Nga: Behlul Jashari , Prishtinë
-Çka thuhet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 e të 25 gushtit 2015 dhe çka thuhet për marrëveshjen për Asociacionin… në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015?/
PRISHTINË, 19 Prill 2023/ Para 10 viteve, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia - kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga atëherë krerët e dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohej nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja” theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre.
Dhjetë vjet pas Marrëveshjes së parë, ende nuk dihet kur do formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po, në Kosovën e pavarur edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para 15 viteve e zhvilluar më tej.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 – vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, të njohur deri tash nga 117 shtete anëtare të OKB-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
PËRMBAJTJA E TEKSTIT TË MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI, TË PARAFUAR NË 19 PRILL 2013:
1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.
2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.
7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.
9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.
10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.
11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.
12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.
13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.
15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.
DIALOGU KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL KA NISUR PARA 12 VITEVE
Para 12 viteve fillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.
“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.
Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dialogun me Serbinë, raportoja para 12 viteve, në 10 Mars 2011 për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa në Bruksel në 8 Mars dialogu kishte filluar dhe ishte mbajtur takimi i parë dyditësh i bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike. Në raportim theksoja se, “Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel”.
Ky ishte raportimi i plotë:
Kuvendi i Kosovës, në seancën plenare, miratoi me shumicë votash – 63 pro, 48 kundër e 1 abstenim, një rezolutë për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike.
Rezoluta nuk u lexua në seancë me arsyetimin se atë e kishin deputetët, por siç u tha nga përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, ajo “do t’i japë Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, përcjellë, rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojë sqarime në Parlament”.
Kuvendi i Kosovës zhvilloi të hënën debatin parlamentar, sipas kërkesës së Qeverisë, lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike, dhe në përmbyllje vendosi me shumicë votash që në seancën e sotme të nxjerrë në votim rezolutën lidhur me këtë.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në seancën e kaluar të Kuvendit, pat paralajmruar hartimin e një dokumenti-rezolute nga përfaqësuesit e grupeve parlementare, bazuar në dy draftrezolutat e paraqitura nga partia në pushtet PDK dhe ajo opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe në fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi para deputetëve, e cila përcaktonte edhe vijat e kuqe se çfarë mund të bisedohet e çfarë jo, si dhe në debatin e zhvilluar në seancë, ku kishte pikëpamje të ndryshme.
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Adem Grabovci, tha sot në seancën e Kuvendit se “kemi bërë përpjekjeje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ky dokument të jetë i përbashkët, por grupet e opozitës, AAK, LDK dhe Vetëvendosje nuk e panë të udhës të nënshkruajnë këtë dokument”.
Mësohet se shefat e grupeve parlamentare nuk kishin arritur t’i harmonizojnë qëndrimet për të paraqitur para deputetëve një rezolutë të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin paralajmëruar se do ta votojnë projektrezolutën për bisedime, nëse përfshihen edhe qëndrimet e tyre. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e cila është kundër bisedimeve me Serbinë pa i plotësuar ajo disa kushte, kishte paralajmëruar se do të votojë kundër rezolutës.
Edhe sot në “deklarime jashtë rendit të ditës” u prezantuan qëndrime të ndryshme rreth dialogut nga deputetë të pozitës dhe opozitës.
Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel. Burimet thonë se janë përafruar qëndrimet rreth kadastrave, regjistrit civil dhe trafikut ajror dhe se ka dallime të mëdha rreth vulave të Doganave të Kosovës.