R.SH. – Vatikan
Më 7 mars 1827 ndërroi jetë biblisti, gjuhëtari, leksikografi dhe atdhetari i njohur, Kostandin Kristoforidhi, vepra e të cilit shërbeu si një nga gurët e themelit për lavrimin e gjuhës shqipe. Sipas disa studiuesve, Kostandin Kristoforidhi ndёrroi jetё mё 2 shkurt 1895.
Ashtu si ndër vendet më të zhvilluara të botës historia e gjuhës shqipe fillon me përkthimin e Shkrimit Shenjt – Biblёs, ashtu edhe dokumentet e para të shqipes së shkruar e të lëvruar lidhen në mënyrë të pandashme me Shkrimin Shenjt, duke nisur që nga ‘Formula e Pagëzimit’ – dokumenti i parë, te ‘Meshari’ i Buzukut – libri i parë e deri tek përkthimet madhore të Kritoforidhit, për të mos vijuar me kohët tona.
Kristoforidhi lindi e vdiq në Elbasan. Mësimet e para i kreu në shkollën greke të vendlindjes, të mesmet në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës. Këtu u njoh me albanologun e famshëm gjerman, Hahn, të cilit i mësoi shqipen. Duke shëtitur në vise të ndryshme të Shqipërisë përkrah Hahnit, i dha atij një lëndë të begatë gjuhësore, por u pajis edhe vetë me njohuri të thella për gjuhën shqipe. Më vonë vijoi studimet në Maltë; u kthye sërisht në Shqipëri e punoi si mësues në Tiranë, për të vijuar përsëri studimet, këtë radhë në Angli.
Pas kryerjes së studimeve ushtroi profesionin e mësuesit në një shkollë të Tunizit, deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Në këtë kohë iu vu përkthimit të “Dhjatës së Re” apo “Besëlidhjes së Re”, të cilën e botoi më 1866 në Kostantinopojë.
Pra, më 1866 botoi përkthimin e parë gegërisht ‘Katër Ungjijtë’ dhe ‘Punët e Apostujve’ dhe vijoi për shumë vjet përkthimet e Biblёs si: ‘Psallmet’ (1868 toskërisht, 1869 gegërisht),‘Dhjata e re’ (gegërisht 1869, toskërisht 1879), ‘Të bërët’ dhe ‘Të Dalët’ (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim ‘Krijesa’ dhe ‘Të Dalët’ gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera.
Veprat patën shumë jehonë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare, ku të krishterët shqiptarë kishin aq nevojë për ta kremtuar liturgjinë në gjuhën shqipe. Vijoi punën me përkthimin në dy dialekte, gegërisht e toskërisht, të disa pjesëve të “Dhjatës së Vjetër” apo “Besëlidhjes së Vjetër”, të cilën e botoi më 1879. Më pas botoi një “Gramatikë” dhe përgatiti “Fjalorin shqip-greqisht“, vepër postume.
Me këto vepra, të cilave u shtohen “Abetaret” e para shqipe pas Veqilharxhit, tregimi “Gjahu i Malcorëve” dhe vjersha e parë shqipe për fëmijë, ai nisi të quhej nga bashkëkohasit “babai i gjuhës shqipe”.
Puna e Kristoforidhit për përkthimin e Shkrimit Shenjt të Biblës mbetet një nga kontributet kryesore të tij për fenë e atdheun. Gegë vetë, në përkthimin e Shkrimit Shenjt ai i përdori të dy dialektet, duke derdhur kështu në një lum ujëplotë, dy përrenjtë e fuqishëm dialektorë të gjuhës shqipe.
Figure me te vertete intelektuale e kombetare.