Intervista, OraNews – 07/05/2016
Intervista e Orhan Pamuk për “La Repubblica”: Turqia e re e Erdogan, vazhdim e të vjetrës
Pëgjithësisht jam një person që thotë “Në rregull, mund të diskutojmë, por mundësisht vetëm për tema që kanë të bëjnë me letërsinë. Mirëpo, ç’farë mund të bëj në një situatë të tillë? Tashmë është e pamundur që të flitet vetëm për letërsinë. Atëherë le të flasim për çështje që kanë të bëjnë me politikën”. Ai është shkrimtar i përmasave bëtorërore dhe mbi të gjitha një njeri tepër kurajoz. Orhan Pamuk, tashmë 64 vjeç, fitues i çmimit Nobel në letërsi para 10 vitesh, padyshim një ndër shkrimtarët më të mirë turq, i cili në të kaluarën është kërcënuar me jetë për shkak të deklaratave të tij mbi çështje të tilla, si ajo e genocidit ndaj armenëve dhe masakrave ndaj kurdëve.
Në intervistën e tij për “La Repubblica” nuk shfaqet aspak i rezervuar në ato që thotë, përkundrazi tregohet mjaft i hapur dhe bën një analizë “pa dorashka” të situatës komplekse në të cilën po kalon Turqia. Autori i romanit më të fundit “Një ndjesi e pazakontë në mendjen time”, (i botuar së fundmi dhe në gjuhën italiane nga Einaudi), ai sapo ka shoqëruar në sallën e gjykatës së Stambollit, akademikun Murat Belge, një eseist dhe shkrimtar i shquar, por që për fat të keq njihet shumë pak jashtë Turqisë, autori i shumë librave dhe një nga studiuesit më të mirë mbi çështje, që kanë të bëjnë me influencën e ushtrisë në jetën politike të Turqisë.
Belge akuzohet nga presidenti konservator i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan për fyerje ndaj tij në artikujt e tij të botuar në të përditshmen turke “Taraf”. “Një akuzë e tillë është e pakuptimtë, shprehet Pamuk. Unë e njoh shumë mirë Belge. Ai është një nga studiuesit më të rëndësishëm dhe më seriozë të vendit tonë. Përveçse është një mik shumë i ngushtë i imi, kam mbi 50 vite që lexoj më ëndje artikujt e tij dhe kam mësuar shumë prej tij”.
Atëherë cilat janë akuzat e ngritura ndaj tij?
E gjitha nuk ka të bëjë fare me fyerje apo ofendim të Presidentit. Çështja është shumë më e thjeshtë. Kërkohet t’i mbyllet goja çdo zëri opozitar, opozitës politikë në vend dhe synohet të goditet liria e mendimit dhe e shprehjes. Përmes këtyre veprimeve, synohet që të frikësohet publiku dhe në vend të mbizotërojë ndjenja e frikës deri në atë pikë, sa askush të mos guxojë të kritikojë qeverinë.
Po ju nga se keni frikë?
Personalisht nuk i druhem asgjëje. Nuk kam aspak frikë për veten. Por, sigurisht ndihem i frikësuar për të ardhmen e vendit tim, për miqtë e mi, për turqit laikë, intelektualët e vendit tim dhe të gjithë ata, që mbështesin proceset integruese të vendit tim.
Liria e mendimit dhe e shprehjes është më e vështirë dhe më e pamundur në Turqi?
Personalisht jam shumë i shqetësuar për lirinë e shtypit dhe medias. Frika sidoqoftë ndikon tek gazetarët që kritikojnë qeverinë. Ata përballen me kërcënime të vazhdueshme për largime nga puna dhe mbyllje të gazetave dhe mediave të tyre. Vitet e fundit, qeveria jonë, po humbet çdo ditë e më shumë ‘fytyrën’ e saj liberale dhe po rrëshqet drejt autoritarizmit dhe tiranisë.
Por ju e dini që kjo tashmë i përket së kaluarës, në rastin tuaj, apo jo?
“Po, por jam lodhur duke shkuar në gjykata për të mbrojtur veten time apo miqtë e mi. Këtu (në Turqi) flitet shumë për Turqinë e re. Atëherë, dua t’i pyes, kjo është Turqia e re? Një vazhdim i asaj të vjetrës?! Një vend që dënon shkrimtarët?!”. Rastet janë të shumta dhe janë shndërruar në diçka normale në vendin tim. Gati 2 mijë persona, ndër të cilët edhe studentë, po përballen dhe akuzohen për fyerje të Presidentit dhe po përballen me këto akuza në gjykatë. Murat Belge është vetëm rasti i fundit. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Çengiz Kandar (Cengiz Candar), i cili rrezikon të dënohet me disa vite burg me të njëjtën akuzë. Ose siç është rasti i drejtorit të gazetës “Cumhuriyet”, Can Dyndar (Can Dündar), i cili botoi një artikull investigues për trafikun e armëve drejt Sirisë dhe përfshirjen e shërbimeve sekrete turke në këtë trafik. E gjitha kjo ngjan me një dallgë që rritet dhe që akush nuk mund ta ndalë dot.
Çfarë do të ndodhë më pas?
Ju lutem, mos më pyesni çfarë do të ndodhi në të ardhmen. Ajo që po ndodh tani është mjaftueshëm dëshpëruese.
Turqia dhe Europa, sapo kanë përfunduar një marrëveshje shumë të rëndësishme, për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve në Europë. Ju kënaq ky fakt?
Po, jam shumë i lumtur për këtë hap të rëndësishëm për heqjen e vizave. Por, nga ana tjetër më shqetëson fakti se mund të lindin mosmarrëveshje të tjera ndërmjet një qeverie turke gjithnjë e më autoritare dhe Bashkimit Europian, sepse kjo është një marrëveshje shumë e vështirë për t’u realizuar. Duket sikur europianët nuk duan të kenë rreth tyre, apo në mesin e tyre, sirianë dhe aziatikë dhe së fundmi as kurdë apo turq. Dhe kjo nuk është aspak një ndjesi e mirë.
Sipas jush, çfarë duhet të bëjnë vendet e Bashkimit Europian?
Si fillim, duhet të mbajnë një qëndrim më serioz në raport me Turqinë, pikërisht për çështje që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të njeriut. Ata, po përpiqen me të gjitha mënyrat që të arrijnë një marrëveshje me Ankaranë për emigrantët. Shpresoj që liderët europianë, kur të shtërngojnë duart me homologët e tyre turq, t’u rikujtojnë atyre respektimin e lirisë së fjalës dhe të drejtat e jeriut. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe drejtuesit e tjerë europianë nuk duhet të përqendrohen vetëm tek çështja e krizës së refugjatëve sirianë, por të diskutojnë dhe të ushtrojnë presion mbi qeverinë tonë dhe për për problemin e demokracisë në vend.
Shumë mirë. Sipas jush, si po sillet Europa me krizën e refugjatëve?
Europa, përmes mureve që po ngre rreth vetes, po gërryen, shrrënjos kriteret e saj me vlerë.
Po Turqia?
Përsa i përket çështjes së menaxhimit të krizës së refugjatëve, nuk kam arsye që të kritikoj qeverinë tonë. Nuk kam arsye të fajësoj askënd në vendin tim. Për një periudhë relativisht të gjatë kohore, Ankaraja është lënë e vetme në përballimin e barrës së miliona refugjatëve të ardhur nga jashtë: ajo e ka përballuar e vetme të gjithë këtë fluks. Sjellja e Turqisë në këtë rast meriton të gjitha lëvdatat…