Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës , Liburn Aliu, mbajtën konferencë për medie në lidhje me projektet strategjike milionëshe që po realizohen në ish-Aeroportin e Gjakovës dhe në Babaj të Bokës.
Ministri Aliu foli për procedurat e ndjekura për shpronësimin e pronave të planifikuara për realizimin e këtyre dy projekteve me interes nacional, tejet të rëndësishme në aspektin strategjik për Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Me kërkesë të Ministrisë së Mbrotjes dhe për arsye të interesit nacional strategjik, MMPHI përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës ka marr përsipër azhurnimin e parcelave të shpronësuara në Regjistrin e të Drejtave mbi Pronën e Paluajtshme.
Me propozimin e Departamentit të Shpronësimit në kuader të MMPHI, Qeveria e Republikes se Kosovës ka miratuar Vendimin Përfundimtar Nr.19/67 me datën 09.03.2022 për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat preken nga ndërtimi i “Poligonit Kryesor të Trajnimeve” për nevoja të FSK-së.
Poligoni përfshinë zonat zonat Kadastrale: Babaj i Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Çerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës.
Ndërsa projekti në ish Aerportin e Gjakovës, përfshinë zonat kadastrale: Bec, Trakaniq dhe Janosh të Komunës së Gjakovës”.
Ministri Aliu theksoi se shuma e paguar për shpronësimet e këtyre pronave kap vlerën mbi 9 milionë euro, ndërsa të gjitha pronat e shpronësuara tashmë janë bartur në emër të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Ministri Mehaj foli për rëndësinë e këtyre dy projekteve në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, destinimi funksional i së cilave do të kontribuoj në mënyrë direkte në avancimin e kapaciteteve profesionale trajnuese të Ushtrisë së Kosovës, duke bërë kështu hapa të tjerë drejt përmbushjes së standardeve ushtarake të NATO-s.
“Kjo formë e bashkëpunimit në mes të dy ministrive tregon qartë se prioriteti ynë është zhvillimi dhe avancimi i Ushtrisë së Kosovës, që mundëson integrim edhe më të shpejtë në NATO.
Synimi ynë si Ministri e Mbrojtjes është rritja e kapaciteteve trajnuese për Forcën e Sigurisë së Kosovës, andaj dhe investimi në këto dy projekte infrastrukturore do të bëhet në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Investime milionëshe me profesionistë të fushës për të garantuar që ushtria jonë do të ketë të gjitha kushtet për zhvillim të mëtutjeshëm, ushtri me kapacitete të plota mbrojtëse. Kontribuese në ruajtjen e paqes jo vetëm në vend, por dhe në rajon e më gjerë”.
Duke folur për projektin e Poligoneve në Babaj të Bokës, Ministri Mehaj theksoi se sipërfaqja disa hektarëshe me poligone të qitjes do të jetë aset i çmuar për trajnimin jo vetëm të ushtarakëve të FSK-së, por gjithashtu do të jetë në funksion edhe të forcave të shteteve partnere.
Ndërsa investimi në ish Aeroportin e Gjakovës jo vetëm do të mundësoj ruajtjen e aseteve dhe funksionalizimin e këtij aeroporti por gjithashtu edhe modernizmin e tij, për të përmbushur kësisoj nevojat operacionale të FSK-së.
Ministri Mehaj theksoi se do të vazhdojnë investimet në mënyrë që FSK të jetë ushtri e gatshme për të shërbyer në çdo mision të NATO-s.
“Dua të theksoj se nga dyfishimi i numrit si ushtri, brenda dy viteve kemi shumëfishuar vlerën e buxhetit të investuar në përgatitjen profesionale të ushtarakëve e në blerjen e armatimeve, ndërsa po vazhdojmë në investimet infrastrukturore që FSK të jetë ushtri e gatshme për të shërbyer në çdo mision të NATO-s”.