ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Të njohësh mekatin e të purifikohesh prej tij, është esenca e udhëtimit që Dante bën në ferr

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

Nga: Ervina Toptani, Tiranë
___
sepse, kur thellësija e mendimit
puqet me forcë brutale e ligësi,
asnjë shpëtim s’i mbetet njerëzimit.
(“Ferri”, kanga XXXI, vargjet 55-57) 
___
Ferri i Dantes
… për të mos përsëritur në spiralen e kohës sistematikisht rrathët e tij….
(e për dëshirën time të pafundme për t’u kredhur nëpër kryevepra)
Në fillim të 1300-tës Dante Alighieri, babai i gjuhës italiane, shkruan kryeveprën e jetës së tij (një ndër kryeveprat e njerëzimit ende sot) “Komedinë Hyjnore”.
Eshtë tmerrsisht e vështirë të shkruash disa fjalë rreth saj sepse Fjala vetë nuk mjafton. Por unë, mëkatare si çdo i vdekshëm tjetër në këtë botë, sa herë përballem me djallin që merr formë e fytyrë njerëzore e sa shpesh kërkoj e takoj Zotin brenda vetes, brenda shpirtit tim, e kam të pamundur të mos i rikthehem Dantes, specifikisht Ferrit të përshkrur prej tij.
Shpesh gjatë jetës gjendemi në udhëkryqe të vështira e kemi nevojë për një guidë, për një forcë të re për të luftuar e për të mos rënë prè e së keqes e kush është i pajisur me kulturë e njohjen e psikologjisë njerëzore e ka mundësinë të kuptojë përpara se e keqja të ndodhë.
Mëkat, obsesion, rilindje ….
Në qendër të kësaj kryevepre është njeriu, jeta, e sjellë me mjeshtërinë e një mendjeje brilante. Komedia Hyjnore është një dritare që hapet nga brenda, (nënkuptoj këtu kohën kur u shkrua, fillim shekulli i 14-të) që tregon botën jashtë e jetën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj. Dante arrin ta njohë njeriun e sotshëm sikurse dhe të atëhershmin më mirë sesa ne vetë mund ta njohim veten. Gjenia e tij konsiston në fytyrën dhe formën që i dha Ferrit dhe dimensionit të së keqes në rrathët e tij. Ai e sjell Ferrin real, të prekshëm, i dha formë përmasës së papërmasë të së keqes njerëzore.
Mëkatet e përshkruara janë akte në vetvete, veprime të kryera, e secili prej tyre ka një skenar të tijin, bashkë me ndërshkimin. Një botë apokaliptike e cila bëri të shpërthejë imagjinatën artistike të qindra artistëve të tjerë përgjatë kohës në historinë e artit botëror.
Dante vetë është personazhi kryesor, pelegrini i udhëtimit të tij fantastik. Tundimi i mëkatit e tërheq Danten në një marramendje të errët. Por nga terri del drita e mençurisë, Virgjili, autori i pavdekshëm i Eneidës, mjeshtri shpirtëror fort i dashur i Alighierit. Dante është një poet dhe sigurisht që është ndikuar nga Virgjili, i cili e ka përshkruar përtej-vdekjen në pjesën e 6-të të Eneidës, prej së cilës mendohet se Dante është frymëzuar. Virgjili është guida, mjeshtri por mbi të gjitha është personfikimi i mençurisë dhe urtësisë që Dante ia atribuon në personazh. Nxënës e mësues, në vepër vijnë të dy të përshkruar si refleksi i njëri-tjetrit. Nëse përgjatë vargjeve të veprës Dante duket konfuz dhe i përhumbur në rrugën që i duhet të përshkojë, Virgjili përfaqëson pjesën racionale të njeriut, në fakt të secilit prej nesh, atë pjesën e domosdoshme për t`i rezistuar mëkatit, arsyen.
Përse kemi frikë nga vdekja? Çfarë është mëkati? Këto pyejtje bën Dante, një njeri si gjithë të tjerët …. kur papritur zgjohet në botën e të vdekurve, një pyll i errët njësoj si mendimet që e konsumojnë atë. Përse Dante ndodhet aty?
Porta e Ferrit e pret. Kjo e fundit është një simbol. Në filozofi tejkalimi i saj nënkupton ndryshimin. Kur njeriu kalon një portë e di se po tejkalon një kufi të caktuar.
Ferri është cituar shpesh edhe ne librat e Shenjtë, por Dante për herë të parë e konceptoi atë si një vend fizik, të prekshëm, të detajuar, i banuar nga personazhe realë dhe demone mitologjikë, në skenarin e 134 këngëve që kompozojnë poemën në vargje. Ndërsa lexuesi zhytet thellë brenda rrathëve të Ferrit e frikës që e përshkon njeriun në këtë rast, kuptojmë se bota nuk ka ndryshuar aspak as sot, përkundrazi. E vetmja shpresë për të na afruar tek e mira është njohja e së keqes, është afrimi më të mirën, me Krijuesin, tek arsyeja për të qenë më shumë kërkues ndaj të mirës që secili nga ne di të prodhojë. Dante përballet me mëkatin në kuptimin e vërtetë të fjalës, në po të njëjtin kuptim siç përballet me vetveten.
Si në ënderr Dante e gjen veten në një pyll të errët, simbol i të gjithë mëkateve të botës. Ndërsa kërkon një rrugë-dalje si të shpëtojë, ndeshet papritur me 3 egërsirat: epshi, krenaria dhe lakmia (zilia), 3 mëkatet më të përhapura e më të shpeshta ndër njerëz edhe sot. Që prej fillimit të poemës Dante na katapulton në histori, në pyllin e errët, që simbolizon në thelb takimin dhe gjetjen me vetveten.
Në fillim të viteve 1300 Dante është një politikan dhe një poet mjaft i suksesshëm por në të vërtetë, në shpirtin e tij është njeri i shkatërruar. Sapo ka humbur dashurinë e madhe të jetës së tij, Beatriçen e cila vdiq shumë e re. Në komedinë hyjnore Dante e përshkruan Beatriçen si ëngjëllin e tij mbrojtës, është pikërisht ajo që përzgjedh Virgjilin si bashkëshoqërues të udhëtimit të të dashurit të saj në ferr në pritje për t`u bashkuar më pas me të në jetën e përtejme. Beatriçe është një grua reale por edhe simboli i shpengimit të Dantes. Nëse Virgjili është alegoria e arsyes dhe urtësisë Beatriçe është alegoria e teologjisë dhe shpëtimit.
Pas humbjes së dashurisë së madhe, Dante iu përkushtua plotësisht politikës. Ai akuzohet për korrupsion, ndoshta padrejtësisht siç del dhe nga dokumetet e kohës, por gjithsesi dënohet me ekzil. Pikërisht në këtë kontorno përhumbjeje dhe dhimbjeje Dante ndërmerr vendimin për të shkruar kryeveprën e të gjitha kohërave me një forcë shpërthyese të mendimit, imagjinatës e fantazisë. Ndoshta nëse do të kishte qëndruar në Firenze nuk do të kishte qenë e mundur që ai ta shkruante këtë kryevepër me këtë forcë e shkëlqim. Në ferrin e Dantes përfshihet e gjithë shoqëria dhe jeta e kohës, e cila për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ka ndryshuar që atëherë, përkundrazi.
Ferri është provokues, i rëndë, i vështirë. Eshtë mënyra e Dantes për të paraqitur dhe padrejtësitë që i janë bërë atij vetë gjatë jetës. Dante ishte një njeri shumë krenar dhe pikërisht krenaria është një ndër mëkatet e rënda.
Takimet dhe skenat që Dante sheh gjatë udhëtimit janë të tmerrshme e mbresëlënëse. Takimi me Paolon dhe Françeskën, në stuhinë e dashnorëve (la tempesta degli amanti), dy shpirtra të apasionuar dhe të tronditur nga ndjenjat gjatë jetës që vazhdojnë të mbeten të njëjta edhe në vuajtjen e përjetësisë. Ata të dy u dashuruan marrëzisht, ndonëse të martuar me të tjerë njerëz dhe gjejnë vdekjen të vrarë nga bashkëshorti i Françeskës që ishte njëkohësisht dhe vëllai i Paolos. Në ferr ata paraqiten të përfshirë në një stuhi të vazhdueshme, një lloj kataklizme e dashurisë. Një dashuri kaq e zjarrtë që kthehet kështu në një torturë të përjetshme për shpirtrat e tyre.
Takimet e pamjet që Dante përshkruan gjatë udhëtimit të tij në ferr janë si momentet që përbëjnë luginën e një jete të tërë. Sa më shumë ai zbret në qendër të tokës aq më shumë është dëshmitar i ndërshkimeve të tmerrshme, duke nisur që nga grykësit (llupësat) që nuk kanë mundur gjatë jetës t`i vënë frè nepsit të papërmbajtshëm deri tek shiu i zjarrtë që bie mbi trupat e atyre që kanë mohuar Zotin. Ferri i Dantes përqëndrohet mbi dobësitë njerëzore e cila na fton ndërsa lexojmë, të kuptojmë cilat mëkate do të mundemi gjatë jetës t`i analizojmë e t`i shmangim nëpërmjet arsyes e cilat nuk do të mundim t`i kapërcejmë dot.
Gjithnjë e më i frikësuar Dante është i detyruar të vazhdojë rrugëtimin përgjatë lumit Stige. Papritur sulmohet nga të zemëruarit që të verbuar nga urrejtja tentojnë ta tërheqin drejt ujit për ta mbytur. Aty mes tyre Dante arrin të njohë dhe Filippo Argenti-n, njeriun që e kishte dënuar me ekzil. Për herë të parë gjatë të gjithë poemës, dëshira për hakmarrje del hapur në vargjet e Dantes, gjë që i nxit mëkatarët e tjerë kundër Argentit. Kjo pjesë i shton më shumë vlerë Ferrit të Dantes duke ditur që ai vetë është njeri i zakonshëm, mëkatar si gjithë të tjerët. Hakmarrja kundër Filipo Argentit është një eveniment i rëndësishëm personal për Danten sepse nga ky moment e tutje do të përballet me udhëtimin me një forcë të re e cila e bën atë të ndjehet protagonsti perfekt për piktorët romantikë.
Gjatë rrugëtimit përshkrimet e ndërshkrimet bëhen edhe më të rënda kur papritur Dante e gjen veten të mbështjellë nga akulli dhe ndjenja e tmerrshme e ngrirjes. Ai kupton se origjina e çdo te keqeje është tashmë shumë pranë. Të njohësh mekatin e të purifikohesh prej tij është esenca e udhëtimit që Dante bën në ferr. Kalon përmes mëkatarëve të tmerrshëm si tradhtarët ndaj atdheut me në qendër Kontin Ugolino si personazh ilustrues i cili ishte i dënuar të vdiste nga uria derisa hëngri fëmijët e tij. Tradhëtarët si Bruti apo Juda ishin të gjithë aty. Mëkatarë të tjerë, si ata që ishin vetëvrarë, duke u kthyer në drunj të atrofizuar brenda një pylli lemerisës ku vuanin dënimin e përjetshëm pa mundur t`i kërkojnë falje Zotit. Ferri mbetet një mesazh universal i kryeveprës së Dantes.
Ndoshta për ne njerëzit e sotshëm është paksa e paimagjinueshme të kuptojmë sesa e thellë ishte për bashkëhohësit e Dantes çeshtja e besimit dhe fesë. Ashtu siç i besonin Zotit ishin të bindur edhe në ekzistencën e Djallit.
Dante më në fund është përpara fundit të rrugëtimit të tij, në momentin e takimit të frikshëm me vetë Djallin, të keqen supreme. Dikur ai ishte ëngjëlli më i bukur i parajsës ndërsa tani është vetëm një rebel i dënuar me ekzil në errësirën e së keqes që ai vetë personifikon, tradhëtari më i tmerrshëm, mbreti i zi i ferrit, Lucifero. Ai është i bllokuar mes akullit së bashku me të mallkuarit e tjerë më të tmerrshëm. Përse akulli? Sepse aty është pika më e largët e takimit me zjarrin e dashurisë hyjnore, e kundërta ekstreme e tij.
Ajo që bie në sy tek përshkrimi i Djalli nuk është frika që Dante dëshiron të ngjallë tek lexuesi nëpërmjet përshkrimit por ai i jep rëndësi shumë me tepër elementit të egërsirës brenda kësaj figure, e posaçërisht mungesës së inteligjencës tek ai, mungesa e arsyes e cila e bëri të jetë i tillë. Mesazhi është qartësisht i kuptueshëm për secilin nga ne!
Djalli përshkruhet si një lloj trilogjie qesharake e cila ka tre gojë dhe me secilën kullufit mëkatarët që ka rreth e qark tij të cilët janë dhe mëkatarët më të tmerrshëm. Djalli nuk ishte i përfshirë nga flakë e llavë por i zhytur në një det akulli. Dante ka mbërthyer traditën duke e transformuar atë në diçka krejtësisht origjinale. Shumë kritikë mendojnë se përshkrimi i Djallit të Dantes është bërë qëllimisht i tillë, më shumë qesharak sesa i tmerrshëm sepse nuk është e rëndësishme pamja e egërsirës që shfaqet përpara syve tanë por impakti që sjell pamja rreth e përqark kësaj krijese të tmerrshme, mëkatarëve që duhet të paguajnë për mëkatet e bëra gjatë jetës. Këtu mund të ndalemi gjatë për reflektim, shumë gjatë!
Në shekullin që ne jetojmë sot, e keqja ndryshon fytyrë e formë me shpejtësi por vizioni dantesk ka hyrë në kulturën e çdo momenti të jetuar nga njerëzit, i konceptuar si i njëjtrajtshëm kur vjen puna tek përjetimi i së keqes dhe derivateve që ajo sjell. Dante është transformuar në mitologji. Ai ka kapur thelbin e njeriut që është prezenca e padiskutueshme e dyshimit që për bashkëkohësit e Dantes ishte dyshimi për shpëtimin e shpirtit ndërsa për ne sot mendoj se është dyshimi i mbijetesës pas vdekjes. E keqja ekziston e madje në shumë forma dhe një ndër detyrat e njeriut është të tentojë të gjejë rrënjët e saj, të përballet me të e të përpiqet ta shkatërrojë atë, sot njësoj sikur 7 shekuj më parë.
Me forcën që kishte fituar gjatë udhëtimit të tij Dante arrin t`i mbijetojë dhe takimit të fundit e të tmerrshëm me Djallin. E në fund vjen momenti i purifikimit, galeria e nëndheshme që do ta largojë nga makthi i përjetuar në ferr.
Komedia Hyjnore është një kryevepër që e merr lexuesin për dore dhe e drejton në një udhëtim të thellë brenda vetes. Një histori tmerri me përshkrime, emra, tortura e ndodhi të jetuara e të trilluara të cilat mbeten sot e kësaj dite kaq moderne e kaq të gjalla. Tejkalimi i kufinjve, idelogjisë e paragjykimeve është në thelb misioni i artit në përgjithësi dhe Dante këtë e ka bërë si askush tjetër në histori.
Në fund të galerisë së errët Dante arrin të shohë yjet, është bota e të gjallëve që ai tashmë e sheh me sy të rinj, pa frikën dhe zemërimin me të cilat nisi fillimisht udhëtimin e tij.
Sikur vetëm pak të mendonim për gjithçka bëjmë në ditët tona, për çdo veprim e fjalë që nxjerrim pa e menduar apo edhe duke dashur ta bëjmë tjetrin të vuajë më kot, ndoshta do i kursenim vetes një ditë, Ferrin e përjetësisë.
Asnjë mos të harrojë se asht njeri;
ju le nuk keni për t’gjallue si shtasë,
po për të ndjekë virtyt e dituni.
(“Ferri”, kanga XXVI, vargjet 118-120)
Mund të jetë një imazh i 1 person
Ervina Toptani

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu