Bajram Sefaj, shkrimtar
‘“kolonët e mi” – III
(… i gjithi një fshat!)
Nga ajo që është rrëfyer e shkruar deri me tash, qoftë edhe në romane, libra të tjerë të trashë e voluminozë, fitohet përshtypja, gjithsesi e shtrembër, se ai pellg, ajo lukuni qeniesh njerëzore, ajo fole e zogjve të qyqes që dyndeshin në Kosovë, përbëhej vetëm nga disa veta, nga disa individë, ca persona të “mjerë” që, sipas një tok rendje të panjohur, u kishte rënë hise, detyrë e obligim patriotik,, të lëshojnë kolibet e tyre primitive para mesjetare, ngrehur e ngulitur si strehimore, si fole qyqesh, gjithandej bokërimave e shkrepave të pakrehura e pashkelura, të Malit të Zi (të zi!), në vukojebina (shqip: ku bën dreqi ve!), pa kurrfarë kushtesh jetese, lipsej të viktimizoheshin, të flijoheshin e, “heroikisht” të zbarkonin në Kosovën tonë, në viset me të bukura e piktoreske të saj, siç është Rrafshi i Dukagjinit, për shembull. Të vendosen në shtëpi “të planit”, me oborre e irat të bollshëm toke pjellore që, siç thuhet, gurin po ta hedhësh mbi të, nga gjiri i saj , do të korrësh bereqet të mbarë.
Jo, ore jo!
Po ç ‘djall rastesh individuale e të vetmuara!
Gjithkund në Rrafsh, katundet, lagjet më bukura qytetesh dukagjinase, populloheshin e dyndeshin me kolonë malazezë. Si shembull karakteristik dhe ilustrues, pa as më të voglën mëdyshje, mund të kujtohet rasti i Vitomericës. Fshat a vendbanim i bukurisë përrallore që, vetëm mund të ëndërrohet (në asnjë mënyrë tjetër!). Ndodhet pikërisht aty ku dorëmira natyrë e ka vendosur at vendbanim margaritar. Vetëm disa metra në verilindje të qyteti i Pejës, me Grykë të Rugovës e, hijeshitë tjera që i shkojnë pas, vendbanimi Vitomericë, nga të katër anët, majtas r djathtas, rrethohet me mrekulli të shumta të kësaj bote! !
Pos qytetit të Pejës që le pas, në anën e majtë të rrugës, ngrihet ngushtica e Shtedimit, krah për krah me Majën e Hasanit, me legjendën anekdotike brenda saj. Kur atje, në maje të Majës, siç thotë legjenda, mixha Hasan, gërmuqet për t’i puthur koqet e veta, në shenjë mirënjohjeje që në jetë ia kishin sjellë atë çetë djemsh azganë, që u vringëllonin kosat në ukositje në Livadh të Madh, kur u vetonin këmishët qenat atje poshtë në Rrafsh, humbi jetën tragjikisht. U rrokullis e u thërrmua, ra poshtë greminës së thellë. Nga ajo ditë, asaj maje atje lartë, i meti emri Maja e Hasanit!
*
Në varg, pastaj ngjitet bjeshka e lartë e Rusolisë, nga gjiri i së cilës rrjedhë uji i kulluar si loti, i burimit të Drinit të Bardhë, me ujëvarën shkumëbardhë që, në katarakt, bashkë me jehonën solemne, i turret Rrafshit. Aty, bri burimit gjendet shpella mijëvjeçare që, siç rrëfen legjenda, i trembur, për jetë a vdekje, lepuri (zemërlepur), në gojën e hapur të Shpellës, gjen shpëtim nga dhembët e mbrehtë brisk, të zagarëve langonj. Në grykë shpelle, zagarët ndalin vrapin, lepurin e trembur për vdekje ia a falin tokës, mëshirës saj. Pas disa ditësh e netësh, rruge të nëndheshme, në terr të zi, duke u përbiruar e përplasur shkëmbinjsh, (i qëruar fare!), në fërkim me shkëmbinj tuneli nëntokësor natyror, lepuri del cullak (lakuriq fare!), mbi sipërfaqe, diku thellë në Mal të Zi!
Me legjenda të ngjashme, mbase edhe shumë herë, më të çuditshme e rrëqethëse, është e mbushur përplot tërë rrjedha e Drinit të Bardhë që, Vitomiricës ia lag këmbët, si vulë nënshkruese se ky vendbanim, është fshati më i bukur jo vetëm në nahije të Podgurit por edhe më gjerë!
*
Qëllimshëm anashkalohen edhe shumë legjenda e kallëzime të tjera fantastike që kallëzohen lidhur me këtë krah të Kosovës e, më shpesh, rrëfehet tregimi real e konkret, i përjetuar dhe i freskët taze, si të kishte ndodhur sot paradite. Idil dashurie midis dy qenieve njerëzore, midis dy filizash të përkatësive, kombëtare e fetare, të ndryshme: të të riut kolon malazias nga Vitomerica dhe gocës së bukur shqiptare vendase, nga fshati fqinj. Ishte ky sensacion i panjohur dhe i pa ngjarë deri me atë çast! Sikur ia kapërcente legjendës së Romeo dhe Zhulietës (Roméo Montaigu dhe Juliette Capulet), të veprës madhështore epike, të fillimeve të dramaturgut me famë botërore, Wiliam Shakespear-it.
(…)
Djaloshi i ri, shtatlartë, flokëzi, sy verdhë, vetullhollë e lëkurëbutë, buzagaz gjithnjë, pa fije hileje e urrejtje ndaj askujt, fytyrë toke, kolon malazias, rastësisht takon gocën e re shqiptare, drenushe e ndrojtur mali, bime e re, pa e parë as vrarë syri i keq i askujt. Pa e ndërruar asnjë fjalë mes veti, meqë asnjëri nuk e kuptonte gjuhën e tjetrit, mbërthyen e lidhen fort, shikimet. Nga ndeshja retorike heshtjeje, shkrepi një vetëtimë e rrufeshme deri në kupë të qiellit. Pa asnjë fjalë goje, lidhën me forcë duart dhe, u nisën me vrap. Si të çmendur!
Për ku nisën!
Në ç ‘drejtim!
Drejt një ishulli të panjohur!
U nisën për atje larg!
Të mbjellin legjendën e re!
Mbi një dashuria të ndaluar…
*
Mungesa ose “zhdukja” e tyre, u zbardh. Rrufeja plasi e zbërtheu: u mor vesh se Ajkuna, bija e konakut më të njohur në Podgur, iku a u grabit, me hatër a me zor! U martua me djalin e kolonit Stanishiq, kryefamiljar i familjes shamatarësh, instaluar si kolonë në fshatin Vitomericë. Për ketë ndodhi pa president, të rrallë dhe të papritur, merr vesh, i zoti i shtëpisë së madhe shqiptare dukagjinase, plaku i mençur e fisnik, Bardh Shaljani. Në çastin që i erdhi haberi se Ajkuna, e bija e djalit tij të madh Hazir, ishte martua me një shkja, plaku Bardh hoqi plisin, kroi kryet, pështyu në hi e, nga çibuku prej i qelibarit, po nja një metër e kusur i gjatë, thith një tym idhnak duhani, pushoi një çik, mori frymë thellë dhe, priti e tha: hair qoftë! Për hair na qoftë dy palëve kjo miqësi dhe shtoi – boll qejf kisha që Ajkuna të martohej me një të bërë synet! Por s’ka dert, kështu qenka kenë kësmet!
Kur merr vesh për këtë kërkesë të burrërore të Bardhit, baba i djalit, koloni malazez Strazimir, për flake pushke përgjigjet: problemi më i vogël qenka ky! Në dekik plotësoi kërkesën e fqinjit të tij shqiptar, tashme mik shtëpie!
Me të birin përdore, drejt xherahut!
(Gaillard, janar 2023)
*
(*Gjithnjë duke u mbështetur në dritën e fortë të murin ngjyrë bardhë të romanit “Zogjtë e Qyqes” të shkrimtari kosovar, Gani Mehmetaj. Kjo vepër, u nderua me çmimin prestigjioz letrar “Kadare”, si romani me i suksesshëm për vitin 2020)