Nga: Nexhmije Mehmetaj , arsimtare e mësimit plotësues në Zvicër
Më 29 mars ’23, në qendër të Gjenevës, në “Théatre de la Madeleine” u mbajt Koncerti Polifonik “Bilbili” nga Vlora, qe një mbrëmje e veçantë. Mikpritës ishte shoqata “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”.
Me dinjitet artistik, Afërdita Krasniqi, kryetare e shoqatës ka drejtuar koncertin. Salla kishte në gjirin e saj qindra shqiptarë dhe zviceranë të ardhur nga hapësira gjeografike e kantonit të Gjenevës.
Grupi muzikor popullor “Bilbili” nga Vlora paraqiti vlerat artistike dhe historike të polifonisë shqiptare, si një nga format më të hershme të muzikës popullore në Ballkan. Sot, e mbrojtur nga UNESKO me theks të veçantë “Pasuri kulturore e njerëzimit”.
Interpretuesit Muharrem Ramaj, Valbona Nora, Tajre Bozhani, Defrim Mustafaraj, Adriatik Cenko, Florika Kotska plotë pasion paraqiten pjesë nga repertori më i mirë i këngëve të vjetra tradicionale shqiptare që nuk kishin kufij gjeografik. Këngë të jugut, këngë të veriut, të Shqipërisë atje ku burojnë këngët e bukura të popullit tonë.
Befasia e Koncertit “Bilbili” ishte prezantimi i dy këngëve për herë të parë nga albumi i tyre më i ri krijuar enkas për ketë rast: “Në Gjenevë të Helvetisë, bilbilat e Labërisë” dhe “ Vijm’ nga Vlora, Labëria, nga e jona Shqipëria”.
Kënaqësi e pa përshkruar. Jehoi kënga me shumë zëra. Nga kush u nis? Nga nisi? Kush e mori melodinë? Kush e pasoi? Nuk mund ta përcaktoj. Këngët i niste njeri dhe i vinin në buzë e i përhapnin me forcë e zemër të gjithë.
Pjesë e grupit “Bilbili” ishte pa asnjë dyshim një nga artistët më të njohur në “universin” folklorik shqiptar Viktor Paloka. Ky artist dhe bartës i shkëlqyer i folklorit të trevës shkodrane nga vjen, me zërin mbi tingujt e çiftelisë do t’i merr të pranishmit fluturimthi në qytetet e gjithë trojeve shqiptare dhe në figurën legjendare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Këngëtarja e njohur Ludmilla Baballëku me zërin kumbues, u duartrokit shumë gjatë nga publiku.
Gjatë kësaj veprimtarie, z. Ali Mehmeti sekretar i shoqatës KSHGJ në shenjë nderimi u dhuroi udhëheqësit të grupit Mirënjohje dhe anëtarëve ca dhurata modeste nga qyteti plot ngjyra i Gjenevës.
Mrekulli, mund të thotë dikush. Por a duhet parë kaq thjeshtë? Shoqatën, për të ndërmarr këtë nismë, nuk e shtyu nevoja për tu angazhuar me punë, por diçka tjetër, diçka që ka të bëjë me ndjenjën kombëtare, me personalitetin e bashkatdhetarëve, sidomos të asaj shtrese të inteligjencës që endet nëpër mugëtirën e emigracionit pa mundur të gjejë qetësinë shpirtërore. Mandej, për shumë vite është përfolur se do të hapet një Qendër Kulturore Shqiptare për zhvillimin e kulturës , interesim ky nga ana e qeverive shqiptare, por përderisa nuk shohim asnjë xixë në horizont nuk themi se mund të shpresojmë shumë. E atë që s’munden ta bëjnë qeveritë tona deri më tashti në marrëveshje me shtetin zviceran, përpiqet të bëjë shoqata “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”. Respekt!
Urojmë që edhe shqiptarët në kantone tjera të pasurohen me Grupin Polifonik “Bilbili” nga Vlora në ….
Gjenevë, 30.03. 2023