Pa hy në atë se çfarë ishte Lufta e Kosovës (Dardanës) e vitit 1389 (meqë si historian kam dhënë mendimin në librin “Kosova” II) dhe pa hyrë në mitin rreth kësaj ngjarje ende gjithnjë të mjegulluar historike, që e ngriti historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste parametrat e së cilës vazhdojnë edhe sot e gjithëditën në raport me shqiptarët dhe Kosovën, megjithatë reagimet e djeshme zyrtare ( i përfaqësuesit të qeverisë ku thuhet se “të vdekurit e historisë nuk mund t’i kthejnë të gjallët”) dhe të disa politikanëve të Kosovës rreth “ardhjes” së djeshme të Llazarit në Mitrovicë , ku ai quhet “car”, pra “perandor” dhe jo një feudal i rëndomtë origjina e të cilit ende gjithnjë mbetet e paqartë (sllav,arbëror ose vllah) e çfarë asokohe Iliriku kishte me bollëk, tregojnë se kjo shtatore nuk ka ardhur as rastësisht e as jashtë “kritereve”, që politika e tanishme i ka kthye në “standarde” antihistorike kundër historisë dhe kulturës shpirtërore shqiptare me rrënjë në antikitet, e me këtë edhe kundër vetë shtetit të Kosovës si projekt perendimor për të cilin u desht edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s e vitit 1999 që ajo të nxirrej nga kthetrat e këtij hegjemonizmi, të mbështetur mbi të ashtuquajturen “të drejtë historike”, të kthyer në “të drejtë” vrastare.
Pra, Llazari dje nuk erdhi në Kosovë, për të shënuar një jubile të një kujtese të përbashkët historike të të krishterëve të Ilirikut, që po ashtu luftuan bashkarisht kundër pushtimit osman, (fakt ky i pamohueshëm historik që e obligon edhe Qeverinë e Kosovës dhe intititucionet shkencore : Akademinë dhe Institutin e Historisë dhe të tjerët që kjo ngjarje të trajtohet dhe të shënohet me pijetet si pjesë e historisë së vet), por erdhi për të demonstruar “të drejtës historike” serbe për Kosovën “djep shpirtëror mesjetar serb” , të pranuar tashmë me pakon e Ahtisarit edhe në Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës Serbisë i njihen “tapitë mesjetare” në Kosovë, pikërisht çfarë i parasheh edhe “Naçërtanja” e Garashaninit !
Kështu, e trimëruar që Kosova ka hequr dorë nga krishterimi i mirëfilltë (i pranuar ndër të parët nga iliro-dardanët në shekullin III) e me këtë edhe nga pjesa me e rëndësishme e kulturës shpirtërore që lidhet me ritin ortodoks, dominues për shekuj me radhë në Dardani dhe pjesën më të madhe të Ilirikut, Serbia ka rikthyer ofanzivën e njohur për ta paraqitur Kosovën “piemont të krishterimit” në Europë, pikërisht ku krishterimi para më shumë se gjashtë shekujsh humbi betejën kryesore kundër pushtimeve osmane!
Natyrisht se “piemontizmi religjioz” i Beogradit me tharmin e hegjemonizmit, i njohur nga koha e ofansivës së Millosheviqit për rrënimin e Jugosllavisë, i filluar në vitin 1988 pikërisht me ritualin e bartjes së eshtrave të Llazarit nga Knini i Kroacisë “nëpër vendet serbe deri në Kosovë” dhe i përfunduar në Gazimestan, më 28 qershor 1989, në mitingun një milionësh kur edhe iu shpall luftë Kosovës dhe shqiptarëve deri në zhdukje fizike, nuk do të ishte i mundur pa rrethanat politike dhe shoqërore në Kosovë të krijuara nga politika e “komandantëve”, e cila për këto vite, krahas keqqeverisjes dhe rrënimit të vendit nga çdo pikëpamje, me perfiditet ka punuar vazhdimisht kundër parimeve të shtetit sekular si koncept perëndimor, siç ka promovuar edhe islamin politik (me vahabizmin, umën si formë e arabizimit të jetës së gjithëmbarshme dhe logjikën e xhihadit). Paçka se me kthimin e islamit politik në aleat kryesor për marrjen dhe ruajtjen e pushtetit meçdokusht, kjo politikë antikombëtare dhe antiperëndimore, me lejimin e hoxharëve që të shpjegojnë historinë dhe të mbajnë ders për të gjitha çështjet nga arsimi e kultura e deri te sporti dhe seksi madje, me çka rrënohen seriozisht bazat e arsimit dhe të emancipimit laik, të përcaktuara edhe me Kushtetutë, pos dëmit të madh shoqëror dhe kulturor në të gjitha rrafshet e jetës, i ka dhënë argumente pikërisht anatemës historike të ngritur nga Beogradi rreth shqiptarëve si “mbetje e rrezikshme fundamentaliste islamike” në Europë, me të cilën ka “arsyetuar” pushtimin e Kosovës dhe tri gjenocidet kundër shqiptarëve (i vitit 1877, 1912 dhe 1944).
Andaj, në këto rrethana, “ardhja” e Llazarit në Kosovë si “car” bashkë me “kral” Millutinin në Graçanicë dhe monumentin e “Trimave të Kosovës” në Gazimestan, manifeston demonstrativisht trekandëshin e trinitetit hegjemonist serb në Kosovë në përputhje me “të drejtën historike”, më fuqishëm se në kohën e kralevinës dhe të Rankoviqit. Ndërsa reagimet e qereritarëve shqiptarë për ta pranuar si të tillë, tregojnë për një pozicionim antihistorik të kësaj klase politike (të shantazhuar shumanshëm nga Gjykata e Hagës dhe Specialja), ndër më të dëmshmit dhe të rrezikshmit për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.