Nderime tek varri i Senatorit Dole në Varrezat Kombëtare në Arlington, afër Washingtonit — E pranishme edhe familja Dole
Ky ishte qendrimi i fortë i Senatori Robert Dole në mbrojtje të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë dhe anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Por, ishte edhe qendrimi i fortë — i këtij burrë-shtetasi të madh amerikan dhe mik i dedikuar në mbrojtje të drejtave të Kombit shqiptar – kundër regjimit të diktatorit serb Millosheviçit — asaj “tiranie komuniste”, siç e ka cilësuar Senatori Dole. Ka qenë Xhim Xhema ai i cili kishte kërkuar nga miku i tij Senatori Dole dhe kolegët e tij senatorë, që të shkonin në Kosovë në gusht të vitit 1990 dhe të shikonin për veten gjëndjen e krijuar atje – që ata më vonë e cilësuan si tmeret që po ndodhnin në Kosovë. Xhim Xhema, aktivist i njohur i çeshtjeve shqiptare dhe mbrojtës — i pa asnjë interesi personal — i të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve dhe mik i ngusht për dekada i Senatorit Dole, ka thenë se pa Senatorin amerikan, republikanin Robert Dole, Kosova nuk do të ishte sot e pavarur. Unë do doja të shtoja se pa Xhim Xhemën, shqiptarët nuk do të kishin një mik aq të madh siç ishte Senatori Bob Dole. Dhe pa kontributin e vyer të bashkatdhetarit tonë të nderuar, Z. Xhim Xhema – këtij shqiptari dhe amerikani të madh – kam drojë se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.
Ishte ky Xhim Xhema — aktivisti i shquar prej dekadash i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe miku i ngusht i ish-Senatorit amerikan, republikanit Robert Dole — ai i cili këtë javë organizoi udhtimin dhe i priu një delegacioni shqiptaro-amerikanësh për një vizitë në Washington, ditën e enjtë me 2 Shkurt, 2023 – në përvjetorin e parë to varrimit të Senatorit Bob Dole — për të bërë nderimet e rastit ndaj këtij miku të madh të shqiptarëve.
Z. Xhim Xhema dhe dhjetëra anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku morën pjesë në ceremoninë përkujtimore (të organizuar nga Z. Xhema), që u zhvillua në Varrezat Kombëtare të Arlingtoni, afër Washingtonit. Mori pjesë gjithashtu edhe familja Dole, së bashku me miqtë shqiptaro-amerikanë të ish-Senatorit Dole. Ceremonia pranë varrit të Senatorit Robert Dole në Varrezat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara ishte e përzemërt, plotë ndjenja, respekt, kujtime të mira dhe mirënjohje për këtë amerikan të madh. Aty pranë varrit të tij – në 1-vjetorin e varrimit — ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që, si pjesë e këtij komuniteti dhe si shumë shqiptarë kudo, kanë për ish-Senatorin Dole. I pranishëm aty ndodhej edhe ish-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në Washington për takimin vjetori, Mengjesi i lutjeve.
Xhim Xhema, organizuesi i këtij përkujtimi — aktivisti dhe miku i ngushtë i ish-Senatorit Dole – përshëndeti, shkurtimisht, të pranishmit me rastin e 1-vjetorit të varrimit të mikut të tij prej dekadash: “Jemi mbledhur për të nderuar Senatorin Bob Dole – një hero dhe një burr-shtetas të madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektuar, i cili ka shërbyer si udhëheqës i shumicës republikane në Senatin amerikan, për më shumë se një dekadë. Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë për më shumë se 30-vjetë. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë. Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të frymëzojë. Brezat e ardhëshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirë njohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhim Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit.
Aty pranë varrit të tij – në këtë përvjetor, ne shprehëm respektin dhe nderimin e madh që ne dhe shumë shqiptarë kudo, kemi për Bob Dole.
Ishim aty për të falënderuar Senatorin Dole por njëkohësisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atdheun tonë të dytë, që jo vetëm na ka strehuar ne si emigrantë politikë, shumica jonë të ardhur në këtë vend, të arratisur nga “tirania komuniste”, siç e cilësonte Senatori Dole, regjimin komunist.
Por, ishim aty, gjithashtu, për të falënderuar Amerikën tonë të dashur e të bekuar, që ka lindur burra si Senatori Dole, që i erdhën në ndihmë Kombit shqiptar në njërën prej periudhave më të rrezikshme në historinë e tij – pastrimit etnik dhe shpërnguljes me forcë të shqiptarëve nga trojet shekullore dardane, çfarosjes së shqiptarëve nga trojet e veta shekullore — nga një regjim barbar terrorist serb, përfaqsues i denjë i një tiranie komuniste sllavo-aziatike.
Ishim aty, në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të një heroi amerikan por edhe të një heroi për shqiptarët — si përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan — që ta kujtojmë atë, për ta falënderuar atë për punën e tij të madhe dhe për dedikimin e tij të pakushtëzuar në mbështetje të popullit shqiptar gjatë një periudhe prej tri dekadash shërbimi si Udhëheqës i Senatit të Shteteve të Bashkuara dhe si një burrshtetas i dalluar i Amerikës tonë të dashur, e cila ka qenë gjithmonë pranë nesh, në kohë të caktuara e të vështira historike, nepërmjet bijve dhe burrave të saj, si Senatori Robert Dole.
Natyrisht, se me këtë rast, grupi i shqiptaro-amerikanëve nga Nju Jorku shkoi në Washington për të nderuar dhe falënderuar Senatorin Robert Dole dhe për nderuar kujtimin e tij. Por, nuk do isha i sinqert me veten as me të tjerët, nëqoftse nuk them se Senatori Dole nuk ka punuar vetëm. Ka pasur bashkpuntorë. Ai ka pasur gjithmonë ndihmën dhe mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan – në veçanti këshillat dhe ndihmën e bashkatdhetarit tonë të dashur e të nderuar, Z. Xhim Xhema. Z. Xhema është jashtzakonisht modest dhe të gjithë ne që e njohim, e dijmë, se atij nuk i pëlqen të flitet ose të shkruhet për ‘të dhe vepimtarinë e tij shembullore dhe të pa kushte patriotike, si dhe për vet-mohimin e kontributin e tij madhështor në interes të çeshtjes kombëtare shqiptare, gjatë dekadave. Por, do a s’do miku im dhe i shumë shqiptarëve, pa dallim, e vërteta duhet të thuhet: se unë nuk dua as ta marr me mend se ku mund të ishte sot Kosova pa miqësinë dhe bashkpunimin e ngushtë midis këtyre dy burrave të mëdhej – shqiptaro-amerikanit Xhim Xhema dhe burrshtetasit të shquar amerikan, Senatorit Robert Dole nga shteti Kansas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ata që besojnë: sikur vet Perendia i bashkoi këta dy burra për të punuar për shpëtimin e shqiptarëve dhe për të mirën e njerëzimit.
Pas ceremonisë pranë varrit të Senatorit Robert Dole, Z. Xhim Xhema shtroi një drekë për pjesëmarrësit në njërin prej restauranteve të njohur të Washingtonit, ku aktivistët shqiptaro-amerikanë takoheshin shpesh, me Senatorin Dole, në kulmin e aktiviteteve të tyre në Washington, gjatë 1980-ave dhe 1990-ave.
Ky udhtim në Washington dhe ceremonia pranë varrit të Senatorit Dole, ishte vetëm një përkujtim dhe falënderim për mikun e madh të shqiptarëve në përvjetorin e parë të vdekjes së tij. Shqiptarët, e sidomos Kosova, nuk i ka mbetur hak atij. Prishtina zyrtare e ka përjetësuar historinë e ndihmës së Senatorit Dole për shqiptarët, Republikën e Kosovës, pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e saj. Republika e Kosovës, në mirënjohje, ka vendosur një pllakë dhe ka ngritur një statujë në qendër të Prishtinës në kujtim të vizitës së ish-Senatorit Robert Dole dhe 6 kolegëve të tij senatorë amerikanë në verën e vitit 1990. Siç dihet, pass asaj vizite, ishte Senatori Dole, ai që paralajmëroi i pari Washingtonin dhe botën për tmeret që kishte parë në Kosovë, me atë rast, ndërkohë që kishte paralajmëruar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ. Bob Dole bëri që, nga ajo ditë e deri më sot, Washingtoni zyrtar të mos e shikonte kurrë më ish-Jugosllavinë siç e konsideronte deri atëherë, si një vend mike e Shteteve të Bashkuara me një reputacion ndër-shtetëror, që nuk do ta gëzonte kurrë më në Washington.
Ndërkaq, nga Nju Jorku dhe Washingtoni, shvendosemi për pak në Prishtinë, nga ku këto ditë erdhi lajmi shumë i mirë, të cilit iu gëzua pa masë komuniteti shqiptaro-amerikan. Një lajm për një gjest bujar e fisnik nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Z. Përparim Rama (i cili mori pjesë në drekën e shtruar në Washington në kujtim të Senatorit Dole), se Komuna e Prishtinës ka vendosur që, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, të emërojë një rrugë të Prishtinës me emrin, siç thuhet në njoftim, “Të heroit Xhim Xhema”, bashk-puntorit të ngushtë Senatorit Robert Dole: “Me 45 vota PËR, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kryeqytetit vendosi ta përjetësojë veprimtarinë e paepshme të zotit Xhim Xhema për çështjen kombëtare, duke ia vënë rrugës “A” emrin e këtij njeriu të madh. E nderojmë përkushtimin e tij të palëkundur për kauzën e lirisë dhe pavarësisë, duke ua sjellë ndihmën e krerëve të politikës amerikane popullit të Kosovës në kohët më të vështira”, thuhet në njoftimin zyrtar të kryetarit të Komunës së Prishtinës, z.Përparim Rama.
Një nderim i madh dhe shumë i merituar nga bashkvëllëzrit e tij në vendlindje – me qëllim për të përjetësuar veprimtarinë patriotike shumë dekadshe të Xhim Xhemës, për lirinë dhe të drejtat e tyre përgjithmonë – pikërisht në 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në 1-vjetorin e varrimit të mikut të tij të ngushtë dhe mbështetsit të madh të Kosovës, ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndjerit Robert Dole. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij.