Prishtinë, 14 prill 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq i cili po qëndron në Kosovë. Ata fillimisht zhvilluan një takim tete-a-tete, për të nënshkruar pastaj Marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, para fillimit të takimit ndërmjet dy delegacioneve, në ndërtesën e Qeverisë.
Në takimet u bisedua për marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet dy shteteve, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe investimet në infrastrukturë të përbashkët që e rritë mobilitetin dhe hap mundësitë e zhvillimit për të dy vendet.
Gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, rëndësinë që ky bashkëpunim ka për integrimin e ekonomive, afrimin e qytetarëve dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin në detyrë Abazoviq për zhvillimet në vend dhe për punë, arritjet dhe rezultatet e qeverisjes tashmë më shumë se dyvjeçare. Ai shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën e Malit të Zi në kohët më të vështira për Kosovën, kur u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga fushata e gjenocidit dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit gjatë vitit 1998-1999, dhe për marrëdhëniet shumë të mira fqinjësore.
Rëndësi të veçantë sot, kishte nënshkrimi i Marrëveshjes për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi. Kjo marrëveshje është një hap sa i rëndësishëm, po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore në mes dy Republikave. Ajo ofron mundësi të reja të zhvillimit të Aviacionit Civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë, me këtë marrëveshje lehtësisht mund të shtojë edhe një fluturim. Pastaj, zvogëlon emetimin e gazrave të dëmshme si dhe ulë koston e fluturimeve të cilat ndikojnë në çmim të biletave për udhëtarët.
Kryeministri teksa uroi qytetarët për marrëveshjen e sotme, duke thënë se si dy shtete nënshkruese të marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit – HPEA, me marrëveshjen e nënshkruar sot hapet mundësia për shfrytëzimin e lirive të fluturimeve për kompanitë ajrore.
Krahas nënshkrimit të marrëveshjes, ata biseduan edhe për projektet e përbashkëta sikurse ai i për lehtësimin e kalimit në pikat kufitare te qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë sezonit turistik, finalizimin e protokollit për qarkullimin e transportit të mallrave dhe të qytetarëve, si dhe dinamizmin e zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë.
Kryeministri në detyrë, Abazoviq e falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen siç e quajti ai të jashtëzakonshme, duke shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembullin rajonal se si duhet të bashkëpunohet.
Në takim nga kabineti i Kryeministrit Kurti, të pranishëm ishin ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Kryetari i Grupit të Miqësisë me Malin e Zi, Hydajet Hyseni, Ambasadorja e Kosovës në Malin e Zi, Ariana Zherka Hoxha, Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Aviacionit Ajror, Samir Bllacaku, si dhe këshilltarët, Jeton Zulfaj dhe Tea Blakaj.
Ndërkaq nga ana e qeverisë malazeze, të pranishëm ishin z. Bernard Çobaj, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, z. Goran Gjuroviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, z. Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike në Qeverinë e Malit ë Zi, z. Fatmir Gjeka, ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, z. Nik Gjeloshaj, Kryetar i Komunës së Tuzit, z. Omer Bajraktari, Kryetar i Komunës se Ulqinit, znj. Ana Rashoviq, Shefe e kabinetit të Kryeministrit të Malit të Zi.
Më shumë fotografi, gjeni në linkun në vijim: