“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastruar etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.
Në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës, masakra e para 23 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit 1999, ndërsa gjatë luftës janë vrarë 455 shqiptarë, nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar 9540 shtëpi shqiptare.
Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23 vjetorin e dy ditëve të tmerrit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Dhjetë qytetarë shqiptarë të vrarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq nga banda të armatosura serbe, 25 të plagosur ndërmjet 3-4 shkurtit të vitit 2000, sikurse edhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga pjesa veriore e Mitrovicës, mishërojnë kujtesën dhe nevojën për drejtësi. Në 23-vjetorin e ditëve të tmerrit në këtë pjesë, thirrja për drejtësi është nderim për të vrarët, të plagosurit dhe të dëbuarit.