serbe”, fatkeqësisht e përkrahur nga politikanë të korruptuar dhe tradhtarë shqiptarë ne te tri krahët e kufirit.

Në gjykimin tim, Serbia nuk duhet të përkëdhelet dhe të tolerohet, deri në momentin kur qeveria e saj të pranojë gjenocidin historik që ka realizuar përgjatë dekadave të fundit kundër popullit Shqiptar, pa paguar gjithashtu dëmshpërblimet për grabitjen e pasurisë kombëtare të Dardanisë.

SHBA-të si vendi që drejtuan fushatën kundër kriminelit të Ballkanit Sllobodan Milosheviç, si vendi që ka ndihmuar përgjatë gjithë historisë vendin tonë, kanë forcën dhe përgjegjësinë që të na ndihmojnë më tej në forcimin e ushtrisë dhe të shtetndërtimit të Dardanisë.

Në këtë këndvështrim për këto arsye, por edhe shumë të tjera, Serbia në rast se nuk ndryshon qëndrim vazhdon të jetë armiku më i rrezikshëm i Kombit Shqiptar, por edhe i sigurisë në rajon.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, Place de la Bastille dhe teksti

Prandaj, ka vetëm një zgjidhje, që në bashkëpunim me SHBA-të, forcat e NATO-s dhe forcat e policisë së Dardanisë, të planifikohet dhe ekzekutohet me profesionalizëm një operacion i gjerë anti-terrorist për arrestimin dhe shkatërrimin përfundimtar të strukturave paralele kriminale që veprojnë në veri.

Ka ardhur koha që në Ballkanin Perëndimor të mos lejohen më vatra nga ku Rusia dhe aleatët e saj në Ballkan të kërcënojnë sigurinë dhe të destabilizojnë rendin në rajon.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu