ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Sulejman Krasniqi :“Kur erdha në Shqipëri thashë mëmëdhe të dua edhe kështu siç je”

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Nga Flori Bruqi ,PHD
 
Pasqyrimi i historisë në veprat letrare të  shkrimtarit kosovar Sulejman Krasniqit
 
Sulejman Krasniqi, U lind në Hoçë të Vogël, në afërsi tëRahovecit  (1937) gjatë kohës së Mbretërisë Serbosllave. 

 
 Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Prizren   dhe në Krushë të Madhe. 
 
Suljeman Krasniqi shumë shpejt u dallua për angazhimin e tij në çështjen kombëtare si shkrimtar  dhe poet kombëtar.

 
 Ai u burgos nga regjimi serb për veprimtarinë e tij patriotike, ndërsa në vitin 1958 u arratis drejt Shqipërisë, ku kreu studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës.
 

 Pas vdekjes së babait të tij në rrethana të mistershme, urrejtja e Krasniqit ndaj regjimit serb ishte rritur. 

Ai kishte mbajtur dënimin me burg në Rahovec, Prizren dhe Kalluxherska Bare, në kohëzgjatje prej 1 vit e 2 muaj. 

Ai ishte dënuar nën akuzën se shpërndante hapur armiqësi ndaj pushtuesit serb, se i ka ndihmuar shqiptarët që të arratisen për në Shqipëri. 

Sulejman Krasniqi në vitin 1958 largohet për në Shqipëri, ku qëndroi në kampet e punës për disa kohë.

 Pas 41 vjetëve ai kthehet në Kosovë më 3 korrik 1999.

Atje shkoi i vetmuar, kurse u kthye vetë i katërti. Sulejman Krasniqi punoi gjatë gjithë jetës së tij për çlirimin e trojeve shqiptare. Ai mendonte ta bënte këtë me armë por, pas burgosjeve e internimeve, iu rrek penës. Proza e Sulejman Krasniqit, veçanërisht romanet e tij, frymëzohen kryesisht nga historia e popullit shqiptar. 

Duke dashur ta nxisë ndjenjën kombëtare te shqiptarët e robëruar, në radhë të parë në Kosovë, ai u jep atyre modele të luftëtarëve të shquar për liri kombëtare çfarë janë: Mic Sokoli, Oso Kuka, Bajram Curri, Azem dhe Shotë Galica etj. Mbi këtë platformë ideoestetike, të themi kështu, bazohen edhe tre romanet që janë objekt i punimit tonë: “Prijësja e komitëve”, “Pushka top, Bajram Curri!” dhe “Oso Kuka”.

Për shumë vite punoi si mësues në shkollat e mesme në Mat dhe Tiranë, ku botoi mijëra tregime dhe artikuj në shtypin periodik.


Sulejman Krasniqi është autor i një numri të madh romanesh, novelash dhe veprash eseistike të botuara në shqip, ndër të cilat veçohen romanet Mic Sokoli, Rebeli i Bajraqeve dhe Makthi i Hijeve. 

Për kontributin në fushën e letrave, Sulejman Krasniqi është laureuar me “Çmimin e Republikës”, dhe është dekoruar me “Urdhrin e Punës” nga Kuvendi i Shqipërisë.
 
U nda nga jeta në Tiranë më 16 07. 2011.
 

Opusi letrar i Sulejman Krasniqit është i gjerë. Ai është autor i mbi 20 veprave letrare, kryesisht në gjininë e prozës dhe të dramës. Krijimtaria letrare e këtij autori nuk merr fund me kaq. Janë disa vepra të pabotuara në dorëshkrim të cilat autori i ka përmendur më 2007. Ato janë: “Vajza e shtypshkronjës”, “Të jetosh midis dashurive”, “Shtegtimi i prostitutave”, pastaj një vëllim me artikuj politiko-shoqërorë, si dhe një vëllim me tregime. Sulejman Krasniqi i takon atij brezi që përjetoi si fëmijë shtypjen e egër të regjimit serb të kohës së Rankoviçit. Ishte mashkulli i vetëm në familje. Ai ishte edukuar nga prindërit me frymë kombëtare.

Në romanin “Prijësja e komitëve” është e dukshme përfshirja e rrëfimtarit në historinë që tregon. Autori ka gjurmuar me vite në Malsinë e Gjakovës për të marrë informacione të bollshme për gratë e asaj pjese, të cilat shërbejnë si prototip (model) i Shotë Galicës. Romani “Prijësja e komitëve” trajton bëmat e femrës kaçake, përpjekjet e saj për liri. Boshti rreth të cilit zhvillohet ngjarja prej fillimit të romanit deri në mbarim ka të bëjë me dy linja tematike: e para ka të bëjë me luftën ndërmjet Shotë Galicës dhe Ukë Gunës për ta marrë drejtimin e komitëve, udhëheqjen e tyre (Shotë Galica kishte përkrahjen e popullit, kurse Ukë Guna përkrahjen e disa fshatarëve), kurse linja e dytë tematike ka të bëjë me luftën e pakompromis të Shotë Galicës ndaj forcave serbe. Romanin “Prijësja e komitëve” e përbëjnë edhe disa mikrotema, si: tema e vëllavrasjes, tema e marrjes së Ramës binjak nga Milan Ivanoviçi etj. Sulejman Krasniqi romanin “Prijësja e komitëve” e shkruan në vetën e tretë njëjës (ajo). Narratori në këtë roman flet për ngjarje të përfunduara dhe të njohura për lexuesin. Autori trajton nëpërmjet figurës së Shotës barazinë në luftë në mes të gruas dhe burrit.

Edhe romanet “Pushka top, Bajram Curri!” dhe “Oso Kuka” flasin për bëmat e heronjve emrat e të cilëve qëndrojnë në titujt e këtyre veprave: Bajram Curri dhe Oso Kuka. Si të tilla këto vepra i kanë shërbyer çlirimit të Kosovës, sepse kanë nxitur mendjet dhe shpirtrat e bijave dhe bijve të Kosovës për t’i zgjedhur rrugët dhe mjetet e luftës për liri.

Te romani “Pushka top, Bajram Curri!”, autori paraqet kronologjikisht veprimtarinë e Bajram Currit, jetën e tij prej lindjes deri në vdekje, paraqet bëmat e tij, luftërat e tij, fitoret dhe humbjet. Lufta e tij ishte heroike. Ajo konkretizohet me fitore dhe me respektin që fiton në masë. 

Vepra “Pushka top, Bajram Curri!”, ka strukturë të mirëfilltë letrare.

 Vepra përbëhet nga dymbëdhjetë kapituj, në një mori personazhesh.

 Vepra ka 223 faqe. Narratori ka të bëjë me pikën e shikimit, personin që e tregon ngjarjen. 

Ngjarja në romanin “Pushka top, Bajram Curri!” rrëfehet në vetën e parë, rrëfim ky që Volfgang Kajzeri (teoricien gjerman) e quan (Ich-Form). 

Narratori, tregimtari i romanit, i cili është vetë Bajram Curri, na tregon se kishte lindur në karrocë të burgut. Bajram Curri në cilësinë e tregimtarit, tregon ngjarjet që i kanë ndodhur hap pas hapi. “Kur mbusha tetë vjeç, ndodhi një ngjarje, e cila na detyroi të braktisnim Gjakovën dhe të ngjiteshim në malësi, ku babai bënte një jetë gjysmë komiti”. 

Te romani tjetër me temë historike “Oso Kuka”, autori paraqet luftërat e popullit shqiptar karshi atij malazez, në pjesën veriore të Shqipërisë. 

Oso Kuka portretizohet në aspektin fizik dhe moral si njeri i fuqishëm e trim, njeri i cili kishte ndikim te shokët. Sulejman Krasniqi, autor i shumë romaneve me temë historike, shkroi romanin “Oso Kuka”, duke pasur në mendje gdhendjen si skulptori në gurë figurën e Oso Kukës. 

Oso Kuka është figurë e kompletuar letrare. Ai ka bërë shumë peripeci jetësore deri në vetëflijim për lirinë e atdheut. 

Me pak fjalë, ideja themelore e romanit është ta duam atdheun, të punojmë për të mirën e tij, ta duam gjuhën shqipe, t’i duam heronjtë kombëtarë dhe ta respektojmë të kaluarën tonë. Struktura letrare e romanit përbëhet nga tri pjesë të ndara në tridhjetë e dy kapituj. 

Pjesë përbërëse e librit janë Defteri i Oso Kukës dhe Buletini i Shkodrës. 

Buletini i Shkodrës paraqet kohë pas kohe ngjarjet kryesore në Shkodër.

 Romani përbëhet nga 354 faqe. 

Pjesë përbërëse të romanit janë edhe letrat dërguar Oso Kukës nga shokë dhe familjarë që janë elemente të romaneve sentimentale. Kapitujt e romanit kanë unitet të plotë gjuhësor dhe tematik, ato paraqesin para lexuesve luftën e pakompromis të popullit shqiptar për liri. 

Narratori në romanin “Oso Kuka” është në vetën e tretë “ai”. Po e shënoj një pjesë nga romani, ku faktohet kjo: “Kur u mbyll dosja e vrasjes së Hulinsanit me shënimin ‘Oso Kuka u mbyt në liqen, faji duhet t’i vishet ndonjë tjetri që çon peshë në kandarin e arnautëve’>!…”.3

Vepra e Sulejman Krasniqit në përgjithësi ka kultivuar guximin, trimërinë, shpirtin e sakrificës ndër breza.

Gjuha e veprave të Krasniqit është kryesisht gjuhë e pasur dhe e gjallë shqipe e pasuruar me elemente të ligjërimit popullor. 

Nëpërmjet saj autori bën paraqitjen e botës shpirtërore të personazheve, karakteristikat e tyre, bëmat e tyre.

Plani rrëfimor i autorit nuk mbështetet vetëm në fiksionin, që është shtjella e shkrimit artistik, por edhe në dokumente arkivore e në shkrime historike, ku proza e Krasniqit i afrohet konkretes.

 Proza e shkrimtarit nuk është trajtuar meritueshëm në kuadrin e historisë së letërsisë shqipe. 

Proza e tij është mundësi e hapur për studime dhe vlerësime dhe e meriton të jetë afër lexuesit tash edhe në të ardhmen.

Vetëm pasi të lexohet në tërësi proza e tij, krijohet një pasqyrë më e qartë rreth saj dhe mund të konkludojmë se krijimtaria dhe jeta e Sulejman Krasniqit janë plotësim i njëra-tjetrës, pra jetës dhe krijimtarisë së tij. 

Nëse merremi me njërën prej tyre, do të mësojmë edhe tjetrën. Vepra e tij letrare e ka pasuruar letërsinë shqipe, sidomos duke veçuar cilësinë e rrëfimit që është një nga arritjet më të mëdha të krijimtarisë letrare të këtij shkrimtari.

Sulejman Krasniqi i shkroi shumicën e romaneve të tij me patos patriotik, për çka edhe u kritikua ndonjëherë. 

Nuk është përpjekur të thellohet më tepër apo për të kapur më shumë tema të reja në mënyrë që ta mos përsërisë vetveten.

 Sa i përket organizimit të jashtëm, anës formale të romaneve, Sulejman Krasniqi nuk ka arritur ndonjë lëvizje të theksuar novatorizmi, por ai e ndjek vazhdimisht modelin e njëjtë të një rruge të trasuar nga të tjerët.

Personazhet e romaneve të Krasniqit janë kryesisht luftëtarë trima, por edhe njerëz të thjeshtë të popullit. 

Personazheve kryesore autori u ka bërë një trajtim më të gjerë dhe shumëdimensional. Njohim botën e tyre, shpirtin e tyre, peripecitë dhe sfidat e tyre në kohë të ndryshme.

 Personazhet e veprës së Krasniqit janë njerëz atdhedashës të cilët sakrifikojnë jetën e tyre për të mirën e vendit. 

Shumica prej tyre janë persona realë, si: Mic Sokoli, Bajram Curri, Oso Kuka, Shotë Galica, Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Bejtë Kuka, Shaqir Curri, Mehmet Ali Pasha, Azem Galica etj., por në romanet e tij ka edhe personazhe të trilluara të cilat janë pjellë e imagjinatës së shkrimtarit. Bajram Curri, Oso Kuka dhe Shotë Galica gjatë jetës së tyre u shquan si prijës popullorë, si luftëtarë të paepur, si strategë tejpamës.

Vepra e Sulejman Krasniqit është e rëndësishme. Si e tillë ajo meriton të studiohet për disa arsye.

Vepra e Sulejman Krasniqit ka rëndësi të veçantë për paraqitjen e figurave përfaqësuese të kohës. Vepra e Sulejman Krasniqit paraqet në mënyrë realiste të kaluarën e popullit shqiptar. Ajo është një model pak a shumë i veçantë në letërsinë shqipe.

Vepra e Sulejman Krasniqit paraqet një konstrukt gjuhësor e cila meriton të studiohet edhe më tej. Vepra e Sulejman Krasniqit nuk është studiuar sa duhet, në aspektin tematik, formal, në aspektin historiko-letrar. Mbi të gjitha, vepra e Sulejman Krasniqit është një ndër dëshmitë letrare më të fuqishme në ndërlidhjen histori-letërsi, e arritur në një nivel të lartë artistik, brenda letrave shqipe. Prandaj, studimi i saj është një kontribut për ndriçimin e vlerave letrare dhe historike të autorit në fjalë.

Nga studiues të ndryshëm veprimtaria atdhetare dhe krijimtaria letrare e tij është krahasuar me shkrimtarin francez Honore dë Balzak, i cili konsiderohet baba i romanit realist në Francë.

Ngjarjet në veprën e Sulejman Krasniqit zhvillohen në një pjesë të madhe të territorit shqiptar, duke filluar nga Bujanoci, Gjakova, Drenica, Shkodra, Vranina, Shpella e Dragobisë, Malësia e Gjakovës, Fushë-Kruja etj., të cilat çdoherë kanë qenë epiqendër të luftërave për liri. Nga këto vende kanë dalë trima të dalluar të cilët kanë kontribuar për çështjen kombëtare.

Stili i veprave të Sulejman Krasniqit është kryesisht epik, i përshtatet përmbajtjes së veprave të Sulejman Krasniqit, jetës së tij, veprimtarisë patriotike të tij.

Vepra romanore e Sulejman Krasniqit paraqitet si një univers kompleks, ku gazi e loti, dashuria e urrejtja, urtësia e çmenduria fqinjërojnë me njëra-tjetrën dhe së bashku realizojnë kuptime të shumëfishta dhe përplotësuese, duke krijuar ndjesi gjithmonë befasuese.

Sulejman Krasniqi qëndron në radhën e shkrimtarëve që i kanë ofruar lexuesit vepra letrare me përmbajtje të pasur artistike. 

Raporti histori-letërsi në romanet e Sulejman Krasniqit (Prijësja e komitëve, Pushka top, Bajram Curri! dhe Oso Kuka) 

Për relacionin histori-letërsi, për dallimet ndërmjet këtyre dy fushave, është debatuar qysh në antikë. Aristoteli në veprën Poetika, shkruan “… puna e një poeti nuk është të tregojë atë që ka ndodhur, po atë që mund të ndodhte, dmth. gjërat që mund të ngjasin sipas gjasës ose nevojës”.1 Një studim serioz për interesimin e shkrimtarëve shqiptarë për historinë e bëri prof. Agim Vinca në librin Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980). “Duke filluar nga gjysma e dytë e viteve ’60, posaçërisht nga viti 1968, mund të thuhet se zë fill interesimi i shtuar i shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë për historinë, lashtësinë dhe mitologjinë kombëtare, si dhe për historinë dhe mitologjinë në përgjithësi”.2 Prof. Vinca edhe në librin Kursi i teorive letrare bën dallimin ndërmjet letërsisë dhe historisë. “Historia flet për njerëz dhe ngjarje konkrete, kurse letërsia flet më tepër gjëra “të përgjithshme”, nocion ky që tek Aristoteli ka pak a shumë atë kuptim që te realistët do të ketë fjala “tipike”.3

Përfaqësuesi i rëndësishëm i dramës dhe romanit historik shkrimtari i njohur italian Aleksandër Manconi mendon se historia na ofron ngjarjet, të cilat, të thuash, i njohim së jashtmi, ndërsa letërsia tregon ç’kanë ndier njerëzit.

Studiuesi i romantizmit tonë – kritiku dhe historiani i njohur i letërsisë, akademik Rexhep Qosja, duke u marrë me figurën e Skënderbeut në vizionin e rilindësve, “thekson se historia e shënon të kaluarën e popujve të ndryshëm me indiferencën që shquan shkencat, pa u interesuar për ndjenjat që mund t’u kenë prirë apo mund t’u kenë pasuar ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme. Ndërkaq, letërsia si art zhytet në thellësitë e ndjenjës së individit dhe të mbarë popullit, duke shprehur dialektikën e përjetimeve të tij”.4

Binomi histori-letërsi në veprën e Sulejman Krasniqit është i pandashëm. Autori u kundërpërgjigjet edhe kritikave të atyre të cilët mendojnë se veprat e tij kanë tematikë të tepruar historike, duke thënë se populli shqiptar i Kosovës ishte popull i pushtuar me shekuj dhe nuk kishte se si të mos shkruante për tema kombëtare.

Atdhetar i patrembur për çështjen kombëtare dhe lexues i devotshëm i librave historikë, ai merr guximin që ato të cilat i kishte dëgjuar nga më të vjetrit nëpër oda, ato të cilat i kishte përjetuar vetë, ato të cilat i kishte lexuar nëpër libra historikë, t’i ringjallë dhe t’i bëjë romane me vlerë dhe lexueshmëri. Studiuesi Bajram Krasniqi në veprën e tij “Poetika e romanit historik shqiptar”, shkruan “(…) romani historik nuk shkruhet me qëllim që t’ia bëjë të njohura lexuesit ngjarjet dhe faktet pozitive nga e kaluara, sepse atë e bën më mirë dija e historisë, por do t’ia zbulojë artistikisht atë që ai ka mësuar nga historiografia”.5

Autori ka paraqitur fatin e popullit shqiptar si individ, e nëpërmjet tij si kolektiv, bëmat e tij, vuajtjet, gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, duke ngritur në piedestal luftën dhe bëmat heroike të Mic Sokolit, Bajram Currit, Oso Kukës, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit etj. Populli shqiptar është ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, një popull i cili me shekuj ishte i pushtuar nga perandori të ndryshme. kështu që historia e popullit shqiptar është e larmishme, me vuajtje, dhunë, masakra, por edhe me trima të ndryshëm të cilët i prodhoi historia kohë pas kohe.

Për t’i lexuar veprat e Krasniqit duhet të kemi njohuri paraprake të ngjarjeve historike, periudhave të lavdishme historike, për individë të cilët punuan për çështjen kombëtare.

Studiuesi Begzad Baliu shkruan se vepra e Krasniqit mund të bëhet objekt studimi në shumë fusha: “Konteksti historik i veprave të tij: antikiteti dardan në romanin Dardanët, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në romanin historik Qielli i përflakur, ripushtimi i Ulqinit në romanin historik Oso Kuka dhe Lëvizja Kaçake në romanin më me ndikim Prijësja e komitëve, Lufta e Dytë Botërore në romanin Shpella e banditëve”.6 Ngjarjet e këtyre romaneve vendosen në hapësirë gjeografike të ndryshme, si në Shqipërinë Veriore, Kosovë, Mal të Zi etj.

Albana Sulejman Krasniqi, thotë mes tjerash :“Në veprën e fundit babi, në jetëshkrim, ka treguar se ku u lind. U lind në Hoxhë të Vogël dhe ne si fëmijë gjatë gjithë fëmijërisë tonë, gjatë rinisë tonë, por edhe në moshë madhore e kemi ndjerë Hoxhën e Vogël të pranishme në çdo hap tonin, megjithëse nuk e kishim parë asnjëherë. Kur u kthyem në ’99 dhe kur kaluam nga Zhuri, babai na tregoi me një emocion të jashtëzakonshëm se këtu kam ecur, kam kaluar kufirin për në Shqipëri”.

Sipas saj, kthimi në Hoxhë të Vogël ka qenë një moment shumë emocionues. “Ka qenë një moment shumë drithërues, sepse gjetëm Hoxhën e Vogël me tymin që dilte nga çatitë, për shkak të dhunës që ishte ushtruar ndaj këtij fshati, si ndaj gjithë Kosovës”.

“Peripecitë që babi ka përjetuar në Shqipëri i ka përjetuar edhe në Kosovë. Pak më herët ishim në zyrën e kryetarit të komunës dhe një nga historianët i pranishëm tha se “Kur erdha në Shqipëri thashë mëmëdhe të dua edhe kështu siç je”.

Dua ta huazoj këtë shprehje, tha Krasniqi, pasi babi e ka dashur gjithmonë mëmëdheun ashtu siç ka qenë.

Vajza e shkrimtarit të madh tregoi se “ai ka vuajtur gjithmonë qoftë këtu, qoftë atje, asnjëherë nuk ka marrë hakmarrjen si pikënisje për të lidhur marrëdhëniet për të tjerët, gjithmonë ka marrë faljen, pa harruar asgjë. Pa harruar asgjë, as këtu, as atje”.

Ajo e cilësoi babain e saj, si shkrimtari i shqiptarisë. “Ai e ka ndjerë veten shqiptar në të gjithë dimensionet e saj”, tha Krasniqi.

Sulejman Krasniqi është njohës i mirë i historisë. Ai gdhendi figurat historike. Historia duke paraqitur të kaluarën, formëson të ardhmen. Autori ka qëllim që nëpërmjet historisë së letrarizuar, të përçojë te lexuesit ndjenjën e atdhedashurisë, ndjenjën e besnikërisë, ndjenjën e trimërisë. Sikurse në romanet e tjera të tij, edhe në romanet “Prijësja e komitëve”, “Pushka top, Bajram Curri!” dhe “Oso Kuka” paraqitet lufta epike e popullit shqiptar për liri.

Vend meritor për Sulejman Krasniqin, do të zë këto ditë në Tribunën publicistiko -Shkencore të Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës, në Festivalin e Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës që mbahët gjatë muajit qershor në Prishtinë, Prizren dhe Kukës,ku do referojnë shumë studiues të veprës së Sulejman Krasniqit.

Romani “Mic Sokoli”, i botuar vetëm një vit pas përkujtimit të Lidhjes së Prizrenit krijoi një tipologji të veçantë në letrat shqipe . Ai krijoi nga një mjedis i vogël dhe lokal, heroin e përmasave kombëtare që fatin dhe veprimtarinë e vet ia nënshtroi ideve të mëdha kombëtare. 

Sulejman Krasniqi mund të themi me plot gojën se është pena e tij që ka gdhendur një personazh që në vetvete bashkë me kompleksitetin e personazheve të tjerë si Ahmet Koronica, Shuaip Spahiu, Haxhi Zeka, Zef Kosharja etj, krijoi universin shqiptar të heroizmit që bie ndesh me agresivitetin shovinist të fqinjëve sllavë keqpërdorimin si plaçkë tregu të shqiptarëve nga pushteti perandorak osman dhe paragjykimi orientalist i fuqive perëndimore”…

Pavarësisht se personazhet nuk shfaqen e dalin nga një vepër në tjetrën, ato kanë një kuptim narrativ që është pak a shumë historia e vetë kombit shqiptar.

 Gama e tematikave dhe karaktereve që krijoi janë të ndryshëm, por ato i bashkon vetëdija etnike, identiteti i veçantë historik dhe skalitja e ngjarjeve të mëdha të kombit. Linealiteti jo i rregullt i ngjarjeve historike që trajtoi në romane jo domosdoshmërisht krijon vështirësi për të lexuar eposin historik “Krasniqian”, por nëpërmjet identifikimit të veçantë të personazheve heronj skaliten dhe mbeten më mirë në mendje, njerëz dhe ngjarje që kanë shenjuar kujtesën tonë kolektive dhe historinë kombëtare”.

Në vitin 1990, Sulejman Krasniqi kishte arritur maturinë e vet si shkrimtar, prandaj ai  ka arritur të përcjellë mesazhe të forta historike letrare përmes penës së vet për gjithë shqiptarinë që ngriti në mit figurat historike të popullit tonë.

Sulejman Krasniqi, Jetëshkrim, Neraida, Tiranë, 2011, f. 5.

 Sulejman Krasniqi, Pushka top, Bajram Curri!, f. 18.

Sulejman Krasniqi, Oso Kuka, f. 19.

Aristoteli, Poetika, Buzuku, Prishtinë, 2003, f. 72.

Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), f. 263.

Agim Vinca, Kursi i teorive letrare, Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 51

Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), f. 266.

Bajram Krasniqi, Poetika e romanit historik shqiptar, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 14-15.

Begzad Baliu, Sulejman Krasniqi i munguar, Metafora, f. 17-18.

Albert Mustafa,Raporti histori-letërsi në romanet e Sulejman Krasniqit,Epoka e re, 30 maj 2023.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu