ARKIVI:
19 Nëntor 2024

“Rruazat” për protesta paqësore, befasia ime dhe këshilla e paharrueshme nga poeti i vrarë Latif Berisha, kryetari i LDK-së së Mitrovicës

Shkrime relevante

Shpërndaj

Nga: Afrim Musliu, Suedi
____
“Është rrezik kur religjioni fillon të bëhet politikë”, pati thënë Ibrahim Rugova Në vitin 1991, atëherë kur ai si President dhe LDK-ja bënin thirrje që të mos dilet më në demostrata sepse po shkaktohen shumë viktima të të rinjëve shqiptarë dhe se revolta jonë do të kthehej në një revoltë paqësore, disa individë, myslimanë të rikomponuar e me mjekrra pa mustaqe që atë vit filluan të duken nëpër rrugë çdo ditë më shumë e më shumë, dilnin nëpër qytet (Mitrovicë) dhe shpërndanin tespihë* të shkurtër të rinjëve shqiptarë.
(*Tespihë janë do rruza të futura në pejë)
Dy nga të tillët erdhën edhe tek unë që isha ulur në një shesh të ri “te sahati” me dy shokë të mi. Njërin nga mjekrroshat e njihja, por tjetrin jo. Na dhanë edhe neve tespihë dhe na thanë: “tani do të ketë protesta paqësore. Andaj, merrni këto e kah të ecni nëpër qytet i mbani tespihtë në dorë, sidomos para policëve serb, sepse do të protestojmē qetë në këtë mënyrë”. Unë, bile, pasi që i mora disa me ngjyrë mes të kaltërt dhe turkozë, apo siç ne në Mitrovicë i thonim “ngjyrë e magjupëve”, bëja shaka me duon myslimanë të rikomponuar e i’u thoja, “a me i mbajtë në dorë edhe kur shkojmë në kafiqa e pijmë birra apo vodka-xhus? (vodka-xhus ishte pije e popullarizuar atëherë tek ne rinia)
Të nesërmen, pasi që isha anëtar dhe i angazhuar si aktiv në LDK, shkova tek kryetari, Prof. Dr. Latif Berisha, shpirti dritë i bëftë, dhe e pyes se a ishte në dijeni për ato tespihë që shpërndaheshin tek rinia nëpër rrugë?!
Ai, pasi me shqetësim të madh më pyeti se kush ishin ata dhe si shpërndaheshin ato tespihë, mi mori ato nga dora e i hedhi në një shportë dhe më tha:
“Një zot e di se kush i ka shtyer ata të shpërndajnë këso gjëra lirshëm e pa i ngucë askush nga forcat policore. Tregoju të gjithëve kënd e njeh e le të shpërndahet tek të gjithë, që të mos bien pre e kësaj rryme e le t’i hedhin këto ‘hamom’, sepse ne nuk po bëjmë revolucion islamik, mbase nuk jemi në Iran, por qëllimi ynë është liria dhe pavarësia e Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Ky ishte një tregim për një rast i nxjerrur nga memoaret e mia, me të cilën dua të krahasoj klasën politike dhe intelektualët e asajë kohe, me këtë të sotmen. Apo, ndoshta edhe nuk mund të krahasohen fare. Të rikujtojmë, se Presidenti Rugova kurrë nuk ka shtru iftare e as nuk e ka vizitu ndonjë bashkësi fetare për me i uru festat fetare.
Çdoherë i ka uruar festat nga Rezidenca e tij sikurse i ka hije çdo burrështetasi në një vend laik euro-perëndimorë. Asnjëherë nuk ka dashtë që politika dhe religjioni të përzihen me njëra-tjetrën.
Madje, e ka lënë një citat të njohur lidhur me këtë, ku thotë: “Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë”.
Sot e disa vite mbrapa, krerët e institucioneve dhe të partive politike në Kosovë shtuhen e ngatërrohen me njëri-tjetrin, duke u shtyrë se cila të mbërrijë e para që të shtrojë iftare dhe ta vizitojë BIK-un dhe krye-BIK-un. Madje, edhe gjatë kohës së pandemisë, e cila mori qindra – mijëra jetëra e ishte e izoluar dhe totalisht e mbyllur një botë e tërë, edhe atëherë qeveria e Kosovës koketonte me kreun e BIK-ut, para të cilit u gjunjëzua dhe e la atë të vendosë se a të falej festa e  Bajramit nëpër xhamia, apo jo.
Pra, krahas rrezikut të shëndetit publik dhe rekomandimeve të institucionit shtetërorë të shëndetit.
Fjala e shtetit nuk vleu, por e fundit vleu ajo e kreut të BIK-ut, Naim Tërnava!
Klasa e sotme politike e Kosovës vetë është kah e lejon religjionin të bëhet politikë. Klasa e sotme politike e Kosovës, për një grusht vota është gjunjëzyar para islamit politik. Klasa e sotme politike me vetëdije tē plotë është duke e dërguar në humnerë vendin dhe qytetarët e saj.
“Është rrezik kur religjioni fillon të bëhet politikë”. I. Rugova

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu