ARKIVI:
19 Tetor 2024

Unë i dënuari me vdekje & Në kërkim të së vërtetës

Shkrime relevante

Pozitat juridike të krishterëve në Perandorinë Turke

E përgatiti: dom Nikson Shabani ___ 1. Pas pushtimit të Kostandinopojës më 29...

Për një grua të sprovuar aq keq nga jeta

Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë ___ Më rastisi të njoh një grua që jeta...

Telekomi apo Z-Mobile, kush e humbi apo kush e fitoi arbitrazhin

Selatin Retkoceri, Llugaxhi, Lipjan ___ Zhvillimet e fundit në skenën politike në të...

Mustafa Bajrami me qëndrime antishqiptare për identitetin tonë kombëtar!

Shkruan Luan Dibrani Mustafa Bajrami është një figurë e njohur për qëndrimet e...

Rilindja,18 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe , Nënë Tereza – laureate

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/ PRISHTINË, 17 Tetor 2024- Behlul...

Shpërndaj

Nga: Nafi Çegrani, Çegran – Gostivar
____
Në kërkim të së vërtetës !
UNË I DËNUARI ME VDEKJE,
***
JU RRËFEJ PËR FERRIN E ZENICES …! … Shqiptar u linda në një fshat të Gostivarit, rrëzë kodrinave mollake të Malit të Thatë dhe aty u rrita me të gjitha preokupimet që i ka një fëmijë me prejardhje nga një familje fshatareske e patriarkale me tradita të veçanta që e karakterizojnë familjen shqiptare të këtyre anëve të rrafshit të Pollogut gjer në Grykën e Tetovës. Dhe, kur më dënuan më 1981, në Procesin e montuar fund e krye me akuza të kurdisura, të sajuara dhe të trilluara, faji im i vetëm ishte vetëm ai pse jam shqiptar me një edukatë dhe kulturë të popullit që i takoj. Procesi i inskenuar gjyqësor i Zenicës, fill pas demonstratave në Kosovë më 1981, ishte dhe mbetet vetëm një marrinë, një farsë, një gënjeshtër e paparë me të gjitha trillimet dhe metodat e tmerrshme, pas të cilit qëndronin krerët e një klani ose mafije udbashiane dhe KOS-it jugosllav, të cilët bënin kërdi në stilin: tash o kurrë, kur duhej të dënohet shqiptari i formatit tim. Dhe për këtë dua t’ju rrëfej: për survejimet e UDB-së dhe KOS-it, për përndjekjet dhe prapavijat tinëzake dhe të tmerrshme, të çuditshme, për arrestimet dhe dëbimet, për bastisjet dhe trillimet, për sajime akuzash, për terrorrizëm ose vrasje që nuk ekziston, për proces të montuar fund e krye me gënjeshtra, për hetuesi tmerri e ferri, për burgosje dhe akuza vdekje, e ku shqiptari i pafajshëm Nuk dinte se cili ishte faji i tij, për vepër të pabërë, e me të cilin duhej të merrej kordoni i pushkatimit! Si i tillë duke kaluar i prangosur në Qelinë e vdekjes plot 972 ditë e netë thikash nën terrorin e paparë psikologjik dhe fizik, për së gjalli në një varr ferri dhe vdekje, i akuzuar rrejshëm për vrasje të imagjinuar, për vrasje që kurrë në jetë nuk e kam bërë. Për këtë edhe i akuzoj para Gjyqit të Strasburgut ata të cilët ma veshën një “krim” me të cilin nuk kam asfarë lidhje dhe nevojë… E akuzoj UDB-në dhe KOS-in jugosllav të cilët, duke pasur inate të mëdha ndaj meje, qëndrojnë si fantazmë pas tërë kësaj drame të çuditshme dhe të palogjikshme për mendjen, trurin dhe botën e shqiptarit. …Atij mengjesi të herët të 01 tetorit të vitit 1981, ditë vjeshte kur posa kishin filluar gjethet të zverdhëllonin, kur gruaja dhe fëmijët ende gjendeshin në gjumë, (ashtu siç e përshkruaj perciptazi në librin tim “Ballë për ballë me vdekje”), më kidnapuan duke më prangosur para syve të përgjumur të fëmijëve të mi dhe të gruas, sytë e të cilëve ishin zgurdulluar nga sjelljet shtazarake dhe nënçmim i papërfytyrueshëm i grupit të “inspektorëve” udbashian e të cilët flisnin në gjuhën serbokroate. Ishin në një gjendje pezull dhe fare të habitur, sepse nuk dinim se çka po ndodhte dhe cila ishte arsyeja që po më arrestonin… I bindur se ishte ndonjë gabim ose ndonjë moskuptim. Ku ta dish. Por, kurrë nuk ma merrte mendja se në fakt, çka më kishin përgatitur me disa muaj të tërë (pas burgosjes së një grupi shqiptarësh në pranverë të vitit 1981, e të cilët nuk i njihja fare, përveç Vahedin Ramadanit dhe delimisht Hajrullah Huseinin), gjëja i involvuar në diçka që unë nuk kisha dijeni (e cilësuar kështu sipas disa versioneve zyrtare: të ndryshme dhe kontradiktore në vend dhe në kohë, e në sajë të deklaratave të rrejshme nga të pandehurit dhe ca “dëshmitarë” të cilët ishin përballuar me Argumentum Bacilinum dhe torturat shtazarake që ushtronin në grupe xhelatët e milicisë dhe hetuesisë në qelitë skëterrë të burgut hetues dhe bodrumet e Supovcëve të Bosnjës ku dukeshin njolla gjaku dhe vinte erë vdekje, edhe më keq se në Ferrin e Dante Aligerit… Hetimet e këtij formati po vazhdonin me muaj të tërë, duke u ushtruar argumenti i dajakut mbi të akuzuarit, edhe mbi mua që isha kundër gënjeshtrave, bëheshin hetime, ushtrohej terror dhe një nënçmim i jashtëzakonshëm, jashtë logjikës njerëzore. Aty bëhej një lojë e rrezikshme dhe dramatike në zyrat e SJB-së dhe milicisë jugosllave në relacionin Gostivar-Shkup-Sarajevë-Zenicë dhe anasjelltas, ku zhvillohej një maskarallëk i një politike mafioze antishqiptare, e sidomos duke më involvuar dhe mua me gënjeshtra dhe për marrjen e një vendimi për dënimin tim me vdekje-pushkatim. Krahas kësaj më duhet të theksoj së, njëkohësisht ishte një kohë ajo kur edhe nisa të zbuloja, në fakt, absurdin e një sistemi të ndërtuar mbi themelet e një teorie dhe praktike dogmë të mashtrimit, siç ishte sistemi komunist jugosllav, ose Shërbimet e fshehta të tij ndaj shqiptarëve. Nisa të bindem se aparatit udbashian dhe gjyqësor në Zenicë, nuk i interesonte e vërteta, por vetëm e vetëm qëllimi: të dënoheshin në çdo mënyrë kur bëhej fjalë për shqiptarin – viktimë, të përdorur si kurban. Gjatë hetuesisë absurde në qelitë skëterrë të burgut të Zenicës në Bosne, gjatë vizitave që më bënin disa gjyqtarë dhe Kryetari i asaj Gjykate Boshkoviq, shpesh më thoshte në gjuhën serbokroate: “Nafija, ako nisi kriv, onda krivi su oni tvojkoji su te poslali ovamo” (Nafi, nëse nuk je fajtor, atëherë fajtor janë ata që të dërguan këtu). Mbetesha i habitur. Kjo ishte një punë shumë serioze: Kujt, vallë, i kam penguar unë si njeri? Kujt iu desh që mua të më akuzonin kaq rrejshëm dhe të më vishnin një krim të çuditshëm dhe të palogjikshëm, një krim në të cilin unë nuk jam i përfshirë…” Unë, isha i vetëdijshëm, se realisht gjendesha në një front konflikti dhe përplasjeje direkte me disa nga krerët e nëntokës dhe mafies të cilët vepronin si antishqiptarë në organet e milicisë dhe SJB, me ata të SDB-së dhe KOS-it jugosllav, të cilët funksiononin si shtet në shtet, por asesi nuk ma merrte mendja se mund të më kurdisnin një dramë dhe një gjyq të këtillë, duke përdorur si masha të ndryshkura disa shqiptarë të shitur dhe deklaratat e tyre prej gënjeshtrash si “argument” ndaj meje. Tanimë, përballesha me njerëz kreten të veshur në petkun e pushtetit, me policë e gardianë, me spiunë e hetues që nuk kishin karakter fare, njerëz të cilët nuk kishin as rrënjë, as hije njerëzore, por me fytyra të zbehta dhe intrigantë me sy gjarpërinjsh, me shpirt kriminelësh, e që mbi një grup shqiptarësh të përvuajtur e fatprerë ushtronin vetëm dhunë e terror si xhelatë. Ky, zaten, ishte absurdi i tyre paradoksal i ngritur njëkohësisht mbi sistemin krimogjenës komunist dhe hipokrizisë, për ta vënë të pandehurin përpara aktit të kryer. Veprimtaria e tyre terroriste gjatë asaj hetuesie kriminale, është e pafalshme. Ndaj, edhe argumentet e logjikës dhe faktet e së vërtetës dhe juridike, të cilat ia paraqes Gjyqit Europian ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me akuzën dhe arsyen pse e akuzoj UDB-në, KOS-in dhe Shërbimet e tjera të fshehta në relacionin – Bosnje e Hercegovinë dhe Maqedoni, është një realitet i kërkesës sime për zbardhjen e së vërtetës dhe pafajësisë sime, dhe njëherit të nxirren para drejtësisë të gjithë fajtorët, të ndëshkohen sipas ligjeve dhe Konventës Europiane, sepse me Procesin e inskenuar dhe akuzat e montuara të Gjyqit të Qarkut në Zenicë, me vendimin që mori ky gjyq jokompetent, me vendim të pabazë, që më dënoi me vdekje-pushkatim, sipas Ligjit të Maqedonisë, neni 37 KZ SRM, për gjoja vepër të kryer në Gostivar, në vend dhe kohë të papërcaktuar. Veç thënë e thashave, të cilat ishin rezultat i argument bacilinumit dhe terrorit poshtërues mbi të pandehurit dhe “dëshmitarët”. E tërë ajo dramë e kurdisur nga hetuesia udbashiane, na kushtoi aq shtrenjtë të gjithë ne, vetëm pse ishim shqiptarë… (Sipas disa të dhënave që posedoj, në montimin e Procesit të Zenicës dhe vendimet e këtij gjyqi famëkeq, kanë gisht edhe urdhrat e Cvijetin Mijatoviqit, Branko Mikuliqit, Stane Dollancit, Despod Aleksovskit, Nikolla Ilievskit, Dushko Trajkovskit, Bodul Nikica, Temelko Boshkovskit, Evzi Mehmedit dhe spiunëve e shërbëtorëve të tyre.) Kjo është kujtesa ime, rrëfimi i të dënuarit të pafajshëm me vdekje, në rrugën e gjatë të kalvarit në dymbëdhjetë rrathët e ferrit të të gjallëve, dhe vuajtjet e mia, qëndresa dhe shpirti im njerëzor për të mbetur gjallë dhe për të dëshmuar të vërtetën mbi dogmat e kohës, të sistemit burokrat dhe gjyqi antinjerëzor, i cili sillte dënime me vdekje-pushkatim në Emër të Popullit për krime të pabëra… Fatumi im tragjik gjendet i varrosur në arkivat e krimit komunist… Gjatë senacave të gjata të gjykimit maratonë që zhvilloheshin në verë të vitit 1982 në Gjykatën e Qarkut të Zenicës në Bosnje, ku me duarlidhur ishim sjellë si të ishim terroristë një grup shqiptarësh, të cilët kinse ishim marrë me krime të rënda, por që në fakt, në sajë të akuzave të kurdisura dhe të trilluara nga vetë ustallarët e Milicisë jugosllave dhe ekspertë për kësofarë marrinash dhe budallallëqesh me brirë, të sajuara, dhe tua vishnin njerëzve të pafajshëm. Në fakt, të akuzuarit për mua ishin të pafajshëm, sepse edhe nuk dija se vallë, ishin ose nuk ishin të përfshirë në ndonjë krim, me të gjitha ato dëngla prej leckash dhe përralla të imagjinuara për të cilat, për herë të parë dëgjoja gjatë hetimeve të tmerrshme, në netët e thikave të gjata ku terrori dhe dajaku ishin argument i vetëm. Për këtë edhe bëheshin zhvillime të ndryshme historish dhe tregimesh të paqena vetëm e vetëm të shpëtonin gjallë. Kështu do të sqarojnë edhe gjatë seancave gjyqësore në këtë Gjykatë të shëmtuar, ku në vazhdimësi, në fakt, edhe këtu nuk respektohej ligji dhe e drejta e njeriut, por vetëm fyerje, nënçmime dhe keqtrajtime, vënia në lojë fyese edhe morali dhe dinjiteti i familjeve të të panderhurve, besa dhe tradita shqiptare, duke “konstatuar” vetë gjykatësi dhe hetuesia, se gjoja, kinse, të akuzuarit gjatë hetimeve nuk kanë folur gjë për “krimet” e Nafi Çegranit (ose dhe të të tjerëve?) “sepse, në mesveti kanë dhënë Besën e madhe dhe për këtë arsye “gjatë kohës” kanë mbetur të pazbuluara “krimet që kanë bërë!? Në të vërtetë, nuk është fjala aty, por duke bërë dhunë e torturë, duke sajuar deklarata të rrejshme nga këta fatprerë të cilët me muaj përballeshin para vdekjes, nuk kanë ditur çka të deklaronin për diçka që nuk është bërë, por u është dashur të sajonin e trillonin sipas diktateve të inspektorëve – ustallarë ndhe kriminelit Bodul Nikica në cilësinë e gjykatësit hetues për këtë çështje, ku në çdo mënyrë dhe me çdo kusht duhej të dënohej me vdekje-pushkatim i “rrezikshmi” Nafi Çegrani, ish-zyrtar i SDB-së. Budallallëqe dhe tregime absurde shkruanin edhe gazetat e Beogradit, Sarajevës, Shkupit, Prishtinës, Zagrebit dhe gjetiu në Jugosllavi. – Po, ç’janë këto marrina me të cilat merreni dhe shkruani në shtyp dhe mediume duke e gënjyer popullin, për krime që i keni imagjinuar sipas prirjes që keni. Kjo është turp! – u thoja ashpër inspektorëve dhe gjykatësit hetues kur më vizitonin në qelinë e burgut të Zenicës dhe më jepnin të lexoja përrallat e botuara në gazetë. – Dëgjo këtu, Nafi. Ne e dimë se nuk je fajtor, por për fshehtësitë e UDB-së që ke në kokë si shqiptar, duhet të të merren me tërë kokën, dhe për këtë ne, përmes shtypit dhe akuzës, do të nxijmë më zi se korbi dhe të të urrejë edhe vetë populli, shqiptarët e tu, – thoshin ata. Qëndroja i shtangur dhe i habitur, si ka mundësi, njerëz që duhet ta përfillin ligjin, merren me marifete të këtilla, që në fakt, bënin një krim, të cilët në emër të ligjit, në emër të Popullit, pasi vendimet gjyqësore i sillnin në emër të Popullit. – Ju më akuzoni me rrena dhe më dënoni, por unë nuk jam fajtor, jam në duart e Zotit dhe Zoti më ndihmoftë! – u thoja. Ata e përplasnin portën e rëndë prej dërrase të trashë dhe hekuri, e gardianët gjatë më vështronin dhe survejonin nga vërrima me një xham në formë syri në mes të derës. Në netët e gjata pa gjumë dhe ditët skëterrë po ashtu, me muaj të tërë, dhe nuk e dija se tanimë, cila stinë e vitit ishte vallë, nuk dija se në ishte dimër, apo binte borë jashtë, ose në mugullonte pranvera kur sa po çelnin dhe bulonin blerimi dhe lulet e bukura… Dhe, përsëri, për të qindtën herë, i lutesha Zotit që të më ndhmonte, sepse vetëm ai e dinte pafajësinë time, kur një grup njerëzish të rrezikshëm dhe të tmerrshëm të hetuesisë dhe atij regjimi, më akuzonin dhe dënonin me pa të drejtë. Unë nuk kisha frikë nga vdekja, i akuzuar dhe i fyer për diçka që nuk e kisha bërë, por më së shumti më dhimbeshin fëmijët e mbetur atje në fatin e rrugëve të Shkupit, nxënës të shkëlqyeshëm dhe të urtë, aq të çiltër e të pastër dhe të pafuqishëm në luftën e jetës për ekzistencë. Gruaja ime guximtare, mundohej e ndershme dhe me shumë sakrifica, në baticat dhe zbaticat e jetës, t’i mbante gjallë. – Kush ma bëri këtë, o Zot? Kujt dhe pse i duheshkam unë të më akuzojnë dhe dënojnë kaq rëndë, për diçka që nuk kam dijeni…. Dhe, turpi që më hedhin në fytyrën time të pastër, nuk u falet kurrë maskarenjve, njerëzve të paciptë, të cilët për karrierë ose interesa të tjera personale janë në gjendje të nxjerrin në pazar edhe të ëmën e tyre. Perëndia do t’i gjykojë për marrëzitë dhe mëkatet që bëjnë… * * * … Një rast dhe dëshmi e veçantë është edhe rrëfimi i bashkëshortes së Vahedin Ramadanit nga Çajla e Gostivarit, e cila në besim të plotë për të vërtetën përpara gruas sime ka thënë: – E morën në qafë Nafiun. E di se ai nuk ka bë gja, por më së shumti i ka fajet burri im që ka gënjyer ashtu siç e kanë mësuar naçallniku Despodi dhe Temelko Boshkovski. Me veshët e mi e kam dëgjuar kur një rast erdhi Despodi në shtëpinë tonë në Çajle, ishte mbrëmje, e solli një tegel mjaltë dhe ia dha vjehrrës sime, duke i thënë: “Kur të shkosh në vizitë “Fadilit” (Vahedinit) në Zenicë, jepja prej meje dhe bëri të fala, mos luaje nga fjalët siç jemi marrë vesh, mos e nderon deklaratën kundër Nafiut, ata janë pesë vëllezër, dhe nëse pushkatohet punë e madhe, e “Fadili” duhet të shpëtojë, vetëm kështu, pasi është edhe i vetëm djalë në vatër”. Kështu gjatë biseduan Despodi dhe vjehrra ime Fatimja, – përfundonte Hava Ramadani. Plaka e shkretë kështu edhe ka vepruar sipas udhëzimeve dhe direktivave të Despod Aleksovskit kryeshef i SPB në Gostivar, e me dëshirë që të shpëtonte djali i saj i vetëm nga ndëshkimet dhe dënimet, është nisur për vizitë në burgun e Zenicës. Atje, gjatë bisedave nënë e bir, është munduar plaka ta bindte të birin për atë që ia kishte thënë Despodi, i cili njëherit ia dërgonte edhe një kile mjalt të fala. Por, “Fadili” (Vahedin Ramadani) i ka thënë të ëmës këto fjalë: “Mjaft kam gënjyer, nënë. Nafiu nuk ka asnjë faj, asnjë njeri nuk ka vrarë deri më sot. Mua më kanë detyruar me dhunë druri e dajaku të deklaroj të paqenat ashtu siç më diktonin fjalët e tyre Temelko Boshkovski dhe Ante Bernada, të kurdisura kundër Nafiut, dhe ato rrena i mësoja përmendësh duke i rrëfyer si të vërteta para gjykatësit të hetuesisë Bodul Nikicës. Edhe ky e urrente Nafiun dhe më mësonte si t’ia thoja në ballafaqim. Por, gënjeshtrat nuk mund të mbahen mend, e janë bërë lëmsh trillime, shumë versione… Për mua më mirë është ta them realitetin… Edhe Hajra dhe Arif Zeqiri kanë dhënë deklarata jo të vërteta duke e akuzuar Nafiun, e fajet më të mëdha i ka Arif Zeqiri, ai është spiun i Temelkos dhe milicisë në Gostivar” – ka përfunduar Vahedin Ramadani – “Fadili” i Çajlës. Në lidhje me këtë, Hajrullah Huseini edhe sot e kësaj dite, përpara miqve dhe farefisit të vet deklaron: “Asnjë faj nuk ka Nafi Çegrani, atij ia kanë pasur inatin UDB-ja dhe milicia e Gostivarit, prandaj ia kurdisën një vrasje që nuk e ka bërë. Edhe unë kam gënjyer për Nafiun, ashtu siç dëshironin inspektorët, sepse nuk durohej dajaku dhe tortura. Me muaj të tërë më rrihnin, më dërgonin nga një javë në spitalin e burgut gjersa më shëronin, dhe përsëri më dërgonin në kaspane… Kur e tregova të vërtetën se Nafiu nuk ishte fajtori, por miku im Arif Zeqiri, dhe se vetëm unë e ai e dinim ngjarjen e vërtetë se si ndodhi vdekja e Melihe Deliqit në shtëpinë e vetë Arif Zeqirit, dhe këtë e shkruajta fill e për pe në letër, ata – inspektorët Ante Bernada, Temelko dhe të tjerët në krye me Bodul Nikicën, u vërsulën si ujqër mbi mua duke më rrahur me grusht e shkelma me shkopinj gome dhe shufra hekuri, duke më thënë që, atë që kisha shkruar ta haja, duke ma futur me gishtërinj dhe shqy gojën… ashtu edhe e hëngra… më bënë përvdekë… Përsëri e kam shkruar këtë që e di vetëm Arifi dhe unë, por ato deklarata të shkruara kanë mbetur në dosjet e fshehura, të varrosura në arkivin sekret të Gjykatës së Zenicës, apo të ndonjë gjykate ose policie, nëse ato nuk i kanë zhdukur me kohë, sepse kanë pasur frikë nga pasojat dhe tërë ai krim që e kishin kurdisur për të dënuar të pafajshmin me vdekje-pushkatim, dhe deri më sot asnjë instancë gjyqësore e Jugosllavisë, ose e Bosnjës dhe Maqedonisë nuk e morën parasysh, sepse duhej të ndëshkoheshin shumë vetë nga gjykatësit dhe policia e asaj kohe të cilët krijuan çështje të rreme dhe montuan Procesin e Zenicës, i cili të gjithëve në “grup” na dënoi me 96 vjet burg dhe një vendim-dënim me vdekje” – thotë Hajrullah Hiseini nga fshati Llakavicë e Gostivarit. Ky është edhe ferri i papërshkrueshëm në qelitë e përgjakura të burgut famëkeq të Zenicës, ku një grup shqiptarësh, fill pas demonstratave në Kosovë, me një listë të veçantë sekrete, Shërbimet e fshehta jugosllave të UDB-së dhe KOS-it kishin ndërmarrë në “zgjedhjen” e personave, të cilët do të ishin si më të “qëlluar”, si më të “dëshiruar” për t’u futur në grindje dhe “aferë”, me akuza fund e krye të trilluara, duke sajuar çështje hetimore dhe gjyqi të montuar, me të vetmin qëllim, si e si të dënohen dhe ndëshkohen sa më shumë shqiptarë kudo që të gjenden, dhe ata që ushtrojnë ligjin, të bëjnë punën dhe veprimtarinë e tyre. Kjo në fakt, ishte vetëm veprimtari mafioze dhe antishqiptare, kur shqiptari kudo që të gjendej, ndaj atij regjimi dhe sistemi absurd, nëse nuk ishte luajal, duhej të mbetej i prangosur, të vdiste. Unë nga hiri u përlinda sërish si Feniksi, si Prometheu… E tillë ishte edhe Odiseada ime e përvuajtur në prangat e sistemit dhe gjyqit komunist, në ferr për së gjalli, i dënuar me vdekje-pushkatim dhe me vite e vite mbetem i njollosur si “vrasës”, e për vrasje të imagjinuar sipas stilit të ustallarëve të cilët e kurdisën atë proces të paparë gjyqësor, të një gjyqi turpi e famëkeq në Zenicë të Bosnjës. Jam i bindur se koha dhe Zoti i ka mposhtur mashtrimet e sistemit dhe hipokrizisë të cilët pushkatonin njerëz të pafajshëm, shkatërronin familje të tëra shqiptare prej traumash të rënda psikike dhe frike, jam i bindur tanimë, se erdhi koha dhe dëshira e Zotit të zbardhet e vërteta, të triumfojë drejtësia reale pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat Njerëzore në Strasburg, ku edhe kam paraqitur padi dhe akuzë kundër bëmave të klanit të UDB-së dhe Milicisë jugosllave,kunder azhdajes te cilet ne menyre shume perfide kurdisen akuza te rreme dhe skenar te cuditshem per veper te pabere dhe apsurde ,duke me involvuar mua me metoda safdistesh dhe kriminelesh, edhepse i pafajshem, duke me denuar per gjera qe nuk kam lidhje ne jete, kurdisen procesin famkeq te Zenices ato vite te 1981 kur shqiptarin e kerkonin sic thote poipulli: me kembe kali, vetem per ta denuar dhe nxjerr perpara kordonit te pushkatimit, sic vepruan me mua, e une edhe sot e sot kerkoj vetem te verteten dhe drejtesine, kerkoj PAFAJSINE time, përçka dhe akuzoj Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën, për të luftuar të keqen, për të mirën e kauzës njerëzore dhe të Drejtave të Njeriut në botë, sepse – Zoti e di se, edhe sa e sa raste të këtilla dhe ndodhi tragjike të montuara mbi Fatumin e njeriut të pafajshëm mund të ketë në meridianët dhe rruzullin e planetit Tokë që ne jetojmë. 26.11.2008, Çegran
Unë, shqiptari që vazhdoj të kërkoj drejtësinë dhe te verteten !
Kush dëshironte likujdimin tim
(Ishte gabim gjyqi apo plan perfid i UDB-së jugosllave)
…Kam lindur dhe jam rritur në një familje të varfër fshatare shqiptare, në një fshat me një histori të bujshme, i cili shtrihet (tani me afro 2000 shtëpi) rrëzë Malit të Thatë, nja 5-6 km në lindje të Gostivarit.
Vetëm ca vite isha si mësues në vendlindjen time dhe në malësinë e kësaj ane, atje në fshatin Korritë ku shtëpizat ende ishin të mbuluara me kashtë thekre dhe i tërë fshati strukej si koshere bletësh pas malesh dhe bjeshkëve me shkëmbinj të thepisur. Malësorët e kësaj ane janë njerëz të kulluar, të çiltër, ku edhe pse jetojnë disi si të lënë pas dore, larg botës së civilizuar, janë disi më të varfër se fshatarët e Fushës së Pollogut, por kanë tradita të veçanta si në aspektin e kulturës dhe folklorit kombëtar, ja ashtu kanë arritur t’i ruajnë me xhelozi edhe zakonet e tjera, madje flasin një gjuhë të pastër e të kulluar, një shqipe me një theks si ajo e kohës së Gjon Buzukut… Këtu u frymëzova me motive migjeniane dhe shkruajta reportazhe për këta malësorë të vyer, të cilët besojnë në vlerat njerëzore dhe preokupim jete kanë bagëtinë, gurbetin dhe jetojnë me hallet e tyre atje larg pas kodrash e shullerësh, larg rrëmujës e rrëmetit…
Në fillim të marsit të vitit 1969, me kërkesë të krerëve të Shërbimit të sigurimit shtetëror për Maqedoninë, ende i ri, në moshën 22 vjeçare, u pranova si operativ i këtij shërbimi, duke më bindur ata, të cilët edhe më pranuan, se si shqiptar dhe bir i një veterani të LNÇ (babai im kishte qenë luftëtar kundër nazismit në Frontin e Stremit si mijëra shqiptarë të tjerë) dhe u dashka që edhe në këto Shërbime të fshehta të ketë kuadro shqiptarë, të cilët duhej të punonin për drejtësi, për popull, për “Bashkim vëllazërim”, për të mbrojtur socializmin dhe shtetin për të mirën njerëzore. Kështu dhe i thashë babait tim: “Po qenka mirë, baba, mirë është të punoj si shqiptar në këtë Shërbim ku duhet të punohet për të mbrojtur njerëzit dhe drejtësinë… madje edhe rroga qenka e majme, banesë e siguruar dhe nuk është keq të jetosh në Shkup, me tërë ato privilegje zyrtare”, – duke e bindur prindin tim dhe duke i thënë se jeta në Shkup është perspektivë edhe për fëmijët, të cilët duhet të shkollohen.
– Ani mirë, biro, shko…, por kij kujdes, se ai Shërbim njerëzit i ha natën! – më tha babai me një seriozitet në fytyrë. Por, unë nuk ia vura veshin aq shumë kësaj fjalie të babait dhe u nisa për në Shkup.
…Punova në disa vende pune në sektorët e SDB-së për Maqedoninë dhe njëkohësisht merresha me shkrime dhe botoja artikuj gazetareskë, reportazhe e skica të ndryshme, për njerëzit dhe për jetën në fshat, merresha me prozë dhe poezi për të rritur dhe fëmijët. Në fakt, me shkrime merresha që nga bankat e Normales, dhe me zemër e doja gazetarinë.
Në Shërbimin e Sigurimit shtetëror, si zyrtar dhe si shqiptar punoja me dinjitet dhe vëmendje të posaçme si intelektual dhe njeri me edukatë dhe kulturë, por edhe me një fat tragjik të popullit që takoja. Kështu, ato vite, ende i ri, duke vërejtur anomalitë dhe politikën mafioze dhe klanore, apo më mirë të them, duke u përballur me veprimtaritë e krerëve dhe bylykbashëve të cilët bënin pjesë në vende udhëheqëse në Sektorët dhe Resorin e SDB-së në nivelet dhe relacionet e Shkupit me Tetovë e Gostivar, Kërçovë e Strugë, por edhe më gjerë gjer në Beograd e Prishtinë, ku rrjeti i këtyre klaneve udbashiane në praktikë zhvillonin një teori konspiracioni dhe politike antishqiptare. U përballa me një front të këtillë, i cili kishte rrënjë të thella edhe në qarqet e Komiteteve Qendrore Komuniste si në nivelet komunale, republikane dhe në atë federative gjer në Beograd. Sjelljet e mia, orvatjet, shkrimet dhe veprimtaria ime si intelektual (ndoshta edhe korrespondenca ime me disa personalitete të emigracionit shqiptar në Perëndim, siç ishte rasti me Alinafi Hoxhën, kryetar i “Lidhjes së Vardarit” në Marsel, ose më vonë edhe shkrimet e mia, letrat etj. me Ernest Koliqin dhe revistën “Shejzat” në Romë të Italisë, apo poezitë e botuara në revistën “Zjarri” në Palermo etj., etj. provokuan “Naçallnikët” e SDB-së dhe KOS-it jugosllav. Kështu edhe nisën përplasjet e mia me një makineri të tmerrshme dhe të hatashme siç ishte UDB-ja. Kështu që, thënë shkurt, duhej të vinin ngjarjet e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe në vjeshtën e atij viti (sigurisht të kurdisur një plan konspirativ me muaj të tërë), më 1 tetor, në orët e para të mëngjesit, njerëz të panjohur më rrëmbyen në banesën time, duke u prezantuar se ishin të Milicisë federative (flisnin serbokroatisht), duke më prangosur përpara syve të fëmijëve të mi të përgjumur, dhe me ajroplan më dëbuan në qelitë skëterrë të burgut famëkeq të Zenicës në Bosnje. Aty qëndroja i lidhur në zinxhirë, pa dritë dhe pa ajër të mjaftueshëm, duke mos e ditur shkakun pse vallë më kishin burgosur. Nuk dija pse më arrestonin mua dhe e tërë kjo më dukej si një komplot i çuditshëm. Nuk mund ta merrja me mend se ata të cilët kërkonin burgosjen dhe më akuzonin me gënjeshtra për diçka të cilën nuk e kisha bërë dhe me çka nuk kisha asnjëherë lidhje. Krerët e SJB-së në relacionin Gostivar-Shkup-Beograd-Sarajevë-Zenicë, kishin poste kyçe në organet e atij shteti, të cilët edhe e organizuan dhe zhvilluan gjyqin dhe procesin e inskenuar në Zenicë, fund e krye me akuza të montuara për vepra të imagjinuara, të trrilluara.
Pra, edhe sot e kësaj dite jam i sigurt se personat të cilët e organizuan dhe inskenuan Procesin e Zenicës, ata kërkuan arrestimin tim dhe duke më akuzuar me deklarata të rreme e të marra me dhunë, më deportuan në burgjet e Bosnjes, padyshim ata ishin njerëz me të cilët kaherë isha në konflikt, e të cilët gjendeshin në poste kyçe të shtetit jugosllav dhe në Maqedoni. Ose, nëse nuk është ndonjë gabim i qëllimshëm gjyqi, atëherë pas tërë kësaj loje politike gjyqësoro-policore ndaj meje, qëndrojnë Shërbimet sekrete maqedono-jugosllave.
Prandaj, unë mund t’ju sjell në vëmendje tërë atë tmerr dhe hata, e cila u zhvillua me muaj të tërë në qelitë e përgjakura të milicisë së Bugonjës dhe burgut të Zenicës, të akuzuarit në grup dhe në mënyrë individuale ishin nënshtruar një terrori dhe dhune të madhe, të shtrirë me muaj nën dajak, duke iu fyer dinjiteti njerëzor dhe të drejtat themelore, duke i rrahur me shkopinj gome dhe shufra hekuri, me të vetmin qëllim që t’i thyenin dhe të pranonin akuza të rreme dhe të akuzonin të tjerë me të pavërteta, vetëm e vetëm të shpëtonin gjallë, sepse kështu ishin urdhrat. Dhe e tërë kjo ishte rezultat i asaj, që të më përzienin dhe akuzonin dhe mua me gënjeshtra për gjëra të pabëra, ose për vrasje me të cilën nuk kisha lidhje as dijeni, vrasje të cilën nuk e kam bërë dhe nuk kam edhe sot e kësaj dite dijeni, vallë me të vërtetë ka ndodhur gjë, ka ose nuk ka vrasje të ndonjë personi me emër Melihe Deliq, e të cilën as që e kam njohur, as që e kam parë ndonjëherë në jetë.
Torturat kanë qenë të padurueshme. Kjo zaten, gjatë fazave të ndryshme të hetuesisë, ka sjellë dhe rezoltu me deklarata të sajuara, të trrilluara dhe kontradiktore, madje edhe të përgënjeshtruara dhe të mohuara. Ky është fakt, sepse çdo gjë ishte jo e vërtetë, ishte gënjeshtër, çdo deklaratë ndaj meje ishte e kurdisur, siç do të ndodhë edhe më vonë, që çdo akuzë qëllimisht ishte e trilluar dhe e kurdisur në sajë të argumentit të dajakut dhe dhunës shtazarake të ushtruar nga inspektorët mafiozë në relacionin Gostivar-Zenicë, të cilët janë të njohur me emër dhe mbiemër, aktorë që zhvilluan një rrëmujë të madhe dhe me muaj e vite mbajnë të vërtetën e vërtetë në fshehtësi, duke tentuar që e vërteta të mos zbardhej kurrë (duke e mbajtur tërë këtë veprimtari antiligjore, antinjerëzore dhe kriminale, nën ombrellën e teorisë së konspiracionit të stilit udbashian). “Vrasje” e cila ende mbetet e pazgjidhur, “vrasje” pa asnjë të vrarë, “vrasje” pa një përgjigje të saktë ligjore, përveç një farse gjyqësore të një procesi famëkeq të kurdisur dhe të montuar në Gjyqin e Qarkut të Zenicës së Bosnjes. Jam thellë i bindur se kjo është nga fakti se, nuk ka ndodhur vrasje ose nuk ka të vrarë, veç thënë e thasha, gënjeshtra dhe deklarata të rreme, kontradiktore në vend dhe kohë, sepse janë sajuar e imagjinuar jashtë një logjike normale, pa fijë turpi duke bërë njollosjen e personalitetit tim të pafajshëm.
Procesi gjyqësor i Zenicës i zhvilluar kundër një grupi shqiptarësh dhe kundër meje, në sajë të akuzave të montuara prej rrenash me dajak dhe mënyra të ndryshme tinëzake dhe mafioze në emër të ligjit, është turpi më i madh i këtij shekulli, gjersa dëshmitarët e vërtetë janë të akuzuarit dhe të tjerët të cilët fizikisht dhe psiqikisht me vite dëshmojnë të vërtetën dhe unë kërkoj drejtësinë dhe zbardhjen e plotë, gjetjen e së vërtetës reale dhe logjike, sepse unë jam dënuar me akuza të rreme, të montuara, nuk kam vrarë deri më sot asgjë, sepse edhe nuk kam nevojë për budallallëqe të këtilla që janë sajuar me dajak në atë proces turpi të Gjyqit të Zenicës. Edhe vetë gjykatësit në seancat e tyre, si Kapetanoviq ose Tiomir Baboviq, apo edhe gjatë hetuesisë Bodul Nikica etj., etj. kanë nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor dhe të drejtat elementare të njeriut, të të pandehurve dhe “dëshmitarëve”, ose ndaj meje si i akuzuar dhe i dënuar i pafajshëm. Por, për të gjitha këto, më gjerësisht dhe më thellësisht, do të shkruaj në librin tim, i cili gjendet në përgatitje për botim. Aty do të sqaroj se si bylykbashët e Shërbimeve të fshehta jugosllave me njerëzit e tyre të afërt të hetuesisë dhe gjyqtarëve në relacionin Gostivar-Zenicë ose Bugojnë, duke ushtruar dhunë dhe terror të paparë mbi të pandehurit dhe “dëshmitarët” bënin kërdi, dhe jepnin “këshilla” se për të mbetur gjallë, duhej të akuzohej (anipse rrejshëm) dikush tjetër, e ai qënkam unë – Nafi Çegrani, ish-zyrtar i SDB-së, sepse kështu e kanë parashikuar dhe kanë rekomanduar nga lart për këtë çështje “shumë të ndërlikuar”, duke sugjeruar për “fakte” se bëhej fjalë për një “vrasje” dhe krim të pazbuluar. Të gjitha këto të zhvilluara në sajë të teorive të konspiracionit dhe të spekulimeve mafioze, me të vetmin qëllim: që të më nxjerrin si më i “përshtatshmi” para gjyqit dhe duke më dënuar me vdekje-pushkatim, të kryenin likujdimin tim personal. Kështu edhe më dënuan sipas nenit 37 të Ligjit të Maqedonisë për gjoja vrasje në Gostivar (të cilën nuk e kam bërë unë dhe nuk kam lidhje me ndonjë vrasje) e që më dënon Gjykata e Qarkut në Zenicë të Bosnjës me vdekje-pushkatim, e që më vonë këtë dënim, pa u bazuar fare në faktet dhe të vërtetën e logjikshme, dënimin me vdekje e kthen në 20 vjet burg të rëndë. I dënuar i pafajshëm jam. Për këtë arsye edhe u drejtohem me vite Gjyqeve Ndërkombëtare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, e tani së fundmi, i drejtohem me akuzë gjykatës europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke kërkuar drejtësi dhe me shpresë se ky gjyq do të bëjë çmos për zbardhjen e kësaj çështjeje dhe për të vërtetën e pafajësisë sime të pazbuluar gjer më tani. Dhe pyes: vallë për këtë që vuajta afro 12 vjet burg i dënuar i pafajshëm, ishte gabim dhe zhgënjim hetuesie ose gjyqi në Zenicë, ose pas tërë kësaj farse dhe lakërdie të inskenuar ndaj meje qëndrojnë forca të errëta mafioze dhe klani të UDB-së…?!
…Tani në përfundim të këtij shkrimi dua të nënvizoj jo vetëm faktin e pafajësisë sime, por edhe argumentin si kjo çështje është montuar me një skenar të përgatitur perfid nga kuzhinat famëkeqe të klanit të SJB-së dhe UDB-së, të cilët hodhën gurin dhe fshehën dorën e tyre të zezë pas gardhit ku përpiqen edhe sot të qëndrojnë ashtu, tinëzisht. Për një punë kaq të rrezikshme, në mënyrë të sjellshme po ndjek zbulimin dhe zbardhejn e së vërtetës rreth kësaj çështje, e cila mbetet enigmë e tmerrshme dhe me pasoja të rënda, gjer më tani mbetet në heshtje, sipas planit dhe qëllimit të klanit mafioz, e që duket, se i tërë angazhimi i tyre kriminal nuk ju shkon mirë, dhe për një përgjigje të saktë ata nuk kanë guxim dhe kanë një frikë të madhe. Turinat e tyre e kanë humbur sensin e realitetit në mënyrën se si ata janë sjellë gjer më tani si njerëz të pashpresë (siç janë Temelko Boshkovski, njëri nga autorët kryesorë në kurdisjen e kësaj drame, madje Arif Zeqiri – mashë e ndryshkur dhe fatprerë, Vahedin Ramadani – njeri i degjeneruar dhe mjaft i rrezikshëm edhe për pjellën e vet, Despod Aleksovski, Zhivko Mitevski, Haki Fejzullahi, Ante Bernada, Bodul Nikica, Tihomir Baboviq, Sulejman Kapetanoviq, Fikret Bradariq, Mensur Hoxhiq ose Mutapqiq etj. jetuan me gënjeshtrën si kentaurë).
Prandaj, më në fund, duke u drejtuar Juve, hirësi e ndritur, Gjykatë e nderuar për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, me të vetmen shpresë, se ju do ta thoni fjalën për të vërtetën dhe të drejtën e hijshme për këtë çështje dhe pafajësinë time, sepse unë, nuk jam përgjegjës për fatin e të humburës (ose vdekjen eventuale) të Meliha Deliqit nga Bosnja, të cilën kurrë në jetë nuk e kam njohur, nuk e kam kontaktuar. Për këtë jam duke u thënë të vërtetën e vërtetë. Kështu duhet të flasin të vërtetën, edhe ata të cilët me vite kanë gënjyer, ose edhe ata të cilët e montuan dhe udhëhoqën këtë proces të shëmtuar policoro – gjyqësor në relacionin Maqedoni-Bosnje dhe Hercegovinë, për gjoja “vrasje” në Gostivar sipas nenit 37 KZ SRM, dhe që dënon Gjyqi i Qarkut në Zenicë të Bosnjes për diçka që unë nuk jam fajtor. Realisht, as që kam nevojë të jem i involvuar në vdekjen eventuale të së humburës. Jam i pafajshëm, prandaj edhe flas e shkruaj kështu. Hirësi, shpresoj se do të më kuptoni drejt, pse jam kaq i revoltuar dhe përmes Jush kërkoj drejtësi, sepse me gënjeshtrat e turpshme dhe akuzat e formuluara fund e krye të pabaza, jo njerëzore dhe me dhunë nga ata të cilët, lirisht mund të them, si gjatë hetuesisë dhe gjyqit në seancat e tij, kishin vetëm shpirt shtazarak dhe fashistoid. Ata kanë bërë me veprimet e tyre krime të dyfishta duke akuzuar dhe dënuar njerëz të pafajshëm. Edhe sot pyes: kujt iu desh kjo kështu dhe pse? Kujt i duhej që të më akuzonin dhe dënonin mua? Ata duhet të rrëfejnë vetëm të vërtetën edhe për hir të Zotit, madje le të vdesin, nëse duan që në atë botë ta kenë më lehtë. Le të flasin, pra, le të flasin para Jush, para drejtësisë dhe Zotit, hirësi!
—————–
GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT NË STRASBURG
E nderuar gjykatë,
Motivi kryesor për t’u paraqitur para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg është marrja e lajmit se kjo Gjykatë ka pranuar kërkesën e z. Nafi Çegrani për të zhvilluar proçedurë dhe të sjellë vendim meritor lidhur me këtë lëndë.
Konsideroj se Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg është e vetmja Gjykatë ndërkombëtare dhe autoritative që mund të zbardhë shkeljet e rënda ligjore ndaj të pandehurve në procesin gjyqësor të z. Nafi Çegranit të zhvilluar në Zenicë të Bosnjes e Hercegovinës.
Jam thellë i bindur se “Rasti Çegrani” ka qenë një nga proceset gjyqësore më skandaloze jo vetëm të asaj kohe por edhe sot e kësaj dite mbahet mend si një ndër proceset e inskenuara dhe më enigmatike sepse kemi të bëjmë me një proces të montuar gjyqësor, fund e krye nga Shërbimi Sekret Jugosllav, i cili sipas njohurive të mia të asaj kohe, mbasi kam qenë në postet e larta politike dhe shtetërore, kam mundur përsëafërmi ta përcjell këtë proces dhe si atëherë ashtu edhe sot kam një dyshim të thellë për vetë rastin dhe për veprën e kryer dhe se jam shumë i interesuar që rasti i z. Çegrani të zbardhet sepse me zbardhjen e tij së paku do të zbulohej dhe demaskohej implikimi i shërbimit sekret jugosllav, në proceset gjyqësore, gjë që ka qenë praktikë e zakonshme.
Në këtë proces të montuar gjyqësor, as që mund të bëhet fjalë për respektim të të drejtave të njeriut, aq për gjyqim të drejtë dhe të pavarur dhe as për vendime reale gjyqësore të bazuara në ligje dhe në Konventën për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, edhe pse ish-Jugosllavia e kishte ratifikuar këtë Konventë Evropiane dhe ka pasur obligim të respektojë të drejtat e të pandehurve. Nga dosja e kësaj lënde për të cilën kam pasur njohuri, lirisht mund të them se është e përplotë me akuza të pabazuara në fakte dhe prova relevante materiale, si dhe është përplot me deklarata boshe dhe të rrejshme të marra nga dëshmitarë që edhe vetë kanë qenë të akuzuar dhe të dënuar për të njëjtën “vepër penale”.
Pa dashur që të hyj në analizë të thellë të kësaj dosje, megjithatë edhe një analizë sipërfaqësore, nxjerr në pah disa mistere që sot e kësaj dite mbeten të pazbardhura edhe atë: misteri i ardhjes së Meliha Deliç në Gostivar të Maqedonisë për të punuar, edhe pse ka qenë e punësuar në Bugojnë, misteri i vrasjës së saj në Gostivar, misteri i shpalljes së fajtorëve dhe dënimi i z. Nafi Çegrani me vdekje dhe të tjerëve me mbi 60 vjet burg pa pasur asnjë provë materiale, përveç një dëshmie, edhe atë marrë nga të akuzuarit me dhunë dhe me falsifikime vetëm e vetëm për ta përmbyllur këtë proces gjyqësor me dënime drakonike, misteri i çertifikatës së lindjes së Meliha Deliçit, që është e shpallur e vdekur në këtë proces gjyqësor, por e cila sot e kësaj dite evidentohet se është e gjallë por me siguri me identitet tjetër dhe në vend tjetër. Kjo çertifikatë e lindjes dëshmin qartë se ky proces i montuar gjyqësor dhe skandaloz meriton të zbardhet deri në fund dhe montuesit e këtij procesi (disa nga të cilët janë ende gjallë) të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara.
Mendoj se nuk duhet të jesh ekspert i madh juridik për të kuptuar se ka bazë për të rishikaur procesit në fjalë, jo vetëm për dëmin e pësuar dhe për dëmshpërblimin që ju takon të dënuarve dhe të gjykuarve, por edhe për një sadisfaksion moral për familjarët e z. Nafi Çegrani dhe të tjerëve në rrethin ku jetojnë, por mbi të gjitha të ngadhënjejë e drejta dhe drejtësia, sado që ajo mund të jetë e vonuar, megjithatë është e mirëpritur nga viktimat e këtij procesi absurd.
Të nderuar gjykatës, autori i kësaj shkrese, që merr guximin t’ju drejtohet, është ekspert në lëmin e të drejtave dhe lirive të njeriut, është veprimtar në afirmimin dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë në rajon.
Zotërinj të nderuar, duke pasur respektin më të lartë ndaj kësaj Gjykate dhe gjyqtarëve të saj dhe duke qenë përcjellës i rregullt i punës së Gjykatës Evropiane në Strasburg, vendosa t’ju paraqitem me këtë shkresë vetëm e vetëm për t’ju ndihmuar dhe lehtësuar angazhimin tuaj në lëndën e z. Nafi Çegrani dhe mbetem me shpresë se vlerësimet e mia të lartpërmendura do t’ju ndihmojnë në arritjen e së drejtës dhe drejtësisë së vërtetë. Jam i gatshëm që edhe në të ardhmen, po qe se ju konsideroni se mund t’ju ofroj ndihmë rreth kësaj lënde, mund të vij edhe në seancat tuaja në Strasburg, me të vetmin qëllim që të arrihet e drejta dhe drejtësia e plotë reale.
Prof. Dr. Milaim Fejziu
Kryetar nderi i Forumit Ndërkombëtar
për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni
11.01.2010
Gostivar

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu