ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Dilema e vazhdueshme e Arbnit

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Nga: Jusuf BUXHOVI, historian e shkrimtar nga Prishtina
-Aurel Plasari: “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik”, boti Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2020.
Vepra e Plasarit “Arbnit historik, gjeografik, kishtar dhe politik” ngritët mbi pretendimin që t’i jepet një përgjigje sado përafruese njërës ndër çështjeve thelbësore që kanë të bëjë me vazhdimësinë historike të shqiptarëve nga Albanët, të përkufizuar nga Ptolemeu në shek. II në kuadër të botës ilire, deri te dëshmitë e historianit bizantin M. Ataliatite të shekullit XI. Çështje kjo që në dy shekujt e fundit, u bë shkas i ngritjes së tezës rreth autoktonisë shqiptare, së cilës, Von Hahn, me ngulmimin se “Albania është një emër etnik vendi, që ka ekzistuar qysh në kohën e Strabonit, dhe që Arbrit janë qytetarë të moçëm europianë”, ndonëse ia përcaktoi kornizat historike, megjithatë, la të hapura, shumë nga ato “dyshime” që i referohen “pauzës gati nëntqindvjeçare”. Nëpërmes një parashtrese eskursive nëpër faktet historike, gjithnjë duke u ndërlidhur me orvatjet hulumtuese të autorëve të jashtëm, veçmas Von Hahnit dhe të tjerëve si dhe të shqiptarëve (Sirdanit, Valentinit, Myderrizit, Zamputit, Buda, Ducellierit, Sedajt, K. Frashërit dhe Xhufit), autori bën përpjekje që t’i sistemojë kronologjikisht Arbërit në binarët historikë me anën e regjistrimeve të shkapërderdhura faktografike, qoftë si referenca apo shënime përcjellëse nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme.
Kjo pikënisje e mundimshme induktive fillon me dëshmitë e Hekateut të Miletit rreth viteve 550-476 para erës sonë, me ç’rast ai përmend “Arbët, fis pranë Adriatikut të Taulantëve dhe fqinj me Kelidonët”, për të vazhduar me mbishkrimin e Finiqit (Phoinike, shek. III-II para erës sonë ku Arbaios del në pah si etnikon, pastaj me Albanop(oli) në epitafin e Gornja Solonjës, pranë Shkupit, nga shekulli i parë dhe fillimi i të dytit për të shkuar tutje me dëshmitë të shumtën fragmentare të autorëve antikë Polibit, Klaud Ptolemeut, Stefan Bizantinit, Prokopit të Cezaresë, Joanit – peshkop i Nikiut (fundi i shek.. VI), Konstandin VII Porfirogjentit, Suidit ose Sudas nga gjysma e dytë e shek.X, Mihal Atalatit dhe Anna Komnenës. Katalogut të dëshmive të kësaj natyre u bashkëngjiten edhe “Katalogu Felician” nga gjysma e parë e shek.. VI, si dhe “Vjetarët Anonime të Raguzës” (Annales Ragusini Anonymi) nga gjysma e dytë e shek. VII, nga shekulli VIII, shekulli IX, shekulli X dhe shekulli XI. Në vazhdën e këtyre dëshmive është edhe ajo e Anonimit Bullgar, nga fillimi shek. XI, si dhe Lista e Banëve të Kroacisë (Generationum et banorum apud Chroatos deri në fund të shek. XI. Në fund sillet edhe një dëshmi letrare: “Kënga e Rolandit” (La Chanson de Roland – 1085). Këto dëshmive u vinë në ndihmë dokumente të njohura nga arkivat e Vatikanit, të Venedikut, Raguzës e të Kostandinopojës të përfshira në “Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Aetatis illustrantia”, të përmbledhura nga Thalloezy, Jeričeku dhe Šufflay te “Illyricum Sacrum” si dhe dosjet e ngjashme arkivore me dokumentet bizantine dhe sllave.
Trajtimi i këtyre fakteve në kuadër të konceptit, për t’u demantuar “pauza gati nëntëqindvjeçare, fillimisht autorin e ka detyruar t’i qaset metodologjisë së “përmbushjes së të quajturit boshllëk historik”, që ndanë Albanët e Ptolemeut nga ata të Atalatit, “duke vendosur një regjistrim të tyre me siguritë dhe, njëherësh kur të jetë e nevojshme, edhe me pasiguritë dhe rezervat e pashmangshme”, në mënyrë që mandej ajo të shihet e ndërlidhur natyrshëm në kuadër të proceseve të shthurjes së Bizantit, kur në hapësirën e tij të pambikëqyrur nga shthurja e themave, gjithnjë në përputhje me garën e kishave për mbizotërim dhe instrumentalizim të këtyre formacioneve për interesa të tyre (të Vatikanit dhe të Kostandinopojës), filluan të shfaqen formacionet autonome (feudet, zhupanitë, despotatet), të cilat, si do të shihet nga shekujt XII e deri në atë XV kur do të vendoset pushteti osman në Ilirik, në skenën historike të kohës, në shumësinë e tyre, do të nxjerrin edhe formacionet e para autonome arbërore, atë të “Principatës së Arbnit” me sundimtar të saj Progonin nga fundi i shekullit XII, sipas Shufflayt me qendër në Krujë Ky zhvillim mandej përcillet tutje, por me forma dhe fakjtorë nga jashtë, me “Despotatin e Epirit” në vitin 1204 dhe shfaqjen e “Mbretërisë së Arbërisë” (Regnum Albaniae) anzhuine në vitin 1272.
Regjistrimi i këtyre dokumenteve, përkundër ecurisë së pashmangshme kronike, përcillet edhe me vlerësime të caktuara, prej nga, tablotë e shkëputura historike, plotësohen edhe me ato të Albanëve dhe më vonë të Arbërve në kuadër të ngjarjeve shoqërore dhe politike të kohës. Në përputhje me këtë ecuri, lidhet edhe përqendrimi i autorit fillimisht të locimi i krahinës së Arbrit të mirëfilltë, që për t’u ngritur të faktori shoqëror dhe politik i kohës në përputhe me rrethanat e Bizantit në shthurje e sipër (nga ato të shekujve XII-XV), shoqërohej edhe me faktorin e pashmangshëm kishtar, ku fokusohet Dioqeza e Arbnit, nëpërmes së cilës kuptohet po edhe mund të shpjegohet kapërcimi historik nga Arbni tek Arbëria.
Për dallim nga pjesa e parë, të parashtrimi “Arbnit/Arbërit në regjistrimet nga antikiteti i vonë në Mesjetën e hershme”, ku qasja e mbarështrimit kronologjik të fakteve sado të shkapërderdhura, vihet në shërbim të përmbushjes së “boshllëk historik” prej nëntë shekujsh, përcaktimi i krahinë së Arbnit të mirëfilltë (Kreu II) dhe Formacioni politik i Arbnit (Kreu III), nga dilemat e shumta nga kapitulli i parë, autorin e bartin te konstatimet më të përafërta dhe më të qëndrueshme. Ndonëse shumë prej tyre nuk shkojnë tutje dilemave me të cilat, pos studiuesve të jashtëm, janë ballafaquar prej kohësh edhe Myderrizi, Qabej, Shuteriqi, Zamputi, A. Buda, K. Frashëri dhe të tjerë. Në këtë konstalacion, gjithnjë duke iu referuar një vlerësimi të Dhimitër S. Shuteriqit se “nuk është e lehtë të përcaktosh kufijtë e Arbnit mesjetar”, meqë “vendodhja e saktë e Arbnit – Arbanon, Albanum, Rабаnb – ka mbetur në dijet albanologjike pa caqe të njohura përfundimisht”, bie në sy përpjekja e Plasarit, që mendimet e shprehura, të shumtën si hipoteza të shkapërderdhura, t’i sistemojë në kuadër të një qëndrimi të matur e të hapur, siç pranohet në Kapitullin II.
Ky përcaktim, ndonëse për pikënisje të pashmangshme ka njoftimin e Ptolemeut për Albanopolisin dhe Albanët diku te Kruja, pretendon thyerjen e “kurthit” të tij, duke e zgjeruar atë në përputhje me të dhënat e autorëve antikë dhe atyre nga mesjeta. Në këtë koncept, relacionet kishtare, mbesin referencë meritore dhe, siç duhet, luajnë rolin kryesor te nxjerrja e qëndrimeve qofshin edhe fluide, përkundër mungesës krediblitetit të tyre tashmë të njohur siç është rasti me dokumentet sllave nga manastiri i Hilandarit, shumë prej tyre të rishkruara, të plotësuara po edhe të falsifikuara në shekullin XIX për nevoja të politikës hegjemoniste të Beogradit , veçmas me ato që kanë të bëjë me dinastinë rasiane të Nemanjajve dhe përkatësinë e tyre nga shumë kronistë mesjetarë deri te perandori Kantakuzen e parë si tribale, për ç’gjë tërheq vërejtjen edhe historiani i njohur serbë – Ruvarac dhe të tjerë që kontestojnë edhe veprën “fundament” të “shtetit mesjetar serb” “Kanunin e perandorit serb Stefan Dushanit” nga S. Novakoviq, ku ai pranon se nuk ekziston Kanuni nga shekulli XV po e gjitha është sajesë nga “dëshmi” gojore të një prifti rus në Prizren në shekullin XIX e të ngjashme, për ç’gjë është i vetëdijshëm edhe autori kur vë në pah edhe dyshimet ndaj tyre të historianit të njohur Jorgo.
Këtu, dokumentet kishtare, fillimisht të përbashkëta e më vonë të ndara në përputhje me ndikimin dhe shtrirjen e tyre gjatë Bizantit, paraqesin orientim të rëndësishëm përcaktues. Duke u ndjekur shfletimi i tyre nga arkivat e sipërpërmendura të cilat në shekujt XVIII-XIX nga shkolla sllavike e Vjenës shfaqen si dosje të veçanta për të gjithë popujt e përfshirë në çatinë shumëshekullore të Bizantit, pamja e Arbrit gjeografik, plotësohet në përputhje me dukjen e tij kishtare gjithnjë e ngatërruar midis lindjes dhe perëndimit (ortodoksisë dhe katolicizmit), prej nga mandej, gjithnjë në kuadër të formacioneve autonome të kohës, pasqyrohet edhe pamja shoqërore dhe politike e tyre.
Në saje të dokumenteve kishtarë nga arkivat e Raguzës, ato të Vatikanit dhe të qendrave të tjera kishtare, përcjellët shtrirja e Arbanit të Mirëfillte, duke ia shtuar radiusin, nga epiqendra ptolomeiane drejt veriut dhe jugut. Kjo shtrirje, jo gjithnjë e qartë, te ky dokumentim të shumtën induktiv, nga dihomia kishtare-shoqërore, vijëzon edhe atë politik, i cili, në njëfarë mënyre, analogjikisht nxjerr në pah edhe karakterin shtetëror. Kjo ka ndikuar që edhe “Principata e parë e Arbnit”, e Progonit, paçka se nga autorë të ndryshëm është quajtur edhe “shtet i parë” të shfaqet në një gjendje bifurkative, karakteristikë për ato rrethana. Duke konfrontuar dokumente “nga anë të ndryshme”, Plasari, megjithatë formacionin e parë të tillë arbëror kulturalisht e sheh kah perëndimi, ndërsa politikisht në kuadër të lindjes, pra Bizantit. Përkatësia e pretenduar kah Roma, siç dëshirohet të shihet nga disa autorë, mbetet çështje e një inercioni nga shkaku se ajo që merret si Principatë e Arbrit, nga rrethanat e jashtme kishtare apo politike, nuk ishte në gjendje që të veprojë e pavarur. Përkundrazi, faktorët e jashtëm ia përcaktuan sjelljen e gjendjes “midis dy kaheve”. Gjendjen dyshe kishtare dhe luftën nga njëra anë apo tjetra (lindja-perëndimi) për dominim, Plasarit gjithnjë duke u sjellë nëpër bulat papnore dhe dokumentet tjera, e elboren me shumë kujdes, po edhe maturi, duke përcjellë shtrirjen gjeografike të Peshkopatës së Arbrit nga shekulli XII, pra nga akti i njohur i hartuar në Kotorr më 19 qershor 1166 me rastin e shugurimit të kishës së Shën Tufonit, ku shënohet edhe pjesëmarrja e peshkopit Lezar i Arbanit (Albanën sis), e deri te relacioni i Zmajeviqit i vitit 1703, ku sheqet “Chiesa d’Albani”, pra të Kisha e Arbërisë, në një kuptim të ri.
Menagjimi i shkathtë i dokumenteve të shumta arkivore si dhe sistemimi i tyre për t’i dhënë një pamje integrale Arbrit historik, gjeografik dhe politik, do të ishte i mangët, pa ngërthimin e problematikës, që sipas autorit “ka parasysh atë moment historik që ka për cak mesin e shek.. XVIII, kur emrin e Arbërisë e zëvendësoi plotësisht ai i Shqipërisë duke ua lënë termin Albania të huajve si ekzonim dhe duke adoptuar endonimin e ri Shqipëria.”
Te kjo çështje autori sillet me respekt te vlerësimet e Shuteriqit, që mendon se arsyeja kryesore e humbjes së emrave të vjetër në një pjesë të madhe të krahinave ka qenë shkaktuar nga “ricoptimi feudal”, ato të Çabejt, që mendon se zëvendësimin e kanë shkaktuar “zbërthimet etndike që u kryen me ardhjen e osmanëve” e deri te Myderrizi që ndërrimin e vjetër të emnit e pa “nga një shkak i rëndë”, me ç’rast ai thotë “se në shekullin XVIII ngjau një kthesë e madhe në Shqipëri. Shumica e popullit tonë, për arsye të ndryshme la krishterimin dhe kaloi në myslimanizëm. Emri i vjetër nuk tregon vetëm kombësinë por edhe besimin. Me ndërrimin e besimit u ndie nevoja edhe e ndërrimit të tij…Emri kombëtar në Shqipëri u ndërrua vetëm pse u ndërrua besimi”.
Edhe pse në Kuvendin i Arbrit i vitit 1703 kur krahas “dheu i arbeneshit” përmendet vetëm një herë “a dijne mir giuhen e Schippetarevet”, përkundër tezave të tjera se “giuha e Schippetareve”, nuk është fjala për shënjues etnik, por për shënjues gjuhësor, në këtë rast “të njerëzve që marrin vesh (gjuhën)”, Plasari nxjerr përfundimin se përmendja e apelativit Shqiptarët në Kuvendin e Arbrit nuk ka se përse të bjerë ndesh me tezën e Myderrizit. Në fund, autori rreth tezave dhe kundërtezave lidhur me ndërrimin e emërtimti etnik të shekullit XVIII, jashtë caqeve të këtij libri, i kthehet mendimit të Shaban Demirajt, simbas të cilit “duhet pranuar që kjo çështje është e ndërlikuar nga sa mund të duket në vështrim të parë dhe prandaj kërkon hulumtime të mëtejshme”.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu