Murteza Osdautaj, Prishtinë
***
KRIMI DHE DËNIMI
(mbi kukuvajkërinë e disa politikanëve dhe gazetarëve)
Gjykata Speciale ‘e Kosovës’ paska dënuar një person me akuza për krime lufte. Nuk kam informacione nëse janë dëshmuar apo jo akuzat për të cilat është dënuar personi por ajo që më bëri ta shkruaj këtë shkrim është reagimi, thuaja histerik, i një numër politikanësh dhe gazetarësh në lidhje me ‘padrejtësitë’ e gjykatës speciale.
E kam thënë në një shkrim edhe në vitin 2015 dhe po e përsërisë edhe tash se arsyeja e ‘krijimit’ të gjykatës speciale është shumë e thjeshtë. Mos guximi dhe kapja e organeve të drejtësisë nga klasa politike kosovare e atëhershme ka bërë që dyshimet për krime të mos hetohen asnjëherë (d.m.th. të amnistoheshin) duke krijuar një gjendje komoditeti, plotfuqishmërie dhe paprekshmërie për klasën politike të asajkohshme dhe sejmenët e tyre dhe, sidomos, për emrat e personave që pëfoleshin dhe dyshoheshin per krime. Dhe derisa gjyqësia ishte e kapur dhe në shërbim 24 orësh ndaj klasës politike, e derisa klasat dhe oligarkitë politike dhe ekonomike, të sigurta nga paprekshmëria juridike që kishin krijuar, vraponin dhe bënin garë se kush dhe cili i pari do ta ‘blinte’ (lexo zhvaste) këtë apo atë pasuri të Kosovës, armiqtë e Kosovës po bënin gati një akuzë të rëndë kundër ushtrisë së saj të lavdishme, UÇK-së.
U bë si u bë dhe, më shumë se 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës, shumica të PDK-së, pra ish UÇK, do ta votojnë ligjin për krijimin e gjykatës speciale me arsyetimin se duhet ‘pastruar’ lufta jonë çlirimtare, të vetëdijshëm se krijimi i kësaj gjykate do të krijonte mundësinë që, në të vërtetë, duke u akuzuar individët e UÇK-së, e njëjta të mbetet, përherë nën sulmin ndërkombëtar duke krijuar mundësi që të dëmtohet, pakthyeshëm, reputacioni i shtetit dhe, në disa raste, edhe historia dhe vet ekzistenca e tij.
Ata që e krijuan gjykatën, u akuzuan të parët edhe pse të njëjtën e krijuan, në rend të parë, për ta shpëtuar veten.
T’i shohësh sot eksponentët e PDK-së duke vajtuar, t’i shohësh politikanët duke folur për padrejtësitë e gjykatës, dhe t’i shohësh gazetarët dhe opinionistët duke dalë me parullën ‘Jo në emrin tim’, është vetëm një maskaradë dhe një lloj shfajësimi diletant ndaj gabimeve, padijes, primitivizmit dhe papërgjegjësisë politike të treguar për gati 20 vjet në udhëheqjen dhe bërjen e shtetit.
Ta kishim pasur, me kohë, një klasë të përgjegjshme politike, me strategji politike dhe me dije historike shtet formuese, ajo do të krijonte vet kushte që krimet e përfolura e të dyshuara të hetoheshin dhe ‘të dyshuarit’ të trajtoheshin nga gjykatat vendore, së paku sipas modelit të Serbisë e cila i ‘gjykonte’ kriminelët e vet për krimet e tmerrshme që kishin bërë në Kosovë me dënime qesharake vetëm sa për të krijuar kushte që, të njëjtit, të kishin mbrojtje dhe paprekshmëri juridike ndërkombëtare ngase askush nuk mund të gjykohet për të njëjtin krim dy herë dhe shteti të dilte i ‘larë’ para faktorit ndërkombëtar. Derisa Serbia iu krijoi siguri juridike kriminelëve e të saj të luftës dhe e ‘lau’ veten si shtet para botës, politikanët kosovarë iu siguronin të dyshuarve dhe të përfolurve paprekshmëri juridike vetëm brenda Kosovës duke krijuar rrethana që, në sytë e botës, të inkriminohej i tërë shteti i Kosovës dhe ushtria e saj.
Duke e krijuar këtë lloj paprekshmërie (që unë e konsideroj krim), duke e mbytur mundësinë që të kryheshin hetime dhe të gjykohej për çfarëdo dyshimesh për krime për të cilat dihej dhe përflitej, klasa politike bëri një gabim strategjik ngase krijoi pretekst për faktorin ndërkombëtar që ta kërkojë, me ngulm, krijimin e gjykatës speciale (që unë e konsideroj ndëshkim).
Sot mund të vajtojmë, të kukasim dhe të derdhim lot sa të duam por një gjë duhet ta dimë se klasa politike e këtij vendi po e paguan dënimin për veprimet e veta antishtetërore dhe antidemokratike.
Prandaj e quajta këtë shkrim ‘Krimi dhe dënimi’ por, për fat të keq, kësaj radhe, dënimin po e vuan shteti.
Shumë me vend.