ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Josif Papagjoni: Dy fjalë pas vdekjes së Haqif MULLIQIT

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Prof. Josif Papagjoni, Tiranë
____
…Njohja ime e parë me Haqif Mulliqin ka qenë në festivalin teatror “Skampa” në Elbasan. Ai kishte vënë në skenë një diadramë të tij, “Kosovars”, e cila pati një emocion të fortë te publiku. Në Kosovë ende ndiheshin fort zjarret dhe era e shkrumbimit dhe përzhitjes së shtëpive, fshatrave e qyteteve. Drama ngrihej mbi një kontrapunkt fillim-mbarim, kur në kryeherë dialogu i mbushur plot urrejtje midis ushtarit shqiptar dhe atij serb, ardhur si vullnetarë që të dy nga SHBA-ja në luftën e Kosovës 1999, bëhej më i njerëzishëm. Urrejtjet e verbra binin dhe ata, “udhtarët e vdekjes” njihnin logjikën e ngjarjes, duke nënkuptuar pranimin reciprok dhe bashkëjetesën midis dy kombeve tradicionalisht armiq me njëri-tjetrin. Kjo ide humaniste, kur tymi dhe zjarri, kur plagët dhe tragjedia, kur gjaku i luftës përskuqte ende mishin e djegur të Kosovës – kjo mua më dha mbresën e një teatri dhe letërsie që shihte më tutje se dhimbja e vet, që mpiksej me vlerën humane të njeriut si i tillë. I mbushur me emocion nga shfaqja, e kam ende ndjesinë e shtrëngimit të dorës së Haqif Mulliqit, ashtu e madhe e mishtore siç qe; kam ende përqafimin e tij, trupin e gjatë e të bëshëm. Por kjo impozancë trupore habitshëm përthyhej tek ai nga një sy i butë dhe një mirësjellje e shfaqshme përulësie. Haqifi sikur kishte derdhur vetveten tek ajo dramë. Sepse edhe ai kishte marrë armën për Kosovën e tij.
Dhe kështu, dramë pas drame e festival pas festivali, Haqif Mulliqi u bë një miku im i respektueshëm, njeri që kishe qejf të ndaje me të një mendim estetik si mbi teatrin, ashtu dhe mbi letërsinë duke e mbajtur bisedën në cilësinë dhe nivelin e epërm të saj. Miqësinë time me atë e forcoi më tutje përgatitja dhe mbrojtja e tezës së tij doktorale, ku unë isha udhëheqësi i tij shkencor ose, siç i thonë kosovarët, “Mentor”. Dialogët, shkëmbimet e mendimeve dhe debatet janë ende në veshët e mi. Dhe përherë ajo fytyra e tij buçkane, me flokët e pakët mbledhur bishtalec nga pas dhe frymëmarrjen e rënduar.
Haqif Mulliqi ishte një personalitet i teatrit shqiptar në Kosovë dhe në rrafsh kombëtar; ishte dramaturg, regjisor, kritik, gazetar. Një pejan i mençur, social dhe me ndikim në meset letrare artistike. Kur atdheu i foli, ai iu përgjigj atij pa bujë dhe u rreshtua në radhët e UÇK-së, një vlerë morale e çmuar kjo. Por unë te ky përkushtim dua të flas për Haqifin dramaturg e regjisor, ku ai dhe u identifikua më tepër si artist. Ka shkruar mbi 20 drama, ndër të cilat “Parfumeria”, “Kosovars”, “Katër epoletat”, “Një varr për majorin e mbretit”, “Asgjë veç Xhuzepes”, “Gjakova një luftë ndryshe”, “Përralla klaustrofobike”, “Si e mposhta Musolinin”, “Komedia”, “Komemorativisht” etj. Ishte nga autorët më prodhimtar, që paraqiti forma të larmishme nga njëra dramë në tjetrën. Prirej drejt konflikteve të vrazhda, me situata ankthi, jermi, prej shpirtrash të lënduar, të turbullt e ambiguidë, situata të cilat, si rregull, shpërfaqeshin falë vështrimeve introjektive (nga përbrenda) të personazheve, si te drama Parfumeria (2002) me Brutin dhe Spajsin. Në disa drama të tjera, ngjarja shkasore që cyste kolizionin dramatik fillimisht fshihej dhe jepej në formën e një trysnie që përshkonte gjithë veprimin, derisa ajo shfaqej në fund e plotë dhe domethënëse (Kosovars, Përralla klaustrofobike); ose jepej përmes një dialogu të mbuluar nga dykuptimësi të shumta, ndonjëherë edhe me një stil hermetik (Katër epoletat, Komemorativisht).
Unë i kam gjithë dramat e tij, të cilat m’i ka dhuruar me kohë. Nga një lexim i vëmendshëm nuk është e vështirë të dallosh parapëlqimin e tij kah strukturat dramaturgjike të modelit ekzistencialist, duke i kredhur personazhet në gjendje makthi që gërryhen nga vuajtje të brendshme dhe identiteti i copëtuar. Herë tjetër subjekti, edhe pse konceptohet e procedon si një mbyllje fatale, tragjike, gjithsesi shkrimtari jep shkas për zgjidhje të tipit të absurdit, ku e mira, humanistja dhe e virtytshmja në vend që të triumfojnë natyrshëm, përkundrazi mbyten nga e keqja, krimi dhe mosmirënjohja (p.sh. dramat Trenat, 2002; Gjakova një luftë ndryshe, 2004). Në përjetimet e tij bie në sy ndjesia për të marrë në mbrojtje viktimat e luftës në Kosovë, sakrificat e të cilëve për lirinë shpërdorohen nga spekulimet e segmenteve sociale të veshura me pushtet (Komemorativisht); kritika ndaj ideologjive që ushqejnë dhunën, histeritë nacionaliste dhe diferencimet segregative (Kosovars); ironia ndaj elitave ushtarake dhe atyre politike që nxitin luftërat dhe sjellin katastrofat sociale e humanitare, me karrierat e përgjakshme nën diktaturë (“Katër epoletat”, me dy gjeneralët Alfador dhe Betador, që janë plotësime e bishtnime të njëri-tjetrit). Mendimi i kthjellët mbi shkaqet dhe shkaktarët realë të konflikteve të armatosura dhe terapia shëruese për njerëzit e brengosur pas lufte, shoqërohet nga një humanizëm i brendshëm, nga forca shpirtërore dhe nevoja për të falur, nga apeli për arsyetim dhe tejkalimin e konfliktit duke shmangur katastrofat.
Një tjetër cilësi e dramave të H. Mulliqit është mungesa e personazheve të shumtë. Forma e diadramave apo ato me pak personazhe janë më të pëlqyerat prej tij. Tendosja e situatës dramatike, duke e shndërruar atë në një gjendje ankthi, është diçka që e has gjithandej, shoqëruar kjo me aplikimin e suksesshëm të suspansit dhe kontrapunkteve, kur gjendjet nevrotike, shpërthimet e befta apo mllefet e brendshme shpërfaqen si kinse të qeta, të paqme, të fshehura me kujdes. Kjo kthehet në stil, posaçërisht në mënyrën e krijimit të situatave, të cilat sajohen asilloj që të kërkojnë domosdoshmërinë e dialogut si forma bazike e dramave të tij, dhe vetëm falë saj rrëfehet dhe krijohet ngjarja. Por ka dhe raste të tjera, kur harxhohet shumë dialog, apo kur dialogu vetëmbyllet, kuptimi ngujohet dhe hermetizohet. Prania e ngjarjeve vështrohet më së shumti si shtysë apo premisë për të sqaruar pozitën e personazheve, për të rigjetur a rishprehur identitetet e kamufluara të tyre, për të shumëfishuar efektin dramatik sikurse, në raste të tjera, ato vihen në funksion të krijimit të fabulave kureshtsjellëse, siç ndodh me dramat Një varr për majorin e mbretit, Si e mposhta Musolinin etj. Te kjo e fundit, krijimi i një personazhi në paradigmat tipologjike të Shvejkut sikurse është Bardh Bregu, krijon premisën e bukur të talljes me të gjithë e me gjithçka, me bëmat dhe bëmatarët e këqij të luftërave, madje edhe me vetveten. Në disa drama Mulliqi shfrytëzon mënyrat kontrapunktuale, domethënë zhbirilimin në gjendjet e traumës dhe atë përpara saj, pra ndërmjetmen (mediumin) nga vetëdija te pavetëdija dhe anasjelltas. Kësodore këqyrja autoriale e tij fiton qashtërsi duke e bërë të dukshme vuajtjen nga iluzionet e rrejshme, utopitë dhe shpresat e përmbysura. Gjithashtu, ai interesohet që ta paraqesë turbullirën psikike të personazheve në formën e transit, nëpërmjet kontaminimit të së pastërtës me të pistën, të virtytit me të shëmtuarën, të fisnikes me të ultën, e gjitha kjo me qëllimin paraprak për krijimin e dikotomive ekzistencialiste që sillen e ndërsillen kah/tek/përmes njëra-tjetrës. (p.sh. Përralla klaustrofobike, Komemorativisht).
Përveçse shkrimtar e gazetar, Haqif Mulliqi u dëshmua edhe si studiues. Botimi i tezës së tij doktorale për dramën shqipe si bartëse dhe shprehëse e antropologjisë sonë kombëtare ishte një kontribut cilësor, me ligjërim të thelluar dhe hetime të mprehta. Shpirti i tij debatues dhe cilësia që jepte në ligjërimet universitare si Profesor, ato në festivalet teatrore për ecurinë dhe problemet e teatrit, dramës, regjisë, ato në mediet televizive, shkrimet e shumta memoriale që u bënte luftëtarëve kosovarë dhe njerëzve të virtytshëm etj., e bënte atë përherë një fisnik e mik të respektueshëm.
___
E shoh të arsyeshme që ta bëjë publik një koment të studiuesit dhe mësimdhënësit të njohur nga Tirana , Prof. Josif Papagjonit, pasi e kuptoi nga njoftimi im në fb se Haqif Mulliqi ka vdekur, të cilin ai e ka njohur për së afërmi, si student të tij.
Ja komenti i tij, tek njoftimi im në fb për Haqifin pardje:

Josif Papagjoni

Zot, çfare lajm i tmerrshem per mua. Ishim miq prej herit, per shume nga dramat dhe shfaqjet e tij kam shkruar artikuj, ndersa punimin e tezes se tij doktorale pata kenaqesine te isha une udheheqesi i tij shkencor, apo siç e quajne kosovaret, Mentor – nje bashkepunim i shkelqyer. Perveçse dramaturg kryesor bashkekohor ne hapesiren shqiptare, Haqifi ishte po ashtu nje studiues i drames, publicist e gazetar, pedagog e profesor me nje ligjerim te bukur e te eperm. Shume vete ka pikelluar Haqifi, miku yne i shtrenjte, tej e tej hapesires sone kombetare. Ishte pernjemend meritor. Dhe mik shume i dashur. Lamtumir i shtrenjti Haqif!
* Autori i këtij shkrimi, Josif Papagjoni, është shef i departamentit te Arteve ne Akademine e Studimeve Albanologjike më parë në mesuese.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu