ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Kamenicës dhe mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli”

Shkrime relevante

Shpërndaj

Kamenicë, 13 mars 2023

Në Kamenicë, sot u vendos gurthemeli i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli”. Kryeministri i Republikës së Kosovës, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, e në praninë e mësimdhënësve dhe nxënësve ishin pjesë e ceremonisë së organizuar me këtë rast.

Para tyre, ai tha se përkujtimi i përvjetorit të vdekjes së rilindasit, Fan S. Noli, përmes emërtimit të shkollës, është simbolik domethënëse dhe zotim për vazhduar angazhimin në rrugën e dijes.

Forhåndsvisning av bilde

“Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë,  në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor”, u shpreh kryeministri. 

Ai shtoi se roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm e faktorë vendimtarë edhe për zhvillimin e vendit dhe se kjo është arsyeja që e kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas. 

Shkolla e re Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, 5 kabinete, 1 bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. E financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vlera e projektit të shkollës së re është 1.7 milionë euro.

Gjatë qëndrimit në Kamenicë, paraprakisht kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Kryetarin e kësaj komune, Kadri Rahimaj dhe ekipin e tij, ku u informua për punën e deritanishme, projektet që janë duke u zbatuar dhe që planifikohen në të ardhmen. Ai ofroi mbështetjen e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e planeve të komunës, në shërbim të zhvillimit të saj dhe mirëqenies së qytetarëve.  

Forhåndsvisning av bilde

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e vendosjes së themelit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli” :

I nderuari Kryetar i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, znj. Arbërie Nagavaci,

Të nderuar mësimdhënës dhe të dashur nxënës,

Të nderuar drejtorë të komunës dhe asamblistë të Kuvendit Komunal,

I nderuari drejtor i shkollës dhe staf tjetër të kësaj shkollë, gurthemelin e së cilës po e vendosim sot,

Të dashur qytetarë të Kamenicës,

Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,

Është kënaqësi që po takohemi, në këtë ditë kaq të bukur, dhe po i vendosim themelet e një shkolle të re. Kësaj shkolle që nderon kujtimin e shkrimtarit dhe veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, një prej rilindësve më të shquar, Fan Noli, emrin e të cilit mbanë shkolla.

Forhåndsvisning av bilde

Po takohemi pikërisht në përvjetorin e 58-të të shuarjes së këtij rilindasi. Përkujtimi i tij, nëpërmjet emërtimit të shkollës, është simbolikë me domethënie të madhe. Është zotim për vazhdimin e angazhimit në rrugën e dijes e të arsimit. 

Projekti i kësaj Shkolle Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë, është ai i një shkolle moderne. Do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, pesë kabinete, një bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. Pas disa viteve shkollimi në kushte të papërshtatshme, nxënësit e Kamenicës do ta kenë një shkollë që i plotëson kushtet për rritjen dhe zhvillimin e tyre. 

Të nderuar të pranishëm, 

Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë,  në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor.  

Në mars urojmë mësimdhënësit në misionin e tyre të përkryer. Ata që na e adresojnë jetën tonë drejt talentit, njeriun tonë drejt qytetërimit. Ne na mbetet detyrë të lehtësojmë misionin e tyre. E institucionet tona duhet të jenë të përgjegjshme që ta ngrenë cilësinë e shkollave në vendin më sublim. Aty ku themelohet ndërgjegjja e ku ushtrohet profesioni më fisnik. 

Roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm dhe faktorë vendimtarë për zhvillimin e vendit. Kjo është arsyeja pse ne kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas. 

Me përgjegjësi institucionale e me përkushtim kolektiv, të angazhohemi e të punojmë për shoqëri që është përparimtare. Këtë na e thonë idealet e veprimtarëve e dëshmorëve tanë. Këtë na e kërkojnë edhe ëndrrat e fëmijëve tanë. 

Lavdi mësimdhënësve dëshmorë. Mirënjohje të gjithë mësimdhënësve, që detyrën e tyre, nga punë të përditshme e kanë kthyer në mision jetësor. 

Të dashur mësimdhënës dhe nxënës të pranishëm,

E dashura Medina,

Të dashur qytetarë të Kamenicës, 

Më lejoni të ju përgëzoj edhe një herë dhe të ju uroj punime të mbara në ndërtimin e shkollës. 

Ju faleminderit dhe e gëzofshi! 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu