Bardhyl Mahmuti
Republika e Ukrainës
Presidentit të Republikës së Ukrainës, z. Volodimir Zelenski
I nderuari z. President,
Në ndërrimin e motmoteve 1998/1999 ishte acar i madh, ndërkohë që populli shqiptar i Kosovës përballej me operacionet e tmerrshme të forcave të armatosura serbe që zbatonin planin gjenocidar të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.
Si pasojë e këtij plani mbi 2000 civilë shqiptarë ishin vrarë dhe 433.300 të tjerë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Që ta keni të qartë përmasën e këtij dëbimi, shifra e lartpërmendur paraqiste çerekun e popullsisë së përgjithshme të Kosovës!
Sikur një gjë e tillë të ndodhte me popullsitë civile të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të SHBA-vë apo Ukrainës ky proporcion do të manifestohej me dëbimin e 15 milionë britanikëve, të 17 milionë francezëve, të 20 milionë gjermanëve, të 80 milionë amerikanëve, të 11 milion ukrainasve.
Sado dramatike që ishte situata në Kosovë dhe kriza e përgjithshme humanitare me të cilën ballafaqohej populli shqiptar i Kosovës, Serbia nuk i ndali aksionet e veta. Përkundrazi ata intensifikuan operacionet e forcave të armatosura për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së shqiptarëve në Kosovë, ngjashëm si “zgjidhja përfundimtare e çështjes çifute” të nazistëve gjermanë.
Për disa muaj të vitit 1999 Serbia vrau edhe mbi 11 mijë shqiptarë dhe dëboi nga Kosova mbi 90% të popullsisë shqiptare. Falë ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, regjimi terrorist i Beogradit kapitulloi dhe në këtë mënyrë iu dha fund pushtimit serb të Kosovës.
I nderuari z. President i Republikës së Ukrainës,
Edhe në këtë ndërrim motmotesh 2022/2023 në Ukrainë është acar i madh. Me shqetësim dhe dhembje të madhe jemi duke ndjekur pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe zbatimin e politikës së gjenocidit ndaj popullit ukrainas.
Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e mëdha që është duke bërë populli i Ukrainës dhe të revoltuar që, për shkaqe të interesave ekonomike, vendet e demokracive perëndimore tregojnë hezitimet e tyre për t’i dhënë fund gjenocidit të Rusisë në Ukrainë!
Regjimi nazist i Kremlinit nuk do të ndalë krimet në Ukrainë deri në momentet kur të bindet se NATO do të ndërhyj ushtarakisht, përkrah forcave të Ukrainës, për të dëbuar forcat e okupatorit rus.
Uroj që ndërhyrja e NATO-s të bëhet sa më shpejt, sepse është e vetmja rrugë e shkurtër për t’i dhënë fund krimeve ruse kundër popullit ukrainas!
SLAVA UKRAINI!
Gjenevë, 31 dhjetor 2022
_____
Bardhyl Mahmuti
Kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”