ARKIVI:
17 Tetor 2024

Ne na e kanë zhveshur kulturën përdhunshëm përgjatë dekadave dhe kjo ka lidhje të pashmangshme me regjimet dhe tranzicionet politike

Shkrime relevante

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Luftë vëllavrasëse ndërshqiptare nuk mund të ndodhë, se ne e kemi në pushtet “Esat Pashë Toptanin!”

Pamje nga perurimi i xhamisë turkomadhe të Namazgjasë në Tiranë, ku...

Simbolika e numrit shtatë (7) në kulturën tonë popullore dhe te popujt me qytetërim të lashtë

Qazim Namani, studjues, Prishtinë ___ Këto ditë me erdhi një foto nga miku...

35 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit: Anë e mbanë botës demokracia është në rrezik!

Nga: Frank Shkreli Shtatorin që kaloi, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)...

Shpërndaj

Nga: Ervina Toptani, Tiranë

  • Kultura, një ndër pikat më të rëndësishme në lidhje me interesin kombëtar shqiptar. Eshtë një titull i rëndësishëm, një filozofi e lidhur me ekzistencën e një kombi të cilën nëse do ta shndërroja në një punë të plotë e të mirfilltë do t`i shtoja dhe 3 pika të tjera: atë ekonomike, ushtarake dhe politike.

Pra, secila nga këto pika më vete shërben për të dhënë konfigurimin e plotë të rëndësisë së kombit e bashkë me të në mënyrë të pandashme edhe të shtetit. Interesi kombëtar është një koncept, pjesët përbërëse të të cilit nuk janë fort të thjeshta për t`u përkufizuar në një shkrim të shkurtër. Ai është i lidhur ngushtë me karakteristikat e një kombi sikurse dhe me ndjenjat popullore të cilat në mënyrë të vazhdueshme e të pandërprerë përcaktojnë vazhdimësinë e tij të ndryshueshme në kohë e në hapësirë.

Si koncept, është më mirë i shpjegueshëm në fushën e politikës sesa në fushën e shkencës, pavarësisht se në vetvete ai përbëhet nga ato principe dhe vlera të cilat, (sic shkruan dhe Tocqueville në librin e tij “Demokracia në Amerikë”), përfaqësojnë duke filluar nga pikënisja shoqërore e rrugëtimit social, pikën referuese në të cilën shoqëria e shteti në themel të saj, shohin orientimin drejt rrugës së vazhdimit e ngritjes së tyre. Kur vjen puna tek shpjegimet e nocioneve filozofike në përgjithësi mua më pëlqen më shumë t`i referohem enciklopedive italiane, si një sinonim i kulturës së padiskutueshme botërore. Enciklopedia italiane mbi shkencat, fushën e letrave dhe artit, “La Treccani”, e përkufizon kulturën si: “bashkësia e njohurive intelektuale të cilat të përftuara nëpërmjet studimit, letërsisë, eksperiencës, influencës së ambientit, të përpunuara në mënyrë subjektive dhe autonome, bëhen element i përhershëm i personalitetit, duke kontribuar për të pasuruar shpirtin, për të zhvilluar e përmirësuar aftësitë individuale, veçanërisht aftësinë e të gjykuarit”.

Ne na e kanë zhveshur kulturën përdhunshëm përgjatë dekadave dhe kjo ka lidhje të pashmangshme me regjimet dhe tranzicionet politike që kemi kaluar përgjatë viteve. Ka lidhje të pashmangshme edhe me atë çka reflektohet sot tek brezi i ri, tek grupimet politike të cilat udhëheqin një popull dhe një shtet që nuk bazohet më tek kultura si një ndër pikat e rëndësisë së veçantë sepse pikërisht këtu reflektohet dhe mungesa totale e kulturës politike, e kulturës së udhëheqjes, e kulturës së kuptueshmërisë së interesit kombëtar si pjesë e pandashme e konfigurimit të plotë të nocionit komb dhe shtet. Këto nocione duken filozofike por në trajtimin e tyre (nëse në Shqipëri do të ishin trajtuar ndonjëherë) mbartin gjithë thjeshtësinë dhe lehtësinë për të kuptuar me shembuj konkretë thelbin që duhet ta vinim në zbatim çdo ditë. E them këtë sepse kultura është një proces formimi individual i bazuar mbi të mësuarit e të nxënit e disa dijeve, qëllimi i të cilave është zhvillimi i ekuilibruar dhe i plotë i personalitetit njerëzor por është njëkohësisht dhe mënyra e jetesës, të menduarit e të shprehurit si pjesë e aktivitetit intelektual të njeriut, të cilat të marra së bashku karakterizojnë një grupim shoqëror.

Artikulimin e saktë të këtij procesi kompleks, kulturës pra, e gjejmë të preçizuar në trinomin: gramatikë, retorikë, dialektikë sikurse dhe në aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë e mbi to vjen zonja e vërtetë, filozofia, e quajtur edhe si bashkërendëse e teologjisë. Në ditët tona, kultura në botën perendimore, të asaj që ka mbetur prej vlerave të cilat globalizmi po dëshiron kaq fort t`i përpijë e t`ua humbë kuptimin e vërtetë, konsiderohet si formimi rrënjësor i njeriut. Po i përmend të gjitha këto fakte për të trokitur në brendinë e shpirtit e të mendjes të atyre që do e lexojnë këtë shkrim sepse jam e ndërgjegjshme që shumica nuk ka kohë për të humbur për të reflektuar tek mungesa e kulturës në shoqërinë tonë të sotme shqiptare. Për ta ilustruar fare thjesht e me fjalë aspak të vështira: grupimet politike (sepse kurrsesi ne nuk kemi elita politike, ato do t`i kishim nëse kultura do të kishte qenë në mënyrë të vazhdueshme në themel të formimit tonë individual njerëzor e më pas si grupim shoqëror) që na udhëheqin kanë mungesë të theksuar të kulturës politike e shkencore e kjo reflektohet më së miri në politikat që ata ndjekin për të zhvilluar shtetin, plotësisht inekzistente.

Ne vuajmë pikësëpari si shoqëri prej mungesës së kulturës e cila më pas reflektohet në çdo hallkë tjetër duke filluar tek ato në dukje më të parëndësishmet: mënyra sesi flasim, si ushqehemi në tavolinë në nivel të përgjithshëm shoqëror, si prezantohemi në publik, si e trajtojmë gruan brenda e jashtë familjes, si na përdorin, mashtrojnë individë të tjerë me pushtet politik për t`u ndërsyer ndaj njëri tjetrit, si i kërkojmë të drejtat kur na i shkelin, mënyra sesi imponohemi kur nuk jemi dakord me mendimin e tjetrit, sesi fyejmë kur diçka nuk na pëlqen, mungesa e konceptit të respektimit të lirisë individuale tek tjetri e cila më së shumti tregon këtë mungesë tek vetja.

Mënyra sesi respektojmë ambientin ku jetojmë, toleranca ndaj tjetrit, respektimi i rregullave, ligjeve, botëkuptimi për të rrokur të bukurën në të gjitha dimensionet e për t`u frymëzuar prej saj, mënyrën e të kuptuarit për të nxjerrë mësime nga ato që jetojmë e për t`i vënë në zbatim të përmirësimit të të ardhmes. Të gjitha këto pjesëza të vogla të thëna shkurtimisht reflektojnë kulturën tonë, për të mos futur këtu zhvillimin e intelektit e cila është më së shumti pikë që i përket individualitetit. Të tjerat më lart janë normat bazike të kulturës që i imponon ambienti dhe shoqëria përreth. Përse kultura është kaq e rëndësishme politikisht? Kultura, qysh prej se njeriu ka lindur, përfaqëson një element shumë të rëndësishëm për jetën dhe të shkuarën e çdo kombi.

Duke e marrë për të mirëqenë këtë aksiomë mendoj fort se kultura duhet të jetë një ndër pikat parësore që një qeveri që ka dëshirë të jetë sa më gjatë në pushtet, duhet të ndërhyjë. (gjithnjë nëse individët që e përbëjnë këtë qeveri ia dinë kuptimin e mirfilltë nocionit “kulturë”). Për të qenë e qëndrueshme në kohë dhe për të qenë e shkrirë në ndërgjegjjen e shoqërisë të cilën kjo qeveri do të udhëheqë duhet të krijojë strukturën e një kulture që të nisë nga themeli përbërës i shoqërisë si e tërë duke zbritur tek individi si bërthama qëndrore e kësaj shoqërie. Pa kultivimin e individit nuk do të kemi kurrë një shoqëri të kultivuar. Hapja e muzeve, ndërtimi dhe pasurimi i bibliotekave (edhe nëse shoqërisë së pangopur materialisht që kemi ne sot kjo gjë nuk i pëlqen, rëndësi kanë brezat e ardhshëm), ruajtja e arkivave, etj, të gjitha këto do të thonë të “vesh dorë” tek pjesa më e rëndësishme e një kombi: tek tradita e tij, tek madhështia e tij e prekshme materiale e morale.

Është vërtet e thjeshtë për ta kuptuar: kultura është një bashkësi sjelljesh, vlerash, ideologjish organizative dhe sociale, elementë këto që ndihmojnë në interpretimin e universit tonë dhe menaxhimin e ambientit tonë natyral e social. Kultura është mënyrë jetese, tradita, kostumet, folklori, praktikat shoqërore në jetën e përditshme. Ta rizbulosh këtë tek vetja e tek njerëzit që të rrethojnë do të thotë të rizbulojmë vetveten dhe historinë tonë, ta bëjmë e ta pasurojmë këtë gjë do të thotë të ofrojmë cilësi intelektuale të denja për t`u vënë re. Më bën shumë përshtypje shpesh kur mendoj sa shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë e çfarë bën pjesa institucionale drejtuese që Shqipëria të jetë e pranishme kudo ku jetojnë shqiptarë. Shpesh ndodh që ambasadorët e akredituar në vende të ndryshme as nuk i presin shtatasit. Po marr një shembull të vogël si ilustrim në vendin ku jetoj: Austria është një shtet i vogël por me një prejardhje kulture gjigande.

Pjesë e kësaj kulture dhe e veçantisë që ajo përfaqësonte ishin nacionalitetet e ndryshme të popullsisë në kohën e Perandorisë, jo pak por rreth 27 të tilla. Të gjithëve u lejohej të flisnin gjuhën e tyre e ta mbanin gjallë atë me çdo mënyrë. Të gjithë gatuanin e visheshin sipas zakoneve të tyre, bënin shfaqje publike e prezantoheshin me të mëdhenjtë e tyre në fushën e letrave e artit. Po sot, e kam fjalën sot sot, tani që po shkruaj, kjo Austria e vogël, që prej dekadash të gjata nuk është më Perandori, ka ruajtur traditën e prezervimit të zhvillimit të kulturave të ndryshme në vendin e saj. Këtu ka mësues shqiptar (mësues të dhjetra gjuhëve të tjera sigurisht por po veçoj mësuesit e gjuhës shqipe në Austri) që sipas planit qeveritar (të çdo qeverie që vjen në pushtet e cila ka një fond të veçantë të akorduar për këtë gjë) paguhen nga shteti austriak për të dhënë mësim në gjuhën shqipe për fëmijët e grupmoshave të ndryshme me origjinë shqiptare. Që ata të mos e humbin gjuhën e tyre, që të marrin njohuritë të paktën bazike në gramatikë e linguistikë.

E siç e bëjnë për gjuhën shqipe e bëjnë edhe për shumë gjuhë të tjera, përfshi këtu dhe mësimin fetar në të paktën 5 fe` të ndryshme. A nuk do të ishte më bukur që qeveria shqiptare të dërgonte mësues të gjuhës shqipe e jo vetëm, në rolin e emisarëve të kulturës, të cilët të bënin jo vetëm mësimin e gjuhës shqipe po dhe histori, letërsi, etj., e të cilët të paguheshin prej qeverisë tonë në marrëveshje me qeveritë e vendeve nëpër botë ku jetojnë shqiptarë?

Impakti i diçkaje të tillë do të ishte i mrekullueshëm tek brezat që rriten, duke mos e humbur kurrë lidhjen me bërthamën e shpirtit, Atdheun. Por nesër duke përftuar dhe shtetasit e “huaj” por me gjak shqiptar që të kthehen në vendlindje, të kontribuojnë për ta ngritur e fuqizuar atë në fushën e biznesit, ekonomik e financiar. Atdheu ynë do të bëhej i madh dhe i pakufishëm duke jetuar në çdo zemër që rreh shqip deri në qytetin më të largët.

Dhe kjo do të ishte një mrekulli që do e bënin të mundur individët me kulturë, nëpërmjet së cilës do të prodhonin vetëm të mira, begati e mendje brilante. Sepse në fund të fundit kjo është kultura e kjo përftohet prej saj! p.s. me lidershipin politik që kemi zgjedhur në dekada kemi përfituar “kulturalisht” pikërisht atë çka thoshte i madhi Fishtë “… njashtu siç na don hasmi”, (njatè që don hasmi me pa te na).

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu