ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Identiteti dhe integrimi në pluralizëm 

Shkrime relevante

Shpërndaj

Prof. Dr. Nail Draga , Ulqin

Tema dhe dilema 

Në mozaikun e popujve në Mal të Zi bëjnë pjesë edhe shqiptarët të cilët janë të vetmit me përkatësi etnike josllave, duke sfiduar rrethanat shoqërore të kohës për të mbijetuar, çështje e cila është e pranishmë edhe në pluralizëm, sepse koncepti i integrimit modern rrezikon identitetin kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis, ndërsa angazhimi i  shqiptarëve, me  përfaqësuesit e tyre  autentik, por edhe të tjerë, me kërkesa konkrete ndaj  qeverisë, duhet të jetë mision i vazhdueshëm në favor të avancimit të pozitës  dhe statusit  të tyre në këtë mjedis  

Në fjalorin politik çështja e  integrimit është bërë pjesë e përfaqësuesve të gjitha partive politike dhe institucioneve qeveritare, duke theksuar se Mali i Zi si mjedis multinacional dhe multikulturor këtë çështje e ka prioritare në politikën aktuale vendore e ndërkombetare. Por, në këtë aspekt të pjesëtarët e popujve të ndarë sikurse janë shqiptarët kjo çështje ka përmasa të veçanta, sepse integrimi paraqet rrezik për identitetin kombëtar, andaj, në këtë aspekt shqiptarët me të drejtë kanë rezervat e tyre çështje e cila meriton qasje të veçantë. 

E vetmja popullsi josllave 

Në mozaikun kombëtar të popullsisë në Mal të Zi, shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje josllave, e dhënë kjo që i bën të veçantë nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Dhe ska si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët si popull autokton kanë identitetin e tyre të veçantë nga të tjerët, si nga gjuha, kultura, historia e tradita. Andaj duke marrë parasysh këto veçori, me të drejtë bëhët pyetja, se si qendron çështja e identitetit  dhe e integrimit të shqiptarëve në këtë mjedis. Pavarësisht rrethanave të reja shoqëror jemi dëshmitarë  se edhe në pluralizëm ekzistojnë vështirësi të natyrave të ndryshme sa i përket integrimit të tyre në Mal të Zi, nga fakti se këtu gjithnjë është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit.  

Retorika monotone 

Shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në geto, por përkundrazi ata dëshirojnë të integrohen, por me identitetin e tyre. Duke marrë parasysh se numërikisht janë pak, rreth 5% sipas statistikës zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, duhet një përkujdesje e veçantë nga strukturat e pushtetit qendror për të  mbrojtur identitetin kombëtar, e kjo ka të bëjë sidomos në fushën e arsimit, gjuhës, informimit, kulturës etj. Po ashtu përkujdesje duhet kushtuar  edhe në investime e punësim, konformë përqindjës së pjesëmarrjës në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, përvoja e deritashme dëshmon se për ndryshime cilësore në këtë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, e jo të dëgjojmë retorikë monotone që në shumë raste i ngjanë demagogjisë.  

Sindromi i hegjemonizmit 

Nuk ka dilemë se mbrojtja  e identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk rrezikon askend në Mal të Zi, përveç individ apo subjekte të ndryshme politike e jo politike, të cilët vuajnë nga sindromi i hegjemonizmit.Vetëm duke mbrojtur identitetin e popujve të vegjël, përkatësisht  popujve të ndarë, duke  mbrojtur  dhe valorizuar  trashëgiminë  kulturore, si dëshmi e identitetit të tyre, Mali i Zi do të ishte në praktikë  shtet  multikulturor sipas standardëve ndërkombëtare. 

Integrimi mbarëkombëtar  

Me miratimin e pluralizmit me të drejt është pritur se pengesat ideologjike të së kaluarës  do të eliminohen dhe shqiptarët do të angazhohen për integrimin e tyre  mbarëkombëtar. Një qasje të tillë kishin të gjithë shqiptarët, duke marrë parasysh se kemi përjetuar një periudhë ndarje dhe izolimi për pesë dekada, e cila ka lënë pasoja që janë të pranishme edhe në ditët tona. Dhe  s’ka  si të jetë ndryshe sepse kemi t pasur të bëjmë me një popull të ndarë, me pamundësi komunikimi me shtetin amë. Pra kemi pasur të bëjmë me procesin e mbijetesës së shqiptarëve në Mal të Zi,  duke sfiduar rrethanat shoqërore të kohës.  

Ndonëse në pluralizëm janë bërë ca përpjekje në çështjet integruese mbarëkombëtare nga subjekte të ndryshme dhe shoqëria civile në këtë drejtim të arriturat janë minimale. Për ndryshime pozitive në këtë drejtim  bartës të këtij procesi duhet të jenë institucionet shtetërore nga shteti amë-Shqipëria, e po ashtu edhe  Kosova. Këtu kemi parasysh integrimin në fushën e kulturës, artit, arsimit, informimit, botimeve, turizmit etj., të cilat mund të realizohen duke mbeshtetur projekte përkatëse. Pasi integrimi  është koncept i gjerë, fillimisht janë këto fusha  ku duhet insistuar sepse janë në favor të identitetit tonë kombëtar.   

Bashkimi kulturor shqiptar  

Theksojmë më këtë rast pjesëmarrjen  e shqiptarëve nga Mali i Zi  në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër(2015) që është ndër veprimtaritë e rralla në nivelin mbarëkombëtar  me koordinim nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Veprimtari të ngjajshme duhet të organizohen nga institucionet shtetërore edhe në fushat e tjera ku duhet të ftohen shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike që është në favor të njohjes, këmbimit të përvojave e sidomos  të  bashkimit kulturor kombëtar. Por, mungesa e shqiptarëve në Mal të Zi ne programin vjetor te kalendarit kombëtar kulturor  në Ministrinë e kulturës në Shqipëri nuk mund të arsyetohet me asgjë. 

Duke eliminuar paragjykimet e kaluara në pluralizëm  veprimtaritë e tilla mbarëkombëtare nuk cenojnë interesat e popujve të tjerë në Mal të Zi, por janë në favor të identitetit kombëtar të shqiptarëve e si të tilla edhe  në favor të konceptit multikulturor  si kudo në vendet demokratike europiane. Andaj, mbetet obligim moral, profesional dhe kombëtar që  të angazhohemi në këtë drejtim  me të gjitha kapacitetet  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.  

(Maj 2023)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu