Eshref Ymeri
(Servilizmi është një zeje që fitohet pa vështirësi)
Sándor Petőfi
Disa muaj më parë, hasa në internet në një emision të Rudina Xhungës, të transmetuar në “Dritare TV – Youtube, (19. 10. 2022)”. Ajo kishte ftuar në studio ish-ambasadorin në Paris, Luan Rama. Emisionin Rudina e hapi me prezantimin në vijim, në të cilin u shfaq si një lajkatare e rangut më të lartë:
“Mirëmbrëma! Mirë se keni ardhur në “Shqip”, në “Dritare TV”. Do t’ju prezantoj me një njeri që e dua fort, e dua shumë dhe jam e sigurt që kushdo që e shikon e do, Luan Ramën, për shkak se është i mirë, për shkak se është profesional, për shkak se është njeri i jashtëzakonshëm, shkrimtar, e kam shkruar në titra, por je ambasador, je gjithmonë ambasador, je, je treguesi, ciceroni më i mirë i Parisit. Po t’i tregosh dikujt ti Parisin, ai e do për jetë”…
Në atë emision, Rudina i paskej vënë vetes si qëllim që të hidhte dritë mbi një të shkuar të largët nga jeta e Edi Ramës në Paris. Kjo për arsye se në opinionin publik kanë pasë qarkulluar fjalë jo të mira për mënyrën se si ai e ka shtyrë kohën, si emigrant në Francë, në vitet e para të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit që kaloi. Dhe gjetja më e goditur e Rudinës për hedhjen poshtë të atyre fjalëve jo të mira, duhej të ishte intervista pikërisht me një njeri të tillë, i cili ka jetuar gjatë në Paris dhe që atje ka pasë qenë njohur nga afër me Edi Ramën. Prandaj kandidatura më e mirë për realizimin e këtij qëllimi, domosdo që ishte Luan Rama, i cili ka jetuar 31 vite në Paris, fillimisht si ambasador i vendit tonë. Koha kaq e gjatë që Luan Rama ka jetuar në Paris, dëshmon më së mirë se ai ka pasë hyrë mirë në indin e jetës franceze dhe, si askush tjetër nga shqiptarët, është në gjendje të japë çdo lloj informacioni, vetëm të saktë, për këdo dhe për gjithçka që ndodh në Paris, deri në imtësitë më të vogla.
Në vijim po iu përcjell lexuesve bashkëbisedimin e Rudinës me Luan Ramën:
– Ti je njeri diskret, nuk të pëlqen të flasësh dhe të tregosh, edhe pse ti i ke parë të gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni, për të mos folë për Nano, Berisha, Rama. Ramën e ke njohur në Paris, kur ishte, kur jetonte atje, jashtë politikës?
– Po, po, e kam njohur, kemi ndenjur bashkë, shikoja ekspozitat e tij, kam qenë në ekspozitat e tij, madje dhe kam shkruar.
– Ka pasur ekspozitë në atë kohë në Paris?
– Po, po.
– Sepse, e di si është krijuar ideja? Rama jetonte në këmbët e një ure, kështu mendojnë njerëzit.
– Po jo. Këto janë imagjinata. Ai ka hapur ekspozita në vende interesante, në një qendër mjaft interesante, ku ishte shtëpia e Viktor Hygoit… ishte një ekspozitë shumë e mirë. Unë bëra një shkrim atëherë, nuk e di, mbase te “Koha Jonë”… Ai ishte i interesuar me jetën intelektuale, kishte kontakte, ishte një njeri me një vizion perëndimor…” (Citohet sipas: “Ju tregoj cili qe Rama, emigrant në Paris! | Shqip nga Rudina Xhunga”. 19 tetor 2022).
Pra, me mënyrën se si Rudina e shtronte pyetjen e parë, mundohej të krijonte bindjen te teleshikuesit se ajo “nuk kishte si qëllim” të sqaronte se me çfarë është marrë Edi Rama në Paris. Ajo thjesht, ashtu kot, i tha Luan Ramës “ti i ke parë të gjitha, që nga Miterani, Shiraku, Zhospeni, për të mos folë për Nano, Berisha, Rama”. Dhe meqë, “fare rastësisht”, përmendi në fund Ramën-emigrant, po “fare rastësisht, pa kurrfarë qëllimi”, Luanit i drejtoi pyetjen “Ramën e ke njohur në Paris, kur ishte, kur jetonte atje, jashtë politikës?”.
Nga përgjigjja e Luanit (i cili e di shumë mirë se ku e ka furrikun edhe çdo pulë franceze), rezultoi se Edi Rama në Paris qenka marrë me punë krijuese, si një piktor i talentuar, i cili paska pasur “studio të posaçme” për krijimin e pikturave dhe “vende interesante” për organizimin e ekspozitave të atyre pikturave. Veç kësaj, Edi Rama, sipas Luanit, “ishte i interesuar me jetën intelektuale, kishte kontakte, ishte një njeri me një vizion perëndimor…”.
Pikërisht “fakte të tilla” i interesonin Rudinës për jetën e Edi Ramës, si emigrant në Paris, “fakte”, të cilat, përmes “Dritares” së servilizmit të saj, i bëheshin të njohura publikut jo nga dokushdo, por nga një inteletual me paha të madhe, nga një ambasador, “i shartuar” në qytetar francez, që di të thotë “vetëm të vërtetën”. Sepse në këtë mënyrë “hidheshin poshtë përfundimisht” llafet e “gojëve të këqija” për bëmat “e mira” të Ramës në Paris.
Dihet botërisht që gazetaria është profesion shumë i vështirë. Sepse gazetari duhet të respektojë etikën e profesionit të vet. Shtrohet pyetja: ç’përfaqëson etika e gazetarisë ose e gazetarit? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është fare e thjeshtë: është e pamundur të merresh me gazetari, kur nuk je në gjendje ta ndiesh “aromën” e së vërtetës. Pra, nëse gazetari ka për qëllim të rrëfejë për një ngjarje të caktuar, për disa fakte konkrete, se çfarë ndodh në shoqëri, në politikë, ai duhet të ndjekë vetëm hullinë e versionit të vërtetë për çka rrëfen. Në të kundërt, ai, në rolin e një servili të pështirë, i shërben vetëm një agai të caktuar për “ylefenë” që i paguan. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse gazetari servil mundohet me të gjitha mënyrat të fitojë simpatinë e atij që ka pushtet.
Rudina nuk mund të mos e dijë që Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së ish-kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë Edi Ramës:
“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
Sikur Rudina të ishte gazetare me integritet profesional, ajo, për të nxjerrë në dritë të vërtetën rreth bëmave faktike të emigrantit Rama në Paris, duhej të shfrytëzonte jo vetëm rrëfimet e Luan Ramës, por edhe rrëfime për të tjera fakte, për të cilat me siguri që është në dijeni. Sepse lind pyetja: pse nuk e ka ftuar në studio për intervistë liderin historik të partisë socialiste, Fatos Nano, i cili ka deklaruar publikisht, me zë dhe me figurë:
“Edi Rama ka një problem moral, e kam marrë si refugjat me thonj të paprerë nga Parisi dhe e kam bërë pjesë të ekipeve tona. Unë mund të kem bërë shumë gjëra, por e nxora nga bataku i fyerjeve. Nga refugjat dhe shitës i ikonave të vjedhura, në ministër dhe në kryetar të bashkisë më të madhe në Shqipëri” (Citohet sipas:“Video / Berisha rikujton deklaratat e Nanos: Ramën e solla nga Parisi me thonj të paprerë”. Faqja e internetit “Bold News”. 27 shtator 2022).
Rudina është plotësisht në dijeni për të vërtetën që ka rrëfyer publikisht për Edi Ramën edhe qytetari korçar Gjergji Thimo, sidomos për informacionin që ai dha më 30 qershor 2020 në studion e televizionit “Syri”, ku ishte i ftuar nga gazetari Adi Krasta. Edhe këtë qytetar Rudina nuk e ka ftuar në sudio. Në atë studio ai deklaroi se kishte refuzuar që t’i jepte Ramës pikturën origjinale të Onufrit, të cilën ky donte t’ia bënte dhuratë këshilltarit të tij, ish-kryeministrit britanik, Toni Bler (Anthony Blair). Në atë studio, Gjergji Thimo deklaroi:
“Pas refuzimit tim për t’i dhënë pikturën që e kisha trashëgimi personale, u ngritën akuzat ndaj meje. Kërkoj drejtësi, sepse nuk jam trafikant. 2300 objekte mungojnë nga muzeu personal”.
Për teleshikuesit ishte befasues njoftimi në vijim i Gjergji Thimos për Ramën, si ish-i burgosur në Paris:
“Numri i Ramës, i burgosur në Paris është: AL.1961138/a”.
Pra, Rudina i ka këtu në Shqipëri Fatos Nanon dhe Gjergji Thimon, por s’ka dashur t’i ftojë për intervistë. Sigurisht, sepse, sipas saj, tagrin e “së vërtetës” për burgarin Edi Fama në Paris, e paska vetëm Luan Rama!!! Por ama Rudina nuk ka përtuar “të bëjë një udhëtim të gjatë” prej mijëra kilometrash, deri në skajin perëndimor të Kanadasë, në qytetin Vankuver (Vancouver), për të peshkuar një fshatar, emigrant nga Tropoja, me qëllim që të sulmonte Profesor Sali Berishën në emisionin e saj të 26 dhjetorit 2022. Rudina nuk mund të mos e bënte atë “udhëtim”, sepse zeja e servilizmit ndaj Edi Ramës nuk e linte të qetë orë e çast. A mund të imagjinohet që Rudina ta linte veten jashtë kopesë së servilëve të Edi Ramës, i cili, së bashku me Sorosin dhe Mcgonigalin, është kryeregjisori i komedisë karagjoze për shpalljen e Profesor Sali Berishës “person i padëshirueshëm” në Shtetet e Bashkuara, paçka se Profesori kishte 8 vjet që ishte larguar nga drejtimi i politikës?
Rudinës i shkëlqente fytyra kur Luan Rama deklaronte në studio se Edi Rama në Paris “ishte një njeri me një vizion perëndimor”!!! Se pikërisht vizioni “perëndimor” i Edi Ramës është ai që “ka ndikuar aq shumë” në psikologjinë e shqiptarëve të brezit të ri dhe të mesëm për ta braktisur vendin dhe për t’u armatosur në Perëndim pikërisht me një vizion të tillë. Pra, kjo braktisje katastrofike e vendit “nuk bëhet” për t’i shpëtuar lakut të varfërisë që Edi Rama ua ka hedhur shqiptarëve në qafë gjatë këtyre gati dhjetë vjetëve të fundit të sundimit të tij. Jo, bëhet “vetëm” për t’u armatosur me atë vizion, për të cilin Luan Rama “i sqaroi mirë” bashkatdhetarët e vet në studion e Rudinës.
Një servileje të formatit të veçantë ndaj Edi Ramës, si puna e Rudinës, nuk i bën absolutisht përshtypje një e vërtetë tragjike për fshatin Shishtavec. Në një informacion, të botuar në internet, thuhet:
“Fshati është thuajse i boshatisur. Sipas censusit të vitit 2011, Shishtaveci ishte një ndër zonat më të populluara të qarkut të Kukësit, me një popullsi prej rreth 3800 banorë. Tani atje kanë mbetur vetëm të moshuar që jetojnë të vetmuar”. Citohet sipas: “Shqipëria po shpopullohet”. Faqja e internetit “Tetova News”. 09 korrik 2022).
E, pra, në vitin 2011 kryeministër nuk ishte Edi Rama, të cilit Rudina i serviloset, ashtu si edhe kopeja e gazetarëve servilë, pa dinjitet profesional. Asokohe kryeministër ishte Profesor Sali Berisha, që, siç u theksua më lart, për ta sulmuar, Rudina s’përton “të shkojë aq larg”, deri në Vankuver të Kanadasë.
Si shpjegohet që Rudina, si një gazetare me stazh të gjatë, nuk është shqetësuar fare për përgatitjen e një emisioni të posaçëm, për t’iu përgjigjur pyetjes që ka shtruar tani së fundi EUbserver: Pse 83 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria? Një pyetje kjo që shërben si titull i materialit, që është botuar në faqen e internetit “indeksonline” të datës 31 mars 2023. Rudina s’mund ta përgatitë një emision të tillë, se nuk e lejon servilizmi i saj të prekë sinoret e strategjisë së Edi Ramës për shpopullimin e pandalshëm të vendit tonë, çka është në përputhje të plotë me Megalidenë greke dhe me Naçertanien serbe të vitit 1844. Por Rudina përgatit me qejf të madh emisione për të sulmuar Profesor Sali Berishën, gjatë qeverisjes së të cilit as që mendohej ndonjëherë se mund të shtrohej pyetja e mësipërme e EUbserver-it.
Kaliforni, 18 prill 2023