ARKIVI:
21 Tetor 2024

Sejmenët e ‘beut të isopolifonisë”, në veprim  

Shkrime relevante

Miti se në Perëndim pasurohesh

Nga Aurel Dasareti Nacionalizmi, ç’do të thotë kjo? Nëse do të thotë...

Shoqata “Vatra” në SHBA organizon mbrëmje me bashkatdhetarët, i pranishëm edhe Ramush Haradinaj

Në kuadër të aktiviteve në të mirë të komunitetit shqiptaro-amerikan, por...

Libri i Frashër Demajt për Sali Çekajn, përplot pasaktësi

Arif Molliqi  Për të shkruar një monografi shkencore për jetën dhe veprën...

Shpërndaj

Fitim Çaushi , Gjirokastër

Në historinë e kulturës botërore janë të njohura polemikat e ndezura midis intelektualëve dhe krijuesve në fushën e filozofisë dhe artit, aq sa edhe Eskilin e detyruan të emigronte në Sirakuzë, Danten të shpërngulej në Ravena, ndërsa Hygoi i madh e la Parisin dhe u vendos në Londër. Pavarësisht potencialeve pushtetore që kishte gjithësejcili krijues në epokën e vet, nuk ka patur asnjë rast që dikush prej tyre të ketë përdorur sejmenë për të fshehur dobësitë e veprës së tij. Kjo do të ishte fyerje për ata, që e konsideronin veten artist dhe krijues në fushën e muzikës, letërsisë dhe artit figurativ. Pavarësisht nga debatet estetike, të gjithë prezantoheshin dinjitoz. Kjo klimë polemike gjatë histories njerëzore, ka ndihmuar në përparimin e nivelit estetik dhe artistik të arteve dhe kulturës në përgjithësi, ndonëse herë zhvillohej e ashpër dhe herë e zbutur.

Përjashtim nga kjo praktikë bën pseudoartisti Vasil Tole, sepse në Shqipërinë e sotme, nuk të lejojnë të zhvillosh polemikë për një fenomen pseudokulturor të tij. Për ta mbrojtur nga denoncimet e shumta për devijimet e tij në lidhje me kulturën popullore, Tole ndërsen sejmentët në formacion luftimi, dhe ata me verbëri, goditin e fyejnë personalitete të kulturës shqiptare, që i kanë dhënë muzikës dhe letërsisë vepra që zënë vend nderi në fondin e artë të kulturës kombëtare.

Këta mercenarë, që janë gjithfarë gjeologësh, ekonomistësh, gjysmëmësuesish, mediokër dhe pretenciozë në lidhje me etnomuzikologjinë, për të neutralizuar opinionin që është ngritur kundër veprës së shëmtuar të Vasil Toles, si deformues dhe tjetërsues i realizimeve të shkencës shqiptare në fushën e trashëgimisë shpirtërore, vërsulen si taborë jeniçerësh, të ngjashëm edhe me Don Bazilion e Bomarshesë në operat “Berberi i Seviljes” dhe “Dasma e Figaros”: “Shpifni, sa më shumë shpifni, nxijini, sa më shumë nxijini gjithandej, hakmerruni, sa më shumë hakmerruni, se diçka do të mbetet”.

Të gjithë e dinë, edhe ata vetë, se mbështetja financiare që u ka dhënë Tole, i detyron ata të ulërasin për të ekulibruar opinionin, sikur identitetet kombëtare kulturore të jenë në mëshirën e lehjeve të këtyre mercenarëve. Më të shqetësuarit për again e “isopolifonisë”, janë presidenti i festivalit të “isopolifonisë” në Vlorë Sejmen Gjokoli, presidenti i organizatës ndërkombëtare për folklorin, dega e vendit tonë, CIOFI, Niko Mihali dhe ekonomisti teoricien Timo Këmbaci. Po ndalemi tek postimi i mësues Nikos, i cili deri sot nuk ka botuar asnjë studim, asnjë libër, asnjë shkrim për kulturën tonë popullore, por ka kurajon t’i konsiderojë “kumtuesit e simpoziumit jo kompetent”! Sa qesharak bëhen këta mjeranë të ndërsyer për beteja donkishoteske nga Vaso Tole!

Mercenar Mihali, guxon të atakojë edhe kompozitorin e shquar Aleksandër Peçi dhe Mjeshtrin e Madh Zhani Ciko, si “jo kompetent”, dhe na qenka i tillë vetëm Vasil Tole! Specialistët dhe muzikantët e vërtetë e dinë mirë, se partiturat e veprave muzikore të Aleksandër Peçit, peshojnë më shumë se sa Niko Mihali dhe Vasil Tole së bashku.

Mjeshtrin e Madh Zhani Ciko, e njeh e gjithë bota muzikore shqiptare nga veprat e muzikës shqiptare në skenë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Edhe Peçi edhe Ciko ia dhanë përgjigjen Niko mercenarit, por po i kujtojmë lexuesit parafabrikatet e përpunuara në guzhinën e Vasil Toles. Niko, si edhe gjithë mercenarët e tjerë, nuk merret me analizën e ideve dhe problemeve që u shtruan në dokumentarin “Gjurmë Shqiptare”, dhe në simpozimin e Shoqatës “Labëria”, ç’ka do të ishte serioze dhe e pranueshme për të gjithë. Ai mirret me njerëzit që kumtuan në simpozium, me përgojime, thashetheme, që karakterizojnë misionarët mizantrop, mediokër dhe pa kulturë.

As Niko dhe as sejmenët e tjerë të Toles, nuk e kanë aftësinë kulturore të vlerësojë faktet dhe argumentet që janë trajtuar në simpozium. Ata nuk qëndrojnë tek problemet: tjetërsimi i polifonisë shqiptare në “isopolifoni”, revizionimi i rezultateve shkencore të profesorëve dhe studiuesve shqiptarë, shpërngulja e gjenezës së polifonisë popullore shqiptare nga Shqipëria në Greqi, greqizimi i Epirit antik nga Tole, etj.  Kush është ky Vasil Tole para muzikologëve Eftim Dheri, Mexhit Daija, Ramadan Sokolit, Beniamin Krutës, Hysen Filjes, Ferial Daja, Spiro Shitunit, që kanë bërë me dhjetra e dhjetra ekspedita studimore, ndërkohë që Vasil Tole nuk ka marrë pjesë në asnjë ekspeditë studimi në popull? Nuk u bën përshtypje kjo mungesë profesionale e agait të tyre, këtyre mercenarëve?! Sejmenët e beut, nuk kanë kurajon ta pyesin aganë e tyre, përderisa na qenka i vetmi kompetent në etnomuzikologji, pse nuk mori pjesë në simpozium, ndërkohë që ishte i ftuar, sikurse edhe 7 vjet përpra nga Artisti i Merituar Limos Dizdari? Pse ka frikë të sqarojë problemet që shtrohen ndaj tij?

Mercenari Mihali, pa ndjenjë përgjgjësie, shkruan sikur trashëgiminë shpirtërore na i garanton ai, si roja vigjilente e Atdheut: “Dikush e glorifikon, sukur u bë hataja, na morën shpirtin dhe këngën dhe nesër do të na marin edhe malet. Por jo, jo. Malet e këngët kanë qenë dhe janë këtu mes nesh e me ne që nga kohrat ilire”. Kjo është logjika e një mercenari, që nuk dihet në sa çanakë e gjerb çorbën. A nuk na i morën malet e Sulit, të Paramithisë, të Filatit, të Bezhanit, të Prevezës fqinjët, dhe a nuk u morën jetën qinda mijra shqiptarëve qysh nga epoka famëkeqe e Megali-idhesë? A nuk ua morën gjuhën dhe kulturën popullore çamëve të Epirit, korofillakët e Gërqisë? Hora të tillë, duan të na bëjë garantin, se malet nuk na ikin në Epirin e Veriut, ndërkohë që po na iku trashëgimia shpirtërore, edhe malet edhe fushat kanë fluturuar tek Gërqia, e cila pret rastin e volitshëm të vërsulet me falangat e saj diplomatike dhe ushtarake.

Niko deliranti, si “pronari” i krahinës së Përmetit, shkruan: “Togfalalëshi iso-polifoni nuk është pronë e një krahine, e Labërisë, por e gjithë Toskërisë … pjesa tjetër ndihet mirë”. Cila pjesë ndihet mirë more matrapaz i grupeve folklorike që i rrope nëpër koncerte? Vasil Tole, në Enciklopedinë e “isopolifonisë” ka shkruar, se ka futur në dosjen e UNESCO-s: “Një video 2 orësh për ilustrim të kënduarit isopolifonik me zonat si më poshtë: Himara – Lab isopolifoni, Kolonja – Tosk isopolifoni, Tepelena – Lab isopolifoni, Gjirokastra – Lab isopolifoni, Përmeti, Tosk isopolifoni.”(f.129)

Si mund të ndihet mirë zona toske e Përmetit, ndërkohë që intelektuali me integritet të lartë Kastriot Bezati, nuk ndihet mirë me mashtrimet e Vasil Toles dhe ka aprovuar rezolutën e Shoqatës “Labëria”, si i njëjti stil polifonik në Labëri dhe Toskëri? Niko megallomani, me trurin bosh, bën të habiturin: “Nuk e kuptoj, se ku e gjen të drejtën kjo shoqatë që mer përsipër dhe imponon dhe të tjerët për zhbërjen e këtij emërtimi kur ajo është vetë pjesë e së tërës”. Niko mizantropi kërkon që Shoqata “Labëria” t’i marrë lejë Nikos dhe Vasos, për të kërkuar të ndryshohet apo jo, “isopolifonia” e futur në mënyrë diversive në kulturën popullore shqiptare. Nuk i shkojnë Nikos këto role destruktive, sepse Shoqata “Labëria” nuk ka imponuar askënd për t’iu bashkuar iniciativës së saj për t’iu drejtuar Ministrisë së Kulturës, për ndërhyrje në UNESCO. Gjithkush është i lirë të mbajë pozicionin e tij.

Problemi është fare i thjeshtë; Shoqata Labëria dhe ata që e përkrahin atë, afirmojnë vlerat e studiuesve shqiptarë dhe mbrojnë kulturën popullore shqiptare. Sejmentët e Vasos mohojnë rezultatet e studiuesve shqiptarë dhe pranojnë tjetërsimet antikombëtare të Vasil Toles; prejardhjen e polifonisë shqiptare nga sirenat greke. Këtu qëndron dallimi mes nesh dhe sejmenëve të Toles. Ata janë të ftuar në terrenin konkret të ideve që shtrohen për diskutim, të shtërmbëruara prej Vasil Toles:  “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qënie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.” (Vasil S. Tole, Odiseja dhe sirenat…vep e cit. f. 10) Me mbrojten e Vaso Toles, sejmentët e tij pranojnë se “isopolifonia” shqiptare na paskërka ardhur nga sirenat e mitologjisë greke! A nuk duhet ta kundërshtojë këtë devijim flagrant cilido që ka ndërgjegje kombëtare?

Në studimet e tij, akademiku Tole ia faturon Epirin territorit helen, duke precizuar: “kulturë polifonike te grekët e Epirit”. Madje Tole ka shkruar: “Ende sot pika e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, mbart togfjalëshin kuptimplotë “Qafa e Botës”. Ky territor gjeografik, ku shtrihet Shqipëria e Jugut.”(Pse qajnë kuajt e Akilit, f. 54) Duke mbrojtur Tolen, sejmenët e tij pranojnë, se kufiri jugor midis Shqipërisë dhe Gërqisë fillon në “Qafë Botë, ndërkohë që ky është kufiri politik i vendosur nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Kufiri i vërtetë i Shqipërisë  së Jugut, në aspektin etnik dhe antik, shtrihet në Prevezë. Nuk ka pasur grekë në Epir, këtë e ka vërtetuar plotësisht akademiku Pëllumb Xhufi tek studimi “Arbërit e Jonit”.  Sejmenët e beut të “isopolifonisë mohojnë veprën monumentale të akademikut Pëllumb Xhufi”?! A nuk duhet ta kundërshtojë këtë qëndrim të gabuar, cilido që ka ndërgjegje kombëtare?

Tole ka shkruar: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare”.( V. S.Tole, Odisea dhe Sirenat…vep. e cit. F. 41) Si mund të pranojnë sejmenët e beut të isopolifoinisë, vendndodhjen e sirenave greke pranë brigjeve të sotme shqiptare, në territorin politik shqiptar, ndërkohë që kufiri etnik ndodhet në Prevezë dhe jo në Konispol? Studiuesi francez Ami Boue dhe shumë të tjerë kanë shkruar për Suliotët çamë. Po ashtu Liku: “Suliotët janë një farë e Çamërisë, njëra prej katër degëve të popullsisë shqiptare”. Edhe më me simpati do të shkruante për suliotët Aleksandër Dyma: “Pothuaj dy shekuj më parë, barinjtë e maleve afër Dodonës së lashtë, të keqtrajtuar nga turqit, u tërhoqën bashkë me bagëtitë e tyre në malet më të ashpra të këtij cepi të Epirit.”(Alexandër Dumas le Grand, Daniel Zimemermann, Editins Phebus, Paris)

Na vjen keq për këto “vuajtje” të sejmenit Niko, i cili i ngre agait të tij Vasil Tole, ditirambe dhe vlera të pameritura, sikur nuk e njohin të tjerët krijimtarinë dështake të Toles. Ai shkruan se Tole na paska bërë opera në Gërqi! Si shpjegohet që nuk ka organizuar një koncert me këngë popullore të përpunuara në Përmetin e tij, sikurse prof. Aleksandër Peçi me Artistin e Popullit Mentor Xhemali, koncert që mbeti si një brilant i rrallë i gjerdanit të artë të muzikës popullore shqiptare.

Vasil Tole nuk krahasohet as me Mjeshtrin e Madh Bajram Lapi, i cili sensibilizoi botën muzikore shqiptare me ansamblin e Ersekës: “As e vogël, as e madhe”, “Manushaqe prillit në mes të dëborës”, etj, ndërkohë që Vasil Tole nuk la një këngë të përpunuar që t’ia këndojë populli. Tole nuk krahasohert as me Haxhi Dalipin, Nikollaq Bulon dhe Roland Çenen që organizuan ansamblet e bukura popullore të Vlorës, të Fierit, dhe ansamblin “Çerçiz Topulli” të Gjirokastrës. Ato ansamble me muzikë të përpunuar nga gurra popullore, do të mbeten për dekada ushqim shpirtëror për popullin dhe tregues i pasurisë kulturore të kombit.

Sejmeni i Vlorës, e nuhati ndërhyrjen e gabuar të mercenarit Niko ndaj prof. Peçit dhe pasi i kërkoi llogari prof. Peçit “pse je futur në këto organizime” e fton për shëtitje relaksi buzë detit, sepse kultura e tij e “madhe” do ta bind më në fund kompozitorin, të heqi dorë nga denoncimi i “isopolifonisë”!

Si një mercenar klasik, sejmeni i Vlorës përdor dy standarte të kundërta: me Mjeshtrin e Madh Ermir Dizdari, prej të cilit është revoltuar, sepse pohoi në emisionin “Gjurmë Shqiptare”, se nuk kishte dijeni për dosjen e futur në UNESKO, ndonse Tole ka shkruar, se drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Foklorike, ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të UNESCO-s. Mjeshtri i Madh Ermir Dizdri, një jetë në punën krijuese, jashtë e brenda Shqipërisë, duhet të durojë shantazhet e sejmenit të beut me gjuhë rrugaçi në fb: “Ti nuk arrin dot tek Vaso Tole, ai është dhjetra vjet dritë larg nga ti”.

Ermir Dizdari ka dhënë kontribute të mëdhaja në jetën muzikore të vendit, qysh në vitin 1964, por edhe në vlerat morale dhe shpirtërore me thjeshtësinë e tij model. Këtë e vërtetojnë dhjetra shkrime në gazetat e kohës. Skënder Dedja, violisti, pedagogu në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” dhe orkestrant i Orkestrës së Harqeve dhe Simfonike në Durrës, ka shkruar: “Për herë të parë në qytetin e Durrësit është vënë në skenë opera “Bijtë e Skëndërbeut” më 1968. Kariera profesionale e dirigjentit Ermir Dizdari fillon pikërisht me këtë oper. Këtu qëndron momenti i krijimit të orkestrës simfonike me një rreshtim të plotë të sektorëve… Këtë orkestër simfonike, qytetit të Durrësit ia dhuroi me një punë të pa lodhur, me një autoritet dhe disiplinë absolute vetëm një njeri, dirigjenti Ermir Dizdari.” Vasil Tole nuk ka organizuar as orkestër simfonike, as orkestër sazesh.

Prof. Dr. Hysen Matoshi, Drejtor i Institutit Albanologjik Prishtinë, ka shkruar: “Profesor Ermir Dizdari, emër i njohur në fushën e muzikologjisë shqiptare, drejtues institucioneve më të larta profesioniste të trashëgimisë folklorike e muzikore, organizator i festivaleve më të rëndësishme të folklorit në hapësirën tonë kombëtare…Ky vëllim i materialeve lidhur me një fazë të rëndësishme të organizimit të Revistës së Folklorit Burimor Shqiptar të Drenasit përbën një faqe të rëndësishme në historikun e festivaleve tona kombëtare të folklorit burimor shqiptar. Të dhënat e shumta, të prezantuara me kujdes nga prof. Emir Dizdari, janë dëshmi e përpjekjeve dhe arritjeve në fushën e ruajtjes, kultivimit dhe prezantimit të folklorit burimor shqiptar, ndërsa lidhur me periudhën 2002-2014 janë njëra ndër provat më bindëse të funksionimit të hapësirës kulturore shqiptare si një tërësi unike…”. Vasil Tole nuk ka drejtuar as një Festival Kombëtar dhe as lokal të folklorit, si u bë Tole “i vetmi etnomuzikolog”?

Prof. Sami Piraj, ish punonjës i Ministrisë së Kulturës Prishtinë, ka shkruar: “Tashmë, jemi dëshmitarë të botimeve të veçanta për aspektin e rrjedhave të Festivaleve duke filluar nga ai i Revistes se Folklorit në Drenas (Gllogovc), Festivali i Ansambleve në Strugë dhe shumë e shumë botimeve të tjera të cilat tashmë janë në duar të lexuesve. Komunikimi ynë kolegial e kulturorë me prof. Ermir Dizdaron, vazhdon të mbetet ende si një shkëmbim i përvojës së tij, në trajtimin meritor të jetës muzikore, përafrimit të rrjedhave e të ngjarjeve kulturore, vuarjes në skenë të veprave të kompozitorëve botërorë e sidomos atyre shqiptar në kuadër të…”

Sikurse shihet Ermir Dizdari ka disa botime, në të cilat ka përthithur lëndën folklorike burimore të popullit, ndërkohë që akademiku Vasil Tole ende sot nuk e ka një botim me brumin folklorik të popullit tonë. Ka shkruar për sirenat greke dhe kuajt e Akilit, por jo për shpirtin e popullit shqiptar, sikurse ka shkruar dhe e ka konservuar Ermir Dizdari. Në këtë drejtim, është Ermir Dizdari dhjetra vjet dritë lart Vasil Toles.

Dilaver Kryeziu – koreograf Prishtinë: “Është e pa mundur që arti folklorik muzikor, i cili pasqyron realisht folklorin e një kombi {populli}, të mos përmëndet emri i prof. Ermir Dizdarit… Andaj merita dhe kontributi i prof. Dizdarit nuk do të harrohet kurrë”. Ermiri ka marrë pjesë në 89 festivale folklorike në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndërkohë që Vasil Toleka qenë vetëm në Gërqi.

Gëzim Hajdinaga, ish Zv/Ministër dhe Ministër në Ministrinë për Drejtat dhe Avancimin e Pozitës së Pakicave Nacionale si dhe Kryetar i Komunës Ulqin, Mal i Zi, ka shkruar: “Prof. Ermiri ka qenë dhe vazhdonë të jetë edhe urë lidhëse e komunikimit tonë kulturor me shtetin amë Shqiperinë. Për këtë dhe gjithë çka ka ba për ne, gëzon respektin maksimal tonin dhe i jemi mirënjohës për kontributin e tij në drejtim të kulturës dhe identietit tonë”.

 Haki Faslliu, Drejtor i Festivalit « Sharri Këndon », Tetovë, organizator dhe themelues i festivalit « Këngë Jeho », Strugë, ish Drejtor i Qendrës për Kulture Tetovë, Maqedoni e Veriut, ka shkruar:  « Ermir Dizdari është Asset Kombëtar i kulturës. Sot ndihem i privilegjuar që e kam mik, bashkëveprimtar e shok si Ermiri… » Si ndodh që larot e beut goditin asetet tona kombëtare, për të lehtësuar gjëmën që ka bërë Vasil Tole ndaj Polifonisë Popullore Shqiptare ? Çfarë kënaqësie kanë këta sejmenë të zvogëlojnë personalitet e kulturës kombëtare për llogari të agait të tyre?

Në postimin e Nikos kishte edhe gër-mëre, si të atyre urithëve, si dikur që gërmonin për biografitë. Aty shkruhet se një syzaxhi, na paskish qenë tre herë i thirrur në gjykatë për shitje të veprave të artit tek gjitonët. Mercenari besnik Niko Mihali, kërkon të balancojë shitjen e polifonisë shqiptare tek grekët nga ana e Toles me autorin e këtij shkrimi, i cili ka qenë i thirrur një herë në gjykatë, për të dëshmuar për shokun e tij kooreograf, Robert lani, i akuzuar se kishte vënë për veteranët e qytetit filmin për Enver Hoxhën. Më duhej të pohoja të vërtetën, se isha unë që e kisha vënë filmin dhe miku im mori pafajësinë. Dy herë të tjera jam thirrur në Komisariat për arsye politike, njëra prej të cilës më kushtojë 8 ditë burg dhe të rrahura barbarësh, sepse së bashku me mjekun Laver Stroka kishim botuar në Zvicër librin « Përballë falsifikatorëve të Historisë », një polemikë me Presidentin Sali Berisha dhe kryeballistin Uran Butka. Në burg kam qenë me mjekun Stroka dhe gjashtë nxënës të shkollës 8-vjeçare, të akuzuar se shprndanin fotografitë e Enverit që ua jipte Fitim Çaushi. Miku i Vasil Toles, gazetari Ëngjëll Serjani, e ka dokumentuar këtë fakt në gazetë tre ditë pasi dolëm nga burgu në 21 prill 1995.

Njëri prej fëmijëve, i tmerruar nga kushtet në qeli, iu bë gjaku ujë, sikurse u shpreh familja, dhe ndëroi jetë pak kohë pasi dolëm nga burgu. E dhashë këtë hollësi për të provuar, se sa të degraduar shpirtërisht dhe sa ligësi të pafund kanë mercenarët e akademikut Vasil Tole. Ne jemi të ndërgjegjshëm, se forca madhore do t’ia fshehin Vasil Toles persekutimin që i ka bërë Polifonisë Shqiptare, por ai ka mbetur i xhveshur nga dinjiteti i tij, pavarësisht se ai dhe sejmenët e tij do të fërkojnë duart, do të mbeten të gëzuar që e mposhtën Shoqatën “Labëria” dhe kulturën popullore kombëtare e sakatuan.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu