ARKIVI:
24 Nëntor 2024

The Christian Science Monitor (1935) / Ahmet Zogu, një dekadë në pushtet – Rrëfimi i reporterit amerikan Reuben Henry Markham

Shkrime relevante

Shpërndaj

Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Prill 2023 

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 9 shkurtit 1935, në faqen n°16, shkrimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth dekadës në pushtet të Ahmet Zogut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Dekada në pushtet e Zogut

Nga R. H. Markham

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 9 shkurt 1935, f.16

Tiranë, Shqipëri. 

Kohët e fundit këtu u festua dhjetëvjetori i ditës kur Ahmet Zogu, duke depërtuar në Shqipëri nga Jugosllavia, mori Tiranën dhe u bë zot i vendit. Vetëm katër vjet pas mbërritjes së tij ai u vetëshpall Zogu i Parë, Mbret i Shqipërisë, por që nga ajo ditë historike e dhjetorit 1924, Zogu ka dominuar plotësisht tokën e tij. Për një dekadë, historia e tij ka qenë historia e Shqipërisë dhe gjatë këtyre dhjetë viteve vendi i tij ka bërë përparimin më të madh në shumicën e fushave sesa gjatë çdo shekulli paraardhës. 

Ai ka arritur të vendosë rend shembullor në Shqipëri. Është një tokë e egër malore, e banuar nga njerëz të fortë e të patrembur; fise liridashëse që përçmojnë taksat, të cilat për dy mijë vite kanë bërë atë që kanë dashur. Mbreti i ri ka brumosur këta njerëz në qytetarë besnikë dhe e ka bërë Shqipërinë një model rendi, sigurie dhe qetësie. Pak vende të tjera janë kaq të lira nga anarkia. Udhëtimi këtu është po aq i sigurt sa në Francë dhe rrëzimi dhe formimi i qeverive nuk shoqërohet me emocione më të mëdha se në Zvicër. Ky është një rend i imponuar, por prapëseprapë shërben si bazë për jetën normale borgjeze. Kjo është një arritje unike në Shqipëri. 

*** 

Së dyti, Zogu ka krijuar një shkallë më të madhe të unitetit të shqiptarëve sesa ka ekzistuar ndonjëherë në vend më parë. Në Shqipëri ekzistojnë dy fise të dallueshme dhe tre besime të ndryshme. Aty ka malësorë e fushorë. Ka rrethe në të cilat ka dominuar kultura greke dhe të tjera ku serbët kanë ushtruar ndikim të madh. Dhe nuk kishte rrugë me anë të të cilave këto grupe të ndryshme mund të bienin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin. Shqipëria është vetëm 180 milje e gjatë dhe e banuar nga më pak njerëz se sa në Detroit, por megjithatë Nju Jorku është shumë më afër Çikagos sesa Shkodra në Shqipërinë e Veriut me Korçën në jug. Asnjëherë nuk ka ekzistuar kombësia shqiptare apo shteti i bashkuar shqiptar. Zogu i ka krijuar të dyja. 

Dhe përveç kësaj, një kulturë shqiptare. Kjo mund të duket një deklaratë disi arrogante dhe askush nuk do të pretendonte se kultura shqiptare mund të krahasohet me atë të Evropës perëndimore. Ajo është ende e papërpunuar. Por pavarësisht kësaj, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit. Për shembull, është formuar një gjuhë standarde e shkruar. U hapën shkolla, u dhanë shfaqje teatrale, u krijua një rrjet i larmishëm dhe i dobishëm aktivitetesh sportive, u krijuan gazeta dhe u zhvilluan marrëdhëniet shoqërore. Ka poetë, romancierë, tekstshkrues, artistë dhe muzikantë shqiptarë. Është formuar një Kishë Ortodokse Lindore krejtësisht e re, e pavarur. Priftërinjtë katolikë romakë, hoxhallarët myslimanë, “papët” ortodoksë dhe mësues laikë po e ndihmojnë të gjithë këtë kulturë kombëtare. 

*** 

Një sistem financiar i shëndoshë është krijuar. Kur Zogu filloi veprimtarinë e tij, nuk kishte para shqiptare dhe asnjë bankë shqiptare. Këtu u përdorën monedhat e argjendit dhe të arit të një duzinë vendesh. Në tregje qarkullonin kurora, dinarë, levë, lei, napolona, franga, lira, dollarë dhe paund. Por tani ka një monedhë shqiptare. Ekziston një buxhet i shtetit, jo i balancuar mirë, me siguri, por në përmirësim. Aty po rritet një klasë e mesme, një “inteligjencë”, një grup zyrtarësh të arsimuar shtetërorë dhe burra profesionistë që duan rend të vendosur, shtëpi të mira, rrugë, lehtësira transporti dhe krediti. Ata përbëjnë bazën e sigurimeve shoqërore, të taksapaguesve, të tregtisë, të biznesit dhe të buxheteve të ekuilibruara. Ata po ndihmojnë që Shqipëria të dalë nga stadi feudal. Ata janë më të rëndësishëm se bejlerët pronarë të tokave dhe e zëvendësojnë kapriçon aristokratike me ligje dhe gjykatës. 

Pastaj Zogu po rindërton Shqipërinë. Ai ka ngritur më shumë ura dhe ka ndërtuar më shumë rrugë se kurrë më parë në këtë vend. As në kohën e romakëve nuk depërtuan në këto male kaq shumë rrugë të mira automobilistike. Asnjëherë më parë këta lumenj të egër nuk ishin përshkuar nga ura që nuk mund t’i rrëmbenin. Edhe Tirana, kryeqyteti, është shndërruar në një qytet të denjë. Është ndërtuar tërësisht dhe është furnizuar me bulevardë të gjerë, drita elektrike, shkolla, ambiente sportive, kazerma, aeroporte dhe godina të mira administrative. Po kështu, një port është ndërtuar në Durrës, i aftë për të pritur anije të mëdha. 

*** 

Jo më pak e rëndësishme, Zogu ka ndjekur një politikë të jashtme mjaft të suksesshme. Ai e bëri Italinë miken kryesore të Shqipërisë, lidhi pakte të njëpasnjëshme me zotin Benito Musolini dhe mori ndihmë financiare shumë të konsiderueshme nga Roma. Më vonë, Zogu është bërë më miqësor me Jugosllavinë. Ai gjithmonë e ka bërë Lidhjen e Kombeve mbrojtëse të Shqipërisë.

 Natyrisht, do të ishte e papërshtatshme të vizatohej një tablo shumë e ndritshme, ose të harrohet se Zogu mban dhjetëra kundërshtarë të tij politikë në burg, ose të mohohet se ka shumë favorizime dhe joefikasitet. Por e mira duhet të peshohet me të keqen dhe kur kjo bëhet shihet se në asnjë dekadë tjetër në të gjithë historinë shqiptare nuk është arritur aq shumë për këtë popull sa që nga dita e 1924 kur Zogu mori Tiranën dhe u bë zot i saj 

* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/the-christian-science-monitor-1935-ahmet-zogu-nje-dekade-ne-pushtet-rrefimi-i-reporterit-amerikan-reuben-henry-markham/.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu