Kasam Shaqirvela, Shkodër
(E s e)
…. ngadalë por qëndrueshëm,… ai, bashkë me vitet e moshës së tij ka ndërtuar kullën e vet modeste, kullë kjo që, në pleqëri, gjithsecilin do ta mbronte nga: tufanet e kohës së pakohë, mohimi i prodhimit me vlera intelektuale të mirëfillta…si dhe reumatizmat e ligatinave “kuq e blu”, të të gjitha nuancave, që shtrihen sikurse spektri i të murmes, në një shoqëri të kapur nga korrupsioni me tipare krimi, tamam si jonxhja nga metili….aq më tepër të orkestruara nga dirigjentë të vendosur në “tat”, “për fjalën e babës”, tejet të pacipë, pangopës e hileqarë dhe mospërfillës vlerash njerëzore e profesionale të individit me mendim të lirë…!?
Pra, fjala është për kullën personale,… që ju mbase mund ta quani edhe kasolle,… të krijimtarisë së tij letrare e shkencore… Kurse ai vetë, tashmë, është ngjitur në kulmin e saj duke i shkelur të njëqind shkallët e kullës, tek të cilat ka vënë, në çdo shkallë, nga një libër në vend të pllakës së mermerit… Këto shkallë të çojnë nga themeli e deri te kulmi i saj… Aty, në ballkonin ku shikimi kap këndin e gjerë nga lindja, prej kur lind Dielli e deri në perëndim kur perëndon Dielli,.. ai po sodit panoramën e bukur, herë-herë, e hedh shikimin më tej, kah horizonti… Sa bukur po bie fyelli i bariut…bashkë me këngën e bilbilit…! Ah,… sikur mos të ishin dhe këto lehje që, kohë pas kohe po dëgjohen prej qensh endacakë,… nga disa zagarë të azdisur… të cilët po grinden pas presë… duke hungëryer nga uria dhe po rendin për do mbetje stërvinash… rreth e rrotull…
Nga marramendja që u vjen si pasojë e ngarkesës së mides së tyre sepse, ajo nuk ua banë vrerin e trazuar,… i vijnë vërdallë kullës duke i shtuar lehjet e tyre prej langonjsh të dresuar biçim imituesish, prej plagiatësh ordinerë…Por ama i merr shpejt era sepse, ato janë të çastit dhe rastit ashtu sikurse fluskat e sapunit, plasin nga vetvetja, nuk i qëndrojnë kohës,… Këto lehje e skapullima dhëmbësh nuk e arrijnë dot as ta kafshojnë bohemin që rri majë kulle e lëre më që ta hanë e përbijnë si t’ishin bisha mali….?!
Poetit të fjalës së lirë,…për të cilën fjalë vdes e ngjallet… dhe me të cilat fjalë ai i thur vargjet e shpirtit, vargje këto të cilat i gdhend me daltën e zemrës dhe i qëndis me fije ndjenjash që dalin nga zemra e bardhë e gjenit pellazg(pell-arg). Pra atij, sërish, i çel pranvera edhe në iu vonoftë ndonjëherë…
Teksa lehjet e qenushëve po enden në erë tamam si balonat që nuk kthehen më te pronari… sepse humbin në gëlltitjen pa pardon të fytit të territ të natës pisë të zezë,… dhe për ta, s’ka më agim të bardhë..! Bohemi rri zgjuar dhe dialogon me yjet… vërtetësinë e këtij bisedimi e dëshmon Hëna në muajin e plotë….dhe ajo nga gëzimi shkëlqen në nurin e saj hirplotë…!
*
Ja dhe diçka që është e rëndësishme se, ai nuk i kishte numëruar shkallët e kullës asnjëherë një nga një, por e kishte numëruar vetëm njërin krah të katit të parë, krahu kishte dhjetë shkallë pastaj vinte pushimorja dhe kthente për njëqind e tetëdhjetë shkallë kah krahu tjetër i shkallëve poashtu me dhjetë shkallë… Meqë kulla kishte gjithsej pesë kate… poeti e përdorte matematikën elementare duke bërë shumëzimin e pesë kateve me nga dy krahë, secili krah kishte nga dhjetë shkallë … kështu shkrimtari edhe pse nuk ishte matematikan,… por, e nxirrte me saktësi numrin e përgjithshëm të shkallëve të kullës…që numëronin njëqind sosh. Kuptohet që, në vend të pllakës së mermerit mbi ta, siç u tha më lartë, ai kishte vendosur nga një libër tek secila shkallë. Çdo shkallë mbante numrin rendor vetanak ashtu siç mbante titullin e vet çdo libër. Kulla kishte një pjerësirë prej pikës zero të bahçes, e deri në lartësinë prej 1.60 të metrit,… prej ku fillonin shkallët e kullës, nga e para deri te ajo e njëqindta…e cila dilte në pushimoren e ballkonit të nënkulmit… Prapa derës hyrëse të kullës ai kishte llozin që ia kishte lënë amanet gjyshi i tij… I kujtohej koha kur ai i thonte… – “nipçe,… minxhallozin mbaje mbas dere, kur t’bere mbramja e t’nise me u err …vinja derës përmbrenda se ktu n’katund … mbasdarke t’vin edhe miki edhe anmiki, nuk e dijsh se si gjuditën puna”…. Në krye të shkallëve të katit të parë ishte qepeni…që kishte një rrezë hekuri dhe mshelej me dry…ose me gozhdë “xhipi”(gozhdë farkatari). Krahut të shkallëve në katin e parë, nga ana e murit, ..i kishte vënë si relikte tri veglat e gjyshit; shatin, sopatën dhe pllugjin(plorin)…ndërkaq në krahun e shkallëve të katit të dytë, nga ana e murit, i kishte vënë tri veglat e gjyshes; furkën, boshtin dhe çekrekun…Tek ngjitesh në katin e tretë nga ana e murit, në faqen e tij, qëndrojnë të varura tri veglat e babait;….një laps i gdhendur me thikë… një fletore e hapur me vija dhe abetarja… ….Shkallëve për tek kati i katërt,.. gjithmonë në formë simetrike, andej nga ana e murit, qëndrojnë të varura tri elementet e nënës; saçi, maxhja, dhe gjylpëra…Para se të arrihet në katin e pestë, …në nënkulmin ku qëndron poeti,… në kolltukun e tij, në tat, këmbën përmbi këmbë, teksa vështrimin e mba të hudhur në horizont aty ku qielli e puth tokën,…ai bluan mendimet…dhe tjerr fillin e ndodhive diku larg në kohë e thellë në detin e ngjarjeve..! Në derën hyrëse të nënkulmit,… në një dërasë prej trungut të gështenjës nga “Malizeskat”, në të është i gdhendur mbishkrimi: “Këtu do t’i gjeni prodhimet nga veglat që i hasët përgjatë shkallëve ngjitëse të kullës..!
…Tashmë jemi ngjitur, dalngadalë por qëndrueshëm, në katin e pestë, tek ballkoni me shikim nga Dielli përgjatë ditës .. dhe me shikim nga Hëna në qiellin me yje gjatë natës… Në anën e majtë nodhet i varur albumi i trungut familjar që rrëfen për jetën por në heshtje, pa zë… ndërsa në të djathtë ndodhen tri arkat apo raftet me librat e shkrimtarit … Në këndin e djathtë disi krenare qëndron një sofër e madhe.. e varur për bedenin e kullës,… Aty mbi frëngjinë…qëndron martina e xhaxhait të stërgjyshit të tij, që të kujton kohën e kaçakëve…ndërsa në mes janë shala me frerët e Atit të Bardhë të stërgjyshit atnonim… bashkë…me shpatën e tij me të cilën ai i shoqëronte pashallarët e Tetovës si pararojë e tyre derisa shkonin në Prizrenin Historik të Lidhjes Shqiptare,….
Në një çekmexhe të moçme, të vogël, të dekoruar me sërm, janë vënë reliktet e gjyshit: çibuku i gjatë bashkë me kutinë e duhanit,…unuri me eshkën dhe një copë guri i marrur nga ara, “Gjurzit e Bardhë”,… ndërkaq, në të majtë, qëndron diploma e shkruar në lëkurë dhie e stërgjyshit kurbetli i Vllajakës, mba vulën dhe nënshkrimin e drejtorit të Operas në Bukuresht,.. nga ku, ai vetë, ishte kthyer ulog…si dhe në mes është e vënë lëvdata e dhënë babait për udhëheqjen e aksionit, për ta sjellur ujin(“Ujmirin”), nga Qafa e Bjeshkës deri në katundin e lindjes!
Shkrimtari,… sa herë që e shikon mozaikun e trungut familjar i shfaqen bulëzat e lotit në sytë blu, tamam si mjegullat e murme në qiellin e kaltër…dhe, sa herë që i shikon raftet e mbushura me libra ku, në mes të librave, në një pergamenë të improvizuar, qëndron, madhështor, mendimi filozofik i tij, apo, siç i quan vetë autori, folozofema, citati: ” Librin e shkruan autori… dhe sa herë që autori shkrimin e vet e harron,… është libri tij, ai, që shkrimin autorit ia kujton…!”
Dhe,..sa herë që e lexon këtë postulat, atij, i buzëqesh fytyra,..tamam sikurse qielli kur kthjellet e pastaj ndrit dielli me rrezet e arta… që ngroh gjithësinë, gjallësinë e gjësendinë…!
***
S’ka se si të mos i kujtohet një thënie e vet, të shkruar para pak ditësh, pra filozofema e tij: ”Për shkak të librit bëra shumë shokë… por dhe për shkak të librave e humba një numër të madh shokësh….!? ”
*
I juaji me shkrime, për ju në mendime…!Ngadal