ARKIVI:
17 Tetor 2024

Konstantin Jireček : “Kolonizimi i Ilirisë nga sllavët” 

Shkrime relevante

Kujtime nga viti 1979, si student, në Shqipëri e mësues, në Suedi

Sinan Kastrati, Suedi ___ Nga Ditari im ___ Në fillim të tetorit (`24) isha sikurse...

At Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë !

Nga: Frank Shkreli 12 Korrik 1874 --14 Tetor 1929  “Këto punë po i...

Rrëfime të Irsa Shores për kalanë magjepsëse të Gjirokastrës

Irsa Shore 𝐊𝐚𝐥𝐚𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐫𝐨𝐤𝐚𝐬𝐭𝐫𝐞𝐬 është një ndër më të mëdhatë në...

Ku ishim, ku jemi dhe kah po shkon diplomacia dhe politika globale në suazat e rendit të ri botëror

Nga: Prof Dr Hakif Bajrami, historian Sot zhvillohet një luftë tinzare në...

Luftë vëllavrasëse ndërshqiptare nuk mund të ndodhë, se ne e kemi në pushtet “Esat Pashë Toptanin!”

Pamje nga perurimi i xhamisë turkomadhe të Namazgjasë në Tiranë, ku...

Shpërndaj

Konstantin Jireček

  • Pjesa e fundit e kapitullit: “Kolonizimi i Ilirisë nga sllavët” 

Sllavët në lajme dalin si një popull liridashës, kryeneç dhe mendjemadh. Te Menandrosi përfaqësuesi i antenëve flet krenar dhe sfidues përparaprijësit  të avarëve. Po ashtu, tek i njëjti historian prijësit e sllavëve u përgjigjen të dërguarve të avarëve, të cilët kërkojnë nënshtrim dhe haraç: “Kush nga njerëzit, të cilët ngrohen nga rrezet e diellit, është i krijuar në mënyrë të atillë që mund t’i nënshtrohet pushtetit tonë? Jemi mësuar të sundojmë mbi të tjerët dhe të tjerët mbi ne.” Edhe Strategica i përshkruan sllavët dhe antenët si popull i lirë, të cilët nuk mund t’i bindësh që të nënshtrohen. Është e kotë të bësh marrëveshje me to, për shkak të mendimeve të ndryshme, tëcilat tek ata i kundërvihen njëra – tjetrës; përmes frikës mund të arrihej më shumë sesa përmes dhuratave. Ekzistenca e fiseve është dëshmuar qartë nga Jordanesi, i cili përmend emrat e këmbyeshëm “per varias familias at loca” të grupeve të veçanta të “Sclaveni” (sllavëve) dhe antenëve. Ekzistenca e shoqërive të tillatë sjellshme duhet presupozuar edhe në rastin e zakonit të gjakmarrjes, mbi të cilin njofton Strategica. Të huajt shoqërohen miqësisht nga një vend te tjetri; nëse mysafirit i ndodh një e keqe, mikpritësi i fundit fillon luftën (πολεμονκινει) për të marrë hak për të, gjë që përkon plotësisht me rregullat e gjakmarrjes së sotme sllave të jugut dhe ato shqiptare1.Të burgosurit nuk mbahen gjithmonë në skllavëri, por mund të kthehen në vendin e tyre pas një kohe të caktuar ose mund të qëndrojnë në vendin e sllavëve si miq të lirë; rasti më i fundit nxiti përzierjen e popullit me element të huaj. Sipas një lajmi te Theophylaktos Simokattes të dërguarit e sllavëve udhëtonin të paarmatosur, me instrumente muzikorë (χιϑάραι)2. 

Prokopi i përshkruan sllavët si burra shtathedhur, të fuqishëm. Ngjyra e lëkurës së tyre dhe flokët nuk ishin as të zinj e as biondë, por të kuqërremtë(υπερυϑρον)3, mënyra e jetesës së tyre e papërpunuar dhe e lënë pas dore, plot pisllëk. Sipas Stratetigca-s, vapën, të ftohtin dhe shiun, lakuriqësinë e trupit dhe mungesën e mjeteve të jetesës, e duronin më me lehtësi sesa frankët, langobardët dhe popujt e tjerë biondë (ξανα εϑνη). Banesat e tyre sipas Prokopitishin të varfra, kasolle të shpërndara larg nga njëra-tjetra, vendi i të cilave ndërrohej shpesh; ka gjasa të ishin ndërtesa druri dhe argjile. Lajmi të kujton përshkrimin e shtëpive të gjermanëve te Tacitusi, ku çdo shtëpi ishte e vetmuar pranë burimeve, pyjeve dhe fushave. Të gjithë këta evropianë veriorë kishin një neveri ndaj fshatrave tip qyteti dhe të dendur, siç ishin të zakonshëm te grekët dhe romakët. Sipas Strategica-s te sllavët çdo shtëpi kishte dalje të shumta; gjithçka me vlerë ishte groposur dhe fshehur. Sipas Jordanesit pyjet dhe moçalet u shërbenin si kështjella. Edhe sipas Menandrosit pylli i dendur ishte fortesa e tyre, në afërsi të fshatrave dhe fushave. Strategica-t lavdërojnë pasurinë që kanë në kafshë, drithë dhe mel, një dëshmi kjo për bujqësinë krahas rritjes së gjedhës. Por zakonisht vendi i sllavëve ishte i pakalueshëm, plot me pyje dhe ujëra. Fshatrat shtrihen zakonisht përgjatë rrjedhave të lumenjve, pak larg njëri-tjetrit. Në rast sulmi mbi vendbanimet e para gjithçka arratiset në pyje dhe moçale, bëhen sulme nga shkurrnaja dhe armikun e tërheqinbrenda, si në një grackë. Prandaj është më e lehtë që lufta me to të bëhet në dimër; atëherë ujërat janë të ngrirë, pyjet pa gjethe, dhe dimri tradhëton çdo gjurmë. Këtë epërsi të fushatave dimërore e njihnin në mesjetë po aq mirë në Rusi dhe Lituani, si në vendet e Hemusit, ende në kohët e perandorit Bazili II dhe Manuel Komneni. Por autori i Strategica-s këshillon që edhe stina e verës mos të lihet pa u shfrytëzuar, meqenëse dendësia e pyjeve me gjethe u lehtëson të burgosurve romakë arratisjen në vendin e sllavëve. Duhej vepruar me kalorës të armatosur lehtë dhe me këmbësorë, me shigjeta dhe me gurë që i vërvitin, me marshime në heshtje të plotë dhe me sulme të papritura në kolona të ndara.  

Mbi pikëpamjet fetare të sllavëve Prokopi e di se ata nderonin një Perëndi, Zotin e bubullimës dhe të gjithësisë, të cilit i flijoheshin qé dhe flijime të tjera. Krahas kësaj, ata nderonin perënditë e lumit, nimfat dhe demonë të tjerë. Idhuj nuk përmenden. Ishte një paganizëm i thjeshtë, si ai i kretasve apo romakëve në periudhën më të lashtë. Sipas Strategica-s, të vejat vetëvriteshin pas vdekjes së burrit. Mbreti Musokios, siç tregon Theophylaktosi, u sulmua natën dhe u burgosnga trupat romake lindore, i dehur nga vera gjatë një gostie të përmortshme për vëllain e tij.  

Plaçkitja dhe lufta ishin të përditshme. Sllavët dhe antenët nuk luftonin vetëm kundër armikut, por edhe kundër njëri-tjetrit. Ushtritë e sllavëve sipas historianit Justinian, siç e thekson gjithashtu edhe Tacitusi, ecnin në këmbë. Prokopi përshkruan gjithashtu edhe frankët e dikurshëm si popull këmbësor, te të cilët në kuaj uleshin vetëm mbretërit me shpurën, në një kohë kur në sistemin romak të luftës kalorësia e kishte prej kohësh përparësinë. Po ashtu, ushtria e rusëve në Silistria (971) sipas Leon Diakonos, përbëhej vetëm nga populli këmbësor. Përballë këtyre këmbësorëve kishte epërsi përherë në fushë të hapur kavaleria sulmuese e hunëve, avarëve dhe e popujve të tjerë nomadë. Sipas Prokopit sllavët nuk mbanin koracë; armatimi i tyre përbëhej nga heshta dhe mburoja, ose nga dy ushta gjuajtëse, të cilat i njeh edhe Johannes von Ephesos. Harku prej druri te Strategica është arma kryesore, me heshta të vogla të helmuara, të cilat njiheshin ende në vendet e Ballkanit në mesjetën e mëvonshme. Sipas Prokopit, Johannes von Ephesos dhe Strategica-s sllavët luftonin pa dëshirë në fushë të hapur, më me dëshirë ata luftonin në terren të thyer pas shkëmbinjve dhe pemëve, në pyje dhe shtigje të ngushta, të ushtruar me surprizat e të gjitha llojeve, në sulme të natës dhe me përvojë si notarë të mirë në luftë në ujëra dhe moçale. Por shpejt ata mësuan të pushtonin edhe kështjella me mure dhe muret e qytetit t’i sulmonin me shkallë, pas një breshërie të shtënash. 

Nga atdheu sllavët prunë me vete një praktikë të madhe në udhëtimin e anijeve në lumë, i cili në fushat e Rusisë dhe Polonisë kishet përherë një rëndësi të madhe. Në degët e lumenjve të Danubit në Vllahinë e sotme sipas Theophylaktosit ata shpesh posedonin bashkë 150 barka ose “therka” kundër të cilëve vepronin nga Danubi edhe flotat romake lindore të lumit4. Sllavët u ndërtuan avarëve në Sirmium anije për kalimin mbi Danub dhe Savë, krahas mjeshtërve italianë të ndërtimit të anijeve, të cilët mbreti i langobardëve ua kishte dërguar në atë kohë prijësit5.Udhëtimi në lumë me anije e lehtësoi kalimin në udhëtimin në det, ashtu si rusët paganë të shekullit të 9 dhe 10, edhe kozakët e shekullit të 17 me barkat e tyre të lumit mund të vizitonin Detin e Zi. Një dëshmitar okular i sulmit të Kostandinopojës (626) shkruan se sllavët do të kishin fituar shumë përvojë në rrahjen e detit, qysh kur kishin rënë në kontakt me romakët6. 

Me rënien e trupave kufitare romake për sllavët ishte e lehtë që të imitonin shembullin e gjermanëve dhe të hunëve për të plaçkitur provincat dhe qytetet dhe fshatarët me familjet e tyre t’i çonin në burg. Për mizoritë e tyre tregon Prokopi, sesi të burgosurit, të cilët nuk mund t’i merrnin me vete, bashkë me qetë dhe delet i bënin shkrumb e hi në shtëpi. Romakë të tjerë u vunë mbi hunj me majë, ose u lidhën midis katër hunjve dhe u vranë për vdekje me topuzë si qenër apo gjarpërinj. Të gjitha rrugët e Ilirisë dhe Trakisë pas këtyre fushatave plaçkitëse, ishin plot me kufoma të pavarrosura. Një oficer kalorës romak i burgosur, Asbadi, u rrop nga sllavët dhe u dogj7. 

Marrëdhëniet e sllavëve me fiset e hunëve pontikëështë pak e njohur. Ata nuk mund të ndërmerrnin fushata të përbashkëta, meqenëse hunët e përshkonin shpejt si kalorës vendin e hapur, zakonisht në dimër, ku mund të kalonin lehtë mbi Danubin e ngrirë, por sllavët, si popull këmbësor, përparuan me ngadalë, dhe në verë duhet të qëndronin në pyje, përpara se të binin sërish gjethet. Megjithatë, konfuzionin e shkaktuar nga fushatat e njërës palë, e shfrytëzuan ndërmarrjet e të tjerëve. Antenët ishin armiq të hunëve. Justiniani i vendosi ata si roje kufitare kundër hunëve. Me romakët antenët kishin aleanca, si nën sundimin e Justinianit ashtu edhe në atë të Justinit II dhe Maurikios. Sipas raporteve të Prokopit, sllavët ishin miqësuar edhe me gepidët8. 

Si mercenarë, çetat sllave nuk shërbenin vetëm te princi langobard Ildigis, por edhe te romakët. Ishin trupa të rekrutuar nën udhëheqësit vendës apo tëarratisur, siç i përmend Strategica, të nxitur nga armiqësi të panumërta fisnore dhe gjakmarrje për të shkelur në zonën romake. Në këto kohëra shpesh shfaqej edhe rasti kur të burgosurit i dërgonin në provinca të largëta si ushtarë. Në rrethimin e parë të Romës strategët Martinus dhe Valerianus u dërguan në Itali, me 1600 kalorës, shumica hunë, sllavë dhe antenë (538). Në fushatën e dytë të Belizarit në Itali veproi një çetë e vogël antenësh, e stërvitur në një luftë të vogël nëLukania (547)9. Në vendngjarjen e luftës persiane në Lazica (549-556) Agathias përmend një anten, Dabragezas-in, si nëngjeneralnë betejën e kalorësve dhe në operacionet e anijeve kundër persëve në Phasis (djali i tij quhet Leontinos) dhe një sllav Svarun-in në luftërat kundër misimianëve kaukazianë10.Edhe nën sundimin e perandorit Maurikios te Theophylokatosi përmendet një sllav me emrin Tatmir si komandant i një reparti romak anë Danubit. Madje këta mercenarë nën flamujt e Bizantit ishin të krishterët e parë në mes të sllavëve; paganët nuk i duronin dot më në ushtrinë perandorake. Ka të ngjarë që nga kjo periudhë e kanë prejardhjen fillesat e para të terminologjisë sllave për konceptet e krishtërimit, në të cilën p.sh. me emrin Christi nuk emërtohen vetëm të krishterët, por edhe kryqi  (serb. krst) dhe pagëzimi (serb. krstiti). Nëpërmjet marrëdhënies me romakët e Danubit dhe bizantinët nis te sllavët e jugut marrja e fjalëve të huaja të panumërta romane dhe greke. Kontakti me romanët në kohët më të vjetra ishte më i dendur sesa me grekët. Sllavët vetëm rrallëi quanin bizantinët si romakë (Rumi), siç e quanin veten romakët e lindjes(Pωμαιοι) ose siç u quajtën prej persëve, arabëve dhe turqve (rȗm, Urum), por zakonisht si grekë (Grk, Grčin), krejt sipas përdorimit të gjuhës romane (rum. dhe shqip grek). Perandori, në latinishten e mëvonshme caesar, quhej edhe te sllavët cȇsar, siç mund të lexohet ende në përkthimin e ungjillit në sllavishten kishtare dhe në shkrimet e tjera më të vjetra, te kroatët sot ende ćesar, cesar, në lindje tanimë në mesjetë si pasojë e theksimit të rrokjes së fundit përkon me cьsar, car. Qyteti perandorak Kostandinopoja në sllavisht quhej Cȇsar’ grad (caesaris civitas) më vonëCar’ grad, serbisht sot Carigrad11 

 

Përktheu nga gjermanishtja Dr. Elda GJANA – BORIÇI, Tiranë 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu