Bukra Hysenukaj, Tropojë – Tiranë
____
Ishte viti 2001. Një kohë e vështirë për dikë, (për më tepër femër) pa baza e përkrahje në një qytet të madh si Tirana, që siç e them shpesh, po s’e hëngre, të ha. Në atë periudhë, bëja tre punë. Rrisja e vetme një vajzë. Ndryshe nuk do ia dilja, siç në fakt ia dola. Përveç Gazetës “55”, ku mbuloja politikën e majtë, bëja edhe intervistën e javës në Gazetën “Intervista”. Redaksitë e të dyja gazetave ndodheshin pranë njëra-tjetrës në rrugën e “Dibrës” e kjo më favorizonte. Po ashtu bëja korrespondenten për “Antena Nord”, një tv lokal në Shkodër. Puna bazë ishte “55-a”, ndërsa dy të tjerat nuk i kisha deklaruar se nuk na lejohej angazhim i dytë e jo më i tretë njëkohësisht. Nga të treja punët, merrja përkatësisht 140, 120 (30 mijë lekë për intervistë javore) dhe 100 mijë lekë, në total një rrogë e mirë për atë kohë. Të them të drejtën, punën për dy mediat e tjera e përgatisja në redaksinë e “55”, se nuk kisha mundësi tjetër. Kolegët e mij e dinin të gjithë. Te “Intervista”, përdorja pseudonimin e Vajzës time, ndërsa në tv lokal, në lidhjet telefonike, natyrshëm prezantohesha me emrin tim, se në Tiranë nuk shihej, ndaj isha e mbrojtur. Kronikat për tv i përgatisja shkurt e përpiqesha t’i lexoja shpejt, për të kursyer impulset telefonike, pasi shpesh nuk na e kompensonin këtë shpenzim. Celularë atëherë ende nuk kishim, por përdorja një telefon fix, që një qytetar kishte vendosur në shërbim, aty pranë zyrave tona. I kisha punët thuajse në terezi. Arrija të paguaja qeranë që e ndaja me një nga koleget, (sot mikja ime), mbuloja nevojat bazë për vete e vajzën e nuk i shtrija dorë njeriu, e për mua ky ishte kulmi i suksesit.
Një ditë, drejtuesi i gazetës më thërret në zyrë. Përpara më vuri një zarf të vogël. Pak ditë më parë kisha qenë në vendlindjen time në Tropojë, prej ku kisha sjellë një reportazh që u mirëprit nga lexuesit, e mendova se po më jepte ndonjë shpërblim simbolik që praktikohej shpesh për punë të mira dhe suplementare. Më qeshën sytë. Kur hap zarfin, shoh të palosur në tresh, një fletë A4, ku e printuar ishte kronika që kisha raportuar pak më parë për tv në Shkodër. Dikush kishte printuar nga kompjuteri im materialin dhe më kish paditë te drejtori se bëj punë të dytë. Mbeta…! “Kush e bëri”, më vriste më shumë se “Çfarë më bëri”. Për pak çaste nuk fola. Pastaj përgjigjem: “Drejtor, nëse mendoni se mund të përballoj jetën në Tiranë së bashku me një fëmij, me 140 mijë lekë që më jep ti, e ke gabim. Që bëj punë të dytë, duhet ta kishe marrë vet me mend” dhe dal nga zyra. Të them të drejtën, ai nuk më kushtëzoi të vijoja të bëja punën e dytë.
Rrallë herë jam ndjerë aq keq e prerë në Besë. Ne ishin një staf me lidhje të forta. Bënim dallimin me kolektivet e redaksive të tjera. U rritëm e formuan bashkë. Nuk ia deshëm kurrë të keqen njëri-tjetrit, nuk ishim konkurrentë por bashkëpunëtorë e megjithatë, dikush në mesin tonë, nuk ishte i tillë. Edhe sot e kësaj dite, sado e kam vrarë mendjen, nuk e kam kuptuar kush ishte besëpreri, keqbërësi. Unë mund them se kush nuk e bëri, por nuk di të them kush e bëri. Megjithatë, kjo ngjarje më pat rrit. Më bëri të kuptoj se, jo këdo që di për të mirë, është i mirë. Më mësoi të kem kujdes, të jem më e matur e të mos besoj lehtë. M’u thye besimi, e kjo më kushtoi shumë shpirtërisht.
Kjo mund të duket një histori/ngjarje krejt e vogël dhe e papërfillshme, por di të them se pesha e pabesisë në shpatullat e dikujt që Besën e ka të shenjt, peshon shumë rëndë. Ky ishte momenti i parë. Të tjera pabesi hasa rrugës së gjatë deri sot, por asnjëra s’më zuri më gafil.