ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Kosova, Deklaratë Pavarësia para 31 viteve në 2 korrik 1990

Shkrime relevante

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Presidentja Vjosa Osmani në vizitë pune në Kanada-përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë...

Përkrahësja e madhe e kauzës Shqiptare, Edhit Durhami, përkujtim në 80 vjetorin e vdekjes

Edith Durham 1863-1944 Nail Draga, Ulqin Nga të dhënat e njohura  deri tash...

Shpërndaj

-Deklarata Kushtetuese e miratuar dhe nënshkruar nga delegatët e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik 1990, “Fillim i së nesërmes” së Kosovës shtet/

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë  i Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

SPECIALE-Gazeta DIELLI dhe portalit DRINI & nga Behlul Jashari, korrespondenti në Kosovë 

PRISHTINË, 1 Korrik 2021/ “Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte para 30 viteve  Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 31 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 22 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  13 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 31-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para dy vitesh e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i  parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

15 PRILL 1990:  DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

KUVENDI MBLIDHET NË SEANCË SOLEMNE PËR SHËNIMIN E 31-VJETORIT TË MIRATIMIT TË DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë solemne të premten, më 2 Korrik 2021, në ora 10:00, për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.

Kjo seancë ka për qëllim shënimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës, 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur 111 delegatë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit policor e ushtarak serb, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit miratuan një nga dokumentet historike kushtetuese për statusin e ardhshëm politik të Kosovës: Deklaratën Kushtetuese për Kosovën, njësi e pavarur në kuadër të ish-Federatës së atëhershme të Jugosllavisë.

Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës do të shfaqet edhe një fragment nga filmi dokumentar me titull “Projektuesi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, i autorit Nuhi Bytyçi.Nëpërmjet këtij dokumentari dëshmohet kontributi shkencor i akademik Gazmend Zajmit në hartimin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, paraqitjet e tij në konferenca, simpoziume dhe tubime tjera shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare lidhur me argumentimin e së drejtës së popullit të Kosovës për vetëvendosje, për shkëputjen nga Serbia pushtuese, për Kosovën shtet të pavarur e sovran, si dhe vizionin e tij për bashkim kombëtar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu