ARKIVI:
25 Nëntor 2024

Daniel Gàzulli: Vëllaznit Marin e Aleksandër Sirdani

Shkrime relevante

Presidentja Osmani takoi një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të udhëhequr nga senatorja Jane Shaheen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi sot në Halifax,...

Presidentja Osmani takoi Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po e...

Çka e pyeta djalin tim 13-vjeçar…?

Nga: Aurel Dasareti E pyeta djalin tim 13-vjeçar: “Kush është shtëpia më e...

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Shpërndaj

Albemigrant, më 09/03/2018

At Marin Sirdanin e kam njohë aty nga fundi i vitit 1959 ose fillimi i vitit 1960, kur doli nga burgu për të dytën herë. Jetonte tek Kuvendi i Arrës së Madhe, pranë mikut të tij, gjuhëtarit të shquem At Justin Rrota, udhëheqësit tim shiprtnor. Ishte i ndërgjegjëshëm se nuk do ta kishte të gjatë, sepse kishte dalë nga burgu i dërrmuem nga tuberkulozi.

Ky historian i shquem, mbas daljes nga burgu nuk shkroi ma. Merrej me sistemimin e shkrimeve të vjetra dhe i linte ndonjë porosi At Justinit, me shpresë se ky do të jetonte gjatë, po vdiqen te dy në ma pak se dy vjet, më 1962 e 1964.

Kisha lexue atëherë studimin e tij “Për shka e fajsojnë Skenderbeun”, po isha shumë i ri e shumë gjana nuk isha në gjendje me i kuptue. Më kishte thanë At Justini: “Asht historiani ma i mirë që kemi”.

U deshten vite e vite që të kuptoja se At Marin Sirdani, ashtu si edhe vëllaj i tij Dom Aleksandër Sirdani, ishin ndër yjet ma të ndritshëm në qiellin shqiptar e se asnjë re e zezë apo e kuqe nuk do të mund të errësojë dritën e tyne ndër shekuj.

daniel-gazulli-1

Marini ishte ma i madhi i vëllazënve. Kishte lindë më 1885 në Bogën e largët e me natyrë të ashpër, në një familje finike, e njohun edhe në treva të tjera të Veriut. Baba i tyne, Daka, e humbi heret të shoqen e mbet i vej, e dy vëllaznit jetimë: Marini ishte vetëm shtatë vjeç, Aleksandri dy vjet ma i vogël. I ati, që nuk desht të martohej ma, iu kushtue rritjes së fëmijëve. Boga e ashpër dhe e vorfën, konfliktet ballkanike që kishin shpërthye në të katër anët, e banë edhe ma të vështirë jetën e familjes Sirdani. Boga, e gjendun nën pushtimin osman e nën trysninë e Malit të Zi, që, i përkrahun nga Serbia e Rusia, kërkonte territore të reja në dam të fqijëve, i kishte kthye malësorët në atë gjendje, sa me të vështirë me mbijetue.

I gjendun në këto rrethana, Dakë Sirdanit iu desh ta linte fshatin e tij dhe u strehue në Guci, ku kishte miq e të afërm e ku, gjithësesi, jeta ishte pak ma e mirë.

Me ndihmin e meshtarit të atjeshëm e të afërmëve, arrijti t’i çonte djemtë në shkollë, në Shkodër, ku së bashku kryen shkollën fillore.

Mbas kësaj, dy vëllaznit morën drejtime të ndryshme, por rrugë të njejtë: ate të meshtarisë. Marini, si kreu edhe shkollën e mesme në Kolegjin Françeskan (apo Liceun e Fishtës, si i thonin shkodranët), zgjodhi Urdhnin e Shën Françeskut. Mbasi vijoi studimet e nalta në Gratz të Austrisë, në vitin 19416 kthehet në Atdhe dhe shugurohet meshtar.

Aleksandri, vëllaj i vogël, vijoj edhe ai Kolegjin në Shkodër, por atë të Severianëve, që ishte çelë e mbahej nga jezuitët. Studimet e nalta, ashtu si edhe i vëllaj, i vijoj në Austri, në Insbruk, qender e randësishme albanologjie, ku studjuen, ndër të tjerë edhe Eqrem Çabej, At Anton Harapi, Dom NikollëGàzulli, dhe po në të njejtin vit, pra me 1916, u shugurua edhe ai meshtar, por në Urdhnin e Jezuitëve.

Ishin kthye të etun t’i shërbenin Atdheut në të gjitha fushat ku ata kishin mundësi e përgatitje. Në atë periudhë (e pse jo edhe sot) edukimi fetar kishte një përparësi të veçantë, pse pesë shekuj robni osmane kishin damtue gjithçka në trojet e Kastriotit, veçanarisht besimin e krishtenë, joqë, si na e ka lanë Frang Bardhi, “ku shkel kamb’ e turkut, ary nuk mbin ma bar”.

Vitet e para të meshtarisë At Marini shërbeu në Mirditë e në Dukagjin, kohë e zona në të cilat ai do t’i shfrytëzonte për botimin pak vite ma vonë të veprës “Skenderbeu simbas gojëdhanave”.

Qysh në fillim ai dëshmoi një vullnet të rrallë e një horizont kulturor të pashoq, prandaj në vitin 1922 e thërrasin në Shkodër, pranë Kolegjit Françeskan, e ku bashkë me At Gjergj Fishten e Imzot Vinçenc Prendushi, e shumë intelektualë të shquem të Shkodrës, çelin të parin lice me cikël të plotë, i quejtun Liceu Klasik, që i dhanë emnin “Illyricum”. At Marini jepte aty Histori dhe Doktrinë të Krishtenë; në të njejten kohë u ba strumbullari i një rrethi intelektualësh të rijë shkodranë të fushave të ndryshme, që shpejt do të jepte një ndihmesë që i ka të rralla shoqet në historinë e kulturës kombëtare. Profesori i dijtun u emnue mbas pak Drejtor i Gjimnazit. Ndërkohë shkruen veprat “Për historinë kombëtare!, “Shqipnia e Shqiptarëve”, “Vepra kombëtare e Françeskanëve”, sidhe legjenda që sot janë në thesarin e kësaj lame në revistat “Hylli i Dritës” e “Leka”, ashtu edhe në shumë gazeta të kohës, pse ai kishte aftësinë e rrrallë të komunikonte me të gjitha shtresat, ashtu edhe me intelektualë të preardhjeve të ndryshme krahinore e fetare.

Në kohën kur u ba edhe Dekan i Kucendit të Françeskanëve të Lagjes Arra e Madhe në Shkodër, dëshmoi interesim të jashtëzakonshem e aftësi po të tilla në komunikimin me të rijtë tue tregue interesim e tue ba deri sakrifica, që ma se një herë i hapen edhe telashe, për arsimimin dhe edukimin e të rijëve. Tipizuese e rolit dhe e vlerave të  tij si edukator do të mbesin fjalët e At Fishtës: “Rinia e Shkodrës nuk e di ende ç’personalitet i shquem gjendet në mes tyne”.

Asht thanë edhe nga të tjerë se At Marin Sirdani ka qenë një ndër historianët tanë ma të dijtun, sidomos një historian që ende nuk i ka ardhë këtij Vendi për paanësinë e analizës shkencore historike, një metodist që për fat të keq buk u muer shembull nga ata që ma vonë do ta zhbanin historinë. Por ende ndoshta janë të paktë ata që e dijnë rolin që luejti At Marin Sirdani në bisedimet e vështira, të pabesa, në mes Shtetit komunist dhe Kishës Katolike. Përgatitja e tij e gjithanëshme, vendosmënia dhe kthejeltësia se, sidoqoftë, duhej shpëtue Kisha Katolike Shqiptare, i vuni ma se një herë në vështirësi ata të Komisionit Qeveritar të kryesuem prej vetë Mehemt Shehut, aqsa, për të heqë qafe një bashkëbisedues të vështirë, e futen në burg për të dytën herë, me akuzën (e paprovueme as me fallsifikime në gjyq), se kishte ba përpjekje me u lidhë me Vatikanin.

Vëllaj ma i vogël, Dom Aleksandër (Lekë ) Sirdani, që përshkoj gjysmën e Maleve tona si meshtar, iu përkushtue si pak kush mbledhjes së pasunisë shpirtnore kombëtare: legjendat, mitet, përrallat, fjalët e urta, traditat, deri tek bestytnitë e lashta që ndesheshin ende nëpër malësi. Bahskë me miqtë e tij, At Donad Kurti e Don Nikollë Gàzulli, ata, porsi bleta nektarin, mblodhën një pasuni shpirtnore të popullit tonë, që do të përbante një korpus të vërtetë etnografik, pavarësisht se, si shumë punë të tij, të të vëllajt, të At Justin Rrotës, të At Donad Kurtit, të Don Nikollë Gàzullit, do t’i shfrutëzonin pikërisht katilat e tyne për të marrë me to grada shkencore.

Megjithate, megjithë masakrimin, djegjen e humbjen e një pjese të mirë të dorëshkrimeve, vetëm me sa ka lanë të bottueme nëpër revistat e kohës, ai mbetet një prej etnografëve ma të mirë të vendit tonë.

Por ja që me datë 26 korirk 1948 Dom Leka, si e thërriste populli, i mbushun me mllef për çka po ndodhte, por edhe me një besim gati biblik, në meshën e së djelës, atje në Bogën e tij, u tha besimtarëve: “Vëllazën e motra, nji re e zezë na ka mbulue, por mos u trembni, sepse edhe ajo do të kalojë e një re e bardhë do të vijë përsëri e na do të dalim përsëri në dritë si gurët e lumit mbas shiut kur dielli i shkelqen”, tue huazue vargun e famëshëm nga Eposi ynë i artë i Kreshnikëve.

Fjalë profetike, por që për fatin e keq të këtij populli, u vërtetuen vetem mbas 43 vjetësh kalvari të pashembull. Ishin ato fjalë të dala nga goja e njenit që ishte i vetëdijshëm për rrjedhojat, por edhe i gatshëm për flijim, që banë të sulen drejt Bogës katilët e kohës.

Me 27 korrik 1948, tue gjetë si pretekst fjalët e predkut të një dite ma parë, e arrestuen, e tërhoqen rrëshanë mbas kalit prej Boge në Koplik, sa arrijti në burgun famëkeq të Koplikut pa këpucë e veladon që nuk dallohej çfarë ishte, ku filluen mbi te, ashtu siedhe mbi meshtarë të tjerë, torturat ma çnjerëzore.

Ja si e përshkruen Fritz Radovani vdekjen makaber te Dom Lekë Sirdanit e të Dom Pjetër Çunit:

” Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër (asht fjala pë Dom Pjetër Çunin – DG), ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. Aty, siç më tregonte një ish-polic, S. N., gjen Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J., që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, tregon ai. Nuk dinte pse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!” Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue, mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të. Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!

Një ditë kishin shkue herët në Seksion (kështu quhej Policia e Kohës, Seksioni i Mbrendshëm – DG) Asllan Lici e Pal Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë, të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani e Pali kanë urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rijë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej çka duan me ba xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari  topall në topall Asllani e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: “Ecni, more këlysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja…! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male?” Nuk kanë pritë përgjigje por janë drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte  gjithmonë e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahej presion me tregue… por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit dhe Pali, ka kapë përkrahut Don Aleksandrin dhe, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta, veç kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e, kanë ra mbrendë në gropën e zezë. Kur priftnit kanë marrë me u çue, xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: “Hee… flisni… ku e keni ate Krishtin tuej… flisni… kështu do të jenë fundi i  priftënve… A  po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash…?”

***

Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne. Mbas pak minutash priftnit u mbytën… Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne….

Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha. Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kurrë në përmasat tona”.

Nuk due ta mundoj ma shumë lexuesin, edhe pse ka dëshmi të tjera edhe ma ngjethëse. Po edhe sa solla nga Fritz Radovani, mjaftojnë me pasqyrue shëmtimin e barbarinë e një sistemi, që shëmtoi gjithçka, aq sa sot e kësaj dite vazhdojmë të përjetojmë rrjedhojat e tij.

***

Vëllaznit Sirdani janë kunora e bukur e kombit shqiptar.

Po çfarë po ngjet me këta figura të shqueme?

Harresë, harresë, harresë …. nga institucionet, nga mediat, nga të gjitha ata që i vranë (bijtë e tyne) e që kanë pushtetin dhe të gjitha mjetet informative në dorë.

Ja si vëren me shumë vend e ban një analizë të thellë shkrimtari Agron Tufa:

“Pas rënies së diktaturës ne përballemi me Kujtesën tonë kolektive. Më saktë se me përballje, kemi kundërvënien e kësaj Kujtese, luftën e njërës për të spostuar, margjinalizuar dhe sfumuar krejtësisht kujtesën Tjetër, atë që zhaurin nga dhimbja, klithmat, lotët dhe përndjekjet. Mendoj se Kujtesa zyrtare e ish-komunizmit ia ka dalë deri më tash me sukses ta spostojë kujtesën e Burgjeve, Internimeve, Persekutimit politik (evidentimimi imi – DG). Tashmë duket se e ka marrë në dorë shtypi dhe ekrani të vendosin, se çfarë kujtese duhet të kemi. Përrenjtë e zhultë të kujtimeve nuk kanë të sosur nëpër dossierë; faqet e gazetave të përditshme nuk ka ditë në këto 20 vitet e fundit, që të mos ringjallin bëmat, sagat, mitet e legjendat e diktatorit. Nuk ka gazetë që të mos hapet me një foto të diktatorit apo ministrave të tij. Një “epos” me kujtime e thashetheme të tipit: “Çfarë i tha Teme Sejko në vesh Enver Hoxhës tek Uji i Ftohtë”, ndërsa nëntitulli sqaron: Dëshmon ish-bodigardi i Enver Hoxhës.

Krejt e kundërta ndodh me rrëfimet e familjeve të masakruara, të intelektualëve të pushkatuar, dënuar apo internuar. Ata nuk gjejnë vend nëpër dosierë me vazhdim. Në një mënyrë djallëzorë, shprazja e thesit të gërbulur me kujtimet e protagonistëve të diktaturës ka arritur të ngjallë një folklor të tërë ku pak e fije, nga pensionistët gjer tek shoferët e taksive shtohet përnjëmend respekti për vampirët azganë të diktaturës.

Memuaret e viktimave nuk ngjallin asfare interesi për mediat. Disa dhjetëra libra tronditës janë botuar mezi-mezi me shpenzimet e vetë autorëve, janë botuar, sipas takatit, kryesisht shkel-e-shko dhe kanë humbur qëkur nëpër qoshke librarishë, si diçka e padenjë për lexim. Dhe pikërisht e vetmja Kujtesë e denjë, që mban ndër dhëmbë kumtin e Madh, u gjend e shpërfillur, e privuar, në mungesë vëmendjeje”.

Me këto pak rradhë Tufa na sjell me ndershmëni intelektuale dhe sens atdhetari si po realizohet harresa e Burrava të Kombit.

Janë të pakta librat, edhe ato të botueme me shumë sakrifica, që përshkruejnë krimet e komunizimit e njihen nga shqiptarët, pse, si thamë, bahet gjithçka për t’i lanë në harresë. Me përjashtim të “Dosja e diktaturës” e Pjeter Pepes, dhe “Rrno per me tregue” e At Zef Pllumbit, vepra si “Çinarët” e At Kontrad Gjolajt, apo “Një monument nën dhé” e Fritz Radovanit pakkush i ka lexue, pse media i ka injorue krejtësisht, edhe pse janë nga dëshmitë ma ngjethëse të Kohës së Ferrit. Libra të tillë, themeli i letërsisë dokumentare mbi të cilat duhet të mbështetet historia nesër, “zengjinët e rijë” të Tiranës do t’i kishin djegë si në mesjetë, ndërkohë që reklamohen kujtimet e kriminelëve si Ramiz Alia etj.

***

Këto pak rradhë për vëllaznit Sirdani i shkrova që të mos harrojmë. Po harruem, në një formë apo një tjetër, tragjedia do të përsëritet.

Vallë, nuk mjafton kalvari që kaloi populli ynë?

Daniel Gàzulli, 04.10.2010

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu