Nga: Frank Shkreli
Me rastin e Sofrës së Madhe të Kelmendit – Sofër që u shtrua të shtunën më 17 Dhjetor, 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut – përkujtoj Kreshnikun trim të Malësisë së Madhe dhe Heroin trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshnikun e maleve, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin — Nderi i Kombit. Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kujtojmë Prekë Calin, bashkpuntor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar nga Ahmet Zogu dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu –Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet.
Një përshëndetje për Sofrën e Madhe vjetore të Kelmendit, kësaj kalaje të vjetër. Por kur përmendet Kelmendi, qoftë në gëzime e festa qoftë në vuajtje, nuk mund të anashkalohet emri i Prekë Calit. Nuk mund të ndodh që të mos përmendet veprimtaria patriotike dhe sakrificat personale të tija, të këtij burri të madh, me cilësi të larta e të rralla prej malësori.
Me të drejtë, Prekë Cali është quajtur nga vendasit, “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë.
Në këtë sofër të madhe gëzimi kelmendase këtu në Nju Jork, me këngë e valle, përkujtojmë edhe Prekë Calin, ky burrë malësor, megjithëse pa asnjë ditë shkollë, emri i tij u bë i njohur në kryeqendrat e politikës evropiane të kohës. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 Mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë – pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.
Përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqëve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.
Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të terësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga këthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.
Përkujtojmë Prekë Calin e Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqiperise, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili dha edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqiperi. Vrasja nga komunizmi i patriotëve shqiptarë si Prekë Cali – harresa dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetesojë ndërgjegjen e çdo shqiptari, edhe sot 30 e sa vjetë pas shembjes së komunizmit.
Prandaj, të pakën kelmendasit dhe shqiptarët e diasporës në përgjithësi, sidomos këtu në Amerikë, nuk duhet të harrojmë, por të –
Përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari, Prekë Cali i është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.
Përkujtojmë Prekë Calin, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjeja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qendresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët — sllavo-aziatik, kriminal për nga natyra e morali, që iu imponua shqiptarëve.
Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.
Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur — në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkluftëtarët e tij, shumë prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu, si edhe për mijëra martirë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.
Prandaj, le të bashkohemi sonte në përkujtimin e këtij burri të madh — tri dekada pas shembjes së komunizmit enverist dhe atij ndërkombëtar — e të shpresojmë që më në fund – të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike, e cila është aty për t’u zbuluar — dhe vetëm asaj t’i jepet arsyeja. Ashtuqë, heronjëve si Prekë Cali, më në fund, t’u këthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon patriotëve të vërtetë si ai, në historinë e Kombit.
Sepse duke kujtuar burrat si Prekë Cali, në përsërisim premtimin e vazhdimit të atdhedashurisë së vërtetë dhe punës në favor të cështjes kombëtare — dhe në të njëjtën kohë, mundësisht, të përshpejtohet distancimi nga trashëgimia e regjimit diktatorial komunist, që pushkatoi patriotë – mbrojtës të kufijve të Shqipërisë — si Prekë Calin.
I përjetëshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit. Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës se tij anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!
____
Ish-të përdjekurit: Kulla e Prek Calit të rindërtohet – Rilindja Demokratike