Agim Morina, Londër
____
Ka një muej që financuesi anonim i Klan Kosovës nuk paska pranu me e ndërru «TV Djakovica – Serbia» me «Gjakovë – Republika e Kosovës». Ashtu qysh nuk e pranon asnjë klerofashist serb. Ata që kryen gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ata që eshnat e shqiptarëve nuk i kthejnë as sot e kësaj dite.
Në vetvete, vetë regjistrimi me «Djakovica – Serbia» asht shkelje e pashembullt, edhe ligjore, edhe morale. Me pasë ndodhë kjo në Francë apo Britani, fjala vjen, me regjistru në Paris apo Londër një medium sipas kërkesave naciste apo fashiste me «Paris – Frankreich», Klan Kosovës nuk i kishte mbetë as edhe një fërkem.
Dikush mundet me pasë kujtesë mushkonje, por kanalet ruse u ndaluen sapo nisi lufta në Ukrainë, pra, jo ma larg se VITIN E KALUEM, me 2022. Nga kush? Nga Bashkimi Europian, nga ShBA dhe nga Britania e Madhe. Nga përfaqësuesit prijatarë të demokracisë sot në botë. Rusia nuk ka ba ende asnjë krim lufte – e lene ma gjenocid – në asnjë vend të BE-së, në ShBA apo në Britani. Megjithatë, u ndalu veprimtaria informative e RT-së.
Arsyetimi i britanikëve për ndalim ishte se mediumi informativ rus nuk ishte “i përshtatshëm dhe i duhun” (“fit and proper”) dhe nuk ishte “transmetues i përgjegjshëm” (“responsible broadcaster”). Kaq mjafton për me ndalu këdoqoftë.
Dhe vendimi i shteteve perëndimore me ndalu një medium informativ asht, pa asnjë dyshim, vendim politik. Por vendim politik i drejtë.
Dhe jo vetëm kaq. Iu ndalu edhe viza patrikut rus, Kirillit. Nuk ka as liri të fesë që shërben kundër interesave të shtetit e të kombit. Edhe ky ishte vendim politik, por i drejtë.
Nuk jemi në kohën e Titos, as të Enver Hoxhës, kur cilësimi “politik/e” kishte kuptimin vetëm negativ e anmiqsor.
Në emën të asnjë lirie të veçantë nuk ban me shkelë mbi Lirinë.