ARKIVI:
16 Tetor 2024

Një dokument i brisht i gyqësorit serb për krime lufte ndaj shqiptarëve

Shkrime relevante

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Luftë vëllavrasëse ndërshqiptare nuk mund të ndodhë, se ne e kemi në pushtet “Esat Pashë Toptanin!”

Pamje nga perurimi i xhamisë turkomadhe të Namazgjasë në Tiranë, ku...

Simbolika e numrit shtatë (7) në kulturën tonë popullore dhe te popujt me qytetërim të lashtë

Qazim Namani, studjues, Prishtinë ___ Këto ditë me erdhi një foto nga miku...

35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: Anë e mbanë botës demokracia është në rrezik!

Nga: Frank Shkreli Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)...

Shpërndaj

Nga: Feti Tunuzliu, Mitrovicë

Në vazhdën e përbuzjeve të thella të gjyqësorit serb para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë (1999) kur viktimizoheshin shqiptarët për liri dhe drejtësi, s’do mend se zë vend edhe një dokument original dhe burimor i natyrës hetimore që i atribuuohet këqyrjes, përkatësisht vendit të ngjarjes për një krim të rëndë lufte.

Ç’është e vërteta, është paradoksale se si për një ngjarje të tillë të tmerrshme me  primesa krimesh lufte, më 17 maj 1999 hartohet “Shënimi zyrtar” prej një faqeje me shenjën Kri. nr. 99/99 dhe autorësi të gjyqtarit hetues të ish-Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Bllagoje Miletiq. Pikërisht këtë të palarë të gjyqësisë serbe do mëtojmë ta sjellim në shesh me rreshtat që pasojnë.

Në fakt, sipas këtij Shënimi zyrtar shkas për hartimin e tij ishte “gjetja e dy kufomave të gjinisë mashkullore” në rrugën “Karagjorgjeva”, mu pranë restaurantit “Mali raj”, në Mitrovicë (tani: Mitrovica e veriut), ku nuk paragjykohej as vrasja as vrasësi.

Mirëpo, çuditërisht, i njejti gjyqtar hetues i regjimit kriminal serbo-jugosllav nuk kishte vepruar njejtë edhe një ditë më parë, më 16 maj 1999 teksa po përpilonte një tjetër Shënim zyrtar gjatë këqyrjes në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, në Zhabar. E në thelb të këtij Shënimi zyrtar, janë paragjykimet e tij me çka bie ndesh me mandatin e tij ligjor sepse vetëkuptohet që bëhet fjalë për shpërdorim të detyrës zyrtare. Në fakt, ai kishte paragjykimin jo vetëm për aktin e vdekjes duke konstatuar se ka dalë në vendngjarje “me rastin e vrasjes së Markoviq Bazhidarka” (!) por kishte paragjykimin edhe për dorasin duke konstatuar se vrasja qenka kryer “nga ana e seperatistëve dhe terroristëve shqiptarë” (!), përkatësisht ”nga ana e seperatistëve dhe nacionalistëve shqiptarë” (!).

Pretendoj fuqishëm se me togfjalëshin Shënim zyrtar – gjyqtari hetues kishte në vëmendje synimin për relativizimin e ngjarjes tragjike teksa po menaxhonte ekipin hetimor. Ndryshe, ky togfjalësh buronte nga praktika gjyqësore dhe përdorej varësisht nga bindjet dhe interpretimet e gjyqtarëve në raste të caktuara. Nuk buronte nga fjalori i legjislacionit jugosllav proceduralo-penal. Aty përdorej termi Procesverbal – jo togfjalëshi: Shënim zyrtar. Apsolutisht jo. E me këtë përplasje terminologjike, konfirmohej bindshëm fakti se gjyqtari hetues as ligjet e veta nuk po i respektonte.

Në fakt, nocioni Procesverbal në kuadrin ligjor të cituar jugosllav përdorej strikt për veprimet e ndërmarra gjatë apo menjëherë pas procedurës penale, siç ishin: Procesverbali i kontrollit të personit dhe banesës; Procesverbali i këshillimit dhe votimit; Procesverbali i shqyrtimit kryesor, etj. Me shkronja ligjore procedurale-penale parashihej shprehimisht  që Procesverbalet të shpërfaqnin: subjektin që realizon veprim konkret procedural, vendin ku kryhej veprimi i tillë, dita dhe ora e fillimit dhe mbarimit të veprimit, emrat e përvetshëm të të pranishëmve, cilësitë zyrtare të tyre, informatat thelbësore për rrjedhën e veprimeve të ndërmarra atypëraty, gjësendet e marra, të dhënën se ato do jenë pjesë përbërëse të Procesaverbalit, nënshkruesit e Procesverbalit, etj.

E kur bëhej fjalë specifikisht për këqyrjen e vendit të ngjarjes dispozitat procedurale penale parashihnin që si mjet provues kryer nga organi procedues, këqyrja të realizohet kur kërkohet të vërejturit e drejtpërdrejt për vërtetimin e ndonjë fakti të rëndësishëm  apo  për sqarimin e tij gjatë procesit penal. 

Ndërkaq, në kuptimin  taktiko-kriminalistik, Procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes paraqet dokumentin krucial i cili reflekton rezultatet e vendngjarjes duke i fiksuar gjurmët dhe provat. Në këtë kuptim, Procesverbali i vendit të ngjarjes ka këto tri pjesë: E para – Pjesa hyrëse (ku përshkruhet zyrtari që drejton këqyrjen, koha e fillimit të këqyrjes, vendi, pjesëmarrësit, kushtet e lokacionit (nëse ka qenë vend i hapur edhe kushtet meteorologjike) dhe intervali kohor mes veprës së kryer dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes; E dyta – Pjesa përshkruese (ku shënohen në mënyrë të plotë, të qartë dhe objektive vetitë e përgjithshme të vendit  të ngjarjes, gjendja  dhe objektet e vendit të ngjarjes, shenjat  e përgjithshme dhe konkrete, masat, madhësitë, largësitë, tragjet bazuar në një pikë statike matjeje, duke përdorur gjuhë  të drejtë e fjalë kuptimplote, pa sinonime, pa versione eventuale konkluzash apo mendimesh); E treta – Pjesa përfundimtare, (ku tregohet koha e mbarimit  të këqyrjes, sendet, gjurmët e marra, fotografimi, kino e video regjistrimi, marrja e gjurmëve  të duarëve me gjurmëkopjues, marrja e gjurmëve të këmbëve, koha e përfundimit të këqyrjes. Fare në fund, Procesverbali nënshkruhet  nga anëtarët e grupit hetimor.

Kësisoj, Procesverbali i këqyrjes do cilësohej provë e drejtpërdrejt dhe e besueshme  mbi të cilën gjykata mbështet vendimin e vet. Në kuptimin puro proceduralo-penal një Procesverbal i tillë mund të quhej provë qartazi e rëndësishme, përkatësisht provë thelbësisht e mbështetshme dhe e pranueshme me të cilën besohej që do provohen elementet me relevancë të ndonjë vepre penale.

Ndryshe, derisa në njerën anë normat e mësipërme procedurale penale parashikonin vetëm bazën juridike për realizimin praktik të këqyrjes – asgjë më shumë, në anën tjetër, në kuptimin kriminalistik, këqyrja paraqet aktin, veprimin apo procesin pragmatik proceduralo-penal të nxjerrjes së provave, përkatësisht të burimit të fakteve dhe informatave autentike të dala mu nga vendngjarja. Ç’është e vërteta, përmes aktit të këqyrjes, si një model informativ dhe hulumtues (investigativ) i krimit, organi procedues përcepton,vrojton dhe operon në mënyrë të drejtpërdrejt, logjike dhe vizuele një varg çështjesh. Andaj, me theksime kriminalistike në Procesverbalin e këqyrjes shpalosen: subjekti që kryen këqyrjen, vendndodhja e krimit, grumbulli i gjurmëve të zbuluara, provat fizike materiale dhe sqarohen rrethanat e rëndësishme për të ndriçuar në mënyrë sa më të plotë një ngjarje inkriminuese deri te ngritja e versioneve të veçanta.

Pas nxjerrjes së konkluzioneve deduktive të pasuara me ato induktive nga provat e analizuara, mund të pretendohet vërtetimi i fakteve me rëndësi në procesin penal duke aluduar veçanërisht në këto fakte: nëse ekziston apo jo vepra penale, cila vepër penale rezulton, provat për gjetjen dhe identifikimin e objektit, mënyra, koha dhe motivi i kryerjes, identiteti i viktimës, kontrolli i provave të disponuara dhe faktet tjera vendimtare për dhënien e drejtësisë.

Këtej, pason konstatimi se derisa nocioni Procesverbal përdorej dhe trajtohej në dispozitat ligjore procedurale penale të kohës përfshirë këtu edhe kapitullin e veçant titulluar: “Parashtresat dhe procesverbalet”, togfjalëshi Shënim zyrtar as nuk përdorej as nuk trajtohej fare nëpër dispozita ligjore procedurale penale. Rrjedhimisht, togfjalëshi Shënim zyrtar nuk përfshihej shprehimisht as tek dispozitat e kapitullit të sapotheksuar ku ishin specifikuar: paditë private, aktakuzat, propozim akuzat, propozimet e të dëmtuarit si paditës, propozimet, mjetet juridike, deklaratat  dhe komunikatat forma dhe përmbajtja e të cilave rregullohej detajisht me dispozita përkatëse procedurale-penale.

Por, kot. Gjyqtari hetues, pa asnjë bazë apo mbështetje ligjore përpilon Shënim zyrtar gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes më 17 maj 1999, në rrugën “Karagjorgjeva”, pranë restaurantit “Mali raj”  në Mitrovicë (tani  Mitrovica e Veriut) me rastin e gjetjes së dy trupave të pajetë, që ka dalë të jenë trupa të të rinjëve të përkatësisë kombëtare shqiptare. Prandaj, nga këndvështrimi ligjor proceduralo-penal ec e bindu se një autoritet gjyqësor në të ardhmën ka për ta shpallur provë materiale këtë Shënim zyrtar në funksion të vërtetimit të gjurmëve lidhur me dy kufoma të të rinjëve shqiptarë. Ka të ngjarë që ky Shënim zyrtar të jetë vetëm një përmbledhje të dhënash që përnga forma dhe përmbajtja mëton t’i ngjajë teksteve stereotipe të procesverbaleve  hetimore që hedhnin dritë nëpër vendngjarje. Por, është më se e vështirë që ky Shënim zyrtar të barazohet me një Procesverbal ligjor proceduralo-penal me që rezulton të jetë i zhveshur nga vlerat provuese proceduralo-penale për vërtetimin e fakteve të rëndësishme inkriminuese. Një Shënim zyrtar i tillë eliminon probabilitetin provues, përaktësisht – standardet provuese: “dyshimin e bazuar”, dyshimin e arsyeshëm”  dhe “dyshimin e bazuar mirë” sikur është përpiluar me koshiencë të plotë nga autori i tij, në cilësinë e gjyqtarit hetues për të dështuar  në kuptim të një prove konkrete materiale me të cilën do provohej ndonjë fakt apo rrethanë e rëndësishme  nga vendngjarja. Thënë më vrazhdë, me përpilimin e Shënimit zyrtar në vend të Procesverbalit të këqyrjes, veç tjerash, është shpërfillur rëndë gjendja traseologjike në vendngjarje (vendin kritik); nuk dihet për vdekje të dhunshme; nuk dihet për gjurmë të fiksuara as në garazhë as në oborr; nuk dihet për vendndodhjet e plagëve kufomore te asnjera kufomë e as për njolla gjaku; nuk dihet për gëzhoja e predha, etj. Marrë parasysh se janë prova në vete, hiç nuk ka rëndësi se këto të dhëna inkriminuese spikaten në skicën e vendit të ngjarjes, raportin mjekësor të përshkrimit të trupave të pajetë, fotodokumentacionin e kriminalistit qofshin edhe plotësisht  të përputhura ndërsjellazi dhe me fuqi të lartë provuese.  Ç’është e vërteta, përmes këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këtij Shënimi zyrtar diskutabil e problematik nga aspekti i vlerave efektive provuese, pothuajse janë zhvlerësuar gjurmët autentike të krimeve të luftës.

Forhåndsvisning av bilde

Duke tërhjek një paralele midis përshkrimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes sipas Shënimit zyrtar të datës 17 maj 1999 kur ishin gjetur dy kufoma të të rinjëve dhe përshkrimit të ngjarjes sipas Shënimit zyrtar të datës 16 maj 1999 kur ishte gjetur një kufomë, del se i njjejti gjyqtar hetues  në Shënimin zyrtar të gjetjes së dy kufomave të gjinisë mashkullore nuk paragjykon se të njejtit janë vra, nga kush janë vrarë as me çfarë  arme janë vrarë. Njëkohësisht, as  për vendin e ngjarjes nuk jep informata sepse nuk fokusohet fare në dëmtimet e shkaktuara  nga të shtënat pranë kufomave të dy shqiptarëve: në objektet e banimit, në garazhë, dyer, dritare, mure, oborr, etj. Ndërsa, në Shënimin zyrtar  të gjetjes së kufomës së gjinisë femërore, , në Qendrën shëndetësore në Mitrovicë, pasi saktëson identitetin e saj, se ishte Markoviq  Bozhidarka, me gjasë pjesëtare e komunitetit serb, (e lindur më 7 janar 1944, me vendbanim në Deqan, rruga “Manastiri” pa nr.), gjyqtari hetues gjen edhe pretekstin të paragjykoi, siç u tha më sipër, se e njejta “në sulmin terrorist kishte pësuar plagë nga armë zjarri në kokë, në pjesën e nënveshit të majtë nga të cilat ka vdek”. Pastaj, edhe për veturën “Golf” me targa GJ-252-18 me të cilën paskësh udhëtuar viktima, specifikon detajet e dëmeve të shkaktuara materiale nga projektilet: “në plafon, mbi dyertë a pasme nga ana e majtë vrima nga projektili. Poashtu, në mes të plafonit nga ana e majtë shihet vrima prej projektili. Pneumatiku i pasëm i majtë është shpërthyer  me dy projektile,  derisa  pneumatiku i majtë  i përparëm është shpërthyer me një projektil. Këndi i  përparëm i majtë  kryesisht më afër derës së përparme të majtë është shpërthyer me një projektil derisa është thyer xhami në derën e djathtë të pasëm.”

Ndryshe, pretendojmë se Shënimi zyrtar përkitazi me vdekjen e dy të rinjëve shqiptarë, në aspektin përmbajtësor mund të reduktohet vetëm në njohuritë, informatat që ka patur gjyqtari hetues për këtë ngjarje të trishtë. E kjo ngjarje, del të jetë pjesë e skenarit të ofenzivës së qeverisë serbe dhe jugosllave në Kosovë, filluar më 20 mars 1999, katër ditë  para bombardimeve të NATO-s. Në fakt, që nga fillimviti 1999 vërehej mirëfilli prezenca ushtarake përgatitur nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë. Vërehej lehtësisht edhe prezenca policore, paramilitare dhe armatosja e civilëve serb. Kjo situatë tensionuese shumë shpejtë eskaloi me aksionet e këtyre formacioneve në regjionin e Mitrovicës dhe jo vetëm. Kështu, në sfondin e këtyre ngjarjeve, përkrah ambicjeve për shtypjen e UÇK-së kryheshin edhe një varg krimesh ndaj popullësisë civile shqiptare: vrasje individuale e grupore, shfarosje, deportim, zhdukje e  detyruar, përzënje me dhunë, burgosje,  torturë, dhunime, shkatërrime e djegie shtëpishë, pasurish, etj.

Vlerësojmë se del fare qartë që vështirë se ky Shënim zyrtar mund të ngritet në nivel të provës së mirëfilltë materiale për t’u cilësuar provë e rëndësishme, provë e mbështetshme dhe e pranueshme n’përputhje me dispozitat procedurale penale në ndjekje eventuale të kryesit që të provohet përgjegjësia penale apo fajësia, përkatësisht dashja apo pakujdesia e tij. Megjithatë,  për t’argumentuar brishtësinë e Shënimit zyrtar nga këndvështrimi proceduralo-penal pas gjetjes së dy trupave të pa jetë, e quajmë të domosdoshëm sjelljen para lexuesit të këtyre fragmenteve nga Shënimi zyrtar:

“Në garaxhën e hapur para shtëpisë me nr. 4, është gjetur NN kufoma e gjinisë mashkullore e moshës rreth 20 vjeçare që është shenjuar  me nr. 1. Kufoma është gjetur me pozitë në shpinë e prej rrobeve ka patur jaknën me ngjyrë të zezë, farmerka teksas,  me ngjyrë të çeltë të kaltër, bluzë ngjyrë të zhytur të bardhë  dhe çizme të thella ngjyrë të zezë”. Lidhur me mënyrën e identifikimit të këtij trupi të pa jetë, në shenimin zyrtar theksohet se “tek NN personi me nr. 1. Është gjetur letër njoftimi në bazë të së cilës është  konstatuar se bëhet fjalë për  Kujtim Ahmetaj, nga i ati Hajzer, i lindur më 15 Mars 1981 në Mitrovicë, me vendbanim në rrugën “Aradhat e Shalës”  nr. 196.”

Pastaj, për trupin tjetër të pa jetë, Shënimi zyrtar tekstualisht thekson:

“Në brendi të oborrit të shtëpisë nr. 4. në barishte është gjetur gjithashtu  NN kufoma të gjinisë mashkullore  të moshës  midis 20 e 25 vjet i cili është shenuar me nr.  2. në pozitë të kthyer në të djathtë i cili prej rrobeve ka patur të veshur jaknën ngjyrë vjollce me mange të  zeza, farmerka teksas ngjyrë të kaltër dhe patike të zeza.” Ndërkaq, lidhur me identitertin e tij , më tutje, theksohet se “kufoma nën nr. 2, as më vonë nuk ka mund të identifikohet”. Kësisoj, vihet re se nuk sqaron detaje se çka u punua për identifikimin e trupit të pajetë.

Pasi konstaton se në të dy trupat e pajetë  janë të dukshme plagët, pa saktësuar as numrin e plagëve as pjesët e trupit ku janë shkaktuar, në Shënimin zyrtar thuhet se, gjyqtari hetues ka urdhëruar dr. Sërblak Nebojsha të bëj përshkrimin e kufomave duke fiksuar  saktësisht  pozitat dhe llojet e plagëve të shkaktuara dhe duke shtuar se Raporti i tillë ka për t’qenë pjesë përbërëse e këtij Shënimi zyrtar.

Tutje, për asnjerën prej këtyre dy kufomave të gjinisë mashkullore nuk mund të anashkalohet rrethana – për ç’arsye nuk është urdhëruar të kryhet autopsia për të vërtetuar, mes tjerash, shkaqet vdekjes së këtyre dy personave, mjetet me të cilat janë shkaktuar  plaget, cilat plagë kanë qenë vdekjeprurëse, etj. Madje, as nuk është theksuar, së paku si informacion, që për cilat shkaqe nuk do bëhet autopsia e trupave të pa jetë. 

Gjithashtu, në Shënimin zyrtar, gjyqtari hetues thekson se  vendi i ngjarjes është skicuar dhe fotografuar dhe këto bashk me Raportin mjekësor do jenë pjesë të këtij Shënimi zyrtar.

Shënimi zyrtar përfundon me konstatimin se sipas urdhërit të këtij gjyqtari hetues kufomat janë dërguar në kapelë të Qendrës spitalore në Mitrovicë. Më pas, janë varrosur në varrezat muslimane në fsh. Suhodoll të Mitrovicës.

Gjatë angazhimit tone përkitazi me viktimën civile Kujtim Ahmetaj nga i ati Hajzer, i lindur më  15 mars 1981 në Mitrovicë, ku edhe jetonte, rruga “Aradha e Shalës” nr. 196 kemi mësuar se, i njejti figuron i vrarë, më 16 maj 1999 nën nr. 193 të Listës së të vrarëve, të zhdukurëve dhe të rënëve 1998-2000 (http://hlc-rdc.org > kkp_sq). Ndërkaq, përkitazi me trupin e pajetë, fiksuar me nr. 2. në Shënimin zyrtar, nuk kemi arritur të sigurojmë informata nëse është identifikuar, zhvarrosur dhe varrosur. I bie se pas ekzekutimit në rrethana misterioze, të dy kufomat paskan qëndruar në vendngjarje deri të nesërmën më 17 maj 1999 kur është kryer këqyrja në vendngjarje nga gjyqtari hetues i sipërpërmendur.

Përndryshe, vula zyrtare e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës vënë sipër emrit dhe nënshkrimit të gjyqtarit hetues, Miletiq Bllagoje, dëshmon  vërtetësinë  e të dhënave të   Shënimit zyrtar në gjuhën serbe të cilin e kishte pranuar ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 25 maj 1999, siç vërtetohet nga stampa zyrtare e pranimit, dokument ky të cilin e kishte gjetur autori i këtij shkrimi kah fundi i vitit 2000 në një hedhurinë letrash në ambientet e ish-Prokurorisë Publike të Qarkut në Mitrovicë (tani Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu