-Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi/
PRISHTINË, 28 Dhjetor 2022/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha sot se sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve e vendimeve të ligjshme të Qeverisë e Institucioneve tjera të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët, duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit por edhe duke cenuar sigurinë në vend.
“Fatkeqësisht, këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveçse cenimin e integritetit territorial të Republikës sonë”, theksoi Kryeministri Kurti.
Ai shtoi se, Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojë ata.
“Përfaqësuesit legjitimë nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetua e Republikës’, u shpreh Kryeministri i Kosovës.
Kurti ritheksoi qëndrimin se, vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.
“Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi.
Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast një gjë duhet të kuptohet, se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë, që e pengojnë lëvizjen e lirë”, përfundoi Kryeministri i Kosovës.
Kryeministrit Kurti foli në mbledhjen e 116-të të Qeverisë së Kosovës që e drejton.
“Sot, në mbledhjen e 116-të të radhës, shënojmë vitin e dytë kalendarik të qeverisjes sonë. Me plot 578 vendime të miratuara, përfshirë këto të mbledhjes së sotme. Pra, në krahasim me vitin e kaluar, jemi 19 për qind më lart. Ndër to, 71 projektligje të miratuara, 70 emërime, 23 koncept-dokumente, 13 udhëzime administrative, 9 projekt-rregullore dhe 6 nisma legjislative.
Ka qenë një vit me sfida, por edhe me arritje, ngritje dhe zhvillim të gjithmbarshëm.