Behlul Jashari, Prishtinë
PRISHTINË, 27 Janar 2023/ Para 30 viteve, gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993 shkruante dhe protestonte për arresimin tim në Prishtinë nga Policia e Serbisë…
Në Kosovë në vitin 1989 nga 20 deri 28 Shkurt, për tetë ditë me radhë, u zhvillua greva e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.
Greva e minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova…
Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në Shkurt 1989 isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.
Pas grevës kishte arrestime, së pari e arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…
Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.
Ishte ditë e diel, 17 Janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, nga teleksi – e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër Lagjen Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe…
Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 Janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.
Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale të Prishtinës, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 Janar”.
“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…
Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt…
Para 32 viteve, me datë 18 Janar 1991, në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore. “Bujku” ishte gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë…
Në atë kohë në Kosovë, nga 24 Maji deri në 3 Qershor 1993, zhvillohej edhe një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.
Ishte kohë okupimi, shqiptarët u dëbuan kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë u dëbuan nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…
“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flisja në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoja titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës “Bujku” të datës 3 Shtator 1991.
Në filmin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë…
Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”…