Nga: Frank Shkreli
ADEM DEMAÇI: “NË LIBRIN E SHENJTË THUHET: ‘E PARA ISHTE FJALA’. NË KOHËN TONË MUND TË THEMI: “E PARA ËSHTË FJALA E LIRË” – SI HAPI I PARË DHE I DOMOSDOSHËM DREJT DEMOKRACISË”.
Në fjalimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të mërkurën që kaloi para Parlamentit Evropian në Strasburg, Vjosa Osmani kujtoi dy figura të njohura të historisë kombëtare moderne të shqiptarëve; Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, të dy fitues të Çmimit Sakharov, të përzgjedhurur nga Parlamenti i Evropës. Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci s’ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion nga Rugova, por janë dhe vizion i popullit të Kosovës | Gazeta Telegraf
Në vitin 1991, Parlamenti Evropian i ka dorëzuar Adem Demaçit Çmimin e lartë, Sakharov – për integritetin e tij në kundërshtimin e një regjimi autoritar – ish-regjimit diktatorial komunist jugosllav. Duke cilësuar Çmimin si një nderim ndaj popullit të Kosovës, Demaçi ka deklaruar, ndër të tjera, me atë rast se, “Liria e fjalës është hapi i parë jetik drejt demokracisë. Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetën, përparimi nuk është i mundur”, është shprehur ish i burgosuri i regjimit komunist jugosllav, Adem Demaçi. Sakharov Prize 1991: Aëard ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)
Aktivisti i të drejtave të njeriut dhe shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën 55 vjeçare mori çmimin prestigjioz, Sakharov të Parlamentit Evropian, për përkushtimin e tij, ndaj të drejtave të njeriut dhe si mbrojtës i lirisë së fjalës. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, Demaçi u ka thënë parlamentarëve evropianë se, “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës, që po kalon vuajtje të mëdha”. Në atë kohë, Demaçi ushtronte, nën rrethana shumë të vështira, detyrën e Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Për shkak të shkrimeve dhe pikëpamjeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet ish-jugosllave.
Adem Demaçi duke folur në Parlamentin Evropian, 1991
Në fjalimin para parlamentarëve evropianë, Demaçi ka theksuar nevojën për lirinë e fjalës, si diçka të domosdoshme për demokracinë, ndërsa ka denoncuar dhunën dhe shkeljen brutale të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Fjalimi i Demaçit në Strasburg në vitin 1991 konsiderohet ende si një prej fjalimeve më historike në Kosovë dhe në trojet shqiptare, në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.
Ishte pra rëndësia që ai i kushtoi lirisë së fjalës dhe lirisë së të menduarit, si tema më e rëndësishme e fjalimit të tij me atë rast, ajo që tërhoqi atëherë dhe sot vëmendjen e atyre që e dëgjuan, por edhe kur lexohet sot ai fjalim është tepër aktual për botën shqiptare, pasi liria e fjalës dhe e shtypit të lirië, mbetet ende një sfidë që po pengon zhvillimet demokratike në trojet shqiptare: megjithë shembjen e komunizimit zyrtar mbi 30-vite të kaluar. Demaçi e pat filluar fjalimin e tij para Parlamentit Evropian duke cituar Biblën: “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet, ka shtuar ai; “E para është fjala e lirë, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. “Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progress”, u ka thënë Adem Demaçi parlamentarëve evropianë në vitin 1991, në mbrojtje të lirisë së fjalës, si një e drejtë bazë e njeriut, pa të cilën nuk funksionon demokracia:
“Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të Fjalës së Lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.
“Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të Fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni edhe tingullin e Fjalës së Lirë Shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi”. Adem Demaçi i ka cilësuar “dashnorët e fjalës së lirë”, si individët më të pasionuar ndaj lirisë së fjalës, si “dashnorët më të flakët në botë”, e si të tillë, “ata janë të pathyeshëm e sypatrembur”, u ka thënë Demaçi parlamentarëve evropianë më shumë se 30-vite më parë.
Demaçi ka cilësuar ish-disidentin dhe ish-akademikun e kohës sovjetike Andrei Sakharov, emrin e të cilit bartë Çmimi që iu akordua Adem Demaçit nga Parlamenti Evropian – si një “Dashnor i Fjalës së Lirë”, që sipas tij, “Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin atë nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë. Ai vdiq, por fjala e lirë nuk i tradhton kurrë dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën ata të pavdekshëm”, -ka theksuar Adem Demaçi.
Adem Demaçi përfundoi fjalimin e tij të 4 dhjetorit, 1991 me një apel drejtuar deputetëve të Parlamentit Evropian:
Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve, bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithë njerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”, përfshirë këtu edhe botën shqiptare, e sidomos botën shqiptare sot! Sa ishte gjallë, Adem Demaçi, kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”. “Askujt nuk i shërben urrejtja”, -ka këshilluar Adem Demaçi.
“Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë. Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë. Ky është ligji i jetës, që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë ” (Adem Demaçi).
Adem Demaci gjatë jetës së tij njihej si kundështar i madh i regjimit komunist serbo-jugosllav. I quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Adem Demaçi ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut. Ai kaloi 28-vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve. Mbi të gjitha, konsiderohet, gjerësisht, se Adem Demaçi mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.
Adem Demaci njihej edhe si perkrahes i “Ballkanisë” me kryeqytet Beogradin.