Prishtinë, 31 janar 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti katër gazetarët afganë që kanë mbërritur mbrëmë në Kosovë e që do të qëndrojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosova”, financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Duke iu uruar mirëseardhje në Prishtinë, kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur që po i takon ata sot në zyrën e tij. Ai tha se populli i Kosovës bashkëndjen me kauzën e tyre dhe të popullit afgan për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe prosperitet.Amina, në emër të grupit të gazetarëve, tha se janë falënderues për mikpritjen në Kosovë dhe për mbështetjen e Qeverisë. Pas vështirësive të përjetuara në Afganistan, u shpreh se janë me fat që janë këtu dhe se tashmë po ndjehen si në shtëpi.
Kryeministri dhe gazetarët biseduan për aktualitetin në Afganistan, pozitën e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut atje, e veçanërisht të grave dhe vajzave nën regjimin taliban.Së bashku me gazetarët afganë Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad në takim morën pjesë edhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe Zyrtarja Ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari.
Gazetarët afganë u mirëpritën në vendin tonë një muaj pas vendimit të Qeverisë që do t’u mundësojë atyre strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetet edhe nga Iniciativa Hannah Arendt. Deri më tani, përmes këtij programi, në Kosovë po qëndrojnë 12 gazetarë ukrainas dhe 4 afganë.