ARKIVI:
18 Tetor 2024

Kolonel Tahir Zemaj, komandant i UÇK-së

Shkrime relevante

Toka e vinçave: Irani ekzekuton një person çdo katër orë

Ekzekutimi publik i Esmail Jafarzadeh. Foto: Mohsen Zare CC BY 4.0 Arnt...

Hipokrizia e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe një Projekt Ligj që zgjidh

Prof. Dr. Pirro Prifti Projekt Ligji për Kërkimin Shkencor të propozuar nga...

Kujtime nga viti 1979, si student, në Shqipëri e mësues, në Suedi

Sinan Kastrati, Suedi ___ Nga Ditari im ___ Në fillim të tetorit (`24) isha sikurse...

At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë !

Nga: Frank Shkreli 12 Korrik 1874 --14 Tetor 1929  “Këto punë po i...

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Shpërndaj

Nga: Frashër DEMAJ 

Strellc 4 janar 2023 

KOLONEL TAHIR ZEMAJ  KOMANDANT I UÇK-SË  

(28 DHJETOR1952 – 4 JANAR2003)  

Në mozaikun e personaliteteve që u flijuan për lirinë, shtetin, pavarësinë, paqen, demokracinë, dhe perspektiven kombëtare bën pjesë edhe kolonel Tahir Zemaj një nga komandantët më të shquar të luftës së UÇK-së.  

Në këtë kumtesë të hollë për nga vëllimi por të ngjeshur dhe peshuar nga përmbajtja do të perpiqem të risjellë në kujtesen e miqve, ish officerëve dhe bashkpunëtorëve të Tahir Zemajt, vlerën e një njeriu të përcaktuar dhe të palëkundur në rrugëtimin drejt Lirisë së Kosovës, liri të cilën e endërruan por nuk e panë breza të tërë që sakrifikuan jetët e tyre, por që me vete morën pikëpyetjen e madhe pa e ditur si do të bëhet fati i Kosovës.   

Tahiri u lind në Strellc me 28 dhjetor 1952. Shkollën fillore e përfundoi në Strellc dhe Isniq kurse të mesmen në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë. I shtyrë nga dëshira e babait ai regjistrohet në Akademinë Ushtarako-Teknike në Zagreb. Vitin e dytë me sygjerimin e Gjeneral Ramiz Abdylit kalon në Akademinë Ushtarake të Forcave Tokësore në Beograd. Në këtë Akademi kishte takuar 28 kadetë shqiptarë, në mesin e tyre edhe Ahmet Krasniqin. Në vitin e tretë dhe të katërt Zemaj vazhdon specializimin dhe diplomoi në Akademinë Ushtarake në Sarajevë. Që nga viti 1973 ai e filloi karrieren, fillimisht si nëntoger e pastaj në pozita më të larta në hierarkinë ushtarake në qytete dhe postkomanda të ushtrisë përfshirë këtu edhe shërbimin në Pejë dhe Prishtinë. Gjatë viteve të tij të sherbimit ai krijoi një eksperiencë prej ushtaraku të cilën e shfrytëzoi në interes të lirisë së popullit të Kosovës, atëherë kur ai dhe officerët tjerë të karrierës u ftuan për mobilizim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Me ndihmën e Sali Çekajt, ai vuri kontakte me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil. Salihu e kishte sygjeruar Tahirin edhe për kontaktet me forcat amerikane në Qendren për Zbulim dhe Kundërzbulim për Europen Juglindore në Augsburg. 

Më 21 qershor 1998, Kolonel Tahir Zemaj, së bashku me qindra ushtarë dhe eprorë ushtarak, në prezencën e ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit, u betua para flamurit duke marrë nën komanden e tij Brigadën 134 dhe bërthamat e Bigadave 131 dhe 133 të UÇK-së. Ministri Ahmet Krasniqi i kishte dorëzuar Zemajt Flamurin e Luftës duke e urdhëruar që të mos lejojë asnjëherë që ky flamur të bie në duart e armikut. Gjatë marshimit nga Shqipëria për në Kosovë kolonel Zemaj në krye brigadave 131,133 dhe 134 pati edhe pengesa të ndryshme nga elementë të papërgjegjshëm, sjellja e të cilëve krijonte përshtypjen se ata ishin pjesë e një orkestre enigmatike sabotuese e cila nuk kishte nxjerrë në sipërfaqe dirigjentin e saj. Sidoqoftë Tahiri dhe officerët tjerë të matur dhe të vetdijshëm për arsyen e hyrjes së tyre në Kosovë përpara kishin vetëm një armik dhe ato ishin forcat e armatosura të ushtrisë, policisë, njesiteve elitare dhe paramilitare serbe. Prandaj asnjëherë nuk ranë pre e kokëboshësisë dhe dashakeqësisë së eksponentëve me pikëpyetje dhe shumë të panjohura.  

Pas hyrjes në Kosovës, Zemaj e udhëhoqi me sukses luftën e Loxhës, njërën ndër betejat më të suksesshme në të cilën forcat policore dhe ushtarake serbe numëruan humbje të konsiderueshme në njerëz dhe teknikë luftarake. 

Veprimtaria e kolonel Zemaj mund të analizohet nga këndvështrimi politik dhe ushtarak. 

Në rrafshin politik Tahir Zemaj njohu dhe respektoi Platformen Politike, Kushtetuten e Kaçanikut, Institucionet e Republikës së Kosovës përfshirë këtu Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës nën autoritetin e ministrit Ahmet Krasniqi dhe për komandant suprem të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës njihte autoritetin e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. 

Në rrafshin ushtarak ai ishte doktrinar dhe profesionist i shkelqyer që tregoi dije, guxim dhe devotshmëri. Tahir Zemaj ishte drejtues, ideator dhe udhëheqës i betejave ushtarake që kishin për qëllim çlirimin e përfundimtar të Kosovës. Ai e kishte të qartë gjithnjë se e vetmja rrugë për çlirimin e Kosovës ishte afirmimi i çështjes së Kosovës, krijimi i miqëve dhe përkrahja e diplomacisë ndërkombëtare për tu pasuar me luftën e armatosur për çlirim kombëtar. Pra, kolonel Zemajn mund ta konsiderojmë si një nga personalitetet e rralla të UÇK-së që kishte sens prej institucionalisti e ushtaraku, i ndergjegjshëm për pergjegjësinë historike që barti mbi supet e tij, bashkpunëtorëve, officerëve dhe ushtarëve të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Tahiri foli në dy vëllimet e tij për të verteten, luftën dhe sakrificat e ushtarëve dhe officerëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, në Shqipëri, në Kosovë dhe në betejat e luftës kundër Serbisë.  Ai e la amanetin e tij të stampuar e zeza mbi të bardhë për të verteten historike në të cilën besonte, rrëfimet, kronikat, ditarët, kronologjinë, fotografitë dhe faktet e pa kontestueshme që udhërrefejnë një histori të zhvillimit të ngjarjeve në vitet 1998-1999.  

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova e vlerësonte colonel Tahir Zemajn si një burrë i madh i Kosovës që punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit të tij. Ai është shembull i ushtarakut me kulturë shtetërore, gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur e nderuar vendin e vet.   

Për të njohur meritat ushtarake të kolonel Zemaj, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, e dekoroi me urdhrin “Heroi i Kosovës”, kurse në përvjetorin e shtatë të pavarësisë së Kosovës, kolonel Zemajt u dekorua nga presidenti shqiptar Bujar Nishani me medaljen “Nderi i Kombit”. 

Tahiri i dha lirisë së Kosovës jeten e tij të çmuar pa pasur frikë nga vdekja! 

Tahri, Hasani dhe Enisi u vranë për shkak të bindjeve të tyre politike dhe institucionale si shkakpasojë e logjikës së degraduar dhe primitive të mbeshtetura në parullat e ideologjisë komuniste “kush nuk është me mua është armiku im” e cila rëndon mbi ndergjegjen e munguar të atyre që kishin qëllim pa pasur arsye. Sot në  20 vjetorin e vrasjes sa tinzare poaq edhe qyqare gjejmë zërin e arsyes për të nderuar kolonel Tahirin, Hasanin dhe Enisin për kontributin e tyre të pashoq për lirinë, pavarësinë dhe ndertimin e Kosovës Demokratike. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu