ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze:  MARIA – NËNA E KISHËS

Shkrime relevante

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Arbër Gashi mbrojtës i identitetit kombëtar, luftëtar i vendosur i islamizimit të kombit !

Luan Dibrani, Gjermani  Arbër Gashi është një figurë e njohur dhe aktivist...

Halil Geci ia përkujton Kryeministrit Kurti se ende nuk e ka pranuar në takim për të biseduar rreth “Komunikatës 59”

Halil Geci, Skenderaj Kërkesë për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Datë:...

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët

Prishtinë, 18 nëntor 2024  Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

Grua, qe, yt bir!” Mandej i tha nxënësit: “Qe, nëna jote!” (Gjn 19, 25-26)                                                                             

“Zoti e ka vendosur mbarë botën në duar të Marisë.” (Nëna Tereze)

Virgjëra Mari, pasi që është Nëna e Krishtit, Birit të Hyjit, është thellësisht e lidhur jo vetëm me Zotin, por edhe me mbarë botën, nëpërmjet  jetës dhe veprës së shëlbimit, Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit.

Ky mision i Krishtit ndërlidhet ngushtë edhe me Marinë, sepse ajo kishte marrë pjesë në veprën e shëlbimit me besnikëri, duke e ndjekur Biri deri në kryq.

“Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria Kleopait edhe Maria Magdalenë. Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësit që donte, i tha nënës: “Grua, qe, yt bir!”. Mandej i tha nxënësit: “Qe, nëna jote!” Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.” (Gjn 19, 25-27)

Dy personalitete: Maria dhe Gjoni në një anë, nën kryqin e Krishtit të kryqëzuar. Jezusi, edhe në këto çaste dramatike mendoi në Nënën Mari, nëpërmjet saj dhe Gjonit -, në të gjithë ne, duke na dhuruar më të çmueshmen – Virgjërën Mari të gjithë neve për Nënë.

 Nxënësi i dashur është përfaqësues i njerëzimit, botës, të gjithë neve, mbi të gjitha Kishës.

Papa Shën Pali VI, duke medituar mbi këtë pjesë ungjillore, tha: “Maria aty dhe në atë rast qe shpallur jo vetëm Nëna e Gjonit – por më lejoni ta them – e gjinisë njerëzore nga ai në një mënyrë e përfaqësuar.” 

Kisha vazhdimisht “lindë” bijë dhe bija nëpërmjet pagëzimit, duke krijuar kështu bashkësinë e nxënësve të Jezusit, ndërsa Virgjëra Mari ka një amësi të vërtetë shpirtërore për të gjithë ne, siç e pohon edhe “Marialis cultus” e Palit VI: “Në pagëzim Kisha e zgjatë amësinë virgjërore të Marisë.” (MC 19)  

Papa Piu IX thotë: “Nëna e Hyjit është edhe Nëna jonë, Nëna tejet e dashur prej të gjithë neve. Ajo ka një zemër amësore për ne dhe kujdeset për çdo veprim tonë, si dhe për mbarë njerëzimin.”     

Papa Luani XIII thotë: “Siç e thërrasim Hyjin Atë, kështu kemi të drejtë ta thërrasim dhe kemi Marinë për Nënë”.   

Papa Piu XI shkruan: “Ti je nëna e të gjithëve… nën kryq që shpallur Nëna e mbarë njerëzimit.”

Koncili Dytë i Vatikanit, në veçanti LG 8, ka tri theksime mbi Marinë: “Virgjëra Mari është Nëna e njerëzve” (nr. 60), “për planin e shëlbimit” (nr. 61), dhe “gjithmonë ndërmjetëson për ne.” (nr. 62)

Papa Shën Pali VI thoshte: “Maria është Nëna e Kishës, e mbarë popullit të Zotit, si e besimtarëve, ashtu edhe e barinjve, që e thërrasin Nëna tejet e dashur; duam që tash e tutje me këtë titull tejet të ëmbël Virgjëra Mari të nderohet edhe më shumë dhe të lutet nga mbarë populli i krishterë.”

Papa Shën Gjon Pali II thotë: “Amësia e re e Virgjërës Mari, e cila lind nga feja, dhe është fryti i “dashurisë së re”, që lindi nën kryq, me pjesëmarrje dashurie në veprën shpërblimtare  të Birit të saj.”(RM 24)

Kjo amësi e Virgjërës Mari është e re dhe shpirtërore, mbinatyrore dhe është në lidhje me fenë tonë. Veçoria e kësaj amësie është në lidhje të ngushtë  me Jezusin dhe Marinë, për tërë jetën e tyre, sidomos nën kryq (khs. Gjn 19, 25- 27).

Roli amësor i Marisë është shumë i rëndësishëm, aktiv, frytdhënës, do të them është një shërbim – dërgim për të na ndihmuar që të jetojmë me Jezusin. Ajo, siç ishte gjithnjë me Jezusin, afër Jezusit, me apostujt  dhe me Kishën e parë, “me ndërhyrjen e vet të shumëfishtë vazhdon t’i fitojë për ne dhuratat që na sigurojnë shpëtimin tonë të amshuar.” (LG 62)

Për ta pasur Virgjërën Mari Nënë dhe ndihmëtare, duhet ta pranojmë dhe jetësojmë si të tillë. Gjestin e parë, në emër të saj, por edhe në emër tonë, e bëri Gjoni, i cili, e “mori me vete.” (Gjn 19, 27), që domethënë – pranim me zemër dhe mend, me fe dhe dashuri, siç e ka pranuar ajo Jezusin, pastaj në “shkëmbim” edhe Gjonin, dhe së fundi, të gjithë ne. Ajo, mund të na ndihmojë në bashkëpunim me Zotin dhe në formimin tonë fetar dhe shpirtëror.

Marrëdhënia nënë – bir, apo bijë është dashuri, si e vetmja mundësi, nevojë, siguri për rritje dhe pjekuri të ndërsjellët, mbi të gjitha të birit apo bijës.

Virgjëra Mari nuk do asgjë tjetër prej nesh përpos asaj çka bëri ajo, zbatimi i vullnetit të Zotit: duhet ta duam dhe imitojmë si Nënën tonë të vërtetë të fesë, Duke u nisur nga kjo përvojë, Papa Shën Gjoni XXIII thotë: “Kam mësuar Të dua si të tillë kështu që Të thërras çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje.”

Duke e dashur Marinë, mund deri diku ta kuptojmë dhe imitojmë, të jemi bijtë e saj shpirtëror. Amësia e Marisë na ndihmon që të zbulojmë kuptimin, vlerën dhe mundësinë e bijësisë tonë, duke u angazhuar në jetën e krishterë. Të veprojmë si bijë, nuk domethënë vetëm ta njohim Marinë si Nënë, por ta njohim edhe njëri-tjetrin si bir dhe vëlla, sepse me Marinë, jemi dyfishë vëllezër dhe motra: të Krishtit dhe të njëri-tjetrit.

Kështu jeta është më e bukur, qielli është më i afërt, vështirësitë dhe dhembjet më të lehta, sepse me ne është gjithmonë Zoti, Virgjëra Mari, Nëna e Hyjit dhe Nëna jonë.

Maria nuk mund të pranohet dhe duhet, pa e pranuar dhe dashur Kishën, e cila, na drejton kah ajo, na përkrahë, ndihmon për ta njohur, jetuar, dëshmuar Jezusin, Shëlbuesin tonë, Marinë Nënën e Krishtit dhe Nënën tonë.

“Maria, nën drejtimin e Birit të vet, ka pushtetin absolut për ndarjen e hireve, ndikon dhe ndihmon rilindjen tonë shpirtërore. Ajo vazhdon të jetë Nëna jonë, duke e ruajtur jetën e saj në ne… Për këtë arsye kërkon prej Jezusit që të na ndihmojë në personalizimin më të mirë të dashurisë sonë ndaj Marisë:

·        Për të dashur, ashtu si do Ai;

·        Për të qenë fryt gëzimi, ashtu si është Ai;

·        Për të qenë më afër Asaj, si është Ai;

·        Për të ndarë të gjitha me Të, edhe kryqin, si shenjë e përkatësisë me Krishtin…

T’ia japim lirinë e plotë Virgjërës Mari, që të shërbehet me ne, ashtu si Zoti ishte shërbye me Virgjërën Nënë. Kështu, do të zbatohet motoja gjithmonë aktuale: Nëpërmjet Marisë te Jezusi!” (Nëna Tereze)

Prishtinë, 19 prill 2023 – Radio Maria – Kosovë 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu