Prishtinë, 10 maj 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Shefin e tij të Stafit, Luan Dalipi, priti një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.
Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, kryeministri Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës sonë. Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.
Më tej, gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.
Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.
Në takim, kryeministri Kurti gjithashtu i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.
Kjo vizitë e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, është organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezent në këtë takim.
Më shumë foto, gjeni në linkun më poshtë!: