ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Përshpirtëria e Nënës Tereze: Kisha rritet në botë

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Don Lush Gjergji, Prishtinë

“Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, dreri në të sosur të botës!” (Mt 28, 19-20) 

“Ky është dërgim i ynë, me jetën tonë të dëshmojmë dhe ta bëjmë të pranishëm Zotin në botën e sotme.”  (Nëna Tereze) 

Veprat e mëdha nuk janë të kufizuara në hapësirë dhe në kohë, sepse kanë vlera të pavdekshme, të përgjithshme, dhe si të tilla barten prej brezi në brez, prej një populli në një tjetër, prej një kohe në kohë tjetër. Ata që i kanë krijuar apo shpikur, janë njerëz me nam botëror dhe të përgjithshëm, sepse kanë lënë gjurma në historinë e njerëzimit. 

Kështu, për shembull, është e pavdekshme muzika:  Vivaldi,  Paganini, Puccini, Bachu, Beethoveni, Mozari, sepse krijimtari e tyre tashmë ka kaluar kufijtë e kohës dhe popujve ku është krijuar, dhe tash është trashëgimi e mbarë njerëzimit. Kemi shumë autorë në lëmi të ndryshme të krijimtarisë apo shpikjeve njerëzore: poezia, proza, piktura, skulptura, arkitektura, që kanë vlera gjithënjerëzore.  

Vepra e Krishtit, shëlbimi, mbi të gjitha vdekja dhe ngjallja e Tij, nuk ka mbetur e kufizuar në kohë dhe në hapësirë, vetëm për bashkëkohanikët e Tij dhe vetëm për Hebrenjtë. Me Kishën dhe në Kishë, vazhdon vepra e shëlbimit. Me Rrëshajë formohet bërthama e Kishës, që përfshinte popuj të ndryshëm, gjuhë, kultura, tradita, dhe Lajmi i Mirë përhapet jashtë kufijve të Izraelit. 

Bashkësia e Izraelit, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, shpallte dhe dëshmonte ngjalljen e Jezu Krishtit, shëlbimin. Kjo kishte shkaktuar burgosjen e Shën Pjetrit dhe Gjonit (khs. Vap 4, 1-22; 5, 17-42). 

Dëshmia mbështetet dhe vuloset në flijim, vuajtje, siç bëri edhe vetë Jezusi për ta dëshmuar Atin. 

Shtjefni xhakon ishte dënuar me vdekje dhe ishte vrarë me gur, për shkak të predikimit të tij, të dëshmisë mbi ngjalljen  e Krishtit (khs. Vap 7, 54-60). 

Përndjekja, zgjerohej edhe në bashkësi tjera, sidomos Sauli i Tarsit ishte i njohur për Kishën si përndjekës shumë i zellshëm dhe tejet i rreptë. Në një udhëtim të tillë pati një vegim, takim – ndeshje me Jezusin e ngjallur. “Kur, duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit. U rrëzua për tokë dhe e dëgjoi një zë që i tha: “Saul, Saul, pse po më salvon?”. Ai e pyeti: “Kush je ti, Zotëri?”. E Ai: “Unë jam Jezusi që ti e salvon! Më mirë ngritu e hyr në qytet dhe atje do të tregohet se çka duhet të bësh!” (Vap 9, 3-6) 

Sauli, me këtë rast, e humbi pamjen e syve trupor, që të mund të shihte me shpirt dhe me fe. Pastaj kishte shkuar në damask, te Anania, i cili ia kishte kthye pamjen. “Dhe aty për aty i ra diçka prej syve si pare peshku dhe menjëherë iu kthye drita e syve, u ngrit dhe qe pagëzuar, hëngri dhe u përtëri në fuqi.” (Vap 9, 18-19) 

Të tjerët, duke parë dhe dëgjuar se çka kishte ndodhur, ishin mrekulluar: “Të gjithë ata që e dëgjonin, mrekulloheshin e thoshin: “Po a nuk është ky ai që në Jerusalem mundohej t’ua tresë farën atyre që e thërrisnin në ndihmë këtë Emër? Po a nuk erdhi edhe këtu për t’i çuar të lidhur në hekura para kryepriftërinjve?” (Vap 9, 21) 

Ja si Jezusi e kishte “peshkuar” Saulin dhe nga armiku e kishte bërë mik dhe “vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para bijve të Izraelit”. (Vap 9, 15-16) 

Të krishterët e përndjekur janë shpërndarë ne vise të ndryshme të Antiokisë, Sirisë, dhe atje kanë filluar ta shpallin Ungjillin. Shi në Antioki ka lindur bashkësia e parë e krishterë jashtë Jerusalemit. “ Plotë një vit qëndruan në atë bashkësi duke mësuar një shumicë bukur të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën “të krishterë.” (Vap 11, 26-27) 

Kisha, që nga fillimi ishte ndeshur me dy bota dhe realitete: hebreje, që ishte e shpërndarë në vise të ndryshme të Mesdheut dhe nëpër botë, dhe paganët, bota jo hebreje. Me krishterim, populli Hebre nuk është më i vetmi Populli i Zotit, por ka një detyrë misionare ndaj të gjithë popujve të tjerë. Ky bashkim i ri i mbarë njerëzimit zbatohet në Jezu Krishtin, duke krijuar kështu në Popull të ri të Zotit, Izraelin e Ri, Kishën. 

Kjo hapje ndaj të gjithëve është themelore për Kishën e çdo kohe, pra, edhe për ne sot, sepse të gjithë, sepse të gjithë jemi të ftuar në planin e shëlbimit, apo siç thotë Koncili Dytë i Vatikanit, që të jemi “Drita e popujve.” (LG 1). 

Një pjesë e Hebrenjve të pagëzuar kanë pasur një qëndrim të rreptë ndaj paganëve të pagëzuar, sepse sipas tyre, së pari do të duhej të bëheshin hebrenj, dhe vetëm pas kësaj të krishterë (khs. Vap 10, 14-46). Kështu kishte lindur një pyetje themelore: si të silleshin ndaj paganëve që dëshironin të bëheshin të krishterë, pra, kërkonin pagëzimin? 

Çështja ishte e rëndë dhe shumë e ndjeshme dhe kërkonte një përgjigje të shpejtë, të saktë dhe në përputhje me vullnetin e Krishtit. Atëherë apostujt u mblodhën në Jerusalem për të diskutuar dhe vendosur për këtë çështje. 

“Kështu apostujt dhe pleqtë u bashkuan në kuvend për ta ndarë çështjen. Pas një rragatje të gjatë, u ngrit Pjetri dhe u tha: “Vëllezër, ju e dini mirë se, që prej ditëve më të para, këtu në ju, më zgjodhi mua Hyji, që prej gojës sime ta dëgjojnë paganët fjalën e Ungjillit e të besojnë. Hyji që njeh zemrat bëri dëshmi për ta duke u dhënë edhe atyre si neve Shpirtin Shenjt. Ai, por, nuk bëri kurrfarë dallimi midis nesh e atyre: me anë të fesë i pastroi zemrat e tyre. Atëherë, përse po e sprovoni Hyjin duke u venë nxënësve në qafë zgjedhën, të cilën as etërit tanë as neve nuk mund e mbartëm. E në fund ne besojmë se shëlbohemi pikërisht sikurse edhe ata, në saje të hirit të Jezusit Zot.” (Vap 15, 6-11)  

Këtë gjë e kanë dëshmuar edhe Shën Pali dhe Barnaba (khs. Vap 15, 12), dhe e përkrahu edhe Jaku (khs. Vap  15, 14-19). 

Pas kësaj ishte marrë vendimi i përbashkët në Koncilin e Jerusalemit dhe Pali e Barnaba ishin të dërguar, së bashku me Judën, të quajtur Barsaba dhe Simoni “njerëz që i kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’ju kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë, Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme, të ruheni prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtive të furura ose të mbytura në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.” (Vap 15, 27-29) 

Ky vendimi i Kishës ishte shumë i rëndësishëm:  hapja ndaj botës, duke mbetur besnik Jezu Krishtit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Këtu vjen në spikamë edhe një herë roli vendimtar i Shpirtit Shenjt, si dhe ai i Pjetrit, kreut të apostujve, përvoja dhe dëshmia e Palit dhe Barnabës. 

Predikimi, apo shpallja e Ungjillit, nuk domethënë vetëm të flitet, por të jepet Fjala e Zotit të tjerëve, ajo e shëlbimit, nëpërmjet dëshmisë dhe jetës.  

“Çka ishte qysh në fillimi, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve – çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne.” (1 Gjn 1, 1-4) 

Dëshmia fillon nga përvoja e fesë, nga universalizmi apo katolicizmi i Kishës, “Kështu ne të gjithë bëhemi gjymtyrë të atij trupi, e secili prej nesh, gjymtyrë e njëri tjetrit.” (LG 7) 

“Shpirti Shenjt, që banon te besimtarët dhe mbush e mban krejt Kishën, e prodhon këtë bashkim të mrekullueshëm dhe i bashkon të gjithë kaq ngushtësisht me Krishtin, saqë përbën zanafillën e njësisë së Kishës.”  (UR 7) 

Jezusi thotë: Si më ka dashur mua Ati duke më dhënë në botë, kështu edhe unë iu kam dashur ju, duke e dhënë jetën time për ju. Rrini në dashurinë time duke e dhuruar jetën tuaj. Ky dhurim është urata, flijimi në dashuri, varfëria, dëgjesa, shërbimi i lirë i dhuruar me gjithë zemër. Duhet të duam aq sa të jemi të gatshëm edhe të vuajmë. Nuk mjafton të themi: “Unë dua”. Duhet këtë dashuri ta ndërrojmë në dashuri jetësore dhe në veprim. Si mund të bëhet kjo? Të dhurohemi deri në vuajtje.” (Nëna Tereze) 

Prishtinë, 26 korrik 2023 –  Radio Maria – Kosovë  

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu