Shkruan: Edibe Selimi-Osmani, studjuese, Tetovë
DITA E VERËS , 14 Marsi , në fshatrat e Rekës së Epërme. Studimi është bërë në vitet 1995/97.
Kjo ditë e paraqet të kremten më të rëndësishme të pranverës.
Në këtë trevë, pa dallim feje, kremtojnë të gjithë banorët.
Bëhen një tok ritesh me një numër të madh këngësh;shtëpitë stolisen me degë të gjelbëra. Nëpër kisha e xhamia nuk kryhen ceremoni fetare.
Ritualet e shumta bëhen ditën e vigjiljes,që vendasit e quajnë”Vergjilla”e Ditës Verës.
Femrat e kësaj ane,përpara se të afrohet kjo e kremte shpejtojnë ta kryejnë punën e dorës që kanë të nisur që të mos u mbet pas Ditës së Verës.Ata na thonë:”Do na shkoje vera xhymca-xhymca e është keq”.Në vigjilje të së kremtes të rinjtë dhe të rejat,pa dallim feje,dalin në natyrë të shëtisin.Gjatë rrugës ata këndojnë:
O ki dimni si shkaj simjet ,
Çilni lula,se vdora u m’tret,
O ky dimni si shkaj simjet,
nizni qehallar se vdora u m’tret.
O ky dimni si na ke simjet
çilni ju lula, se vdora u m’tret
O kukurekun e kemi mbret
E kemi mret o saraj asker .
Këngët këndohen pa def. Vargje të bukura këndojnë vajzat për ardhjen e pranverës.
Era mori era ,çi na erdh Ditë Vera,
Kemi,mori kemi ,gjemt për t’martuet,
Kemi mori,kemi nuse për t’palzuet*(palzuet-për të bërë divan)
Para se të kthehen në shtëpi çdo njëri then degë thane. Me degët e shelgut,thanës dhe me lule periodike thurin kurorë lulesh. Gjatë rrugës kurorët i vënë në kokë. Është keq që kurorat të lëshohen në tokë :ato varen në një lis që jep frute.
Bartëse e riteve është nikoqirja e shtëpisë.Për fëmijët prej moshës 6-13 vjeç, ajo qep nga një trastë. Zien nga 40-50 kokrra vezë të pangjyrosura.Natën e Ditës së Verës ,të gjithë anëtarët e familjes hanë darkë të përgatitur mirë nga nikoqirja.
Në fshatrat Bibaj,Duf, Sencë,Tanushaj,të rinjtë dhe të rejtat(vetëm ata të fesë myslimane) ditën e vigjiljes bëjnë Todoren. Zhvillohen të gjitha ritualet rreth Todores,siç i kemi përmendur edhe te ortodoksët. Ekziston një dallim i vogël: ortodoksët,në disa fshatra,Todoren e veshin jashtë fshatit, kurse në këto fshatraTodorja vishet në shtëpi,te ndonjë familje që kanë vajzë të fejuar.Pasi e veshin me rroba vajzërie edhe bartësja veshet me rroba të tilla.Gjatë tërë kohës vajza bën sikur qanë : uj,uj,uj.Bëhen të gjitha ceremonitë e dasmës dhe këndohen këngë kënagjeqi.
Pa me qon* si ti o vajz-o,pjasi tue qajt, (me qon-me qenë)
Shoshe beqarijen ,se ti elvida*(elvida-asnjëherë)
Duke e nxjerrë Todoren në oborr,vajzat e këndojnë:
Papulitu*kurtin** o vajza jona,
Sa t’bukrin e kimi,
Se kurt da losh ,e kurt da xhosh
Si kurtin e jon sun e xhosh….oooih!
*pulitu-shiko
**kurtin-oborrin
***da xhosh-do të gjesh
Kur vajzat i afrohen me Todoren kroit të fshatit ata këndojnë:
Pa pulitu , kroit o vajza jon-ooo!
Sa t’bukrin e kimi,
Krue da losh,e krue da xhojsh,
Pa si kroin e beqarisë s’un e xhosh.
Në përgjithësi,te shqiptarët,si mësojmë nga të dhënat e ndryshme në terren,është ruajtur deri më sot nderimi ndaj diellit.Kështu që pa lind dielli e me lindjen e tij femrat fillojnë punët në Ditën e Verës.
Kështu,Ditën e Verës,pa lindur dielli ,vajzat kujdesen për kafshët shtëpiake.Para derës së ahurit vendosin kaçën e gjatë në formë kurore,që e shkulin së bashku me barin e njomë.Vajzat kanë kujdes që kaça të jetë në të dy anët me rrënjë.Nëpërmjet këtij riti shpresohet se do të shtohen bagëtitë dhe pasuria në shtëpi.
Pa lindë dielli ,nënat marrin kurorën e luleve ,dalin në natyrë ,shikojnë qiellin dhe përpiqen të shikojnë ndonjë zog duke fluturuar. Ato përmendin emrat e fëmijëve shëndetligj dhe të anëtarëve të familjes, hedhin kurorën lart nga fluturon zogu,duke bërtitur:
Zog,zog-o,zog-o
Na t’ronden,
Nama t’lehten,
Na orrxhondin,
Nama,alltonin.
Këto vargje ajo i përsërit tri herë, kështu besohet se zogu është ai që në të ardhmen do t’ju sjellë shëndet fëmijëve dhe anëtarëve të familjes ;ata do të jenë të lehtë si zogu .E ronda dhe e lehta janë sëmundja dhe shëndeti ;ndërsa orrxhondi dhe alltoni janë argjendi dhe floriri,pra besohet se zogu t’i sjellë begati e pasuri në familje.
Gëzimin më të madh në këtë të kremte e ndjejnë fëmijët deri në moshën dhjetëvjeçare.Nënat kanë qepur për ta nga një trastë.Ditën e Verës,fëmijët ,pa dallim feje ,tubohen lagje-lagje,të veshur me rroba të reja,i varin trastat për qafe dhe shpejtojnë te moshatarët e tyre.Para se të largohen fëmijët nga shtëpia,nëna i qeras me vezë e bombone,me shpresë se vera do t’u shkoje ëmbël.
Gjatë shëtitjes nëpër fshat ,kolendarët meshkuj vizitojnë çdo shtëpi të fshatit;pas tyre ecin kolendarët vajza.Rrugicat e fshatit janë të mbushura me kolendarë .Vizitojnë çdo shtëpi në fshat .Trokasin në çdo derë .Amviset dëgjojnë këngën që u drejtohet atyre:
-Mirëmëngjesi!
Bota jashtë,rrxhondi mrenda,
Gzofshi Ditën e Verës
Amvisa u dhuron fëmijëve vezë dhe u thotë:
-Gëzuet qofshi!
Kur i pyetëm vendasit e kësaj treve se çka do të thotë “Bota jashtë,rrxhondi mrenda”,ata na thanë se urohet që bota (toka)të ketë pasuri jashtë,kurse argjendi të grumbullohet mbrenda në shtëpi .Për ta bërë atmosferën për të qeshur ndonjëherë gratë u fusin fëmijëve ndonjë kokërr qepë në vend të vezës. Fëmijët qerasen edhe me fruta:arra,mollë,e çka kanë në shtëpi.
***
“Rite e besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit-Edibe Selimi-Osmani,Shkup,1997,faq.31-35.
- Sot kjo krahinë me keqardhje themi, ka ngelur e shkretuar, me fare pak banorë,këto ceremoni rituale tash më i takojnë së kaluarës,ata kanë ngelur të paharruara në kujtesën e brezit të moshuar.
Tetovë, më 13.3.2013