Historiani Jusuf Buxhovi ka bërë kritika të forta ndaj akademikëve shqiptarë duke thënë se kërkimet shkencore të Shqipërisë nuk janë në asnjë vend të botës.
Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, ai tha se shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej.
“Po shoh se gjithë puna shkencore dhe akademike në Shqipëri po kërkon që të reformohet, pra në njëfarë mënyre të kthehet aty ku ishte para disa viteve. Për mua nuk ka rëndësi forma, por ka rëndësi përmbajtja. Institucioni shkencor këto 20 vjetët e fundit, nuk ka qenë në përputhje me kërkesat që i ka imponuar tranzicioni i dy shteteve tona. Ne jemi pas në shumë pikëpamje. Shkenca jonë nuk është e prezantuar nga institucionet ndërkombëtare ashtu siç do të duhej. Ne nuk jemi të pranishëm në institutet amerikane, Në bibliotekat amerikane mungojnë tekstet elementare të Shqipërisë”- tha ai.