(E plotësuar 23:30) Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për Aneksin Zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve

Palët janë angazhuar plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe të zbatojnë detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

 21: 30 Përfundon Takimi

Bëhet  e ditur se pas përfundimit të këtij takimi maraton në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, pritet të dalë në një konferencë për medie, Përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme , Josep Borrell, për të njoftuar për rrjedhën e takimit të sotëm, por që nuk do të mund të ketë pyetje nga  gazetarët.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka thënë se së shpejti do të informojnë për rezultatin e takimit të nivelit të lartë të dialogut të lehtësuar në Ohër.

Bisedimet u fokusuan për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e tekstit të propozimit evropian, palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.

Pas pauzës së dytë, vazhdon takimi Kurti-Vuçiq

(E plotësuar 21:43)Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Borrell e Lajçak, pas pauzës së dytë, po vazhdon.

Edhe një pauzë e takimit në Ohër

(E plotësuar 20:50) Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë kësaj pauze Borrell e Lajçak janë duke takuar ndaras kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkaq njoftohet se Borell dhe Lajçak kanë anuluar fluturimet e tyre dhe takimet e ditës së nesërme.

LIVE|Takimi trepalësh Kurti-Borrell-Lajçak- Vuçiq, ende vazhdon

(E plotësuar 19:50) Takimi në Ohër mes kryeministrit Kurti-Borrell-Lajçak- Vuçiq, ende vazhdon, ku ky takim mund të konsiderohet si një nga më të gjata prej se Kurti ka nisur dialogun me Serbinë.

Kryeministri Kurti ka insistuar që të nënshkruhet marrëveshja, ndërsa Vuçiq po refuzon, ndërkkohë që BE insiston që palët të mos ketë nënshkrim, por të  realizohen planet e vëna në aneks.

Mirëpo vlen të theksohet se ka interesim të shtuar edhe nga SHBA për rezultatin e takimit. Kjo vërehet me praninë e emisarit amerikan Gabriel Escobar në Ohër.

Kurti është shprehur optimist lidhur me takimin në Ohër, që ai konsideroi si hap tutje drejt një marrëveshjeje finale.

Heshtje në Ohër, heshtje në Beograd

Anamari Repiq/ RTK

Lidhur me dialogun që po mbahet në Ohër në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Beogradi zyrtar pret se çfarë do të bëhet me asociacionin.

Vuçiq kishte deklaruar se Serbia në Ohër po shkon me vijat e saja të kuqe, derisa partitë në pushtet mendojnë se Vuçiq do të mbrojë interesat e Serbisë, ndërkaq partitë opozitare, sidomos krahu ekstremist, po kërkojnë që Serbia të mos nënshkruajë planin evropian dhe të refuzojë planin në tërësi.

Mirëpo, vetë kryetari serb, Vuçiq ka theksuar se duhet vazhduar negociatat me Kosovën, në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, sepse, siç ka thënë ai, “është kusht për të ecur përpara në integrimet evropiane”.

Pas një pauze, vazhdon takimi trepalësh Kurti-Borell-Lajçak-Vuçiq

(E plotësuar 17:10)Pas një pauze të shkurtër, takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon e që po ndërmjetësohet nga Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme , Josep Borrell, si dhe emisarit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ka përfunduar pjesa e parë e takimit trepalësh Kurti-Borrell-Lajçak-Vuçiq

(Plotësuar: 16:40) Ka përfunduar pjesa e parë e takimit trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është mbajtur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme , Josep Borrell, si dhe emisarit e BE-së  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Palët kanë shkuar në pauzë e pritet të rikthehen në takim për të parë nëse do të ketë rezultate nga ky takim.

Pra takimi do të vazhdojë  me po të njëjtin format.

Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Pritet që pas takimit Kurti-Vuçiq dhe palët të deklarohen për medie të shumta që janë duke e ndjekur nga afër këtë takim.

(E plotësuar 16:01) Nis takimi Kurti-Borell-Lajçak-Vuçiq

Leonora Bërbatovci / Ohër & Jeton Musliu / RTKLive

Ka filluar takimi trepalësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po mbahet me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme , Josep Borrell si dhe emisarit e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në fotografinë e siguruar nga RTKlive, shihet se në takim janë vetëm këta katër zyrtarë të lartë.

Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiq  kanë zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së  për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Pritet që pas takimit Kurti-Vuçiq dhe palet të deklarohen për medie të shumta që janë duke e ndjekur nga afër këtë takim.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, doli para mediave dhe shpjegoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja gjithmonë mbahet në Bruksel dhe atje nuk bëhet asgjë ndryshe për mediat,  por vetëm një deklaratë e cila lexohet në fund nga Borrell, por pa të drejtë pyetje nga ana e gazetarëve.

“Në fund të këtij takimi, Borrell do të vijë këtu e do të flasë për takimin”, tha Stano.

Sidoqoftë, në këtë takim pritet të diskutohet për Aneksin e Zbatimit të propozimit evropian të marrëveshjes Kosovë-Serbi, për të cilin edhe do të bëhen përpjekje që të arrihet një pajtim në mes të dy vendeve.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për REL sot ka thënë se s’janë të fokusuar te nënshkrimi por tek finalizimi i marrëveshjes, kurse kryeministri Kurti deklaroi në Ohër se ai është atje për të nënshkruar marrëvshje e jo për të biseduar për biseda të reja.

E konfirmon Stano, pas takimit trepalësh, Borrell lexon deklaratë

(Plotësuar: 15:33) Në rezidencën presidenciale të Josip Broz Titos, diktatorit komunist të ish Jugosllavisë, tani të quajtur “Vila Biljana” në Ohër, ku edhe u nënshkrua marrëveshja që i dha fund luftës mes shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001,  mbahet  takimi trepalësh në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ky takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbahet me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme , Josep Borrell si dhe emisarit e BE-së  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Para këtij takimi, Kurti dhe Vuçiq  kanë zhvilluar takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së  për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Pritet që pas takimit Kurti-Vuçiq dhe palet të deklarohen për medie të shumta që janë duke e ndjekur nga afër këtë takim.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, doli para mediave dhe shpjegoi rregullat që do të ndiqen në lidhje me deklarimet nga ane e zyrtarëve të lartë evropianë, sa i përket këtij takimi.

Ai tha se rregullat janë të njëjta dhe nuk do të ketë asnjë deklarim tjetër për mediat nga ana e zyrtarëve të BE-së, përveç një deklarate që në fund të takimit do ta lexojë Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri.

Ai tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja gjithmonë mbahet në Bruksel dhe atje nuk bëhet asgjë ndryshe për mediat,  por vetëm një deklaratë e cila lexohet në fund nga Borrell, por pa të drejtë pyetje nga ana e gazetarëve.

“Në fund të këtij takimi, Borrell do të vijë këtu e do të flasë për takimin”, tha Stano, duke mos dhënë asnjë detaj nëse ka filluar takimi apo se kur pritet se do të përfundojë.

“Nuk e di kur do të përfundojë takimi. Vetëm vendi ndryshon sepse formati nuk ndyshon”.

Ai shpjegoi se nuk do të ketë asnjë deklarim as më të vogël për media, nga ana e zyrtarëve të BE-së, përveç deklaratës që do të lexohet nga Borrell.

Sidoqoftë, në këtë takim pritet të diskutohet për Aneksin e Zbatimit të propozimit evropian të marrëveshjes Kosovë-Serbi, për të cilin edhe do të bëhen përpjekje që të arrihet një pajtim në mes të dy vendeve.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për REL sot ka thënë se s’janë të fokusuar te nënshkrimi por tek finalizimi i marrëveshjes, kurse kryeministri Kurti deklaroi në Ohër se ai është atje për të nënshkruar marrëvshje e jo për të biseduar për biseda të reja.
Borrell pret Kurtin e Vuçiqin vetëm me flamur të BE-së|Video-Foto

(Plotësuar: Ora 14:05) “Si jeni, mirë?” “Po ju si jeni, mirë?!”. Me këto fjalë përshendetën njëri-tjetrin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së, për Politikë të Jashtme e Siguri, para fillimit të takimit mes tyre.

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut pritet të mbahet sot takimi trepalësh mes Kurtit-Borrell e Lajçak dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Paraprakisht, Borrell e Lajçak janë takuar ndaras me Vuçiqin e Kurtin, kurse takimi i përbashkët pritet të mbahet në orët e pasditës.

Megjithatë, ajo që vërehet nga videot e publikuara nga Komisioni Evropian, mes tjerash janë edhe simbolet që qëndrojnë prapa Borrellit e Vuçiqit si dhe prapa Kurtit e Borrellit.

 

Në fakt, prapa tyre, qëndrojnë vetëm dy flamuj të Bashkimit Evropian dhe nuk ka asnjë simol shtetëror as të Serbisë dhe as të Kosovës.

Sidoqoftë, në këtë takim pritet të diskutohet për Aneksin e Zbatimit të propozimit evropian të marrëveshjes Kosovë-Serbi, për të cilin edhe do të bëhen përpjekje që të arrihet një pajtim në mes të dy vendeve.

 

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për REL sot ka thënë se s’janë të fokusuar te nënshkrimi por tek finalizimi i marrëveshjes, kurse kryeministri Kurti deklaroi në Ohër se ai është atje për të nënshkruar marrëvshje e jo për të biseduar për biseda të reja.

Përfundon takimi Kurti-Borell e Lajçak, pritet të nisë ai trepalësh

(Plotësuar: Ora 13:17)   Tashmë ka përfunduar  takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak.

Ky takim ka zgjatur rreth një orë e gjysmë. Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe më herët me presidentin e Serbisë, Aleksandar  Vuçiq, tani Borrell e Lajçak pritet të kenë takim të përbashkët trepalësh.

Ndërkohë, në lidhje me këtë takim, ka interesim të jashtëzakonshëm të mediave. Të ardhura nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës, këto media janë duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet e kësaj ngjarjeje.

Nis takimi Borrell-Kurti-Lajçak

(Plotësuar: Ora 12:12) Tashmë ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell si dhe emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak.

Ky takim ka nisur me vonesë prej gjysmë ore, krahasuar me agjenden e paraparë.  Borrell takohet me Kurtin pasi paraprakisht është takuar me Vuçiqin.

Ndërkohë, Kurti takohet me Borrell, pas takimit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas këtij takimi, pritet takimi trepalësh, Kurti-Borrell e Lajçak dhe Vuçiq.

Kurti: S’jam në Ohër për bisedë për bisedime, por për marrëveshje

(Plotësuar: 11:30) Para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se në Ohër ka shkuar për bisedime për të arritur marrëveshje.

Kryeministri Kurti, është takuar edhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para se të takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell e emisarin për dialogun Miroslav Lajçak dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevcki.

“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit, për të gjithë qytetarët pa dallime, sepse unë jam kryeministër i Republikës i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti në një deklarim për media, pas takimit me Escobarin dhe para tarkimit me Borrellin.

Kurti deklaroi se përveç se është optimist, ka shkuar në Ohër me qëllim të mirë.

“Jam këtu me vullnet të mirë dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më datë 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se do të bisedohet në Ohër për planin e zbatimit, pasi nuk ka tekst të përfunduar.

Ai tha se derisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve, sipas tij,  nuk mund të këtë marrëveshje.

“Unë jam këtu për dialog parimor të hapur serioz që duhet të rezultojë me marrëveshjen”.

Kurti u shpreh se marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. “Pra, nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti pritet të takohet me Borrellin e Lajçakun rreth orës 11:30, ndërsa paraprakisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet nga ora 10:30 me përfaqësuesit e BE-së.

Kryeministri Kurti do të deklarohet për media pas takimit në Ohër

(E plotësuar: 09:50) Zona ku janë mbledhur delegacionet e qeveritare të Kosovës e Serbisë, si dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian për takimin në Ohër, është shtrënguar nën masa të forta të sigurisë.

Nga hyrje-daljet e zonës ku janë vendosur delegacionet dhe ku pritet takimi mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Josep Borrell, përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, janë duke u kryer kontrolle të rrepta nga ana e policisë.

Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të flasë para mediave, pas takimit, por pa specifikuar nëse e kishte fjalën pas takimit me ndërmjetësuesit evropian apo pas atij trilateral me Borrell e Vuçiq.

Sidoqoftë, kryeministri Kurti fillimisht në orën 10:30 është paraparë të  takohet me Borrellin e Lajçakun, e më pas do të zhvillohet takimi Kurti-Vuçiq-Borrell e Lajçak.

Ndërkohë, mbledhja e delegacioneve do të nisë në orën 10:00.

(Plotësuar: 08:45)  Gjithçka gati për takimin në Ohër

Pas pak çastesh në vilat qeveritare në Ohër të Maqedonisë së Veriut pritet të arrijnë delegacionet zyrtare të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të takimit të nivelit të lartë që do të zhvillohet mes dy vendeve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Albin Kurti fillimisht në ‘Vila Ohrid’ do të ketë një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski derisa më pas do të ketë një mirëseardhje dhe shtrëngim duarsh me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski.

Tutje, kryeministri Kurti do të shoqërohet tek dhoma e delegacionit të Kosovës nga ana e protokollit të EEAS në përgatitje për takimin bilateral me zyrtarët e latë të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Një foto e përbashkët është paraparë me Borrellin para flamurit të BE-së para nisjes së takimit bilateral.

Pas takimeve bilaterale në orët e mesditës parashihet takimi trelateral derisa më pas është e planifikuar edhe një drekë në dhomat e delegacioneve.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Sot takimi në Ohër, BE-ja prezanton planin për zbatimin e propozimit

N.Mekolli /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të dialogut.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Në njoftim thuhet se dialogu do të fillojë nga ora 10, me ardhjen e pjesëmarrësve individualë. Ndërkaq në orën 10:30, zyrtarët e BE-së fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta dypalëshe me liderët, e më pas do të ketë takim trepalësh.

Sipas komunikatës, takimi do të fokusohet në finalizimin e aneksit zbatues të marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisëm raporton RTKlive.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka bërë publike disa detaje për takimin që do të mbahet sot në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia tashmë kanë dhënë komentet e tyre për aneksin e implementimit të Propozimit evropian, të cilin kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel.

Një natë para takimit me presidentin serb Vuciq, në Ohër kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pasur një bisedë telefonike me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Përmes një postimi në Twitter, kryeminsitri Kurti ka thënë se gjatë bisedës ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që këtë takim ta shndërrojë në ditë suksesi.

Një ditë para takimit të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër, në Prishtinë ka qëndrua i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar. Ai dje në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani tha se pret rezultate të mira pas takimit në Ohër.