Shkruan: Behlul Jashari, Prishtinë
Para 78 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.
Pas shpalljes nga Kuvendi të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të cilën Rilindja e mbështeti fuqimisht edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Fillim i së nesërmes”, në 5 Korrik Serbia shpalli suprimimin e institucionave kosovare – Kuvendit e Qeverisë dhe masat e dhunëshme për gazetën e vetme të përditshme shqiptare të Kosovës.
Masat e dhunëshme të Serbisë u refuzuan fuqishëm dhe gazeta Rilindja nuk u ndal, doli të nesërmen me komentin në faqen e parë më titull “Okupim klasik”.
Regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur, në 7 Gusht 1990 ndaloi dhe mbylli me dhunë gazetën Rilindja.
Por, gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua, sfidoi ndalimin, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.
Si kryeredaktor i parë-themeluesi i gazetës “Bujku” , duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare-ATSH, themeluam edhe bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Zyra e telexit të gazetës, që ishte lidhja e vetme e mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, u bë edhe zyrë e korrespondenturës së ATSH që kur nisa raportimet nga dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë.
Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunëshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë nga UNMIK – Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit 1999.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me mëse 40 numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.
Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Në ballinë të numrit të fundit të printuar të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 që i kam drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
- Behlul Jashari:
- Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
- Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm)