ARKIVI:
17 Nëntor 2024

“QATAR 2022” apo fundi i një epoke të emrave të mëdhenj të futbollit botëror ?!

Shkrime relevante

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Mendime rreth deklaratës së Aleksander Vuçiq për deklaratat e Vesli Clark

Gani I. Mehemti Vuçiq për deklaratat e Clark: S’e kuptoj se në...

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj nënshkrimet e kriminelëve, janë të pavlefshme

Aurel Dasareti Nëse kuislingu Hashim Thaçi nuk ishte kriminel, pse jeton në...

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në shënjestër të qëllimit të njëjt

Nga: Ryzhdi Baloku, Pejë Nga ngjarjet e përjetuara të gjeneratave të kohës...

Shpërndaj

Nga: Alketa Zejnullahu

Ngjarja më e madhe e futbollit konsiderohet Kupa e Botës e cila zhvillohet çdo katër vjet.

Ajo për dallim nga herët tjera këtë vit u zhvillua në prag të stinës së dimrit dhe në një vend krejt të papërvojë për organizimin e ngjarjeve kaq të rëndësishme sportive.

Në këtë ngjarje të madhe sportive konkurrojnë të gjitha vendet e globit. Gjithçka zhvillohet nën mbikëqyrjen e vendeve nikoqire dhe kompetencat e FIFA-s.

Kampionati i parë për Kupën e Botës në futboll u mbajt më 1930, ku në ndeshjen finale Uruguai në praninë e mbi 90 mijë shikueseve në stadiumin Montevideo e mund Argjentinën, 4-2,duke u kurorëzuar me titullin e më të mirit.

Kurse, katër vjet më vonë Kupa e më të mirit në botë do t’i takojë kombëtares italiane.

Ajo në Romë pas vazhdimeve të lojës shtesë në praninë e 45 mijë spektatorëve e mund 2-1 kombëtaren çeko-sllovake, të njohur si kombëtarja e Çekosllovakisë.

Italianët patën shënuar nëpërmjet Orsit dhe Schiavios, kurse çeko-sllovakët, nëpërmjet Puc.

Edhe më 1938 në ndeshjen finale të zhvilluar në Paris të Francës, italianët mposhtin Hungarinë me 4-2, dhe me plotë meritë për herë të dytë kthehen në Romë me Kupën e botës.

Në vitin 1950 organizimi i kësaj ngjarje të madhe të futbollit i besohet Brazilit. Me gjithë faktin që Brazili ishte nikoqir dhe skuadër e kompletuar të gjithë prisnin që trofeu i më të mirit të mbetej në këtë vend të Amerikës latine.

Pritjet ishin të arsyeshme sepse kombëtares braziliane për të qenë fituese e garave në takimin final i mjaftonte edhe rezultati baras.

Mirëpo, ëndrrën e  miliona brazilianëve e shuajnë futbollistët uruguaianë Schiaffino dhe Gigghia.

Me golat e tyre Uruguai e mund Brazilin 2-1, dhe e çon në sirtarët e tij për herë të dytë Kupën e botës.

Më 1954 në ndeshjen finale të zhvilluar në Bernë të Zvicrës, kombëtarja e Gjermanisë Federale e mund Hungarinë 3-2 dhe kështu për herë të parë fiton titullin e më të mirit në botë.

Në dy kampionatet e viteve 1958 dhe 1962 të mbajtura në Suedi gjegjësisht Kili, futbollistët brazilianë me demonstrim të lojërave të shkëlqyera nuk lejojnë befasi.

Ata në Stokholm mundin 5-2 Suedinë. Katër vite më vonë në stadiumin “Santiago” të Kilit nga Brazili në ndeshjen finale me rezultat 3-1 mposhten edhe çeko-sllovakët.

Brazilianët me talent të shumtë të futbollit fitues të Kupës së botës do të jenë edhe në vitet1970,1994 dhe 2002.Pas tyre pasojnë gjermanët dhe italianët. Ata fitues të kësaj Kupe janë nga katër herë.

Argjentina me fitimin e Kupës së sivjetme në “Qatar 2022” radhitet e treta. Me gjithsej tri Kupa të fituara.

Dy të ngjashme i ka fituar më 1930 dhe 1950 edhe fqinjë i tyre Uruguai. Këtë trofe të çmuar më 1998 dhe 2018 e sjell në Paris edhe Franca.

Ndërkaq, Anglia dhe Spanja ëndrrën e tyre të madhe për të qenë fitues të kësaj Kupe e realizojnë vetëm nga njëherë. Më 1966 anglezët në Londër pas lojës shtesë mundin me 4-2 kombëtaren e Gjermanisë Federale.

Spanjollët edhe pse me skuadra prestigjioze të futbollit për ta prekur këtë trofe të derdhur në ari duhet të presin deri në vitin 2010.

Ata në Botërorin e futbollit të organizuar në Afrikën e Jugut e mundin Holandën 1 me 0,dhe kështu për herë të parë Kupa e Botës në futboll shkon në Madrid.

Kuptohet që në të gjitha kampionatet e deritashme të futbollit kanë prezantuar futbollistë të shkëlqyer.

Mirëpo: adhuruesit e këtij sporti të popullarizuar do t’i kujtojnë gjatë lojtarët si: Edson Arantes Nascimento i njohur si Pele,  Diego Maradona,  Michel Platini, Bobby Charlton, Alfredo Di Stefano, Ferenc Puskas, Francisko Dos Santos Garrincha,  Ferreira da Silva- Eusebio, Johan Cruyff,  Franz Beckenbauer e shumë e shumë të tjerë.

Ne gjeneratave të reja për të qenë të joshur si djem ashtu dhe vajza pas futbollit na ka bërë loja e bukur e plotë atraksione e dy futbollistëve të mëdhenj  Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Ata përgjatë dy dekadave të gjithë adhuruesve të futbollit u kanë ofruar spektakël të vërtetë qoftë në ndeshjet me ekipet ku kanë luajtur qoftë me kombëtaret e tyre.

Të gjithë jemi dëshmitarë që në finalen e madhe të 18 dhjetorit 2022 që u zhvillua në Katar kombëtarja e Argjentinës mundi me ekzekutim të saktë të penalltive atë të Francës.

Ngaqë edhe minutat shtesë nuk e përcaktuan fituesin, pasi që Kylian Mbappe barazoi rezultatin në 3 me 3.

Mbase ky Kampionat Botëror do të jetë i fundit për disa nga yjet e futbollit, të cilët vite të tëra me lojën e tyre të bukur tërhoqën vëmendjen e të gjithëve sportdashësve në të katër anët e globit.

Lionel Messi, që me kombëtaren e Argjentinës debutoi në Botërorin e vitit 2006, tani është 35 vjeç dhe e ka të vështirë që si 39 vjeç të paraqitet prapë me petkun e Argjentinës në Botërorin e ardhshëm të futbollit.

Pavarësisht të ardhmes Messi do të mbetet një nga yjet e futbollit argjentinas dhe botëror.

Ai në këtë ngjarje të madhe sportive që u karakterizua me plot befasi dhe të papritura për kombëtaren e tij ka shënuar gjithsej 7 gola.

Në anën tjetër ai ka fituar shtatë herë edhe Topin e Artë (Ballon d’Or) gjë të cilën ende nuk e kanë arritur të tjerët.

Messi, aktualisht është lojtar i Paris Saint-German të Francës. Ai në këtë skuadër që ka tubuar emra të njohur të futbollit botëror kaloi më 2021, nga FC Barcelona, tek e cila pati debutuar si 17 vjeçar.

Cristiano Ronaldo, tre vjet më i moshuar se konkurrenti i tij Lionel Messi me kombëtaren e Portugalisë u paraqit në botërorin e vitit 2006, Ai fanellën e vendit të tij në kampionatet botërore e ka veshur hiç më pak 20 herë dhe ka shënuar 8 gola.

Prandaj, Ronaldo dhe Messi, padyshim llogariten si dy yje të dekadave të fundit në historinë e futbollit.

Po ashtu edhe Ronaldo është fitues për të pestën herë i Topit të Artë. Ai karrierën e ka nisur në Sporting Clube de Portugal, për të vazhduar më pastaj si 18 vjeçar tek Manchester United, skuadër me shumë famë në Angli dhe arenat ndërkombëtare.

Real Madrid dhe Juventus i Torinos ishin dy ekipe të tjera të Ronaldos, me të cilat mbërriti majat e suksesit. Falë Ronaldos edhe kombëtarja e Portugalisë u bë rrezik serioz për të gjitha kombëtaret që e konsideronin veten si të pamposhtura.

Meqenëse ai u rikthye vitin e kaluar në Manchester United, po vërehet qartë që këtë skuadër e ka për zemër. Përkundër moshës Ronaldo nuk mendon të dorëzohet. Ai planifikon që përsëri të ndërrojë ekip.

Se cila do të jetë skuadra ku ai do ta përfundojë karrierën prej futbollisti që kurrë s’do të harrohet ende nuk dihet.

Neymar një tjetër futbollist i njohur që luan si sulmues në kombëtaren e Brazilit, sivjet i ka mbushur 30 vjet. Ai në kampionatet botërore të futbollit debuton më 2014.

Neymar që shquhet për precizitet në pasim të topit është edhe golashënues mjaft efikas.

Ai në kampionate botërore i ka 13 paraqitje dhe 8 gola të shënuara. Para fillimit të këtij botërori ka deklaruar se ndoshta kjo do të jetë edhe paraqitja e tij e fundit me fanellën e Brazilit.

Neymar përkundër paralajmërimeve për t’i dhënë fund karrierës ende është lojtar aktiv i PSG-,të Francës.

Robert Levandovski po ashtu një futbollistë i rryer dhe i aftë për të shënuar nga çdo pozitë me kombëtaren e Polonisë, ka debutuar më 2018, dhe ka shënuar dy gola.

Levandovski 34 vjeç tani është lojtar i repartit sulmues të FC Barcelona të Spanjës.

Luis Suarez, 35 vjeç është një nga sulmuesit më të mirë të futbollit modern dhe është golashënuesi kryesor i Uruguait, në dy dekadat e të fundit.

Botërori i vitit 2010 ishte i pari për të. Ai zhvilloi 16 ndeshje dhe në këtë garë shënoi shtatë gola. Suarez tani është lojtar i Club Nacional.

Edinson Cavani në Kampionatin Botëror debutoi në të njëjtin vit me Suarezin. Me kombëtaren e Uruguait në këtë garë zhvilloi 17 ndeshje dhe shënoi pesë gola. Cavani edhe pse 35 vjeçar me mjaft sukses po luan në Valencia të Spanjës.

Luka Modriç lojtari më i mirë i kombëtares së Kroacisë dhe fitues i Topit të Artë, më 2018, në kampionatet botërore të futbollit është paraqitur 18 herë dhe ka shënuar dy gola.

Modriç moshatar me bashkëlojtarin e tij të dikurshëm Cristiano Ronaldo,dy herë radhas e çon vendin e tij në gjysmëfinale.

Kombëtarja kroate në “Qatar 2022” nga vazhdimi i mëtejmë i garave e eliminon edhe Brazilin e njohur, pasi që në ekzekutimin e penalltive tregohet e pagabueshme.

Portieri i Gjermanisë, Manuel Neuer, filloi ta mbrojë portën gjermane në kampionatin botëror të vitit 2010. Ai si debutues në mes shtyllave të Gjermanisë do t’i zhvillojë edhe 19 ndeshje në kuadër të Botërorit.

Neuer 36 vjeç për momentin është pjesë e klubit Gjerman, Bayern Munich. Në portën e Gjermanisë, Neuer, paraqitet pa i mbushur ende 24 vjet. Falë mbrojtjeve të tij bravuroze Gjermania, më 2014 stoliset me Kupën e botës.

Thomas Muller po ashtu një lojtar tjetër i Gjermanisë, do ta trasojë rrugën e babai të tij Gerd Muller,i cili në vitet e 70-ta, shkëlqen si qendërsulmues i Gjermanisë.

Muller junior botërorin e parë me Gjermaninë e zhvilloi më 2010. Ai, sot 33 vjeç realizoi 10 gola në 18 ndeshje të kampionateve botërore.

Thomas Muller si sulmues i spikatur dhe me përvojë bart tash sa vjet shiritin e kapitenit në ekipin e Bayern Munich.

Dani Alves 39 vjeç që me të drejt mund të quhet edhe veteran i kombëtares braziliane në kampionatet botërore të futbollit, petkun e vendit të tij e vesh 11 herë.

Atij përzgjedhësit e Brazilit ia besuan edhe shiritin e kapitenit. Me gjithë përpjekjet e pareshtura për të shënuar Alves mbeti jashtë listës së golashënuesve.

Alves aktualisht luan për ekipin Club Universidad Nacional, ku mendohet se edhe do ta mbyll karrierën.

Thiago Silva po ashtu futbollist i Brazilit i ka 15 paraqitje në kampionatet botërore dhe dy gola të shënuara. Silva është pjesë e klubit anglez, Chelsea, ku përveç përkrahjes së trajnerit gëzon edhe simpatinë e mijëra e mijëra shikuesve të kësaj skuadre angleze.

Eden Hazard e fillon rrugëtimin me kombëtaren e Belgjikës në botërorin e vitit 2010.

Në një ngjarje si kjo Hazard prezantoi 14 herë dhe shënoi tri gola. Hazard 31 vjeç mbron ngjyrat e Real Madridit.

Hugo Lloris portier perspektiv me kombëtaren e Francës për herë të parë do të shfaqet në Kampionatin botëror të vitit 2010.

Ai dhe bashkëlojtarët e tij pas tetë vjetëve për herë të dytë do ta bëjnë Francën fituese të Kupës së Botës.

Lloris përherë në formë të kënaqshme në gara të ngjashme si këto nga përzgjedhësit e kombëtares së Francës ftohet edhe 18 herë të tjera.

Ai si 35 vjeç ende po tregon formë të shkëlqyer, ku me shumë sukses që nga viti 2012, po e ruan portën e FC.Tottenham Hotspur.

Olivier Giroud qendërsulmues i Francës paraqitjen e parë në Kampionat Botëror e bën më 2014.

Ai i aktivizuar në 17 ndeshje ka shënuar 5 gola. Gëzimin dhe shijen e këtij trofeu të vlefshëm e ndjeu kur vendi i tij Franca , më 2018 doli fituese e garave.

Giroud që po i ofrohet pensionimit nga futbolli është pjesë e ekipit italian, AC Milan.

Sergio Busquets, futbollist i Spanjës e njëkohësisht edhe kapiten i saj në kampionate botërore debuton më 2010.

Siç po shihet ai ishte me fat sepse kombëtarja spanjolle rrëmben për herë të parë Kupën e Botës në garat e zhvilluara në Afrikën e Jugut.

Busquets 34 vjeç që nga viti 2008 është pjesë e ekipit katalonas, FC Barcelona.

Atij bashkëlojtarët dhe stafi udhëheqës i këtij Klubi ia kanë besuar edhe shiritin e kapitenit.

Botërori 2010, nxjerr në pah edhe talentin e jashtëzakonshëm të argjentinasit Angel Di Maria.

Ai sot 34 vjeç me fanellën e Argjentinës u paraqit në18 ndeshje. Gjatë afatit kalimtar të verës që e lamë pas Angel Di Maria u bë pjesë e Juventusit të Italisë.

Pepe i Portugalisë po ashtu ka një përvojë të gjatë në këtë kombëtare. Fillimet e tij në Botëror datojnë që nga viti 2010.

Pepe 39 vjeç është pjesë e ekipit të Portos. Mbase së shpejti do të ndahet nga futbolli për ta ushtruar profesionin e trajnerit në ndonjë klub futbollistik.

Gjatë kësaj analize shënuam data dhe dhamë moshën e disa futbollistëve si paralajmërim që ky Kampionat Botëror mund të jetë edhe i fundit për ta.

Sidoqoftë të gjithë futbollistët e përmendur me lojën e tyre të bukur ndër vite kënaqën miliona adhurues. Andaj, patjetër emrat e tyre do të jenë pjesë e historisë së futbollit evropian dhe atij botëror.

Falë lojës së tyre të shkëlqyer sy e vesh i drejtuam kah ekranet televizive edhe fushat e futbollit.

Me çfarë u relaksuam për pak çaste nga stresi dhe ankthi që e sjell jeta. Nëpërmjet futbollit shuhen hasmëritë kaq të theksuara dhe pandonjë arsye dhe ndërtohen miqësitë gjithandej rruzullit tokësor.

Kampionati i sivjetmë do të vlerësohej pa eksese sikur atij të mos t’ i qite hije të zezë Serbia.

Ajo në pamundësi për ta harruar urrejtjen ndaj shqiptarëve kudo që i jepet rasti ndaj tyre tregohet agresive dhe e dhunshme.

Plejadën e futbollistëve të përmendur dhe të cilësuar si yje shpresojmë që do të zëvendësojnë lojtarët e rinj si: Kylian Mbappe, Pedro Gonzales Lopez i quajtur shkurtas Pedri, Pablo Martin Paez-Gavira i njohur më tepër si Gavi dhe Jude Bellingham.

Futbolli e mbron shëndetin dhe rifreskon mendjen. Prandaj të gjithë të rinjtë energjitë negative duhet t’i lirojnë duke u marrë me këtë sport, nga më të popullarizuarit në botë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu